Bust do të ngrihet dhe për Jeronim de Radën, vlerësim për artisët
Në mbledhjen e radhës në 28 shkurt, Këshilli Bashkiak pritet të miratojë një sërë projektvendimesh, mes të cilave edhe ngritjen e bustit të një nga figurave që ka kontribuar për vendin, Sabri Godon. Busti i politikanit, shkrimtarit dhe skenaristit Sabri Godo do të vendoset në lulishten përpara Parlamentit, ngjitur me shëtitoren “Murat Toptani”, nga Akademia e Shkencave, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi. Godo njihet si një penë e rrallë, në romanet me karakter historik, ku më të bujshmet e më të diskutuarat janë “Skënderbeu” dhe “Ali pashë Tepelena”. Mbi këto figura që i kalonin përmasat e kombit, ai nuk reshti së kërkuari. Këto romane janë ripunuar e ribotuar disa herë, janë përkthyer në disa gjuhë dhe vlerësuar lart nga kritika. Si një njohës i thellë i karakterit njerëzor, shkroi po me aq mjeshtëri romanet e novelat mbi luftën, për të cilat u akuzua nga censura e regjimit si shkrimtar i deheroizimit dhe vuajti pasojat. Në vitin 1974 u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve për “devijim nga realizmi socialist” dhe u dërgua për “riedukim” për 11 vjet (1974-1985).
Simbolet e diktaturës
Memorial për simbolet e diktaturës “Postbllok” do të ngrihet në lulishten që ndodhet në kryqëzimin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”, përballë hotelit “Rogner”. Bashkia e Tiranës ka marrë vendimin për ngritjen e këtij memoriali që bashkon në një instalacion tri objekte të ngarkuara me simbolika lokale dhe universale. Karakteristikë e veçantë e këtij kompleksi është se të tria objektet janë autentike dhe vijnë në formë “artifakti”, çka do të thotë që bartin në vetë trupin e tyre gjurmët e asaj kohe. Gjithashtu, ndërhyrja artistike do të realizohet në një hapësirë urbane historike në hyrje të Bllokut, pra pikërisht në vendin ku bunkeri është instaluar qysh në kohën e diktaturës, ku do të ndërtohet memoriali si një metaforë e “arkeologjisë” së vuajtjes dhe dhimbjes. Bunkeri: me një simbolikë veçanërisht shqiptare, evokon izolimin e Shqipërisë, paranojat e diktaturës, mundin e njerëzve për t’i ndërtuar ato nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë, si fragmente të një piramide gjigante absurde. Objekti i tretë është një organizim shtyllash betoni, i një fragmenti galerie miniere si ato ku kanë punuar ish të burgosurit. Ai synon të evokojë mundimin e kulakëve komunistë, punën e papaguar prej skllavi. Vizitori i memorialit ftohet jo vetëm ta vështrojë nga jashtë – rruga apo trotuari – instalacionin, por edhe të futet brenda tij, të ecë nëpër rruginat që lidhin tre objektet, të hyjë brenda bunkerit dhe të rrugëtojë nën dhe nëpër shtyllat e galerisë së Spaçit duke u kthyer me imagjinatë në atë kohë, për të evokuar kohën e diktaturës komuniste me mungesën e lirisë, vuajtjen, izolimin dhe persekutimin që e ka karakterizuar.
Busti i Jeronim de Radës
Busti i poetit dhe luftëtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Jeronim de Radës, vepër e realizuar nga Odise Paskali, do të vendoset po në lulishten përpara Parlamentit, përballë rrugës “Jeronim de Rada”. De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare. Ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Figura e tij ngrihet si figura më e kulluar dhe më e fuqishme e letërsisë dhe e botës arbëreshe. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë bashkëkohës ishte i madh; tradita poetike shkruar prej tij vijon të jetojë e përtërirë edhe në letërsinë e sotme arbëreshe. Busti i Jeronim de Radës mban vlerën e dyfishtë, pasi është një nga punimet më të arrira të artistit Odise Paskali, “Skulptor i Popullit”. Po kështu, bashkia ka propozuar dhënien e titullit “Mirënjohja e qytetit” për humoristin e Estradës së Tiranës, Veli Rada, dhe artistit të mirënjohur të folklorit shqiptar, Haxhi Maqellara. Njëkohësisht, është propozuar edhe emërtimi i rrugës me emrin e profesor doktor Skënder Xhikut.
Rama, akuza për rrugët në Tiranë, bashkia: Është i dëshpëruar
“Pështy asfalt mbi asfalt deri në shiun e radhës Turp!” Kjo ishte akuza që ka bërë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, në rrjetin social “Twitter”. Sipas Ramës, bashkia i është kthyer metodës së viteve ‘90. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila e ka quajtur Ramën si të dëshpëruar dhe të paturp kundër ndërtimeve që po bëhen në kryeqytet. “Ish-kryetari i bashkisë, Edi Rama, është i dëshpëruar dhe i paturp. Qytetarët mirëpresin punimet që nuk i patën për një dekadë nga ish-kryetari i bashkisë, Edi Rama. Në vend që të heshtë dhe të kërkojë falje, sulmon punimet që kryhen në Tiranë. Ne jemi të vendosur për një Tiranë moderne evropiane. Rama është kapitull i mbyllur”, – thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.