Washington Post: Pesë mite për zgjedhjen e papës

0
214

papaMuajin e ardhshëm, 116 kardinalë nga e gjithë bota do të mblidhen në Vatikan, do t’i luten Shpirtit të Shenjtë dhe do të zgjedhin Papën, që do të zëvendësojë Benediktin XVI. Prapa dyerve të mbyllura, të shkëputur nga bota e jashtme, ata do të zgjedhin liderin, i cili do të ketë ndikim jo vetëm në Kishën Katolike, por në gjithë planetin.

Gazeta “Washington Post”, në numrin e saj më të ri, shkruan për disa keqinterpretime që mund të karakterizojnë procedurën e zgjedhjes.

 

1. Papa Benedikti ka dhënë dorëheqje, në vend që të qëndrojë në detyrë deri në vdekje, kështu që ai mund të ndikojë kardinalët të zgjedhin dikë si ai.

Në Uashington, popullata ka prirje të dyshojë në shpjegimet e politikanëve që japin për asgjë, por në rastin e dorëheqjes së papës, shpjegimi për përkeqësimin shëndetësor duket të jetë i saktë. Benedikti ka bërë të ditur se nuk mund të kryejë më punën e tij dhe ai duhet të nderohet për dorëheqjen nga pushteti në të mirë të kishës. Pas dorëheqjes, ai do të largohet nga Roma, për të shmangur dyshimet rreth ndikimit të tij në zgjedhjen e re. “Ai nuk do të ndërhyjë në asnjë mënyrë”, – ka thënë një zëdhënës i Vatikanit.

Andaj, si do të vendosin kardinalët? Secili do të shikojë për dikë që pajtohet me vlerat e kardinalëve dhe vizionin e kishës. Secili kardinal do të dojë dikë që do të jetë i mirëpritur në vendin e tij. Amerikanët duan dikë që kupton krizën e abuzimit seksual; nigerianët duan dikë që kupton Islamin.

Kardinalët e dinë se kjo zgjedhje do të jetë njëra nga gjërat më të rëndësishme që kanë bërë ndonjëherë. Një papë, Feliz IV (526-30), ka bërë përpjekje të ndikojë në zgjedhjen e zëvendësimit të tij; Senati Romak ka kundërshtuar dhe ka miratuar një dekret që ndalon çdo diskutim të pasardhësit të një pape gjatë jetës së tij.

Benedikti ka emëruar 57 për qind të kardinalëve zgjedhës; andaj, ka gjasa që ata të zgjedhin dikë që do të ketë pikëpamje të ngjashme.

 

2. Papa i ardhshëm ka gjasa të jetë afrikan ose latino-amerikan.

 

Katolicizmi është rritur në mënyrë dramatike në botën në zhvillim. Por, 52 për qind e kardinalëve vijnë nga Evropa dhe shanset janë që papa i ri të jetë evropian.

Italianët kanë bllokun më të madh të votave, pothuajse një të katërtën e 116 zgjedhësve. John Pauli II, i cili ka qenë polak, është zgjedhur për shkak se kardinalët italianë kanë qenë të ndarë. Provat e tanishme, përfshirë dokumentet që kanë rrjedhur nga Vatikani, tregojnë se kardinalët italianë janë përsëri të ndarë. Një papë joitalian është përsëri i mundur.

Ata që mbështesin një papë nga Afrika, argumentojnë se kisha kumbuese afrikane është e ardhmja e katolicizmit. Të tjerët thonë se kisha në Afrikë është në rregull dhe se katolikët kanë nevojë për një lider, i cili mund të shpëtojë kishën në botën e zhvilluar. Në Shtetet e Bashkuara, një në tre persona të rritur katolikë, ka braktisur kishën. Kisha në Evropë ka qenë në telashe qysh në shekullin 19. Sot, më shumë njerëz në Paris shkojnë në xhami të premteve, sesa në mesha të dielave.

Edhe John Pauli, edhe Benedikti kanë qenë kundër laicizmit dhe relativizmit në Evropë, por nuk kanë qenë në gjendje të ndryshojnë rrjedhën. Nëse ekziston një kardinal, i cili mund të kthejë kishën në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, ai e meriton postin.

 

3. Kardinalët do të zgjedhin një teolog të shkëlqyer si John Pauli dhe Benedikti.

 

Në dy mbledhjet e fundit të fshehta, kardinalët kanë zgjedhur njeriun më të zgjuar. Tani mund të jetë koha për të zgjedhur një njeri, i cili do të dëgjojë të gjithë njerëzit e tjerë të zgjuar në kishë.

Problemi me shumicën e akademikëve dhe intelektualëve, sidomos filozofët dhe teologët, është se ata kanë ndarë mendjen e tyre për çështjet e rëndësishme dhe rrallë e ndryshojnë atë. Mund të jetë koha për një diplomat të aftë, i cili ka përvojë në ndërtimin dhe negocimin e koncesioneve, aftësi të dobishme për t’iu përgjigjur rënies së kishës dhe ndarjeve të brendshme.

John Pauli dhe Benedikti kanë qenë në telashe, sepse kanë qenë të rrethuar me njerëz, të cilët kanë menduar se papa ka qenë njeriu më i zgjuar në botë. Njerëzit e tillë hezitojnë të sfidojnë shefat e tyre. Për shembull, më 2006, Benedikti ka mbajtur një fjalim, i cili ka përfshirë citime nga një perandor bizantin dhe që kanë qenë shpifëse për Islamin. Nëse një ekspert për Islamin do ta lexonte tekstin paraprakisht, ai do të paralajmëronte për reagime negative në vendet arabe.

 

4. Mos prisni befasi të mëdha nga mbledhja e ardhshme e fshehtë.

 

Në papatin e ardhshëm, do të ketë më shumë vazhdimësi sesa ndryshim radikal. Mos prisni femra priftërinj në muajin e ardhshëm! Por, Shpirti i Shenjtë mund të na befasojë gjithmonë, ashtu siç ka bërë me zgjedhjen e vitit 1958 të Johnit XXIII, për të cilin kardinalët kanë menduar se do të jetë një papë, që nuk do të bëjë asgjë; në vend të kësaj, ai ka mbledhur Këshillin e Dytë të Vatikanit, i cili ka transformuar katolicizmin modern. Secili është befasuar edhe me zgjedhjen e vitit 1978 të John Paulit II, joitalianit të parë në disa shekuj.

 

5. Nuk ka rëndësi se kush zgjidhet papë; askush s’e dëgjon atë.

 

Pasi papa nuk mund të urdhërojë më një bindje absolute në mesin e besimtarëve, ai mbetet lider i një organizate me më shumë se 1 miliard anëtarë. Ajo çfarë ai thotë, qoftë për Lindjen e Mesme, AIDS-in, ndryshimet klimatike apo çështje të tjera, nuk prek vetëm të krishterët, por të gjithë.

Sfida më e rëndësishme për Papën dhe Kishën është të zbulojë se si të predikojë Ungjillin në një mënyrë që është e kuptueshme dhe tërheqëse për njerëzit e shekullit 21, sidomos për të rinjtë që mund të dalin nga feja. Benedikti e ka kuptuar drejt kur ka thënë se krishterizmi nuk duhet të paraqitet si një seri e “jo”-ve por e “po”-ve ndaj Jezusit dhe mesazhit të tij për dashuri, jetë, drejtësi dhe paqe. Nëse Papa i ri bën këtë, ai mund të rigjallërojë Kishën. Ai duhet të përdorë të gjitha mjetet moderne të komunikimit, madje edhe Twitter-in, për të përcjellë mesazhin e tij.