Elton Qyno
Egjiptiani Ahmet Elbelkazi iku për t’u shpëtuar plumbave të luftës civile, bën dy muaj burg në Shqipëri
Burrë e grua, drejtues të një linje klandestinësh nga Egjipti, Turqia, Shqipëria dhe më pas në Itali
Largohet nga Egjipti për t’u shpëtuar plumbave të luftës civile, por bie në burg në Shqipëri. Ahmed Elbelkazi, nga shteti egjiptian, ka arritur të falsifikojë një pasaportë biometrike, me qëllim largimin për në shtetin italian. 31-vjeçari ka qenë pjesë e një trafiku njerëzor që ka filluar nga Egjipti, në Turqi, Shqipëri dhe më pas në shtetin italian. Elbelkazi ka mundur të lidhet me një shtetas egjiptian, gruaja e të cilit ndodhet në Shqipëri. Pikërisht shtetasi Emam Elhadad, së bashku me Ahmed Elbelkazin, janë paraqitur në Ambasadën Shqiptare në Kajro, ku është mundësuar dhënia e një vize, me qëllim mbërritjen në Tiranë, ku dhe do ta priste Donika, gruaja e Emam Elhadadit. Pasi ka kaluar transit në Turqi, 33-vjeçari ka mundur të hyjë në Shqipëri në muajin dhjetor të vitit 2012. Pasi ka qëndruar disa ditë në Tiranë, në një banesë dykatëshe ai ka vendosur të niset drejt Italisë, pasi kishte arritur të nxirrte një pasaportë të falsifikuar me emrin Hamdi Ahmeti. Të gjitha mësohet se janë përgatitur nga shtetasja Donika Elhadad, gruaja e Eman Elhadadit, por që pavarësisht dyshimeve gjyqtari Ibrahim Hoxha, gjatë procesit gjyqësor, ka shpallur fajtor shtetasin egjiptian Ahmed Elbelkazi për akuzën e “Falsifikimit të pasaportave”, dy muaj burg. Vendimi është marrë duke pranuar dhe pendesën e thellë të të pandehurit, i cili ka pohuar në gjykatë se ishte larguar nga Egjipti, për shkak të rrezikimit të jetës, pasi pikërisht në vendin e tij, prej disa kohësh është duke u zhvilluar një luftë civile.
Shoqërimet nga Donika
Në datë 2 janar 2013, ora 16:30, është kthyer nga Italia në kategorinë “Inad” shtetasi egjiptian i quajtur Ahmed Elbekazi. Së bashku me këtë shtetas autoritetet italiane kanë përcjellë dhe dokumentacionin shoqërues nga i cili ka rezultuar se shtetasi Ahmed Elbekazi ka përdorur pranë autoriteteve Italiane pasaportën biometrike nr. BI2824928 në emër të shtetasit Hamdi Ahmeti i datëlindjes 13 maj 1981, e cila është lëshuar me datë 24 dhjetor 2012 e vlefshme deri me datë 23 dhjetor 2022. Në pasaportën biometrike fotografia i përket personit nën hetim Ahmed Elbekazi. Nga akti i ekspertimit teknik dokumenti nr. 66, datë 4.1.2013 është arritur në konkluzionin se tek dokumenti pasaportë shqiptare me nr. BI 2824928 në emër të shtetasit Hamdi Ahmeti kanë rezultuar ndërhyrje falsifikuese që konsistojnë në vendosjen e faqes aktuale mbi atë të mëparshmen. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime i pandehuri Ahmed Elbekazi ka shpjeguar se është paraqitur në Kajro në Ambasadën Shqiptare me shtetasin Egjiptian Emam Elhadad. Ky person i kishte premtuar Ahmedit se familjarët e tij do ta shoqëronin deri në Itali. Është pajisur me vizë shqiptare dhe në datë 4 dhjetor 2012 ka udhëtuar në drejtim të Shqipërisë. Kur ka mbërritur në Turqi transit ka takuar bashkëshorten e Emam Elhaddad e quajtur Donika Elhadad. Së bashku me Donikën kanë hyrë në aeroportin e Rinasit dhe më pas ajo i ka shoqëruar së bashku me një egjiptian tjetër të quajtur Amir, dhe i ka dërguar tek një banesë dykatëshe në Tiranë. Aty kanë qëndruar rreth 13-15 ditë dhe Donika fillimisht e ka shoqëruar Armirin në Itali, ndërsa vetë ka qëndruar dhe 15 ditë të tjera. Me datë 