Berisha: “Shqipëria dixhitale”, punësim dhe rritje ekonomike

0
144

Ina Jano

beroNë mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratua Plani Kombëtar i Frekuencave që i hap rrugë përdorimit të teknologjisë 4G

Shqipëria, superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon

 

“Shqipëria dixhitale” është një prej projekteve më të suksesshme që është duke gjeneruar vende pune dhe po ashtu po sjell rritje ekonomike. Për Kryeministrin Berisha kjo mbetet aq e vërtetë, sa edhe fakti se Shqipëria do të bëhet një superfuqi energjetike në rajon. “Shqipëria dixhitale është dhe do të bëhet një faktor shumë i rëndësishëm i punësimit dhe rritjes ekonomike të vendit. Ndërkohë, ajo ju jep qytetarëve shqiptarë më të çmuarën e të gjitha gjërave të çmuara, që është koha. Kështu që ne mbetemi të vendosur që në moshën dixhitale të mos ecim, por të vrapojmë në mënyrë që të ndjekim horizontin e saj që ecën më shpejt se çdo horizont tjetër”, – bëri me dije kreu i ekzekutivit.

Qeveria në mbledhjen e saj të djeshme miratoi edhe Planin Kombëtar të Frekuencave që i hap rrugë futjes në përdorim të teknologjisë 4G, duke mundësuar përdorimin e internetit super të shpejtë në të gjithë celularët dhe kompjuterat e tyre. Kryeministri Berisha u shpreh se miratimi i këtij plani mundëson që qytetari të marrë informacion me anë të celularit të tij me internet super të shpejtë. “Hapa të tjerë administrative do të duhen por me miratimin e këtij plani arrihet një riorganizim tërësor të përdorimit racional dhe interesave më të mirë të frekuencave të vendit. Ju jeni dëshmitar të një hobi të shënuar gjatë këtyre viteve të fundit në fushën e komunikimit elektronik”, – tha kreu i qeverisë. Ai theksoi se gjatë këtyre viteve janë ulur edhe tarifat e telefonisë celulare në 3 deri në 5 herë si dhe janë bërë përparime në fushën e telekomunikacionit. “Çmimet rezultojnë të jenë më të ulëta se pak vite më parë, nga 70 lloje tarifash që ne kishim në 2005-ën sot janë 134 lloj tarifash. Ky revolucion në fushën e telekomunikacionit ka bërë që shqiptarët të komunikojnë njëlloj si qytetarët në vendet e tjera të zhvilluara. Ishte e dhimbshme koha kur qytetarët paguanin 3 herë më shumë se austriakët. Çmimet për abonentët e këtyre kompanive janë sot, deri në 5 herë më të ulëta sesa pak vite më parë dhe e vërteta është se në qoftë se do konvertoheshin paketat, ofertat, parapagesat dhe shumëllojshmëria e tarifave të kontratës, këto çmime rezultojnë të jenë shumë e shumë herë më të ulëta se pak vite më parë. Nga 17 lloje tarifash që në kishim në vitin 2005, sot janë 134 lloj tarifash dhe nuk përfshihet këtu as “Skype”, as “Viber”, as “What’s App”, të cilat dihet se janë free. U sulmova atëherë në mënyrë të pandershme nga opozita, që në vend të bënte avokatinë e qytetarëve sulmonte Kryeministrin se mbronte interesin e tyre”, – shtoi Berisha. Kryeministri theksoi se revolucioni i shënuar gjatë këtyre viteve të fundit në fushën e telekomunikacionit i bëri shqiptarët të komunikojnë njëlloj si kombe të tjera të zhvilluara. Por, Kryeministri garantoi se me serinë e dixhitalizimeve më të fundit si m-tax dhe e-punësim, si dhe një seri të tjera përurimesh, pjesë e axhendës dixhitale të vendit, Shqipëria do të ngjitet në nivelet më të larta të përdorimit të teknologjisë së informacionit.

Energjia e rinovueshme

Sipas Kryeministrit, qeveria ka bërë të mundur që shqiptarët të mos kenë rritje të çmimit të energjisë elektrike, pavarësisht nga kostot e mëdha që ka pasur kjo në buxhetin e shtetit. “Sot miratojmë një seri vendimesh për dhënien me koncesion te HEC-eve Shën Gjon Kryezi, Bollenjë, Malla. Tregu shqiptar të ketë për burim energjinë ujore, që ka edhe koston më të lire. Të bëjmë të mundur që shqiptarët të mos njohin çmimet stratosferike të energjisë si në vendet e tjera. Gjatë 3 viteve nuk kemi pranuar asnjë rritje çmimi të energjisë për konsumatorin shqiptar. Kemi shpenzuar nga buxheti dhe kemi kompensuar çdo detyrim për të mos lejuar rritjen e çmimit për konsumatorin”, – theksoi Kryeministri duke shtuar se ndërtimi i HEC-ve është edhe krijimi i fronteve të reja të punës në gjithë vendin. Berisha ka ironizuar edhe deklaratat e kryesocialistit Rama sa u përket shifrave të papunësisë. “Të flasësh për 1 milionë të papunë në një vend që në statistikë ndërkombëtare ka gjithsej 1 milion e 40 mijë vetë forcën punëtore do të thotë që je ftohur në të gjitha anët. T’u thuash qytetarëve se papunësia është 1 milion, atëherë mor zotëri jeton në një botë personale”, – shtoi lideri i qeverisë.

