Ina Jano
Shëndetësia, Kryeministri: Rama nuk fiton duke ndjekur programin e Kosta Barjabës, si pasuesin e Ramiz Alisë
Takim derë më derë me qytetarët për të dëgjuar hallet dhe problemet e tyre. Kjo do të jetë taktika që do të përdorë Partia Demokratike për të kërkuar votën e qytetarëve edhe për një mandat të tretë për të qeverisur vendin. Këtë taktikë e bëri dje me dije kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke u dhënë porosi të gjithë deputetëve demokratë që të ndjekin shembullin e tij për të biseduar me qytetarët dhe për të marrë mendimet e tyre në lidhje me çështjet që i shqetësojnë dhe për të cilat duhet që të punojnë dhe të fokusohen më shumë në programin e ri që do të paraqesin për zgjedhjet e qershorit. “Në takimet që kam bërë, në të cilat unë vendosmërisht shkoj për të dëgjuar mendime, opinione, propozime, sugjerime, kritika, qortime për Partinë Demokratike dhe programin e saj katër vitet që vijnë. Sepse, e theksoj edhe një herë, ndonëse ai ka ekspertizën e shkallës më të lartë dhe vlerësimet më të mëdha ndërkombëtare, ju garantoj se asgjë nuk zëvendëson mendimin qytetar, interesin qytetar, opinioni qytetar. Ndaj me këtë bashkëbisedim, me këtë dialog me qytetarin synimi më madhor është pasurimi i programit tonë, shndërrimi në një program që përshtatet, që përputhet dhe që u përgjigjet më shumë interesave të qytetarëve”, – vijoi Kryeministri. Ndërkohë që shefi i mazhorancës nënvizoi se Rama është në pikë të hallit, pasi sipas tij ai ndodhet në një konfuzion total. Për liderin e mazhorancës një nga problemet e Ramës është fakti se ai gënjen dhe veten e vet. “Kundërshtari është në hallin e tij më të madh, në ditën e tij më të vështirë, i zhytur në një kaos dhe konfuzion total konceptual. E them edhe një herë, të dashur qytetarë, çdo njeriu i ndodh që të gënjehet njëherë, cilido qoftë ai. Sepse njerëzve duhet t’u prijë besimi dhe është normale të besosh. Por të të gënjejnë dy herë, ke gënjyer veten – thotë fjala e urtë. Kjo është keq, por e keqja e të gjitha të këqijave është kur beson gënjeshtrat e tua. Kjo nuk ka shërim. Njeriu që beson gënjeshtrat, po ta marrim si Homo sapiens, si njeri me ndjenja, me shqisa dhe me të gjitha që ka arritur në këtë stad, është ai që ka shikim, por nuk shikon; ka dëgjim, por nuk dëgjon; ka ndjeshmëri, por nuk ndjen”, – shtoi kreu i ekzekutivit.
Shëndetësia
Një vend të rëndësishëm gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë e pati edhe për sistemin shëndetësor, duke iu referuar edhe programit që Rama ka publikuar disa ditët më parë. Por, sipas Kryeministrit Berisha, ky është një koncept jo vetëm i vjetër dhe kaotik, por edhe një gënjeshtër, pasi sistemi shëndetësor shqiptar ofron falas shërbimin shëndetësor edhe për të papunët, nëse ata përmbushin vetëm një kusht. “Zoti Rama u thotë shqiptarëve se janë rritur tarifat për të papunët. Ky lexon Kosta Barjabën, varianti i ri i Ramiz Alisë. Harron se ky vend ka një ligj që u garanton të papunëve shërbime pa pagesë, rimbursim, me një kusht të vetëm, të sjellin dokumentin e papunësisë. Kjo nuk i intereson zotit Rama, se numri i të papunëve nxjerr atë që është dhe atij i duhet numri i Ramiz Alisë dhe i Kostës, 1 milion. Është në kërkim të 1-milionëshit”, – deklaroi Berisha. Kryeministri publikoi të dhëna sipas të cilave në 8 vite, qeveria ka rritur disafish fondet, si për Institutin e Sigurimeve Shëndetësore, ashtu edhe për fondin e barnave të rimbursueshme, duke rritur edhe numrin e këtyre barnave, ku përfituesit kryesorë janë pensionistët. Duke ju drejtuar kreut të PS-së, Ramës lideri