Miqësia

0
175

Ciceroni

XXVI

ciceroni97. Nëse në skenë, pra, në asamblenë popullore, ku ka shumë vend për gjëra të rreme dhe të pavërteta, në fund, e vërteta ngadhënjen, me kusht që të dalë në dritë dhe e qartë, çfarë duhet t’i ndodhë miqësisë që mbështetet krejtësisht tek e vërteta? Tek ajo, siç thuhet, nëse ti nuk sheh një zemër të hapur dhe nuk tregon zemrën tënde, nuk ke asgjë të sigurt dhe të provuar, as faktin e të dashurit apo të qënit i dashur, sepse nuk e di nëse kjo ndodh me çiltërsi. Gjithsesi, ky miklim, edhe pse i dëmshëm, nuk mund të dëmtojë askënd, përveçse atë që e pranon dhe i pëlqen. Kështu, ndodh që u hapën veshët e lajkatarëve, mbi të gjitha, nga kush vetëlëvdohet, dhe i ka hyrë vetja në qejf.

 

98. Pa dyshim, virtyti dashuron vetveten; ai njihet me përsosmëri dhe përfshin gjërat e dashurueshme. Por tani, nuk po flas për virtytin, por për idenë e virtytit. Shumë njerëz duan jo dhe aq të jenë se sa të duken të pajisur me virtyte. Këtyre u pëlqejnë lajkat; kur u drejtohet një diskutim hipokrit, i bërë sipas dëshirës së tyre, ata besojnë se ato fjalë të kota janë dëshmi e meritave të tyre. Në një rast të tillë, miqësia nuk ekziston, kur njëri nuk dëshiron të dëgjojë të vërtetën dhe tjetri është i gatshëm të gënjejë. Dhe miklimi i parazitëve te komeditë nuk do të na dukej me humor, nëse nuk do të kishte ushtarë mburravecë;

 

Vërtet Taidi më falënderon shumë?

 

Ishte e mjaftueshme të përgjigjej: “Shumë”; por ai thotë: “Pafundësisht”. Lajkatari e shton gjithmonë atë që ai, për të cilin po flitet, kërkon ndërkaq që të jetë e madhe.

 

99. Ndaj, edhe pse kjo kotësi mikluese ka vlerë tek ata që e nxisin dhe e mbështesin, megjithatë, edhe më seriozët dhe më të maturit duhet të qortohen që të kenë kujdes të mos mashtrohen nga një miklim dinak. Secili dallon atë që lajkaton hapur, të paktën nëse nuk është krejt torollak; por të jemi shumë të kujdesshëm, që të mos shfaqet një lajkatar mjeshtër dhe i fshehur. Ky nuk dallohet me lehtësi, sepse shpesh miklon edhe duke kundërshtuar, dhe duke u shtirur sikur grindet, të josh e në fund dorëzohet dhe e lë veten të mundet, me qëllim që ai që është gënjyer, të duket sikur ka parë më larg. A ka gjë më të turpshme se sa të lësh veten të gënjehesh? Duhet të jemi më të vëmendshëm që kjo të mos ndodhë.

Kështu, sot ma hodhe dhe me gënjeve mrekullisht, më tepër se të gjithë pleqtë torollakë të komedive.

 

100. Ky personazh tepër marrok i pleqve të pamend dhe që besojnë përnjëherë, ekziston edhe në komedi. Po nuk e di se si, nga miqësitë e nejrëzve të përkryer, pra, të të urtëve (them të asaj urtësie që duket se është e mundur të gjendet te një njeri) diskutimi ka shkuar te miqësitë e cekëta.

Ndaj, le të kthehemi te fillesat e diskutimit dhe me to ta mbyllim një herë e mirë.

 

XXVII.

 

Virtyti, them virtyti, Fanio dhe ti Shevola, i sjell dhe i ruan miqësitë. Aty është harmonia, qëndrueshmëria, vijimësia; kur virtyti ngrihet dhe tregon shkëlqimin e vet, e dallon dhe e pikas te një tjetër, i afrohet këtij dhe merr ndërsjelltazi atë dritë që është tek tjetri; prej këtej ndizet dashuria (amore) dhe miqësia (amicizia). Edhe njëra edhe tjetra vijnë nga folja “dashuroj” (amare); por të dashurosh nuk është gjë tjetër përveçse të duash shumë atë që do, pa asnjë nevojë, pa kërkuar asnjë përfitim, që megjithatë lulëzon vetiu te miqësia, edhe pse nuk e ke kërkuar.

 

101. Me këtë përzemërsi djaloshare ne kemi dashur të moshuarit, si Paolin, Katonin, Galin, Nasikën, T. Grakun, vjehrrin e Shipionit tonë. Kjo përzemërsi shkëlqen edhe më tepër mes bashkëmoshatarëve, si mes meje dhe Shipionit, Furios, Rupilit, Mumit. Pastaj, si pleq, nga ana jonë, gjejmë prehje te përzemërsia e djemve, ashtu si tek ju apo tek Tuberoni; dhe vërtetë, jam shumë i kënaqur nga miqësia e djaloshit Rutili me Verxhinin. Dhe meqenëse mënyra jonë natyrore e të jetuarit është vendosur kështu, që nga një brez të lindë një tjetër, duhet dëshiruar, para së gjithash, të arrihet te pikësynimi me bashkëmoshatarët, me ata, me të cilët kemi dalë nga portat.

 

102. Por meqë gjërat njerëzore janë të brishta dhe jetëshkurtra, duhet kërkuar gjithnjë dikush për t’u dashur, nga i cili gjithashtu të duhemi. Nëse heqim përzemërsinë dhe mirëdashjen, çdo gëzim zhduket nga jeta. Për mua, edhe pse ma shkulën befas, Shipioni është i gjallë dhe do të jetojë gjithmonë: dhe vërtetë, e kam dashur virtytin e pashlyer kurrë të atij njeriu. Dhe ai nuk gjendet vetëm përpara syve të mi, që e kam pasur gjithnjë pranë, por do të jetë i shquar dhe rrëzëllitës edhe për pasardhësit. Askush nuk do të përballë me guxim dhe shpresë gjëra të rëndësishme, nëse nuk mendon se duhet të ketë parasysh kujtimin dhe përfytyrimin e tij.

 

103. Përsa më përket mua, mes të gjitha gjërave që fati apo natyra më kanë lejuar, nuk kam asgjë që mund ta krahasoj me miqësinë e Shipionit; me të jam puqur në politikë, në këshillat për punët private, te prehja plot argëtime. Nuk e fyeva kurrë, as për ndonjë gjë të vogël, të paktën për aq sa di unë; nuk dëgjova kurrë prej tij ndonjë gjë që nuk më ka pëlqyer. Ishte e njëjta shtëpi, të njëjtat zakonet, i njëjti ushqim; dhe jo vetëm jeta ushtarake, por edhe udhëtimet dhe pushimet ishin të njëllojta.

 

104. Çfarë mund të them për dëshirën tonë për të njohur dhe mësuar gjithmonë diçka, në studime, ku larg syve të njerëzve, kemi shpenzuar gjithë kohën tonë të lirë? Nëse kujtimi i këtyre gjërave do të kishte vdekur me të, nuk do të mund ta duroja në asnjë mënyrë mungesën e një njeriu kaq miqësor dhe që ma kthente plotësisht përzemërsinë time. Por ato kujtime nuk janë fshirë dhe janë ushqyer e rritur nga mendimi dhe kujtimi im, e nëse do të privohesha prej tyre, do të ngushëllohesha shumë mirë me moshën time. Dhe vërtet, tashmë nuk mund të jetoj shumë gjatë me këtë ankim; dhe të gjithë gjërat e shkurtra, edhe pse janë të mëdha, janë pashmangshmërisht të lejueshme.

Këto gjëra kisha për të thënë lidhur me miqësinë. Por ju ftoj t’i jepni një vend të tillë virtytit, pa të cilin nuk mund të ketë miqësi, të mendoni se, jashtë tij, nuk ka asgjë më të vyer se sa miqësia.

 

*Fragment nga leximet filozofike “Miqësia” Ciceroni, botimet “Ideart”