Ceremonia Përurohet Regjistri Elektronik Noterial, aplikimi nis më 1 mars

0
226

Sonja Caka

rregjistriKryeministri Berisha: Dixhitalizimi rrit transparencën në drejtësi. Ministri Halimi: Nga sot, regjistrat noterialë do të jenë tërësisht elektronikë. Sistemi noterial largohet nga letrat e regjistrat dhe hyn në epokën dixhitale

 

Nga 1 marsi do të nisë aplikimi i sistemit të ri dixhital të Regjistrit Elektronik Noterial. Kryeministri Berisha dhe ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi, përuruan dje Regjistrin Elektronik Noterial, i cili bën të mundur regjistrimin e veprimeve dhe akteve noteriale, në mënyrë të thjeshtë dhe të sigurt, në një sistem qendror dhe kombëtar. Përdoruesit e regjistrit janë noterët, Dhoma e Noterisë, Ministria e Drejtësisë dhe institucione të tjera, si inspektorate apo investiguese, institucionet tatimore etj. Sistemi do të jetë i aplikueshëm nga data 1 mars për gjithë Shqipërinë ndërsa viti 2014 do të sjellë nënshkrimin elektronik të akteve. “Nga sot, ne ndryshojmë përfundimisht sistemin noterial, largohemi nga regjistrat e letrat dhe hyjmë në epokën dixhitale. Nga sot Regjistrat noteriale do të jenë tërësisht elektronikë”, – tha ministri Halimi në fjalën e mbajtur me këtë rast. Ndërkohë, në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha e vlerësoi këtë projekt si një hap shumë të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë, i cili ndikon në rritjen e mëtejshme të transparencës. “Transparenca është bërë gjithnjë e më shumë një kusht i domosdoshëm i veprimtarisë sonë. Në rast se shoqërohesh nga transparenca, në çdo hap ke një siguri shumë më të madhe, por edhe konsolidon një etikë të re pune, një kod të ri pune”, – tha Kryeministri. Kryeministri Berisha përshëndeti në mënyrë të veçantë ministrin Eduard Halimi, i cili “me një vendosmëri të madhe, në një hark të shkurtër kohor, arriti të aplikojë dhe të vendosë në themel të punës së sistemit të drejtësisë transparencën më të madhe, projektet dixhitale, projekte të cilat janë në interesin më të mirë të qytetarit, por projekte të cilat janë në interesin më të mirë edhe të zyrtarit”. “Zoti Halimi e nisi këtë proces të dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë me një vendosmëri dhe përkushtim të madh. Sot mund të them se kjo ministri qëndron në krye të agjencive për sukseset e saj në fushën dixhitale. Këto arritje do të kenë një ndikim të madh, afatgjatë, në funksionimin e këtij sistemi jetik për funksionimin e shtetit ligjor”., tha më tej në fjalën e tij kryeministri Berisha. Falenderime në mënyrë të veçantë, ministri Halimi dha për ekipin e ekspertëve të IT-së, të cilët, sipas tij, bënë të mundur që jo vetëm Ministria, por gjithë Shqipëria të krenohet si i vetmi vend në rajon që ka sot një Regjistër Kombëtar Noterial tërësisht elektronik”.

Sistemet e dixhitalizuara

Ministri i Drejtësisë deklaroi se përgjatë një kohe të shkurtër, Ministria e Drejtësisë ka dixhitalizuar regjistrin e pronave dhe duke ndërtuar edhe një portal dixhital online me ZRPP. “U privatizua dhe dixhitalizua sistemi i Përmbarimit, duke larguar njëherë e mirë, mosbesimin se vendimet e gjykatave nuk ekzekutohen. Dixhitalizuam plotësisht sistemin gjyqësor, me një portal të vetëm unik, ku qytetarët kanë mundësi të shohin dhe dëgjojnë 24 orë në 24 se çfarë ndodh dhe çfarë thuhet në gjykata, por dhe të ndjekin online ankimet që ata bëjnë në sistem” bëri me dije kreu i institucionit të drejtësisë, duke renditur një pas një arritjet e Ministrisë së Drejtësisë në këto vite. Më tej, ministri Halimi foli edhe mbi ndërmarrjen e një hapi të rëndësishëm një vit më parë, ai i dixhitalizimit të noterisë. “Krijuam një sistem dixhital “One stop shop për noterët” unik në rajon. Me këtë sistem, qytetari apo biznesi nuk ka nevojë të shkojë më në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për të kryer transaksione, për të marrë informacione. Qytetarit i duheshin minimumi 21 ditë dhe të paktën 4 hapa për të kryer një transaksion të një pasurie të paluajtshme. Ne e krijuam një sistem dixhital, ku qytetari vetëm me një hap tek noteri, kryen jo vetëm transaksionin, por paguan dhe taksat dhe tatimet,tarifat e shërbimeve për ZRPP, dhe këtë e bën vetëm për pak minuta. Ky sistem dixhital shmangu takimin e qytetarit me zyrtarin, largoi burokracinë por shmangu dhe kontaktin, dhe shmangia nga kontakti njerëzor reduktoi korrupsionin”, – vijoi më tej ministri i Drejtësisë.

Sistemi

Sistemi është i lidhur me sistemin OSS – Noterët për të parë certifikatën e pronësisë si dhe ofron mundësinë që të lidhet me sisteme të tjerë kombëtarë si Sistemet e Taksave, Tatimeve; Sistemet e Bashkive; Sistemet e Regjistrit të Gjendjes Civile; Sistemet e Përmbarimit; si dhe Sistemet e Drejtorive të Transportit dhe Bankave. RNSH është i instaluar në serverët me të sigurt mbrohet me certifikatat e një sigurie maksimale me mundësinë për nënshkrimin elektronik në të ardhmen. Sistemi do te jete i aplikueshëm nga data 1 mars për gjithë Shqipërinë ndërsa viti 2014 do të sjellë nënshkrimin elektronik të akteve.

 

Vendimi

S’reaguan kur u vra kryekomisari Tahiraj, dënohen 3.6 vite burg Gosturani e Hoxha

Gjykata e rrethit Durrës i ka dënuar me 3. 6 vite burg në total, dy shoqëruesit e kryekomisarit Adem Tahiraj, i cili mbeti i vrarë gjatë një operacioni me 13 shtator të vitit të kaluar në Katundin e Ri, Sukth. Trupi gjykues i kryesuar nga Anita Hoxha ka vendosur, 1.8 vite burg për shoferin Fatmir Hoxha, ndërsa i njëjti dënim është dhënë dhe për oficerin e krimeve Kastriot Gosturani. Dy të pandehurit akuzohen për “Shpërdorim detyre” dhe “Mosveprim” në drejtim të mbrojtjes së kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj dhe për mos neutralizimin e autorit të vrasjes Ilir Xhakja. Vendimi i gjykatës është shpallur me dyer të mbyllura, ndërsa në sallë mësohet që nuk kanë qenë të pranishëm të pandehurit, të cilët janë përfaqësuar nga avokatët mbrojtës të tyre. Një seancë më parë, Prokuroria kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin me nga 3 vjet burg secili për Gosturanin dhe Hoxhën. Dy efektivët janë duke u gjykuar në aplikim të gjykimit të shkurtuar dhe për këtë arsye u mbetet përfundimisht për të vuajtur edhe nga 9 muaj burg. Njëri nga efektivët ndodhet në gjendje të lirë, ndërsa tjetri në qelitë e paraburgimit.