Gati reforma e sigurimeve shoqërore, ja çfarë do të përmbajë

0
163

reformaKëtë vit buxheti për pensionet është 88.8 miliardë lekë, nga të cilat 51.4 miliardë lekë janë të ardhura nga kontributet dhe 37.5 miliardë lekë të tjera janë financim i buxhetit të shtetit, të cilat merren nga taksat e tjera të shqiptarëve. 

 

Sistemi i sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe ai i politikave të pensioneve në veçanti vazhdojnë të përfitojnë një pjesë të madhe të fondeve publike. Edhe pse shpesh po flitet për një reformë të thellë në këtë sistem, ende skema e sigurimeve shoqërore nuk ka ndryshuar që nga viti 1993. Lidhur me këtë, Banka Botërore po përgatit një studim të ri në lidhje me situatën dhe mënyrën se si mund të realizohet reforma në këtë sektor.
Zëvendësministri i Financave Nezir Haldeda, gjatë një interviste, shpjegoi edhe shtyllat kryesore ku do të fokusohet ky studim. “Banka Botërore po përgatit një raport të dytë pas atij të përgatitur në 2006-ën, duke qenë se kemi shumë ndryshime në atë pikturën e parë që ishte atëherë, sepse kemi reduktuar kontributin e pensioneve, si dhe kemi formalizuar vendimmarrjet. Do t’i bëhet një lloj fotografie realitetit dhe do të përcaktohen masat. Por është thënë edhe më parë që reforma e pensioneve kërkon një konsensus më të gjerë në të gjithë spektrin politik. Ndryshe nuk mund të ketë reformë pensionesh. Kjo reformë ka shumë efekte në kohë, ndaj duhet konsensus. Pika më kryesore e reformës është lidhja e kontributit me përfitimin, e njohur si aktivizimi i kolonës së dytë. Sa më shumë kohë kalon ajo rëndon më shumë në barrën e tatimpaguesve apo në buxhetin e shtetit”, – shprehet Haldeda.

 

Situata
Këtë vit buxheti për pensionet është 88.8 miliardë lekë, nga të cilat 51.4 miliardë lekë janë të ardhura nga kontributet dhe 37.5 miliardë lekë të tjera janë financim i buxhetit të shtetit, të cilat merren nga taksat e tjera të shqiptarëve. Duke krahasuar treguesit e këtij viti dhe të vitit të kaluar vëmë re një rritje prej 4.4 miliardë lekësh. Ky deficit që rritet nga viti në vit për shkak të shtimit të numrit të pensionistëve, po rëndon buxhetin duke e bërë emergjente reformën.
Por zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, shpjegon se financat publike kanë stabilitet dhe të gjitha detyrimet po përmbushen. “Kur themi stabilitet të financave publike kemi parasysh funksionet kryesore për të cilat buxheti i shtetit është miratuar nga Parlamenti. Buxheti po përmbush të gjitha detyrimet nga personeli, shpenzimet operative, investimet, gjithçka është sipas atij plani që kemi miratuar në Parlament”, – tha Haldeda.
Reforma e pensioneve ka mbetur thjesht një temë periodike seminaresh, ku politikanët vazhdimisht pranojnë të vërtetën, se reforma duhet bërë, por që ende nuk po arrihet konsensusi politik për nisjen e saj.

 

 

 

“Kërkoj punë”, ofertat më të mira për një vend pune tashmë oneline

 

Ditën e djeshme u përurua programi për informatizimin e sistemit të shërbimeve publike të punësimit. Ky program pritet të lehtësojë më shumë bashkëpunimet mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve. Të pranishëm në përurimin e faqes së re www.epunesimi.gov.al ishte Kryeministri Sali Berisha, ministri i Punës Spiro Ksera si dhe përfaqësuesi i Ambasadës Suedeze Patrik Svensson. Portali është rezultat i projektit suedez “Informatizimi i shërbimeve të punësimit” dhe po zbatohet nga Shërbimi Kombëtar i Punës (SHKP). Vlera e investimit është 500 mijë euro, grant i qeverisë suedeze dhe është zbatuar nga kompania shqiptare “Cacttus”.

 

Çfarë ofron ky program

 

Nëpërmjet këtij sistemi qytetarët shqiptarë, në mënyrë të veçantë të rinjtë, që janë në kërkim të një pune të qëndrueshme dhe në përshtatje me aftësitë e tyre, do të mund të kërkojnë dhe aplikojnë për vende të lira pune. Po ashtu, kompanitë private mund të publikojnë pozicionet e tyre të lira në kohë reale, në mënyrën më të shpejtë dhe transparente, nëpërmjet internetit, nga kompjuteri i tyre ose telefoni celular, në portalin zyrtar të Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Sistemi dixhital online i shërbimeve publike të punësimit është ndërtuar mbi dy nivele, në shërbimet intranet dhe online. Shërbimet intranet funksionojnë në 36 zyrat e punësimit në të gjithë vendin dhe nëpërmjet tyre do të bëhet regjistrimi elektronik i punëkërkuesve, punëdhënësve, vendit të lirë të punës, si dhe do të realizohet ndërmjetësimi automatik i vendit të lirë të punës me punëkërkuesin dhe punëkërkuesit me vendin e lirë të punës. Shërbimet online, nëpërmjet uebsajtit www.epunesimi.gov.al, do të ofrojnë për punëkërkuesit mundësi që në mënyrë të pavarur të krijojnë llogarinë personale në sistem dhe të plotësojnë CV sipas formatit online, apo të kërkojnë për vende të lira pune dhe të aplikojnë për to. Për punëdhënësit ky sistem do të mundësojë që në mënyrë të pavarur çdo biznes të krijojë një llogari në sistem, të publikojë një vend të lirë pune dhe/apo të kërkojë për punëkërkues të përshtatshëm si dhe t’i dërgojë ftesë një punëkërkuesi.

 

Mbështetje për të rinjtë

 

Kryeministri Berisha, i pranishëm në përurimin e programit të ri vlerësoi mbështetjen e shtetit për të rinjtë shqiptarë. “Për të ndikuar fuqishëm në tregun e punës, ne hoqëm tatim fitimin mbi të ardhurat personale për të gjithë punonjësit me rrogë nën 300 mijë lekë. Dhe kjo vetëm në sektorin privat përfshin mbi 200 mijë punonjës të këtij vendi. Për të ndikuar në punësim, ne së shpejti do të kalojmë ligjin, sipas të cilit qeveria do të marrë përsipër kontributet sociale dhe të heq çdo lloj detyrimi takse, për tre vjet, për çdo të ri të punësuar në sektorin privat. Ne e bëjmë këtë për të rinjtë, sepse punësimi i tyre ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ata dhe për vendin”, – deklaroi Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij.