Mashtrimi me mijëra euro, dënohet “biznesmeni garantues” i mashtruesve

0
339

Sonja Caka

mashtrimiU morën 4 personave rreth 80 mijë euro, Gjovalin Toma dënohet 8.6 vjet, ndahet gjykimi për Martin Molin e Përparim Kovaçin

 

Dhjetë vjet burg i ka kushtuar përfshirja në mashtrimin e katër personave Gjovalin Tomës, ndërsa për dy bashkëpunëtorët e tij dosja është veçuar dhe do të gjykohen përmes një gjykimi të zakonshëm. Bëhet fjalë për një shumë afro 80 mijë eurosh, e marrë në kohë të ndryshme dhe në shuma të ndryshme, ndërsa i pandehuri Toma ka deklaruar se nuk ka lidhje me këtë mashtrim me pasoja të rënda për personat e dëmtuar, ndonëse për këta të fundit ai paraqitje prej të pandehurve Martin Moli dhe Përparim Kovaçi si biznesmeni-garantues se paratë do të ktheheshin. Gjykata, në përfundim të shqyrtimit të fakteve, e ka dënuar me 10 vite burg të pandehurin, ndërkohë që në aplikim të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit Toma i ngelen për të vuajtur përfundimisht 8 vjet e 6 muaj burg.

Akuza

I pandehuri Gjovalin Toma, në bashkëpunim me 2 të pandehurit të tjerë, Martin Moli dhe Përparim Kovaçi akuzohen se kanë mashtruar disa persona në bashkëpunim. Akuza ka vërtetuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, 3 të pandehurit kishin ngritur një skemë mashtrimi. Dy të pandehurit Moli dhe Kovaçi kontaktonin persona të njohur të tyre dhe u kërkonin herë pas herë para borxh, me argumentin se do merrnin një kredi në Gjermani prej 3 milionë eurosh,e cila i ishte miratuar dhe u duheshin para për t’i paguar në formë garancie, përkatësisht 10% të shumës. Pas bisedës për marrjen e parave borxh, hynte në lojë i pandehuri i tretë, Gjovalin Toma. Ky rezultonte të ishte “biznesmeni-garantues”, i cili sipas dy të pandehurve të tjerë kishte një biznes nga i cili do të përfitoheshin eurot e marra borxh për t’u kthyer pas. Kështu mësohet të kenë rënë preh e mashtrimit të paktën 4 persona, ndërsa shumat që atyre u janë marrë kapin vlerën e 80 mijë euro-ve. Sipas akuzës, por edhe deklarimeve të vetë të dëmtuarve, shumat e eurove u janë marrë në kohë të ndryshme. Ata herë u jepnin borxh 6 mijë dhe herë 10 mijë euro, derisa shuma e përgjithshme shkoi në 80 mijë euro dhe askush nuk po përgjigjej për t’i kthyer pas. Sipas të dëmtuarave, të pandehurit u kërkon para borxh herë pas here me justifikimin se nuk po plotësohej shuma e garancisë për kredinë.

Marrja e parave

Nga vendimi i gjykatës ka rezultuar se kallëzuesi Bardhok Preçi, është njohur me të pandehurin Martin Moli nëpërmjet të pandehurit tjetër Përparim Kovaçi. Përparimi i ka thënë kallëzuesit se Martini ishte një njeri që merrej me biznes dhe i ishte miratuar një kredi në një banke gjermane, në një shumë prej 3.000.000 (tre milion) EURO. Për këte Martinit i nevojitesh një shumë parash në masën 10% të shumës së kredisë, për ta depozituar si garanci në bankën në fjalë. Sipas shtetasit Bardhok Preçi, Përparimi në atë kohë dinte që ai, pra kallëzuesi, kishte disa para të cilat i kishte depozituar në bankë dhe të cilat, kallezuesi i kishte si rezultat i shitjes së shtëpise së vajzës së tij në Fushë Arrëz. Këto para, vajza e tij ja kishte dhënë kallëzuesit, me qëllim që t’i depozitonte në bankë për t’i ruajtur. Ata kishin prenotuar edhe një shtëpi në Tiranë, për të cilën kishin dhënë edhe kapar dhe do ta blenin me lekët në fjalë. Sipas kallëzuesit, Përparimi dhe Martini pretendonin se Martini kishte nje shoqëri tregtare me emrin “Drini” me të cilin kryente biznes dhe në emër të saj do te miratohej edhe kredia në bankën gjermane. Në lidhje me këtë fakt i është kërkuar informacion Q.K.R-se, nga i cili rezulton se i pandehuri Martin Moli ka patur të regjistruar si person juridik subjektin tregtar “Drini sh.p.k”, i regjistruar si i tillë që në vitin 1998, por duke qenë se pas ndryshimit të sistemit të regjistrimit nuk është paraqitur për ta rregjistruar perseri në Q.K.R këtë subjekt, ai konsiderohet i çrregjistruar. Përparimi i ka thënë kallëzuesit qe ta ndihmonte Martinin me shumën e parave. Për këtë kallëzuesi deklaron se i ka dhene nje shume parash prej rreth 35.000 Euro. Këtë shumë parash kallëzuesi ja ka dhënë shtetasit Martin Moli me disa këste. Ai deklaron se për të siguruar këtë shume, përveç shumes se parave që ai posedonte vetë, ai i ka marrë një shumë prej rreth 5.000 Euro komshiut te tij shtetasit Qemal Troci, dhe këtë shumë parash ja ka dhënë Martinit. Gjithashtu. kallëzuesi i ka marre edhe një të njohurit të tij, shtetasit Frok Prenda, një shumë prej 5.000 Euro. Edhe këto ja ka dhënë shtetasit Martin Moli. Këto shuma parash, kallëzuesi është munduar disa here t’ia marre Martin Molit, por nuk ka arritur pasi ai e gënjente vazhdimisht. Gjate kohes qe ai takohej me Martinin dhe me Përparimin, ai eshte njohur edhe me disa shtetas te tjere si Prendush Nikolli, Pal Zefi, Pashk Marku dhe Ndoc Gjini. Sipas kallëzuesit rezulton se edhe këtyre shtetasve personi ndaj te cilit ai ka paraqitur kallëzim, pra Martin Moli u ka marre shuma të caktuara parash. Gjate kohës që kallëzuesi ka njohur këta persona, ai ka dëgjuar edhe emrin e Gjovalin Tomës. Sipas Perparimit dhe Martinit, Gjovalini punonte ne nje kompani malazeze në të cilën ishin transferuar paratë e kredisë që Martini kishte marrë ne Gjermani. Për këtë i duheshin edhe 6.000 Euro te tjera. Nga këto 2.000 do t’i siguronte Prendush Nikolla dhe 2.000 të tjera do t’i siguronin vete ata. Për këtë ata i kanë thënë kallezuesit se i duheshin edhe 2.000 Euro te tjera. Kallëzuesi për të siguruar 2.000 Eurot e tjera ka shkuar ne Lezhe dhe i ka marre tek motra e tij Liza Maklaska. Familja e saj i ka dhënë një shumë prej 260.000 Lekë. Pasi ka marre lekët, kallëzuesi ka shkuar ne Shkodër dhe i ka dhënë lekët shtetasit Martin Moli.

 

Shkodër

Analiza e gjykatës, Çefa: Cilësia e gjykimit vazhdon të mbetet thelb i problemit

I ka takuar Gjykatës së Shkodrës të zhvillojë dje analizën vjetore të punës 1-vjeçare nga togat e zeza të kësaj gjykate. “Cilësia e drejtësisë vijon të mbetet thelbi i problemit, pasi është dhe pika ku qytetarët kanë hapësira për të na gjykuar”, – deklaroi dje Elvis Çefa, nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili ka marrë fjalën pas paraqitjes së kësaj analize. Në prani të gjithë gjyqtarëve të kësaj gjykate, numri dy i KLD-së, Çela, u shpreh se “praktikisht, të gjithë e dimë shumë mirë që me gjithë këtë volum pune, sistemi gjyqësor, është i kritikuar në përgjithësi nga opinioni publik. Kjo, do të thotë se problemi nuk është tek shifrat, por në thelbin e problemit, që sikurse të gjithë e dimë, është cilësia e dhënies së drejtësisë. Ajo është e ndjeshme, është e prekshme nga publiku, dhe aty edhe gjyqtarët gjykohen nga publiku”, – u shpreh Çefa. Nënkryetari i KLD, Elvis Çefa, shtoi gjithashtu se përtej, të gjithë këtyre shifrave, ngelet përgjithësisht marrëdhënia, gjykatë-publik, që për aq sa unë po vërej nuk është në nivelet që ne duhet ta bëjmë. Ndërkohë, ai u ndal edhe në problematiken e vonesës në dorëzimin e dosjeve, duke bërë të ditur, që për hir të së vërtetës, në këtë gjykatë, nuk janë të pakta, me gjithë vështirësitë e punës. Në këtë këndvështrim ai u bëri me dije të gjithëve, se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në qëllimin e tij, sigurisht që ka rritjen e bashkëpunimit me gjyqtarët, në mënyrë që t’i ndihmojë ato në funksion të dhënies së drejtësisë. “Por, KLD, duhet të jetë i vendosur dhe duhet të ketë një qëndrim të prerë dhe aspak tolerant ndaj atyre gjyqtarë që do të abuzojnë me rrobën e tyre, me veshjen e tyre, me cilësinë e të qenit gjyqtar”, – nënvizoi ai. Në vazhdim, Çefa foli edhe për politikën penale, ku duke bërë të ditur se kohët e fundit jemi dëshmitarë të disa ngjarjeve të rënda të ndodhura rishtazi, ai i kërkoi gjyqtarëve që të jenë konstant në aplikimin e politikave penale, që të jenë të drejtë dhe aspak tolerant me krimin. “Përtej kësaj salle, përtej rrobës, ne jemi të gjithë njerëz, jemi familjarë, jemi prindër, dhe të gjithë bashkë duam një ambient, më të sigurt dhe më të qetë, për veten tonë për familjet tona, prindërit tonë. Prandaj, shkelësin e ligjit, njerëzit e papërgjegjshëm që përbëjnë rrezikshmëri për shoqërinë, sigurisht duhet të kenë dënimin e merituar”, – tha ai.

 

Krimet e Rënda

Dajti, gjykatës: Nuk doni shtyrjen e gjyqit, më pranoni kërkesën për gjykim të shkurtuar

Shtyhet për mungesë të avokatëve. Kjo është fjalia më e shpeshtë dhe e zakontë që dëgjon prej më tepër se 200 seancash në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katërfishtë të ndodhur në plazhin e Durrësit. Ndërkohë që, vijon ndërrimi i avokatëve kryesisht dhe kujtesa që Dajti u bë gjyqtarëve dhe prokurorit për Kodin e Procedurës Penale dhe zbatimin që duhet t’i bëjnë atij. Dhe në fund, përfundimi i njëjtë si gjithë seancat e mëparshme, avokati zëvendësohet, gjykata do t’i referohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për procedim ndaj avokatëve. Panorama është e njëjtë seancë pas seance, ndërsa situata në të cilën ndodhet ky proces është në udhëkryq. Në seancën e djeshme, dy nga avokatët e caktuar kryesisht nga gjykata kanë kthyer përgjigje se kanë angazhime të tjera, Liri Vathi kishte ngarkesë gjyqesh, ndërsa Luan Buzhiqi kishte filluar punë në administratë. Ndërkohë, gjykatës i kishte ardhur edhe një përgjigje nga Drejtoria e Ndihmës Shtetërore Juridike, ku i bëhej me dije se kishin caktuar Vasil Shëngjergjin si avokat për të pandehurin Dritan Dajti. Lidhur me zvarritjen e këtij proces, i pandehuri iu drejtua gjykatës të marrin masa për të evituar këto shtyrje dhe të pranojnë kërkesën e bërë prej tij në fillim të proces për gjykim në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Pasi ka dëgjuar palët në proces, gjykata vendosi shtyrjen e gjyqit dhe caktimin e avokatit Shëngjergji për mbrojtjen e të pandehurit, duke bërë edhe shkresën për njoftimin e tij.