i kabinetit qeveritar, nënvizoi: “Deklarata jote se janë rritur çmimet për pensionistët është trillim. Pensionistët në Shqipëri marrin falas barnat nëpërmjet rimbursimit. Dhe nga pensioni nuk heqin një qindarkë, sepse ato u rimbursohen. Por ka një gjë zoti Rama. Tetë vjet rresht votove kundër rritjes së pensionit të tyre. Nga ana njerëzore nuk të nderon, të nxjerrë të zhveshur nga ndjenjat”, – u shpreh Berisha. Kryeministri pranoi se shëndetësia shqiptare është larg të qenit e përsosur dhe ka nevojë për ndërhyrje të tjera reformuese, kryesisht në menaxhimin e saj. Por ai tha se është i papranueshëm qëndrimi i kreut të opozitës, i cili kërkon të marrë disa vota më shumë duke e bazuar alternativën e tij mbi mashtrimin e shqiptarëve dhe mohimin e gjithçkaje. “Nuk është se nuk ka vend për kritika, por jo të adaptosh nihilizmin si platformë, se nihilizmi të detyron të besosh gënjeshtrën tënde. Edhe njëherë, unë i them zotit Rama se uroj që ai të bëjë një përpjekje të madhe për të dalë nga rrethi vicioz i besimit të gënjeshtrave të tij. Ai shkoi në Burrel dhe ne u interesuam maksimalisht për shëndetin e tij, edhe ministri edhe unë. Ai falënderoi, sigurisht, jo me emër, të gjithë ata që u shqetësuan. Ndërkohë që kur ishte në Elbasan, e dëgjova tek thoshte; “U ftoha në Burrel, ndenja gjysmë ore në reanimacion dhe u ftoha aty, mora të ftohur”. Unë u interesova dhe e dini se cila ishte përgjigja që më dhanë? – më falni se edhe mjekët e përdorin këtë shprehje popullore – “jo, ai ishte ftohur në tajare”. Por, a thotë burri ashtu? Majlinda, unë e shoh që ty nuk të erdhi mirë që unë e përdora këtë fjalë, por nuk kam ç’të bëj, se kështu më thanë. I përdor edhe populli këto shprehje, nuk kam ç’bëj unë. Ju lutem shumë, këtë fjalën e fundit edhe mund ta censuroni, nëse doni, por këtë e thotë populli, jo unë”, – shtoi më tej Berisha.
Investimet në shëndetësi
Në Spitalin e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, në urgjencë, janë investuar 21.4 milionë euro
Në spitalin e Shkodrës, faza e tretë, janë investuar 8.23 milionë dollarë dhe 165 milionë lekë.
Në Qendrën Spitalore “Shefqet Ndroqi”, për pajisjet e saj janë investuar 7.48 milionë euro dhe unë ju garantoj se ka pajisjet ndër më modernet, ka skaner të cilësive ndër më të lartat që ekziston në rajon.
Përmirësimi i qendrës së djegies, investim prej 950 mijë euro.
Pajisje mjekësore për spitalin e neurokirurgjisë 7.1 milionë euro.
Furnizim dhe vendosje pajisjesh komplekse për spitalet rajonale 5.9 milionë euro, ndër të cilat 3 rezonanca magnetike, 6 skaner në disa nga spitalet rajonale.
Projekti i grafi-skopive për urgjencat me grantin japonez prej 5 milionë euro.
Spitali i përgjithshëm i Kavajës, me një investim prej 8.76 milionë dollarë dhe 140 milionë lekë pajisje.
Rikonstruksioni dhe pajisja e 5 poliklinikave me 5 milionë euro.
Blerje e pajisje për të gjitha Qendrat e Kujdesit Parësor me vlerë 2.1 milionë dollarë.
Blerje teknologjie informacioni për Qendrat e Kujdesit Parësor me vlerë 700 mijë dollarë.
Blerje e 4 mamografive me vlerë 2 milionë dollarë.
Blerje e autoklavave për mbetjet spitalore – 1.4 milionë dollar.
Janë në aplikim e sipër blerjet për I-helth, shëndetësinë dixhitale, me një shumë prej 14 milionë euro
Rikonstruksionin e Neurokirurgjisë, në QSUT, 298 milionë lekë, ku tashmë atje janë sallat e operacionit të teknologjisë më të lartë që ekziston
Rikonstruktuar Reparti i Pediatrisë me 250 milionë lekë.
Rikonstruktuar spitali “Shefqet Ndroqi” me 287 milionë lekë.
Rikonstruktuar godina nr 3 e spitalit të Lushnjës me 77 milionë lekë.
