Eksperti bullgar i thirrur nga PS-ja kundërshton Ramën: Heqja e taksave nuk është serioze

0
161

Gëzim Saliu

PETKOVPetkov: Mbështes taksimin progresiv, por kujdes, duhet një qasje e kujdesshme dhe graduale

 

 

Propozimi i Partisë Socialiste për eliminimin e taksave për biznesin e vogël nuk është serioz dhe dëmton ekonominë. Kështu ka deklaruar dje eksperti bullgar i ardhur në Shqipëri me kërkesë të Partisë Socialiste, Krasti Petkov, duke theksuar se përvoja evropiane për uljen apo heqjen e taksave ka treguar mungesën e efektivitetit. “Ulja në minimum e taksave nuk është shumë serioze. Me sa di, ju e keni tashmë nivelin e taksave të ulët dhe nëse do ta hiqni, mund të gjeni parajsën, por kjo do të ndikonte negativisht në ekonominë shqiptare. Kemi parë shumë vende që të ulin taksat për të tërhequr investitorët, por kjo nuk qenë shumë pozitive”, – tha Petkov.

 

Bashkëbisedimi

Në një bashkëbisedim me gazetarë dhe ekonomisë në vend, eksperti bullgar, i cili shoqërohej nga sekretari për programin, Ilir Beqja, bëri të ditur mbështetjen e tij për taksimin progresiv, por duke nënvizuar domosdoshmërinë e qasjes të kujdesshme dhe graduale, pasi në të kundërt kjo do të ndikonte negativisht, sipas tij, në ekonominë e Shqipërisë. Sipas Petkovit, ndryshimi i taksimit do të rriste mospagimin e taksave dhe kundërshtitë shoqërore. “Shumë vende po heqin taksën e sheshtë dhe po vendosin atë progresive. Megjithatë, duhet të them se nuk jam armik i taksës së sheshtë. Kam mësuar se Partia Socialiste do të ndryshojë sistemin e taksimit e megjithatë duhet të merret parasysh se kjo gjë nuk mund të bëhet sot për nesër. Aplikimi i taksës së sheshtë ka vite që është në përdorim dhe natyrisht kjo do të sillte kundërshti shoqërore, prandaj duhet që të gjendet një qasje e kujdesshme dhe graduale. Gjithashtu, ndryshimi i taksimit ka rrezik të sjellë edhe rritje të shmangies së detyrimeve të bizneseve dhe trembjen e investitorëve”, – theksoi eksperti. Ndërkohë, si studiues dhe mbështetës i taksës progresive, Petkovi solli përvojën bullgare në dështimin, sipas tij, të aplikimit të taksës së sheshtë. “Unë nuk jam një armik i verbër i taksës së sheshtë. Në Bullgari me ekipin tim të ekspertëve ne përllogaritëm efektet që ky sistem ka tek shtresat e mesme dhe të ulëta. Rezultati është se me taksën e sheshtë këto shtresa me të ardhura të pakta paguajnë 250 milionë euro më shumë taksa në vit sesa do të paguanin me taksën progresive. Pra, kemi rishpërndarje që favorizon të pasurit dhe godet të varfrit. Pas pesë vjetësh në fuqi, Bullgaria nuk ka asnjë rezultat bindës që tregon se ky është më i mirë në terma ekonomikë dhe financiarë. Të ardhurat e buxhetit janë ulur, ekonomia informale po rritet dhe investimet kanë rënë me 6 herë, nëse e krahasojmë me vitin 2008″, – u shpreh Petkov. Sipas ekspertit bullgar, aplikimi i taksës progresive duhet të kryhet hap pas hapi. “P.sh., në nisje mund të realizohet me një përqindje më të ulët, më pas 10% e më vonë 20-25%, është fjala për taksën mbi të ardhurat personale. Duke e aplikuar gradualisht, integrimi i këtyre shtresave vjen gradualisht, pra ata nuk përballen menjëherë me një sistem të ri taksimi, e dyta, është se në çdo rast për çdo ndryshim duhet të ketë një dialog të vazhdueshëm me biznesin, sidomos sa i përket taksës për korporatën. Kështu, mendoj se është e rëndësishme që procesi të kryhet, por të mos tremben investitorët”, – nënvizoi ai. Sipas Petkovit, FMN dhe Banka Botërore sugjerojnë pikërisht kthimin në aplikimin e taksës progresive në vendet e Evropës Juglindore.

 

 

Taksa e sheshtë vs taksa progresive

Debati për taksat është vendosur në qendër të jetës politike në vend dhe pritet të jetë njëkohësisht “kali i betejës”, me anë të të cilit palët do të kërkojnë të marrin votën në zgjedhjet e 23 qershorit. Partia Demokratike vlerëson lart taksimin e sheshtë, duke e cilësuar atë si një ndër faktorët kryesorë të qëndrueshmërisë dhe rritjes ekonomike në vend e ndërsa PS mbështetet tërësisht tek taksimi progresiv. Ky i fundit, sipas socialistëve, do të sigurojë barazi sociale dhe do të rrëzojë taksimin e pandershëm. Por pavarësisht deklaratave politike, në një analizë të thjeshtë të teorive që mbështesin këto dy lloj taksimesh, arrijmë të vërejmë pikat e forta dhe të dobëta të tyre. Taksa e sheshtë presupozon të njëjtën shkallë tatimore për të ardhurat personale dhe ato të biznesit, pavarësisht sa janë të ardhurat e subjektit. Ndërsa taksa progresive parashikon zmadhim të shkallës tatimore me rritjen e bazës së taksueshme. Sipas teoricienëve mbështetës së taksës së sheshtë, kjo taksë mbron parimin e barazisë para ligjit dhe i taton të gjithë në të njëjtën masë. Taksa e sheshtë u krijon më shumë të ardhura të pasurve dhe, në teori, këto para mund të shërbejnë për investime të reja dhe për të gjeneruar rritje ekonomike dhe punësim. Përkrahësit e taksës së sheshtë besojnë se ky është në thelb edhe epërsia e saj kryesore ekonomike. Por, ndërkohë, teoritë që mbrojnë taksimin progresiv janë të mendimit se taksa e sheshtë në një afat të gjatë thellon pabarazinë sociale. Taksa progresive vlerësohet si një mjet më efikas për të siguruar rishpërndarjen e të ardhurave në ekonomi. Taksimi progresiv duhet të sjellë më shumë të ardhura, falë taksimit më të lartë të më të pasurve dhe këto të ardhura, sipas teoricienëve, i lejojnë shtetit të përmirësojë cilësinë e shërbimeve publike dhe mbështetjen sociale për shtresën e mesme dhe të varfër.

 

Kodheli: Do rishikojmë shpenzimet publike dhe do ribëjmë marrëveshjen me FMN-në

Deputetja socialiste dhe njëkohësisht një prej anëtareve të grupit të punës për programin politik, Mimi Kodheli, deklaroi dje se PS do të ndryshojë situatën ekonomike, duke rishikuar të gjitha shpenzimet publike dhe se do të ribëjë marrëveshjen me FMN-në. Kodheli sqaroi në një intervistë për “News 24” se Partia Socialiste ka një program të qartë për të nxjerrë vendin sipas saj nga situate e rënduar ekonomike në të cilën ndodhet. “Fillimisht do të ribëhet marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Do të rishikohen shpenzimet publike, do të ndalohen shpenzimet pa kriter në sektorë që nuk sjellin fitime për buxhetin e shtetit. Shpenzimet do të drejtohen drejt sektorëve që sjellin rritje ekonomike. Një angazhim i maksimal do të kemi për të krijuar një markë shqiptare, që të eksportohet edhe jashtë vendit”, – tha ajo. Ndërkohë lidhur me angazhimin për të hapur 300 mijë vende të reja pune dhe kontradiktës që ka ky angazhim me premtimin për shkurtimin e shpenzimeve, deputetja socialiste theksoi se paratë do të gjenden nga çlirimi i biznesit nga kreditë e këqija. “Por, këto masa duhen politika makroekonomike, politika që qeveria Berisha nuk i ka, prandaj nuk ka më moral të drejtojë vendin dhe në 23 qershor do të humbasë. Partia socialiste do të hapë tregun. Për të gjitha këto që sapo thashë duhet vullnet i mirë politik, sepse eksperiencat janë ka vende të ndryshme që i kanë aplikuar”, – u shpreh Kodheli.

 

Socialistët francezë urojnë PS-në për programin

Partia Socialiste ka marrë një letër urimi nga Partia Socialiste Franceze për prezantimin e programit të ri elektoral. Sekretari për marrëdhëniet ndërkombëtare i PS-së franceze, Jean Christopher Cambadels, i cili ka përshëndetur aktivitetin e PS-së, ku u shpalos programi i ri politik të saj. “Në emër të Partisë Socialiste Franceze dhe në emrin tim, unë dëshiroj t’ju shpreh partisë suaj dhe juve personalisht, të gjithë mbështetjen tonë për suksesin e fushatës suaj. Manifesti Juaj është padyshim një udhërrëfyes për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe çka është akoma edhe më e rëndësishme, ajo është gjithashtu një përgjigje për pritshmëritë legjitime të popullit tuaj për një jetë më të mirë dhe për një të ardhme më të mirë, njëlloj të drejtë për të gjithë”, – thuhej në letër. Më tej ai shkruante: “Gjithkund në Evropë, nga Parisi në Tiranë, ne po përballemi me të njëjtat sfida: Lufta kundër masave shtrënguese, rikthimi i mirëqenies, krijimi i më shumë vendeve të punës dhe sigurimi i një të ardhmeje për qytetarët tanë. Familja jonë socialiste është alternativa kundër konservatorizmit dhe populizmit dhe ne mbështetemi tek socialistët shqiptarë për të dhënë kontributin e tyre për zhvillimin e një demokracie paqësore në Ballkan”, – përfundoi urimin socialisti francez Cambadels.

 

Isaraj: Miqtë që ftuam në familje, tani na janë bërë zotër shpie dhe po na nxjerrin jashtë

Ata që më parë ishin miqtë e rinj të PS-së, sot po përpiqen të largojnë kontribuuesit e kësaj partie. Kështu ka deklaruar dje deputeti socialist Arben Isaraj, duke rindezur edhe më shumë debatin e fundit në PS lidhur me “përjashtimet” nga detyra të deputetëve të vjetër dhe përfshirjen e të rinjve në poste drejtuese. Nisur nga një koment i deputetit Erion Braçe në rrjetin social “Facebook”, i cili kishte komentuar në faqen e Isarajt, duke shkruar: “Fol e mbro të drejtat tona”, deputeti i qarkut të Vlorës ka reaguar duke theksuar se mbështet përfshirjen e të rinjve, por është kundër atyre që përpiqen të nxjerrin jashtë “xhaketat e vjetra”. “E ç’të të them o vëlla Erion, mbi mendjen e mbi të mbajturit mend! Para ca kohësh ti, unë e të gjithë si puna jone ftuam ca miq në shtëpinë tonë politike. “Miqtë” nga i pari deri tek i fundit, e ndjenë veten aq mirë e ngrohtë, sa ndryshuan ngjyrën e shtëpisë, oborrin, derën, dritaret, dhomat bile dhe haletë. Dhe tani të ashtuquajturit miq të shtëpisë, që me sa u duk donin më tepër shtëpinë sesa të zotët, na tregojnë çdo orë e çdo ditë në bashkëpunim me mediat e Saliut e të Ilirit, me gjuhën e Kasemit dhe Mazllemit, se si do të na nxjerrin nga shtëpia… Unë i mbetem parimit se të gjithë na duhen për të përmirësuar shtëpinë tonë politike, por… të hyjnë nga dera duke trokitur (punë e votë) dhe jo të “desantojnë” nga dritaret dhe oxhaqet”, – u shpreh deputeti socialist Arben Isaraj.