Analiza Braçe: PS, në vakum institucional, kryesia e partisë nuk funksionon

0
184

Gëzim Saliu

braceDeputeti socialist nuk lejohet të mbajë fjalë në konventën e PS-së ku u prezantua programi “Rilindja shqiptare”

 

Në ditën e prezantimit të programit politik të Partisë Socialiste, anëtari i kryesisë, Erion Braçe, analizon arritjet dhe mangësitë e së majtës në dy vitet e fundit. Duke marrë për bazë parimet e deklaratës së mbajtur në Asamblenë Kombëtare të prillit 2010, Braçe nënvizoi se ka qenë ndër të parët që ka folur në PS për domosdoshmërinë e një program të ri politik. Në analizën në rrjetin social “Facebook”, pasi sipas Braçes nuk i është lejuar që të debatojë mbi këto parime në konventën e djeshme, deputeti socialist theksoi se në PS ka një vakum të madh institucional. “Shqetësimi im dhe problemi që identifikoj ka të bëjë me vakuumin institucional në të cilin ndodhemi prej muajsh, vakum i cili, dukshëm, ka zbehur fuqinë organizative e funksionale të partisë, në momentin më të rëndësishëm për ne. Ky vakum, nga baza në qendër, ka qenë një hapësirë e mjaftueshme për ambicien dhe delirin e kujtdo që bën analizën që i duhet, por pa fakte, qëllimin personal shërbyer si strategji partiake, karrierën e pamerituar duke shkelur çdo rregull të përbashkët”, – theksoi Braçe.

 

Diskutimi

Në fillim të diskutimit të tij, deputeti i selisë rozë nënvizoi se në ditën e prezantimit të programit është e domosdoshme të trajtohen çështjet që bëjnë diferencën mes së djathtës dhe së majtës, ku sipas tij nuk ka angazhimet të mjaftueshme në disa piketa. “Për shembull, taksimi progresiv është kufizuar vetëm mbi rrogat e jo mbi fitimet, veçmas mbi fitimet në shërbime ekskluzive, financiare apo telefonike, mbi shfrytëzimin e pasurive kombëtare natyrore etj.”, – deklaroi Braçe. Më tej duke marrë për bazë parimet e diskutuara edhe në mbledhjen e asamblesë, të cilat sipas deputetit në një pjesë të madhe të tyre qëndrojnë sërish, Braçe pohoi se organizimi në nivelin bazë është ende në gjendje të dëshpëruar. “Pranimi në parti është në kaos: nuk merr vesh kush hyn, ku militon, si funksionon, ç’rregulla zbaton, si kontribuon, ç’rezultate arrin, si del dhe si rihyn përsëri; fiktiv,ndikohet nga qëllimi personal ( karriera apo përfitimi personal) dhe instrumentalizimi i zgjedhjeve në çdo nivel; rregullat e përbashkëta që garantojnë e administrojnë lirinë dhe qëllimet e secilit, në liri institucionale e qëllime të përbashkëta, shpërfillen; asambletë, ngritur mbi zgjedhjet në bazë janë fiktive, jo funksionale dhe në shërbim të qëllimit personal të atij që do të bëhet kandidat; koordinimi, për shkak të një autonomie shpërndare dhe vetëmarrë nga drejtuesit kandidatë, nëpër e mes njësive vendore është i pamundur”, – bëri të ditur deputeti i PS. Më tej ai u shpreh se problematika shfaqen edhe në institucionet dhe vendimmarrjen, ku sipas Braçes, kryesia e partisë në radhë të parë është jashtë funksionit. Kryesia e Partisë nuk funksionon; për shkak se është bërë e pamundur që kryesia aktuale të funksionojë larg interesave personale dhe në shërbim të partisë, duke pasur qoftë edhe një produkt minimal: të mos i bëjë dëm kauzës së përbashkët për votën e lirë; sekretariati ekzekutiv funksionon personalisht apo nuk funksionon në sektorët më kyç, atë politik e të strategjisë, programor, zgjedhor, organizativ, ligjor etj; Asambleja Kombëtare shpesh bie në formalizëm, ndërsa prej muajsh është braktisur nga anëtarë, për këtë shkak mbetet e pa plotë; grupi parlamentar ende është larg rolit natyral të kontrollit sistematik, të përditshëm, politik e profesional, të qeverisë e qeverisjes; vendimmarrja pothuajse gjithnjë është emergjente dhe e pa programuar, spontane dhe e kufizuar, diktuese dhe formale, shpesh nga jashtë forumeve statutore aq sa “vendimin”, “vendin” dhe “kohën e duhur” e lajmëron një aleat jo një drejtues i kësaj partie, pra e ngushtë dhe pa fuqinë e vërtetë që të japin strukturat legjitime e funksional”, – deklaroi Braçe.