 

 

Shembja e shtëpive

Kryeministri, porosi Nokës për sistemimin e qytetarëve të Mallakastrës

Kryeministri Berisha porositi dje ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, për marrjen e masave për sistemimin në hotele dhe kushte të mira të familjeve të fshatit Ngracie, të Komunës Qendër-Mallakastër, të cilat pësuan dëmtime të rënda nga shembja masive e dheut, e ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, si dhe zgjidhjen e problemeve të krijuara nga ajo shembje, e cila fatmirësisht nuk shkaktoi dëme dhe humbje jete njerëzish. Rrëshqitja e dheut është verifikuar në orët e para të mëngjesit të së martës në fshatin Ngracie, në Mallakastër. Autoritetet lokale njoftuan se nga masivi i dheut janë përfshirë të paktën 12 banesa, gjashtë prej të cilave janë bërë të pabanueshme.

 

 

Zbulohet logoja e fushatës, Berisha kërkon mendimin e qytetarëve

Dje është publikuar nga vetë kryetari i Partisë Demokratike logoja që kjo parti do të përdorë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Kryeministri i vendit zoti Berisha ka vendosur që të publikojë logon e re në faqen e tij zyrtare në Facebook, njëkohësisht edhe për të përdorur mendimin e mbi 423 mijë miqve të tij, në lidhje me çështjen në fjalë. “Të dashur miq! Unë do të vlerësoja shumë mendimin tuaj për logon tonë. Kam shumë kënaqësi që t’ju njoh ju para të gjithëve me logon e fushatës dhe fitores së ardhshme të PD-së. Në logo është shkruar slogani i fushatës sonë “Ne jemi ndryshimi – Përpara!” Nga logo del qartë se prijësi ynë është flamuri kombëtar. Zoti e bekoftë atë dhe fitoren tonë të 23 qershorit. Për mua ju jeni të parët!”, – shkroi dje Kryeministri në Facebook.

 

Vendimi

Ulje të kostove financiare për biznesin

Kryeministri Berisha firmosi ditën e djeshme një tjetër vendim të marrë në të mirë të të gjithë biznesit dhe për zgjerimin e lirisë ekonomike të tyre. Siç bëhet e ditur, ai ka firmosur dje vendimin e marrë rreth dy javë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, “Për karakteristikat teknike funksionale të pajisjeve fiskale, sistemit të integruar te kompjuterizuar për transferimet periodike automatike të deklarimeve financiare, sistemi i komunikimit, procedurën dhe dokumentacionin për miratimin e tyre dhe për kriteret për pajisje me autorizim për shoqëritë e autorizuara për ofrimin e pajisjeve fiskale”. Ky vendim sjell ndryshime të rëndësishme në favor të biznesit, të cilat synojnë lehtësimin e mëtejshëm të tij, si dhe uljen e kostove financiare si për kompanitë private të biznesit dhe njëkohësisht dhe për shoqëritë e autorizuara. Tashmë, shoqëritë e autorizuara do të kryejnë kontrollin një herë në 24 muaj. Ky kontroll është ulur progresivisht, nga 1 herë në 6 muaj, më pas një herë në vit dhe tani një herë në 2 vjet. Gjithashtu, tarifa e paguar për kontrollin periodik, do të zbresë në 4 mijë lekë, nga mbi 9 mijë lekë që ishte e mëparshmja, duke përfshirë në këtë çmim edhe koston e transmetimit, e cila deri më sot ishte shpenzim suplementar mbi këtë shifër. Ky vendim vjen si vazhdimësi e vendimeve në mbështetje të biznesit dhe zgjerimit të lirisë së tij ekonomike dhe që Kryeministri është shprehur më parë se do të vijojnë të jenë ndër objektivat e qeverisë së tij.

 

PD: Platforma ekonomike e Ramës, aventuriere

Platforma ekonomike e zotit Rama është, në rastin më të mirë, aventuriere, por në të gjitha rastet, dërrmuese për ekonominë shqiptare dhe sipërmarrjen e lirë në Shqipëri. Këtë deklaroi dje zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Eno Bozdo, gjatë një takimi me tregtarët e rrugës “Lordi Bajron”, në njësinë bashkiake numër 11, Laprakë. “Lajmi që zoti Rama u dha shqiptarëve në konventën e Partisë Socialiste se ai do të aplikonte taksimin progresiv dhe do të zeronte taksat për biznesin e vogël, ide këto të cilat, që të nesërmen, u kundërshtuan në konferencë shtypi nga vetë eksperti fiskal bullgar i Partisë Socialiste, si ide që dëmtojnë ekonominë reale dhe nxisin evazionin fiskal”, – u shpreh për mediat zoti Bozdo. Sipas tij, kundërshtia programore e PS-së është tejet e qartë, pasi ai i premton biznesit të vogël zerimin e taksave, por individë-pronarë të këtyre bizneseve u deklaron se do t’u rrisë taksat personale nëpërmjet taksimit progresiv. Gjithashtu për përfaqësuesit e Partisë Demokratike janë të qarta edhe dy kundërshti të tjera: “Thotë se ai nuk ka asgjë kundër shtresës së mesme dhe të pasur të shoqërisë, por sot asnjë nuk e di se sa do të jetë taksimi progresiv i shtresës së mesme dhe asaj të pasur: do të jetë 20%, 30%, 40% apo edhe më shumë? Thotë se duhet përmirësuar klima e biznesit dhe të rritet liria ekonomike, por u premton bizneseve prishje të kontratave, anulim të privatizimeve si dhe shtetëzimin e ndërmarrjeve private”. Sipas Bozdos, Shqipëria reale dhe e vërtetë ka nevojë të thellojë reformat, të nxisë investimet dhe sipërmarrjen, të krijojë më shumë liri ekonomike, pasi platforma e Partisë Socialiste, bazuar në Shqipërinë virtuale, ofron pikërisht të kundërtën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency