Kupa e Shqipërisë, Flamurtari triumfon në Ballsh

0
191

kupa we shqipersisSkënderbeu bëri detyrën përballë Shkumbinit

Bylisi ndërlikon gjithçka

 

Dje u zhvilluan takimet e parafundit të vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Përveç Skënderbeut dhe Kukësit, ka mbetur ende enigmë emri i dy gjysmëfinalisteve të tjera që kanë ende edhe një 90 minuta kohë për të zgjidhur gjithçka.

 

Grupi A

Çështja ”kualifikim” nuk është më në grupin A, korçarët mbajnë kreun e renditjes me 15 pikë (5 fitore), ndërsa ndiqen nga pas prej verilindorëve të Armando Cungut, me 12 pikë (4 fitore dhe 1 humbje). Vetëm një pikë i nevojitej skuadrës kuksiane në dy kualifikueset e fundit, por ka dalë prej Kruje me një fitore të pastër 3-0, duke e bërë zyrtar kalimin në gjysmëfinale të këtij eventi kombëtar. Një sukses i madh për ta, që debutojnë për herë të parë në historinë e vet si klub në elitën e futbollit shqiptar. Kastrioti duhet t’i përkushtohet kështu kampionatit, teksa synon mbijetesën në Superiore, ndërkohë që nuk i ka mundësitë për të luftuar ndy “fronte”.

 

Grupi B

Sa i përket grupit B, situata ishte dhe mbetet enigmatike, teksa asnjëra prej skuadrave nuk e ndiente dhe e ndien veten të sigurt. Këtë e treguan qartazi edhe çerekfinalet e parafundit, të luajtura këtë të mërkurë, ku u mund më i favorizuari, Bylisi, si kryesues me 12 pikë në 4 ndeshjet e kaluara. Ballshiotëve u nevojitej edhe një barazim në dy çerekfinalet e fundit për ta siguruar matematikisht gjysmëfinalen, por me humbjen 3-2 në fushën e tyre përballë kuqezinjve të Vlorës kanë minuar gjithçka. Një “vetëvrasje” e skuadrës së Shensojit, që është gjendur shumë shpejt në dizavantazh (6’), pas një kundërsulmi të Muzakës, ndërkohë që Memelli do të dyfishonte shifrat në pjesën e dytë për 2-0. Vendësit lënë shumë hapësira mbrapa, në tentativë për të barazuar, ndaj ndëshkohen për herë të dytë, mirëpo nuk dorëzohen, por vijojnë ta kenë vështrimin nga porta e Xhelilajt. Nuk mungojnë rastet për shënim, por “gardiani” vlonjat është i pakalueshëm. Duhej një goditje dënimi rreth 20 metra, në pozicion ballor, që ekzekutohet nga Jetmir Sefa, për ta rihapur ndeshjen. Bylisi ngushton shifrat në 2-1, por e pëson sërish nga kundërsulmi vrasës kuqezi, ku Memelli shënon për rezultatin 3-1. Nuk kanë çfarë të humbasin më mallakastriotët, që hidhen të tërë në sulm, gjejnë edhe golin e dytë me anë të Teqes, por vetëm kaq, pa mundur dot të barazojnë dhe të kualifikohen përfundimisht për në gjysmëfinale. Tashmë i duhet që ta fitojë këtë pikë në çerekfinalen e fundit, në ndeshjen që do të luajë në Laç, për ta përmbushur objektivin e këtij raundi, diçka fort e vështirë, sepse kurbinasit, me fitoren e radhës 2-1 në Durrës, janë tashmë më pranë gjysmëfinaleve. Duke ditur se Flamurtari pret në sfidën e fundit Teutën, pa asnjë pikë, është e lehtë ta paramendosh fitoren për formacionin e Gjokës, që tashmë ka 9 pikë, po aq sa Laçi.

 

 

Kupa e Shqipërisë, çerekfinalet

 

Grupi A

Kastrioti-Kukësi 0-3

Golat: Alikaj 17′, Inzaghi 23′, Abdurrahman 75′

Skënderbeu-Shkumbini  3-1

Golat: Lilaj 57′ / Mile 45+1′

 

Grupi B

Bylis-Flamurtari  1-3

Golat: Sefa 70′ / Muzaka 6′, Memelli 60′, 75′

Teuta-Laçi 1-2

Golat: Mancaku 45′ / Vucaj 26′, Milenkoviç 34′

 

Grupi A

Skuadrat                    Nd.      Pikë

1. Skënderbeu          5          15

2. Kukësi                   5          12

3. Kastrioti                 5          3

4. Shkumbini            5          0

 

Grupi B

Skuadrat                    ND.     Pikë

1. Bylis                       5          12

2. Laçi                                    5          9

3. Flamurtari                         5          9

4. Teuta                      5          0

 

 

