Berisha: Shqipëria, superfuqi në hi-tech në rajon

0
184

Ina Jano

berishaKryeministri mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga Protik

Universitetet të marrin shembullin e qendrës, për të vënë në zbatim teknologjinë

 

Kryeministri Berisha, i bindur në suksesin e projektin “Shqipëria dixhitale”, dje bëri me dije se vendi ynë ka për objektiv që të arrijë të bëhet një superfuqi hi-tech. “Në rast se në vitin 2006 objektivi ynë ishte Shqipëria dixhitale, objektivi ynë sot është Shqipëria-një superfuqi e vogël rajonale e ICT. Ambicioz, por plotësisht i mundshëm. Edhe 7 vjet më parë kur thamë “Shqipëri dixhitale” kishte nënqeshje e buzëqeshje në sallë. Edhe tani “Shqipëria superfuqi rajonale” gjithnjë ka buzëqeshje dhe nënqeshje, por unë kam bindjen më të thellë se ky start i fuqishëm në këtë qendër e natyrisht një kompleks tjetër masash do të bëjë që Shqipëria në vitet që vijnë të ngjitet në krye të inovacionit në këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin në tërësi”, – tha Berisha. Ky i fundit u ndal edhe në zhvillimet pozitive që ka kaluar vendi ynë gjatë gjithë këtyre viteve, duke përmendur edhe shifra konkrete. “Mund t’ju kujtoj se në vitin 2005 shkalla e përdorimit të internetit ishte ndër më të ulëtat në botë, vetëm 4.8 për qind. Fluksi i internetit ishte 0.5 GB, por nevojat ishin të jashtëzakonshme. Mosha dixhitale ishte mosha jetike për të shkëputur Shqipërinë me shpejtësi nga një prapambetje e pamerituar që ajo trashëgonte. Pas kaq vitesh, Shqipëria është krejtësisht tjetër. Shqipëria është tani një vend që e ka mbi 60 për qind shkallën e përdorimit të internetit. Është një vend, i cili në disa aspekte u bë pionier i procedurave dixhitale në botë. Falë ndihmës së USAID-it, Shqipëria u bë vendi i parë me prokurime 100 për qind elektronike. Falë përpjekjeve të gjithanshme, Shqipëria u rendit e dyta në botë, pas Vietnamit, për gatishmërinë e rrjetit. Tirana këtë vit ishte një ndër 20 qytetet më smart dhe u përzgjodh nga një forum serioz ndërkombëtar. Pra Shqipëria ka bërë hapa të mëdha, por asnjë fushë dhe asnjë sektor nuk ka dinamizmin e ICT-së. Askund nuk mund të mbetesh më lehtë mbrapa sesa në këtë fushë”, – vijoi kryetari i ekzekutivit, ndërsa përshëndeti edhe të gjithë fëmijët që ishin në qendër. Zoti Beriehs pohoi se të gjitha universitetet duhet që të frymëzohen nga kjo qendër për të vënë në zbatim të gjithë këtë teknologji që sa vjen dhe përparon. “Ajo çka ne do të donim shumë është që edhe universitetet, departamentet e tyre, të frymëzohen nga veprimtaria e kësaj qendre. Askund nuk mund të pritet më shumë sesa nga universitetet që të qëndrojnë në krye të inovacionit. Dhe ata mund të përfitojnë. Edhe qeveria mund të përfitojë më shumë nga eksperienca e Protik, për të përshtatur format e punës Protik, për të mbështetur këto forma në universitetet e vendit. Sot ne kemi 4 mijë studentë vetëm në vitin e parë në këtë degë, në informatikë dhe shkencat e lidhura me të. Eksperienca e shkëlqyer e kësaj qendre në fushën e inovacionit mund të bëhet një shembull frymëzues dhe udhëheqës për të gjitha institucionet tona”, – u shpreh lideri i qeverisë.