1 janar 2013 kanë udhëtuar së bashku me Donikën për në Itali. Në aeroportin e Rinasit ka paraqitur dokumentin e tij egjiptian pasi ishte i pajisur me vizë shqiptare. Mirëpo kur ka mbërritur në aeroportin Italian është ndarë me Donikën tek tranziti. Sapo kanë zbritur nga avioni Donika i ka dhënë të pandehurit pasaportën shqiptare për të cilën i pandehuri pretendon se nuk e dinte se çfarë dokumenti ishte pasi nuk e njeh gjuhën shqipe. Pasi është paraqitur tek punonjësi i policisë kufitare ai e ka pyetur për emrin, por i pandehuri nuk ka ditur ti përgjigjej. Më pas e kanë shoqëruar tek zyrat e policisë dhe me datë 2 janar 2013 e kanë kthyer në Shqipëri.
Ikja nga lufta
Në vendimin e saj gjykata krahas rrethanave rënduese që parashikon vepra penale, ka mbajtur parasysh edhe dëshminë e të pandehurit, i cili ka deklaruar se është larguar nga vendi i tij për të shpëtuar nga plumbat e luftës. Nisur nga kjo situatë gjykata ka mbajtur parasysh edhe rrethanat lehtësuese për të pandehurin Ahmed Elbelkazi faktin që ka treguar që në fillim të hetimit se si është marrë dhe ka rënë në dorë të tij pasaporta e falsifikuar, pendimin e thellë gjendjen ekonomike-financiare të dobët, kryefamiljar, faktin se në shtetin egjiptian zhvillohet luftë civile, ka bashkëpunuar me drejtësinë shqiptare për zbardhjen e veprimeve që ka bërë shtetasja Donika Elhadad, për të cilën vazhdon hetimi si dhe disa rrethana të tjera lehtësuese të vlerësuara si të tilla nga Gjykata në kuptim të Nenit 49 të Kodit Penal. Nisur nga ky bashkëpunim gjykata ka vendosur dënimin e tij me 2 muaj burg.
Ervis Xherimeja dhe Erion Eskiu vranë me thikë Elidon Zotkajn
Vrasja e të riut, për ngacmimin e kushërirës
policia e Beratit arreston 2 autorët e tjerë
Dy persona janë vënë në pranga për vrasjen e një muaji më parë në Berat, kur nga 4 goditje me thikë i morën jetën 25-vjeçarit Elidon Zotkaj. Për 31-vjeçarin Erion Eskiu dhe 21-vjeçarin Ervis Xherimeja u bë ndalimi në zbatim të ekzekutimit të vendimeve penale të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të “Vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim”. Ngjarja ndodhi më 7 janar të këtij viti në lagjen “Dëshmorët e kombit” në Berat, ku dy autorët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetasin Azbi Hyka, i cili aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit Berat, kanë vrarë shtetasin Elidon Zotken. Shkak i vrasjes së tij ka qënë ngacmimi që viktima i bënte kushërirës së autorit të krimit Azbi Hyka. Nga hetimet mbi këtë ngjarje të rëndë rezulton se mes Zotkajt dhe Hykës kishte nisur një grindje në bilardo një ditë më parë, ku shkak kanë qenë ngacmimet që viktima i bënte kushërirës. Të pranishmit në të njëjtin ambient kanë ndërhyrë duke shuar sherrin mes të rinjve. Ndonëse u duk sikur debati u qetësua dhe gjithçka u zgjodh, në të vërtetë nuk ndodhi kështu. Ditën e nesërme rreth orës 12:00, Azbi Hyka, i shoqëruar nga dy shokë e tij, Erion Eskiu dhe Ervis Xherimeja janë afruar pranë një pike bilardoje në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, pranë kinoklubit “Tekstili”, ku ndodhej 25-vjeçari. Ata i kanë çuar fjalë që të dilte jashtë, te lulishtja ku e prisnin. Zotkaj ka dalë dhe i ka arritur tre djemtë, ndërsa me vete kishte dhe një pistoletë. Dëshmitarët kanë dëgjuar një debat me fjalë, dhe në tentativë kur Zotkaj ka nxjerrë armën për të qëlluar ai është goditur disa herë me thikë nga tre personat.