Rikonstruktuar tërësisht spitali i Krujës me 95 milionë lekë
Rikonstruktimi i spitalit të Gjirokastrës me 80 milionë lekë.
Rikonstruktimi i Spitalit Psikiatrik të Elbasanit me 54 milionë lekë.
Rikonstruktimi i godinës qendrore dhe Poliklinikës së Fierit me 84 milionë lekë.
Kirurgjia dhe Materniteti i Elbasanit me 340 milionë lekë
Përurohet qendra e të dhënave qeveritare, Kryeministri: Objektivi i radhës, Shqipëria mobile
Qendra e të dhënave qeveritare u përurua dje dhe i pranishëm në ceremoni ishte edhe kreu i ekzekutivit, zoti Berisha. Kryeministri e cilësoi ngritjen e kësaj qendre si një ngjarje shumë të rëndësishme dhe një arritje shumë të madhe. “Kam qenë dhe mbetem i bindur se kompjuteri, bota virtuale është leva e Arkimedit për të ndryshuar botën reale, për të ndryshuar jetën e individit”, – u shpreh ai gjatë ceremonisë. Gjithashtu, lideri i qeverisë shprehu angazhimin për të bërë gjithçka që qytetarët e këtij vendi të jenë ata që përfitojnë më shumë se qytetarët e çdo vendi tjetër, në rajon dhe më gjerë, nga bota virtuale, ICT-ja. Megjithatë gjatë fjalës së tij përshëndetëse në aktivitet ai lançoi edhe objektivin e radhës të qeverisë që do të jetë Shqipëria mobile. Ndërsa renditi disa nga sukseset që ka arritur Shqipëria në këtë fushë, u shpreh se horizonti i ardhshëm do të jetë Shqipëria Mobile, ku qytetarët shqiptarë nga telefoni i tyre celular të mund të marrin të gjitha të dhënat dhe shërbimet e këtij shteti. “Udhëtimi ynë në botën virtuale nuk do të jetë ecje, por vrapim. Ne do të vrapojmë pas horizonteve të saj, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, në interesin më të mirë të ekonomisë shqiptare, pasi është faktuar se Teknologjia e Informacionit përbën një mekanizëm të sigurt, të qëndrueshëm dhe shumë të rëndësishëm të rritjes ekonomike të vendeve në zhvillim”, – tha Kryeministri. Projekti që përfundoi dje është një investim me vlerë 3 milionë dollarë dhe i realizuar në kuadër të projektit “Shqipëria dixhitale”. Ky investim, i pari i këtij lloji në administratën publike shqiptare, pritet të shërbejë si një pikë kryesore e infrastrukturës së Teknologjisë së Informacionit të institucione të administratës. Aktualisht në këtë qendër të dhënash janë në funksionim mbi 12 shërbime të përqendruara qeveritare, për rreth 60 institucione të administratës publike që përfshijnë Kryeministrinë, ministritë dhe institucionet e tyre të linjës. Qendra e të Dhënave Qeveritare është ngritur pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me një sipërfaqe prej 672 m² dhe përfshin 11 ambiente për infrastrukturën teknike, monitorimin dhe sigurimin e shërbimeve elektronike.
Meta: Aleanca me ata që duan integrimin e vërtetë
Lëvizja Socialiste për Integrim nisi dje zyrtarisht nga Elbasani fushatën zgjedhore. Para mbështetësve të partisë që drejton, Ilir Meta, u shpreh i bindur në fitoren më 23 qershor. “LSI me këtë solidaritet dhe me këtë proces hapjeje do të dijë jo vetëm të fitojë me meritë, por do të dijë ta kthejë gjithë këtë përkrahjeje në zhvillim”, – vuri në dukje Meta. I bindur në fitore, nuk foli për aleanca politike, por për bashkëpunim me grupet e interesit, me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës. “Aleanca jonë është e vendosur me sipërmarrësit shqiptarë dhe elbasanas që do hapin vende të reja pune. Aleanca jonë më e rëndësishme me ata që duan integrimin e shpejt, të progresit”, – deklaroi ai. Meta vlerësoi rëndësinë e ndërtimit të aksit rrugor strategjik që lidh Elbasanin me Tiranën. Sipas tij, kjo vepër gjigante do të rrëzojë pengesat për komunikim mes dy qyteteve. Në takim, Meta vlerësoi rolin e qytetarëve elbasanas në ndërtimin e shtetit dhe kombit shqiptar.