Reeker, Berishës SHBA mbështet përpjekjet për integrimin e Shqipërisë në BE

0
177

Ina Jano

bero reekerKryediplomati në Tiranë, në takimet me liderët e politikës në vend, konfirmoi mbështetjen më të lartë të SHBA-së për Shqipërinë në procesin e integrimit dhe për procesin zgjedhor

 

“SHBA do të vijojë të mbështesë fuqishëm Shqipërinë e rajonin, përfshi edhe përpjekjet për integrim në Bashkimin Evropian”. Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara iu konfirmua dje Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, nga zv.ndihmëssekretari për Evropën dhe Euroazinë Philip Reeker, i cili është duke zhvilluar një vizitë dyditore në vendin tonë. Kryediplomati amerikan i shprehu kreut të qeverisë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të ecur me hapa të sigurt drejt integrimit evropian dhe zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ndalur në këtë pikë zoti Berisha ka ritheksuar kërkesën e tij për të pasur sa më shumë vëzhgues në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në 23 qershor, kërkesë kjo që i është përcjellë edhe më herët qeverisë amerikane. Mësohet se lideri i mazhorancës ka falënderuar zotin Reeker për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme të SHBA dhe qeverisë amerikane dhe atë të Presidentit Obama ndaj Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në takim u vlerësua gjithashtu edhe një herë vizita historike e ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton në Shqipëri dhe njëkohësisht fakti, që në krye të departamentit të shtetit pas largimit të saj qëndron sërish një mik e mbështetës madh i Shqipërisë e shqiptarëve siç është Sekretari i Shtetit John Kerry, të cilit Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin t’i ridërgojë përshëndetjet e urimet më të përzemërta. Mësohet se zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend ishin një temë qendrore. Kryetari i qeverisë theksoi se realizimi me sukses i reformës zgjedhore ka bërë të mundur që sot Shqipëria të ketë një kuadër ligjor, zgjedhor, në të cilin janë reflektuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it. Në këtë kuadër, ai nënvizoi masat e marra nga administrata zgjedhore për rritjen e ndjeshme të shpejtësisë dhe transparencës në votim dhe numërim. Ai i ripohoi z. Reeker dëshirën dhe kërkesën e qeverisë shqiptare, që SHBA të dërgojnë numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve të zgjedhjeve duke e siguruar atë se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur për të zbatuar çdo masë në kuadër të shtetit ligjor që zgjedhjet e 23 qershorit të plotësojnë të gjitha standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve në shumë fusha, duke u ndalur në veçanti në bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe atë në sektorin e mbrojtjes si dhe u rikonfirmua vendosmëria e për ta thelluar e zgjeruar edhe më tej bashkëpunimin e frytshëm e të suksesshëm midis të dy vendeve në të gjitha fushat me interesa të ndërsjellë. Z. Reeker i ripohoi Kryeministrit Berisha, se SHBA do të vijojnë të mbështesin fuqishëm Shqipërinë e rajonin, përfshi edhe përpjekjet për integrim në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, z. Reeker përshëndeti edhe marrëveshjen e fundit trepalëshe midis Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë, si një shenjë tjetër e klimës së bashkëpunimit për interesat e përbashkët të këtyre vendeve. Më tej në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në rajon, ku Berisha shfrytëzoi rastin të shpreh edhe një herë mirënjohjen më të thellë ndaj SHBA, qeverisë amerikane, presidentin Obama dhe sekretarit të shtetit Kerry, për mbështetjen e palëkundur për paqen e stabilitetin e rajonit, perspektivën euroatlantike të tij dhe në veçanti për mbështetjen e paçmuar ndaj Republikës së Kosovës. Kryeministri shtroi një drekë për nder të zotit Reeker, e cila u zhvillua në një atmosferë shumë të hapur e miqësore. Zv.ndihmëssekretari amerikan i shtetit Philip Reeker u takua edhe me ministrin e jashtëm Edmond Panariti me të cilin bisedoi për marrëdhënien mes dy vendeve dhe për intensifikimeve e shkëmbimeve politike. “Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan nivelin e shkëlqyer strategjik të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si në aspektin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh si dhe vlerësuan edhe një herë dimensionin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve në përballimin e sfidave të sigurisë globale edhe në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e intensifikimit të shkëmbimeve politike dhe u ndalën veçanërisht në rritjen e pranisë së biznesit amerikan në Shqipëri dhe në rajon”, – thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme. Më pas, zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit u takua për rreth 45 minuta dhe me kreun e selisë rozë, Edi Rama.