Qendra Protik, e krijuar si një partneritet publik – privat midis qeverisë shqiptare, qeverisë amerikane, kompanive ndërkombëtare dhe atyre shqiptare, si Microsoft, Cisco dhe Albtelekom, synon të ndihmojë në zhvillimin e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Shqipëri. Ajo ofron një mjedis teknologjik bashkëkohor ku biznese, sipërmarrës, akademikë, studentë apo profesionistë të TIK mund të punojnë, bashkëveprojnë e takohen. Qëllimet e saj janë promovimi i inovacionit dhe sipërmarrjes, stimulimi i kërkesës për TIK dhe promovimi i partneriteteve dhe rrjetëzimit profesional. Gjatë vizitës në qendrën Protik, Kryeministri u takua edhe me një grup fëmijësh, të moshës 10 – 15 vjeç, të cilët vinin në këtë qendër një herë në javë dhe në tre ardhjet e para ata kishin ndërtuar dhe komandonin në disa mënyra një robot. Ai u njoh, gjithashtu, edhe me iniciativën e ndërmarrë nga një grup studentësh për një program për personat me aftësi të kufizuar, si dhe krijimin, nga një grup tjetër studentësh, të një portali për informimin e qytetarëve në kohë reale, për të gjitha ngjarjet që zhvillohen në Tiranë dhe në mbarë vendin.

 

PD: Rama të jetë transparent

Partia Demokratike me anë të zëdhënëses së saj, Laura Vorpsi, deklaroi se Rama duhet të bëhet transparent të gjitha investimet e saj të bashkëshortes së tij. Në konferencën për shtyp, Vorpsi u shpreh se kreu i selisë rozë, fshihet i frikësuar pas skandaleve korruptive personale dhe familjare. “Z. Rama shpif dhe trillon çdo ditë dhe për çdo gjë, por nuk tregon qoftë dhe një faturë të vetme për 1 milion euro investim në pallatin pajë, apo 100 milion lekë të kredisë pa interes të gruas së tij, apo për tokën e blerë, sipas tij me 2 dollarë, për rezidencën verore në Dajt. Unë jam sot këtu për t’i bërë thirrje zotit Rama t’i tregojë publikut çmimin e vërtetë të blerjes për vilën e tij 8 mijë metër katrorë, në një zonë në të cilën toka është blerë nga qytetarë të tjerë, jo dy dollarë siç e deklaroni se e keni blerë ju, por së paku 60 e më shumë dollarë, çmim shitje këto të regjistruara në dokumente zyrtare”, – tha zëdhënësja e selisë blu. Më tej ajo shtoi se shmangia e detyrimit tatimor të shumës së vërtetë të përdorur për blerjen e tokës duhet të gjitha që të bëhen publike. “Partia Demokratike kërkon nga zoti Rama, të paraqesë para publikut të gjitha dokumentet zyrtare bankare, tatimore dhe faturat e paguara firmës së ndërtimit për 1 milion euro investim në pallatin 5-katësh me sipërfaqe ndërtimi 900 metra katrorë me investitor dhe pronar kunatin e shokut Rama, të vetëpunësuar dhe xhaxhain e tij pensionist. Partia Demokratike i kujton zotit Rama, se mosparaqitja e faturave dhe fshehja ndaj publikut të burimit të financimit prej 1 milion eurosh të pallatit në pajë, e akuzon rëndë për origjinë jo të pastër të këtyre parave familjare. Ju edhe mund të heshtni zoti Rama, por pallati në pajë nuk mund të fshihet me heshtjen tuaj”, – përfundoi zëdhënësja Vorpsi.

 