Nga kati i katërt
Mungonte ashensori, 45-vjeçari bie në gropë
Filip Minellari është rrëzuar nga kati i katërt, duke rënë në gropën e ashensorit. Ngjarja e rëndë është regjistruar në qytetin e Fierit, në orët e mesditës së djeshme kur Minellari ka tentuar të zbresë shkallët, por nga një pakujdesi e tij, ai është rrëzuar në gropën e ashensorit dhe për pasojë ka marrë dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas policisë e cila ka shkuar në vendngjarje, pallati ku banonte Filip Minellari, ende nuk kishte përfunduar së ndërtuari plotësisht dhe se banorët e parë që kishin hyrë në të, përdornin shkallët dhe jo ashensorin, pasi ky i fundit ende nuk ishte vendosur nga ana e firmës ndërtuese. Policia bëri me dije se i dëmtuari kishte marrë me qira një apartament në këtë pallat, por që fatkeqësisht ai ka ngatërruar derën, duke hyrë në derën e ashensorit dhe që nga kati i katërt është rrëzuar në gropë. Momenti i rënies mësohet se është parë dhe nga bashkëshortja e 45-vjeçarit, e cila ka qenë ajo që ka dhënë alarmin tek banorët e tjerë, të cilët më pas kanë bërë të mundur nxjerrjen nga gropa të trupit të dërmuar të shtetasit Filip Minellari. Ky i fundit është nxjerrë nëpërmjet shkallëve dhe më pas është transportuar në drejtim të urgjencës së spitalit rajonal të Fierit, ku dhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas mjekëve, gjendja e Minellarit ka qenë tepër e rëndë, për shkak se ka marrë shumë fraktura në kokë dhe vende të tjera të trupit.
Trafiku i drogës
Muriqan, kapen 35 kg kanabis, dy femra në pranga
Dy femra u arrestuan nga policia e Shkodrës, ndërsa po tentonin të kalonin drogë në pikën e kalimit kufitar në Muriqan. Manjola Lumnica, 29 vjeçe, nga Tropoja, dhe Isida Plumbi, 32 vjeçe, nga Tirana, ranë në prangat e policisë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga oficerët e Policisë Kufitare të Muriqanit u gjetën dhe u sekuestruan rreth 35 kg kanabis sativa e ndarë në 42 pako. Droga po transportohej me një mjet “Fiat Multipla” me targë AA 413 FP që drejtohej nga 29-vjeçarja Manjola Lumnica. Ajo ishte e ndarë në pjesë të kroskotit dhe në pjesën e poshtme të shasisë së mjetit. Menjëherë pas konstatimit të lëndës narkotike është bërë shoqërimi i dy femrave në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, të cilat janë marrë në pyetje. Në dëshminë e dhënë në polici, shtetasja Manjola Lumnica, ka marrë përsipër autorësinë e lëndës narkotike, duke pohuar se droga i përkiste asaj dhe se shoqja Isida Plumbi, nuk ka pasur asnjë dijeni rreth prezencës së drogës në makinë. Pavarësisht këtyre deklaratave, nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është vendosur mbajtja në burg e dy femrave, me qëllim verifikimin e rolit të secilës prej tyre. Sipas burimeve nëse provat do të përjashtojnë shtetasen Isida Plumbi, atëherë për të do të urdhërohet lirimi i menjëhershëm.