 

Westerwelle: Zgjedhjet me rëndësi, Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë

Shefi i diplomacisë gjermane i ndodhur dje në Tiranë u shpreh se Gjermania është në mbështetje të integrimit për Shqipërinë. Ai saktësoi se duhet që të plotësohen të gjitha kushtet që Komisioni Evropian ka vënë për Shqipërinë dhe atëherë rruga për vendin tonë është e hapur për të qenë pjesë e BE-së. Në takimet e zhvilluara me liderët e politikës në vend, ministri i jashtëm Westerwelle, theksoi edhe rëndësinë jetike që kanë zgjedhjet e 23 qershorit, për rrugën që do të bëjë vendi ynë në të ardhmen e tij. Në takimin e zhvilluar me Presidentin Nishani, ky i fundit nënvizoi faktin se Shqipëria ka kapacitete dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sfida e vetme mbetet kultura politike e aktorëve dhe shprehu bindjen se klasa politike shqiptare do ta kalojë këtë sprovë me sukses. Nishani e siguroi ministrin Westerwelle se Shqipëria ndonëse një vend i vogël ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj si kontribuuese thelbësore e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon duke forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal dhe duke inkurajuar shqiptarët që të mbështesin zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin ekonomik në vendet ku ata jetojnë. “E gjitha kjo bazohet në një traditë sipas të cilës shqiptarët u kanë ofruar fqinjëve miqësi dhe paqe. Gjermania do të jetë në anën tuaj sidomos gjatë udhëtimit tuaj evropian. Për ne nuk është një çështje kombëtare apo ekonomike, por një qëndrim politik dhe strategjik që të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian”, – tha shefi i diplomacisë gjermane. Në këtë kuadër, ministri i Jashtëm Westerwelle veçoi se kriteret janë kërkesa objektive duke vlerësuar për momentin si shumë të rëndësishme përgjegjësinë e faktorëve politikë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe realizimin e kritereve të Komisionit Evropian. Ndërsa një ditë më parë Kryeministri Berisha shtroi një darkë, e cila u zhvillua në një atmosfere shumë të ngrohte, miqësore e bashkëbisedimi të gjerë e të frytshëm për të gjitha çështjet e bashkëpunimit dypalësh, shumëpalësh dhe atij në kuadër të integrimit evropian. “Dëshiroj t’ju siguroj se Gjermania do të vijojë të jetë një mik i besueshëm dhe një mbështetës i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë në BE”, – u shpreh ministri Westerwelle. Por jo vetëm kaq, Gjermania gjithashtu është e shumë e interesuar për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe për të parë zgjerimin e investimeve të saj në Shqipëri”, – vijoi më tej ai. Westerwelle u takua edhe me homologun Panariti, ku u vlerësuar të gjitha marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe, mes vendeve dhe u fol për të nxitur më shumë të gjitha investimet dhe shkëmbimet mes shteteve tona. Ndërsa takimin e fundit të vizitës zyrtare në Tiranë, zoti Westerwelle e zhvilloi me kreun e PS-së, Edi Rama. Burime nga selia rozë bënë me dije se gjatë këtij takimi u diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në vendin tonë, përpjekjet për integrim evropian të vendit, si dhe përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit.

 

 

Bode: PS po humb aleatët për shkak të Ramës

Ministri i Financave Ridvan Bode gjatë ceremonisë së organizuar në Bilisht me rastin e 22 vjetorit të themelimit të PD-së deklaroi se gjatë qeverisjes së demokratëve është rritur mirëqenia, fakt i cili do të rikonfirmojë edhe fitoren e tyre më 23 qershor. Ministri Bode tha se Partia Socialiste po humb aleatët për shkak të Ramës, ndërkohë që theksoi se PD distancohet nga alternativa e bllokimit. Duke iu referuar lehtësirave për fermerët Bode tha se qeveria hoqi TVSH-së për makineritë bujqësore për të ulur kostot, ndërkohë që javët e ardhshme do ndryshojë tatimin për farat, fidanët, plehrave kimike.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency