Shuhen shpresat, ish-presidenti i Egjiptit del i varfër, asnjë pasuri në Shqipëri

0
273

Elton Qyno

mubarakTask-forca mbyll verifikimet në vend. Hetimet konstatuan se lista me 230 persona nuk kishte asnjë pasuri

Në listën e dërguar nga Egjipti, djem, vajza, nipa, gra dhe ish-ministra të diktatorit Mubarak

 

Shuhen shpresat e Prokurorisë së Tiranës për gjetjen e pronave të ish-presidentit egjiptian Hosni Mubarak. Nga verifikimet e kryera për 230 emrat e familjes së Presidentit që sundoi për 30 vite me radhë shtetin e Egjiptit, nuk është arritur të gjendet asnjë pronë e regjistruar në Shqipëri në emër të tyre. Njësia hetimore task-forcë, e cila ka kryer verifikimet e nevojshme për llogari të Prokurorisë së Përgjithshme Egjiptiane, ka konstatuar se në territorin shqiptar nuk ekziston asnjë pasuri në emër të Mubarakut, djalit, vajzës, dhëndrit apo dhe nipërve të tij. Prona nuk kanë as rrethi shoqëror i tij, dhe bashkëshortja e Hosni Mubaraku. Sipas prokurorisë së Tiranës, të gjitha verifikimet janë kryer në hipoteka, banka të nivelit të dytë, QKR, dhe institucione të tjera. Pas dërgimit të shkresave në këto institucione, është marrë përgjigje se në emër të 230 personave, nuk është regjistruar asnjë pronë në Shqipëri. Nisur nga kjo situatë, prokuroria e Tiranës nëpërmjet ministrisë së drejtësisë ka dërguar një letërporosi në drejtim të Egjiptin, ku i konfirmon drejtësisë së këtij shteti se në emër të Hosni Mubarak, dhe shumë prej anëtarëve të familjes së tij, nuk ekziston asnjë pronë në Shqipëri. Aktualisht ish-presidenti Mubarak, është dënuar nga gjykata e Kajros me burgim të përjetshëm, ndërkohë që

Në listë, edhe ministrat

Mes listës së gjatë të dërguar në kërkesën e autoriteteve egjiptiane ndodheshin dhe disa ministra, si ai i Financave, i Industrisë dhe Tregtisë, ministri i Naftës, ministri i Brendshëm dhe ministri i Turizmit. Për të gjithë këta persona Prokuroria e Tiranës ka kryer një sërë hetimesh, por në fakt nuk ka mundur të gjejë asnjë pronë në emër të tyre. Prokuroria shqiptare ka administruar 8 letërporosi të ardhura nga shteti i Egjiptit, të cilat kërkojnë hetimin pasuror të rreth 230 personave, të lidhur me pushtetin 30-vjeçar të regjimit të Hosni Mubarakut. “Të identifikohet çdo lloj pasurie, – thuhet në kërkesë, – duke përfshirë pasuri të luajtshme e të paluajtshme, të drejta e tituj pronësie, aksione e obligacione të shtetasve të ish-presidentit egjiptian dhe të familjarëve dhe personave të tjerë të lidhur me të, që ndodhet në këtë listë. Të identifikohen këto pasuri që dyshohet se janë produkt i një vepre penale të korrupsionit të ndodhur në shtetin e Egjiptit dhe më pas të vendoset ngrirja e tyre, duke marrë menjëherë masën e sekuestros”, – thuhet në dosjen e firmosur nga Gjykata e Kajros. Hetuesit e çështjes brenda pak muajve kanë verifikuar në të gjitha bankat e nivelit të dytë në vend, në zyrat e Hipotekës dhe në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve dhe kanë konkluduar se asnjë nga këta persona nuk kanë llogari bankare, prona apo edhe biznese të regjistruara në Shqipëri.

 

Vendimi për letërporosinë

Siç rezulton nga kërkesa për ndihme të ndërsjellë juridike e autoriteteve gjyqësore egjiptiane, shtetasi egjiptian Mohamed Hosni El-Sajed Mubarak ka qenë President i Republikës Arabe të Egjiptit. Si i tillë, rezulton se ai ka ndihmuar një sërë funksionarësh të tjerë dhe në bashkëpunim me ta ka abuzuar me fondet publike. Ai gjithashtu ka ndihmuar disa nga funksionarët publikë të kohës së vetë, të poshtëshënuar që të abuzojnë me detyrën duke përfituar edhe këta nga këto veprime abuzive në detyrë (kryesisht të lidhur me monopolin e shitjes dhe eksportimit të naftës dhe gazit) që të shpëtojnë nga akuzat penale në ngarkim të tyre, dhe si rrjedhojë ka shkaktuar dëm ekonomik si dhe ka përfituar nga pasuritë dhe fondet publike të shtetit të Egjiptit. Në veçanti ai ka abuzuar në lidhje me pasuritë e naftës dhe gazit. Nga letërporosia rezulton se Gjykata e Kajros ka miratuar urdhrin e prokurorit të Përgjithshëm, sipas të cilit duhet të bllokohen të gjitha pasuritë e tij dhe të familjarëve të tij. Siç rezulton, autoritetet gjyqësore egjiptiane kanë hapur një hetim, në lidhje me këta persona, pasi kanë abuzuar me pasurinë publike, dhe nëpërmjet veprimeve korruptive në kundërshtim me detyrën ata kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme parash. Në bazë të kërkesës së tyre, autoritetet gjyqësore egjiptiane, bazuar edhe në Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me anë të ligjit nr. 9492 datë 13 mars 2006, u kanë kërkuar autoriteteve gjyqësore shqiptare ndihmë të ndërsjellë juridike në fushën penale me qëllim ngrirjen dhe më pas kthimin pranë autoriteteve gjyqësore egjiptiane të çdo lloj pasurie duke përfshirë pasuri të luajtshme e të paluajtshme, të drejta tituj pronësie, aksione e obligacione të ish-presidentit egjiptian dhe të familjarëve dhe personave të tjerë të lidhur me të.