 

 

Si të shmanget vakuumi

-midis kryetarit dhe anëtarësisë të jenë institucionet (jo një grusht njerezish, respekti për të cilët nuk mund t’i kthejë në oligarkë, nuk mund të zëvendësojë institucionet, vendimmarrjen institucionale), pra institucionale jo oligarkike;

-institucionet të ndërtohen përmes konkurrimit, alternativave, votimit (jo emërimit; në parti njëherë zgjedh, ditën kur bëhesh anëtar, çdo herë zgjidhesh), pra përfaqësuese jo të emëruara;

-vendimmarrja të burojë nga institucionet, nga debati dhe votimi, të jetë e të gjithëve dhe e detyrueshme për zbatim (opozita e opozitës nuk është vlerë, nuk garanton bashkëjetesën por ndarjen), pra kolegjiale jo e ndarë ;

-funksionaliteti i çdo strukture partiake të burojë nga qëllimet e përbashkëta të administruara nga rregullat statutore (një organizatë demokratike nuk mund të vihet në lëvizje nga paraja, as nga qëllimet e parashumve; paraja e korrupton partinë, zhbën demokracinë, çdo normë e rregull, në fund dhe vetë partinë), pra parimore jo personale;

 

 

Për programin

Programi është instrumenti që kuron identitetin dhe u jep shqiptarëve ofertën tonë politike. Programi ynë u shkrua në vitin 1992! Shërbeu për transformimin e PS-së në një parti të majtë socialdemokrate dhe mirëvendosjen, funksionimin dhe pjesëmarrjen e saj, tani në një shoqëri që jetonte, funksiononte dhe zhvillohej ne e prej lirisë!!! Atë kohë kjo ishte jetike, për partinë por edhe për Shqipërinë. Ky program është revizionuar shpesh, janë mbartur përmirësime! Ndryshimet kësaj here nuk duhet të jenë një revizionim i radhës. Për më tepër një revizionim i keq që na heq edhe atë cik identitet që na ka mbetur! Po e them që në fillim se “formulimi i ri”, sipas të cilit “PS është parti politike përfaqësuese e spektrit të qendrës së majtë dhe liberale” është i pa pranueshëm! Në 18 vite secili prej nesh ka ndryshuar, partia ka ndryshuar, konceptet mbi të majtën, interesat e përfaqësuara prej saj kanë ndryshuar! Mbi të gjitha, po ndryshon koncepti për lirinë. Liria po shihet sot jo vetëm si mjeti kryesor i zhvillimit shoqëror. Zgjerimi i lirive po vlerësohet gjithnjë e më shumë si qëllimi themelor i zhvillimit! Gjithçka në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës. Prej këtej ka lindur një model i qartë dhe bindes i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik që e sheh “Zhvillimin si liri”. Një program që mbështetet në 5 llojet e lirive instrumentale që ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë që kanë njerëzit për të ndërtuar jetën sic ata dëshirojnë.

 

Asambleja e OSBE-së, Doda: Të bindur për zgjedhje të lira

Në takimin dimëror të Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, kryetarja e selegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Mesila Doda, vlerësoi maksimalisht kontributin dhe përvojën e AP-së në fushën e vëzhgimit të zgjedhjeve. Ajo shprehu bindjen, se përvoja politike e parlamentarëve si dhe deklarimet dhe rekomandimet e tyre objektive përbëjnë kontribut të pazëvendësueshëm për proceset e vëzhgimeve të zgjedhjeve. Në emër të delegacionit shqiptar, deputetja e djathtë nënvizoi se Shqipëria është e zotuar plotësisht për të mbajtur zgjedhje të lira, të drejta e transparente në përputhje me parimet e OSBE-së, standardet evropiane dhe legjislacionin shqiptar. Po ashtu ajo vuri në dukje, se Shqipëria mban marrëdhënie të ngushta me AP-në e OSBE-së, siç tregoi edhe organizimi i takimit të vjeshtës të Asamblesë në Tiranë, tetorin e kaluar. Në këtë kuadër, deputetja e PD u bëri thirrje kolegëve parlamentarë të marrin pjesë në misionin vëzhgues të AP-së së OSBE-së, i cili planifikohet të vijë në Shqipëri në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency