Disiplina do të vendosë me dyer të hapura për sfidën Skënderbeu-Bylisi

0
166

Altin Vorpsi

skenderbeuBylisi aktivizoi për katër minuta 6 lojtarë të huaj

Sipas rregullores së FSHF-së, lejohen vetëm pesë

 

Pika e marrë në Korçë mund të mos “quhet”. Komisioni i Disiplinës Sportive do të mblidhet sot për të vendosur për ato katër minuta që mund t’i kenë çuar dëm tërë mundin Bylisit që këtë javë arriti të barazonte në fushën e vështirë të Skënderbeut.

 

Risia

Si për të treguar transparencë burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit kanë bërë me dije se mbledhja e Komisionit të Disiplinës Sportive do të mbahet me dyer të hapura. Pra, gjithçka do të bëhet në sytë e gjithëve. Gazetarë, drejtues klubesh dhe të interesuarit direkt mund të dëgjojnë “live” arsyet që do të çojnë anëtarët e këtij komisioni të marrin një vendim për atë çka ndodhi tre ditë më parë në Korçë.

 

Katër minutat

Gjithçka ndodhi në minutën e 64-t. Deri në ato momente, Bylisi kishte në fushë 5 të huaj: Ristevski (Maqedoni), Adebajo, Bola, Izuçuku dhe Piter (Nigeri), pra aq sa lejon rregullorja. Por në minutën e 64-t, trajneri Shensoji e zëvendëson Arifajn me Xhon Huan. Kështu që në fushë shtohet edhe një i huaj tjetër, pra 6 të tillë, dhe deri në minutën e 68-të, kur ballshiotët bëjnë edhe zëvendësimin e fundit (doli nga fusha Piter dhe u fut Kelmendi), kishin në fushë një lojtar të huaj më shumë nga sa e lejon rregullorja. Duhet thënë ndërkaq edhe një gjë domethënëse. Në momentin e ndërrimit të dytë të Bylisit, presidenti Besnik Kapllanaj, i cili ndodhej në tribunë, është çuar në këmbë dhe i ka kërkuar stafit të mos e bëjë këtë zëvendësim.

 

 

Rregullorja

Në nenin 128, pika 1, thuhet: “Gjatë një ndeshjeje zyrtare nuk mund të aktivizohen njëkohësisht në fushën e lojës më shumë se 5 (pesë) lojtarë me shtetësi të huaj”. Ndërkohë për ekipin që bënë këtë gabim, sanksioni sipas Disiplinës vjen nga neni 54, ku thuhet: “Nëse një lojtar merr pjesë në një ndeshje zyrtare, pavarësisht se ai nuk kishte të drejtë të luante, atëherë ekipi i tij do të dënohet me humbjen e ndeshjes 3-0 në tavolinë, me gjobë me vlerë, jo më pak se 600 mijë lekë dhe me zbritje të jo më pak se 3 pikëve nga klasifikimi”.

 

Rikthimi i “luftëtarit”

Lorik Cana fiton Lacion

Kur zbriti në kryeqytetin e Italisë, tha se ishte një “luftëtar”, por të paktë ishin ata që e besuan. Skemat e teknikut Delio Rosi e detyruan që të interpretonte role të reja që asnjëherë më parë i kishte provuar. Kështu dhe rendimenti nuk qe në lartësinë e duhur. Për këtë fakt shkruan shumë media duke kritikuar Igli Taren (drejtor sportiv i Lacios) për këtë blerje. Por tani pas dy vitesh të tërë kritikët duhet që të tërheqin çdo sulm mbrapsht. Lorik Cana po fillon që të fitojë zemrat e Lacios dhe teknikut te vet, Petkoviç. Duke parë se në mes të fushës nuk ka vend për të (Petkoviç si Delio Rosi preferon Ledesmën) “luftëtari” ka arritur që t’i bëjë vend vetes në qendër të mbrojtjes. Për të ky rol nuk është i ri, pasi në kombëtaren tonë më së shumti aty luan. Në atë sektor ndriti edhe ndaj Peskarës kur Lacio e tij fitoi 2-0 dy net më parë. Përkrah Diasit shqiptari shkëlqeu duke i lejuar kështu skuadrës së vet që të ëndërrojë t’i marrë Milanit vendin e tretë, vendi i fundit që ka mbetur në dispozicion për ekipet që nuk luftojnë për kampionat, por që kanë dëshirë të marrin pjesë në turin paraeliminator të Ligës së Kampioneve. Për këtë fundit foli edhe vetë Cana që u dha kurajo shokëve të ekipit duke thënë: “Nuk fitonim prej kohësh dhe prandaj nuk do t’ia lejonim vetes që të nënvleftësonim Peskarën. Shënuam dy gola duke siguruar kështu tri pikët. Ajo çka është më e rëndësishme është fakti qe në kemi fituar. Tani na pret Milani, Shtutgarti dhe Fiorentina”.