 

 

Shtatzënia misterioze për të aksidentuarën e Himarës

Hetimet për Florije Pecin, prokuroria: Do të

pyesim 11 persona, letërporosi në Austri

Një listë me 11 persona është bërë gati nga Prokuroria e Tiranës, me qëllim pyetjen e tyre, lidhur me shtatzëninë e mistershme të 22-vjeçares Florije Peci. Gjatë katër ditë hetimeve është arritur të pyeten vetëm dy persona të familjes së të dëmtuarës, ku shpjegime kanë dhënë vëllai dhe motra e Florije Pecit. Ndërkohë, në pyetje janë marrë dhe disa mjekë të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, të cilët kanë bërë kontrollin mjekësor të Florije Pecit. Pritet që shumë shpejt Prokuroria e Tiranës t’u drejtohet me një letërporosi autoriteteve austriake, me qëllim kryerjen e hetimeve rreth mënyrës së trajtimit në spital dhe pyetjes së anëtarëve të familjes kosovare. Sipas burimeve të prokurorisë, tashmë hetimi do të përqendrohet vetëm në Austri, pasi në Shqipëri nuk kanë asnjë të dhënë se 22-vjeçarja ka mbetur shtatzënë pas mbërritjes nga Austria në Shqipëri. Vetë familjarët e saj pohojnë se përdhunimi është bërë në klinikën mjekësore ku është kuruar për disa muaj me radhë Florije Peci. Pavarësisht nga këta deklarata, Prokuroria e Tiranës shprehet se spitali nuk ka gisht në këtë punë, por dyshimet e vetme të hetuesve të kësaj çështjeje bien mbi familjen e kosovarëve dhe rrethit shoqëror e familjar të kësaj familjeje, ku edhe ka qëndruar për disa ditë me radhë Florije Peci. Megjithëse hetimet rreth shtatzënës janë duke vijuar me ritme të shpejta, kjo e fundit kërkon abortimin e fëmijës 5-muajsh, ndërkohë që bluzat e bardha të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” nuk pranojnë kryerjen e operacionit për abortimin e fëmijës, pasi, sipas tyre, një gjë e tillë është e paligjshme dhe dënohet me ligj, nëse arrijnë ta kryejnë abortin.

 

Bllokohen 50 kg

Droga në Durrës, një në pranga, tjetri në kërkim

Një person ka rënë në pranga, kurse një i dytë është shpallur në kërkim pasi tentuan të kalonin drogë nga porti i Durrësit drejt Italisë. Rreth 50 kg kanabis sativa u sekuestrua pas kontrollit të policisë kufitare në dy automjete, tip fuoristrada “Mitsubishi” me targa AA 173 BY dhe “Audi” me targa AA 376 FL. Lënda narkotike ishte fshehur brenda në gomat rezervë të njërit prej mjeteve dhe për këtë përfundoi në pranga Gjon Carinaj 30 vjeç. Policia po punon për kapjen e personit tjetër të përfshirë në këtë trafik droge. Ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje personi i arrestuar nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë. Lidhur me këtë ngjarje, policia bëri sekuestrimin e drogës dhe automjetit, ndërkohë që materialet hetimore ia kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

 

Aksidenti, Porcelan

Përplasen katër automjete, dy persona plagosen

Katër automjete janë përfshirë në një aksident zinxhir në rrugën e Porcelanit, pranë pikës së prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit nga kompania ALEAT. Fatmirësisht nga përplasja e mjeteve ka pasur vetëm dy drejtues të lënduar lehtë, për të cilët është dashur vetëm një ndihmë e parë mjekësore. Sipas burimeve pranë policisë rrugore të cilat kryen veprimet e para hetimore në vendngjarje, shkak ka qenë një manovrim i gabuar për t’u kthyer në krahun e majtë që e ka bërë të pa shmangshme përplasjen nga mjetet e tjera që vinin nga pas, kjo edhe për shkak të mos respektimit të distancës së sigurisë nga këto të fundit. Ngjarja është klasifikuar si karambol me dëme materiale, dhe drejtuesit e mjeteve janë këshilluar të kryejnë veprimet për zhdëmtimin nga kompanitë e sigurimeve.

 

Ngjarja në Vlorë

Maunia bllokon rrugën kryesorë në Llogora

Një maune ka ngecur në kthesën e Llogorasë në pamundësi për t’u kthyer, duke shkaktuar dhe vështirësi në qarkullim. Maunia, 13 metra e gjatë, ishte duke transportuar çimento dhe ka bllokuar aksin rrugor Vlorë – Sarandë. Policia ka mbërritur në vendngjarje në përpjekje të zhbllokimit të situatës. Por një gjë e tillë është bërë e mundur vetëm pas disa orësh, kur maunia është tërhequr nga disa mjete të tjera të rënda, duke shkaktuar më pas lirimin e rrugës kryesore që të çon në Vlorë. Sipas burimeve, rruga është bllokuar në të dyja krahët e saj. Lidhur me këtë ngjarje policia e Vlorës ka bërë shoqërimin në komisariat të shoferit të maunes, ku mësohet se ndaj tij janë marrë masa administrative për bllokimin e rrugës nacionale.