Në dy muaj, Berisha 400 mijë fansa në Facebook

Megjithëse faqja zyrtare e Kryeministrit në Facebook u hap në Ditën e Rinisë, në 8 dhjetor, tashmë në 20 shkurt ajo i ka kaluar 400 mijë fansa në të. “Të dashur miq, në këtë moment solemn për rrjetin tonë, po ju njoh me statistikën e fundit të Insight të tij. Nga 8 dhjetori deri sot, statuset tona u panë nga 600 mijë deri në 2.1 milionë persona në javë, ndërsa në total ato u panë nga 21 milionë persona. Përdoruesit e angazhuar në faqen tone arritën në total në 3.5 milionë, numri i atyre që folën për to arriti në 1.09 milionë, kurse miqtë e miqve tanë arritën në 14.3 milionë. Ne jemi kampionë! Merita është juaja. Ju, me përkushtimin, mençurinë, entuziazmin dhe energjinë tuaj, krijuat (në proporcion) rrjetin social me rritjen më të shpejtë, debatin më intensiv, përhapjen më të gjerë, me miqtë më të shumtë nga mbi 21 kombe, që flasin në rrjetin tonë. Shumë mirënjohje për ju. Urime të përzemërta! Kampionët fitojnë!”, – shkroi dje Berisha për të përshëndetur të gjithë fansat e tij. E vërteta është se shefi i kabinetit qeveritar është aktiv në Facebook, dhe gjatë gjithë kohës i mban friends-at e tij të përditësuar me të gjitha aktivitetet që zhvillon, ndërkohë që mbetet për t’u parë vijimësia e tij, por ajo që është e sigurt, është se fushata zgjedhore do ta bëjë edhe me të ethshme garën, ndërsa komunikimi do të jetë një nga pikat më të rëndësishme ku do të fokusohen liderët politikë.

 

 

Bregu: Nesër Edi Rama shans për të votuar për integrimin e Shqipërisë

Ministrja e Integrimit, zonja Majlinda Bregu, i bëri dje thirrje kreut të selisë rozë që të votojë në seancën e nesërme tri ligjet e integrimit. Zëdhënësja e qeverisë deklaroi se fundi për të gjithë ata që bllokojnë është i njëjtë, humbja e pushtetit dhe nisur në këtë prizëm edhe për Partinë Socialiste do të ndodhë e njëjta gjë në 23 qershor. “Ke një rast tjetër Edi Rama, më 21 shkurt, të enjten, të votosh 3 detyrime të paplotësuara, të cilat do ta afrojnë Shqipërinë me Evropën! Ke një rast tjetër, ti dhe partia jote që të konsiderohesh, si mbështetës e kontribuues në realizimin e ëndrrës së atyre që përmbysën diktatorin më të egër, me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” Përndryshe, siç shqiptarët e kanë treguar në 20 shkurtin e 1991, kur i bllokon e dhunon aspiratat e tyre, ata të rezervojnë vetëm një fund: rrëzimin!”, – u shpreh ministrja e Integrimit. Ndërkohë, Bregu, si zëdhënëse e qeverisë dhe koordinatore për mediat në fushatën elektorale, dha edhe disa detaje nga ceremonia që do të zhvillohet ditën e sotme në Qytetin Studenti në orën 16:30, ku do të marrë pjesë edhe Kryeministri Sali Berisha, për të festuar 20 vjetorin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Ajo pohoi se në fakt do të mbahet një koncert i madh me pjesëmarrjen e këngëtarëve më në zë të momentit të cilët do ta shndërrojnë atmosferën në një festë të vërtetë. Mësohet se Kryeministri do të mbajë një fjalë përshëndetëse ku do të rendisë disa nga ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur gjatë këto viteve demokraci. Gjithashtu ai do të adresojë edhe disa nga meritat e veçanta që patën të gjithë ata që ndihmuan në rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës 20 vjet më parë. Për festën në fjalë, zonja Bregu u shpreh se shqiptarët udhëtojnë të lirë në Evropë, janë pjesë e aleancës më të madhe asaj të NATO-s, dhe ndërkohë do të jenë së shpejti brenda familjes së madhe evropiane. Duke premtuar se PD është ndryshimi dhe do të vijohet të ecet përpara, deputetja demokrate nënvizoi se 20 shkurti do të kthehet në një ditë feste të madhe. “Ne sot kemi shumë arsye për të festuar 20 shkurtin, si ditën që shënoi fillimin e kësaj epoke të re transformimi, zhvillimi dhe mirëqenieje, që na bën të ndjehemi sot qytetarë të denjë, siç edhe e kemi merituar gjithmonë të jemi”, – përfundoi ajo.