 

Azi

Salihi e nis me gol aventurën e re  

Hamdi Salihi ka luajtur dje ndeshjen e tij të parë për ekipin kinez të Jiangsu Sainti, ku kaloi pas eksperiencës së dështuar në SHBA. Ndonëse ka debutuar me gol, Salihi nuk i është gëzuar shumë paraqitjes së skuadrës së tij, pasi ajo është mundur me rezultatin e thellë 5-1 në ndeshjen e Ligës së Kampioneve të Azisë. Në takimin e luajtur në Korenë e Jugut përballë Seulit vendas, Salihi e filloi ndeshjen nga stoli, për t’u aktivizuar në fillimin e pjesës së dytë, kur rezultati ishte 2-0 për ekipin kundërshtar. Më pas, vendasit shënuan edhe dy herë të tjera para se sulmuesi shqiptar të gjente rrugën e rrjetës në minutën e 80-të, duke përfituar nga një pavëmendje e mbrojtjes së ekipit korean. Por goli i Salihit nuk ndryshoi fatin e kësaj ndeshje, pasi Jiangsu pësoi edhe një gol tjetër, duke mbyllur takimin me humbjen e thellë 5-1, ndonëse vinte me shumë pretendime në këtë sfidë. Sulmuesi pritet të jetë titullar te skuadra kineze, ndërsa do të debutojë në javën e ardhshme në kampionatin vendas, ku Jiangsu synon të përmirësojë vendin e dytë të sezonit të kaluar.

 

 

Kategoria e Parë

Partizani-Elbasani, “dëshpërimi” i të munguarve

Për Partizanin tri pikët janë një detyrim. Edhe pse do të ketë përballë një tjetër ekip me traditë sot “të kuqtë” do të kërkojnë fitoren. Takimi, që ishte programuar për t’u luajtur ditën e hënë, do të nisë sot në orën 18:00. Kjo sfidë do të jetë e nxehtë edhe pse do të mungojnë dy prej protagonistëve më të mëdhenj. Njëri është Dorian Bylykbashi. Beniamini i dy tifozerive, si i “të kuqve” dhe i verdhebluve, do të jetë njëri prej tyre sot pasi është i dëmtuar. Në një prononcim për mediat ai theksoi dje se tek Partizani ka kaluar kohët më të bukura të karrierës së tij, por tek Elbasani e nisi atë dhe tani është pjesë e këtij klubi, ndaj dëshiron që ky takim të flasë në favor të verdhebluve. Për të, sfida e sotme do të jetë një ndeshje për të mos u humbur, qoftë edhe në tribunë: “Për fat të keq jam i dëmtuar dhe nuk do të luaj dot, pasi kisha shumë dëshira të isha në fushë. Të tilla ndeshje është më mirë t’i përjetosh në fushë, sesa si spektator, pasi aty është një pjesë e historisë jo vetëm e imja, por edhe e futbollit shqiptar”. I pyetur se cilës skuadër i uron fitoren mesfushori u tregua i sinqertë dhe tha: “Nëse do të isha një person i jashtëm, ku nuk do të luaja më futboll, nuk mund të zgjidha asnjë nga skuadrat si fituese dhe do të doja që ndeshja mes tyre të dilte në barazim. Por, unë jam aktualisht lojtar i Elbasanit dhe dua të fitoj skuadra ku jam momentalisht”. Një tjetër “mungesë” e madhe e kësaj sfide është edhe ajo e Klevis Roshit. Ndryshe nga Bylykbashi ai nuk do të mund të sfidojë ish klubin e tij, Partizanin, për shkak kartonësh. Në një prononcim për mediat roshi përveç se shprehu mërzinë për këtë fakt përfitoi që të sulmonte edhe “të kuqtë”: “Kam besim se do të jetë një ndeshje mjaft e fortë. Unë i njoh të dyja skuadrat dhe kanë pothuajse të njëjtat kualitete në përbërjen e tyre. Kisha shumë dëshirë të isha në fushë dhe ta fitoja këtë sfidë që, përveçse do të luhej në fushën e blertë, do të kishte edhe një aspekt personal shumë domethënës për mua. Doja t’u tregoja atyre që më larguan vlerat e mia, pra doja t’i bindja ata që nuk besuan tek aftësitë e mia”. Në fund Roshi nuk harroi që të “shigjetonte” edhe drejtuesit aktual të Partizanit:”Nga skuadra janë larguar shumë futbollistë cilësorë, të cilët kishin bërë lojëra shumë të mira dhe e kishin renditur atë në vendin e dytë, ndërsa janë afruar lojtarë që në skuadrat e tjera ku janë aktivizuar fazën e parë kanë qenë rezerva. Mjafton që të shohim listën e afrimeve dhe do të shohim se pjesa më e madhe e lojtarëve, që Partizani ka në formacion, nuk kanë gjetur hapësira në skuadrat e tjera”.