Sfida

Vllaznia udhëton në Gjirokastër për tri pikët

Ndeshja e të shtunës në Gjirokastër, Luftëtari-Vllaznia, është mjaft e rëndësishme për kuqeblutë. Pas dy fitoreve radhazi përballë kundërshtarëve direkt për kupat e Evropës, Vllaznia do të ketë përballë një ekip si Luftëtari, i cili në letër është antipodi i shkodranëve edhe për objektivat përkatës të sezonit. Në vendin e 12-të në renditje, gjirokastritët janë tashmë pjesë e zonës së ftohtë të rënies nga Superiorja, teksa do të largohen 4 ekipe në fund të sezonit. Kjo do të thotë se ndeshja me Vllazninë do të jetë vendimtare për tërë sezonin: nëse Luftëtari humbet, me shumë gjasa i thotë lamtumirë Superligës. Nga ana tjetër, pas dy ndeshjeve shumë pozitive, Vllaznia kërkon me ngulm të ruajë hapin me kryesuesit, me synim të qartë arritjen në Kupat e Evropës në fund të sezonit. Në pamje të parë, Vllaznia duket e favorizuar meqenëse ndeshja zhvillohet pa tifozë dhe në fazën e parë, në “Loro Boriç” kuqeblutë mposhtën 3-0 ekipin e Luftëtarit. Gjithsesi, do të jetë fusha e blertë që do të tregojë gjithçka, por kuqeblutë po e përgatisin me shumë seriozitet në stërvitje këtë takim, sipas orientimeve dhe skemave të trajnerit Artan Bushati. Ndërsa ndeshja do të zhvillohet të shtunën, ora 14:00, Vllaznia do të udhëtojë një natë përpara për t’u akomoduar në një nga hotelet e Gjirokastrës. Këtë herë, tifozët nuk mund të ndjekin pas ekipin në këtë transfertë të rëndësishme, pasi ndeshja është pa tifozë.

 

Kosovë

Në kampionatin e futbollit “mësyjnë” të huajt

Futbolli kosovar pushtohet nga të huajt. Vetëm gjatë merkatos së janarit një numër i konsiderueshëm i futbollistë jokosovarë janë regjistruar në ekipet e Superligës së Kosovës për pjesën e mbetur të sezonit, por edhe më gjatë. 21 lojtarë që vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe nga Afrika kanë preferuar vijimin e karrierës në shtetin e ri, pasi e konsiderojnë si trampolinë për të prekur më pas futbollin elitar. Më së shumti futbollistë të huaj ka regjistruar skuadra debutuese e Superligës, Hajvalia: tre nga Senegali, një nga Brazili dhe një tjetër nga Rumania. Tendenca e futbollistëve të huaj për të luajtur në futbollin kosovar duket disi e pakuptimtë për faktin që FIFA dhe UEFA ende nuk e kanë pranuar Federatën e Futbollit të Kosovës, e për rrjedhojë as klubet kosovare nuk mund të luajnë në kompeticionet evropiane. Gjithsesi, duhet pranuar që sikurse në Shqipëri, edhe në Kosovë cilësia e lojtarëve të huaj, kryesisht më origjinë afrikanë, lë për të dëshiruar, aq sa vetëm një numër i vogël i tyre arrin të ketë një karrierë të suksesshme.

 

Deklarata

Lika: Dede nuk ka nevojë për prezantim

Trajneri i ri, Nevil Dede, gjen menjëherë mbështetjen e plotë të futbollistëve bardheblu, të cilët besojnë ende te objektivat e sezonit. Kapiteni Ilion Lika vlerëson figurën e 38-vjeçarit, që shquhet për karakterin e fortë si brenda dhe jashtë fushës së blertë. Sipas portierit të Tiranës, Dede ka eksperiencën e duhur për t’i udhëhequr bardheblutë drejt suksesit. “Të gjithë e dinë se kush është Nevili, e njohin karrierën e tij si futbollit me Tiranën dhe ekipin tonë kombëtar. Për mendimin tim edhe si trajner është shumë i aftë, ku e ka treguar veten edhe më parë tek Tirana, apo me skuadrat ku ka qenë. Dede është rikthyer në shtëpinë e vet. Besoj se atë karakter që ka pasur kur ka qenë futbollist në fushën e lojës, do ta administrojë e do ta transmetojë në ekip”, thotë “gardiani” i kryeqytetasve. Lika nuk kërkon të gjejë të meta te puna e Alban Tafajit, të cilin e falënderon për gjithçka ka bërë në krye të Tiranës. “Shpresojmë që me ardhjen e Dedes, por nuk duhet harruar puna e Alban Tafajit si trajner, të cilin e falënderojmë, ne do të ecim përpara në pjesën e mbetur të kampionatit, duke arritur rezultatet që të gjithë presin nga ky ekip”, – shtoi ish-portieri i kombëtares. Në fund kapiteni i bardhebluve beson se Dede do ta nisë me sukses punën, duke debutuar me fitore në ndeshjen e fundjavës në kampionat me “djemtë e detit”. Lika thotë: “Ndeshjen e radhës e kemi me Teutën, që është një rival direkt në luftën për një vend në Kupat e Evropës. Besoj se do të fitojmë e t’i afrohemi sërish në renditje Teutës. Titulli kampion? Kurrë mos thuaj kurrë, ne do ta provojmë deri në fund”.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency