Disiplina penalizon rëndë Bylisin

0
240

Altin Vorpsi

 

pamje nga ndehsja skenderbeu -bylis-

Komisioni i Disiplinës Sportive pranë Federatës Shqiptare të Futbollit i dha fitoren 3-0 në tavolinë skuadrës së Skënderbeut, i hoqi 3 pikë në klasifikim dhe penalizoi me 600 mijë lekë gjobë skuadrën e Bylisit për shkelje të nenit 128 të rregullores së FSHF-së.

 

Gabimi foshnjarak i bërë në fushën e lojës i ka kushtuar shumë shtrenjtë ekipit të Bylisit. Ekipi ballshiot ka marrë vesh dje pasojat e atyre katër minutave të marra në Korçë.

 

Vendimi

Komisioni i Disiplinës Sportive pranë Federatës Shqiptare të Futbollit i dha fitoren 3-0 në tavolinë skuadrës së Skënderbeut, i hoqi 3 pikë në klasifikim dhe penalizoi me 600 mijë lekë gjobë skuadrën e Bylisit për shkelje të nenit 128 të rregullores së FSHF-së. Tërë mundi i 90 minutave i shkoi dëm ekipit të Naçi Shensoit.

 

Gafa e ballshiotëve

Edhe pse mund t’ju duket diçka e parealizueshme, gjithçka është e vërtetë. Brenda pak viteve Skënderbeu është përballur me dy skuadra që kanë bërë gafa foshnjarake. Pas asaj që ndodhi në Shkodër vite më parë, kësaj here Skënderbeut u ndal në Korçë nga Bylisi, por mori tri pikët në tavolinë. Duket si një skenar filmi, ku asgjë nga ajo që duket nuk përkon me të vërtetën, por fakt është se gjithë mundimi i lojtarëve të Bylisit në këtë përballje u zhvlerësua prej një gafe të bërë nga ana e stafit teknik të ballshiotëve. Katër minuta lojë, kaq pak mjaftojnë për të shkelur një nen të rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit lidhur me aktivizimin e lojtarëve të huaj, që Bylisi nga një barazim heroik në pamje të parë doli duarbosh. Një lojtar i huaj më shumë në fushën e lojës dhe Skënderbeu “buzëqeshi”, duke marrë fitoren në tavolinë.

 

Rregullorja

Sipas rregullores së FSHF-së, neni 128, limiti i lojtarëve me shtetësi të huaj që mund të aktivizohen njëkohësisht në fushën e lojës është 5. Nëse shkelet ky rregull, skuadra shkelëse dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë, heqjen e 3 pikëve në klasifikim dhe gjobë.

 

Diferencat

Tani, pas këtij vendimi, skuadra e Skënderbeut ngjitet në kuotën e 40 pikëve, 10 më shumë se Teuta e vendit të dytë, ndërkohë që Bylisi zbret në vendin e 9-të me 19 pikë. Në mes të kësaj jave, edhe pse nuk luajtën asnjë ndeshje, skuadra korçare pa teksa thelloi “humnerën” që e ndan me rivalen për titullin kampion, Teutën.

 

 

 

Liga e Kampioneve

Sukaj ndjek “shembullin” e Salihit

Liga e Kampioneve në Azi duket se është arena e duhur për shqiptarët. Saktësisht për shkodranët që natë pas nate po tregojnë se janë “të pashpirt” para portës kundërshtare. Kështu, pas Hamdi Salihit, një tjetër shkodran shënon në Ligën e Kampioneve të Azisë. Radha ka qenë për Xhevahir Sukajn, i cili ka shënuar dy nga tre golat e ndeshjes së fituar me rezultatin 3-0 nga Sepahani ndaj Al Nasr Dubai. Sukaj ka shënuar dy golat e parë në këtë ndeshje. Goli i parë i tij është shënuar në minutën e 22-të duke kaluar në avantazh Sepahanin. Me këtë gol të vetëm është mbyllur pjesa e parë ndërsa në të dytin e ka shënuar në minutën e 80-të teksa ka vulosur fitoren megjithatë do të shënohej edhe një gol tjetër në minutën e 86-të me anë të Ebrahimit. Kështu Sepahani ka arritur ta fitojë pastër ndeshjen e parë në grup duke hedhur kandidaturën e tij për kalimin e turit që tani dhe natyrisht që një kontribut të madh ka dhënë Xhevahir Sukaj me dy golat e tij. Në këtë mënyrë, Liga e Kampioneve të Azisë ka folur me gjuhën e shkodranëve. Por nëse goli i Salihit, dy net më parë, nuk i bëri punë skuadrës së tij, kinezëve të Jiangsu, golat e Sukajt kanë qenë shumë të rëndësishëm për iranianët e Sepahanit sepse i kanë dhënë tre pikët e para në ndeshjet në grupe. Një paraqitje e tillë e tij sigurisht që duhet të tërheqë patjetër vëmendjen e trajnerit të kombëtares De Biazi sepse ai tashmë nuk duhet ta anashkalojë më këtë sulmues i cili po shfaqet gjithnjë e më tepër protagonist me golat e tij.

 

Ski

Tola vazhdon përgatitjet

Pjesëmarrja e vështirë, por dinjitoze në kampionatin botëror u la prapa. Erion Tola kaloi nga Shladmingu austriak në malet e Sharit në Tetovë dhe më pas u ngjit më në veri, në Serbi ku aktualisht po merr pjesë në garat e skive alpine të përfshira në kalendarin e Federatës Botërore të këtij sporti.

Në Austri, në botëror, Tola u bë i pari shqiptar që mori pjesë në këtë aktivitet të nivelit të lartë të skive alpine, duke qenë i 42-ti me 60 pjesëmarrësve në sllallom dhe duke u paraqitur pak më dobët në sllallomin gjigant, i 54-ti ndër 60 konkurrues. Në Maqedoni, në një mot të vështirë, ai realizoi një garë të mirë në sllallom gjigant, por duke mos mundur të hynte ndër 3 të parët. Garat u fituan nga sllovenët Kirner dhe Matiç. Ndërkaq, në Serbi do të jenë garat në Zllatibor në datat 28 shkurt e 1 mars dhe më pas dy gara në Malet e Mokrës në 2, 3 dhe 4 mars. Tola është i vetmi skiator shqiptar që ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore, gjë që e bëri në 2006 në Torino dhe në 2010 në Vankuver.

 

Kategoria e Parë

Partizani fiton supersfidën dhe merr vendin e tretë

Partizani dhe Elbasani luajtën dje një ndeshje të denjë për Superioren dhe jo për të Parën, kategori kjo ku aktualisht militojnë dy klubet me famë. Nën dritat e projektorëve, në prani të mjaft tifozëve “të kuq”, skuadrat sfiduan njëra-tjetrën në një sfidë interesante. Të gjendur në kategori inferiore, “të kuqtë” kryeqytetas janë në ndjekje të Lushnjës dhe vendeve të kreut për t’u rikthyer mes të të mirëve në vend, ndërsa verdheblutë nuk e aspirojnë dot këtë gjë, për vetë pozicionin që kanë në klasifikim aktualisht dhe rezultateve të arritura deri më tani. Në një terren jo të përshtatshëm për futboll normal, me tapetin e baltosur, të dyja skuadrat janë angazhuar të japin më të mirën e tyre. Normalisht, sikurse edhe pritej, Partizani ka qenë më superior gjatë tërë kohës, ndërkohë që ka pasur edhe mbështetjen e tifozëve të vet të zjarrtë. Nuk vonon shumë, në fakt, dhe rezultati i ndeshjes zhbllokohet. Një këndore nga e djathta për të kuqtë shkon në gjysmëlartësi në zonën e vogël të verdhebluve, ku mbrojtësi Tafaj ndërhyn me kokë dhe shënon. Ky moment shërben për t’i çliruar psikologjikisht të besuarit e Duros, që vijojnë të kenë iniciativën dhe të mos e lejojnë kundërshtarin të dalë nga gjysmëfusha e vet. Gjatë pjesës së parë, të kuqtë kanë krijuar edhe dy raste të mira për shënim, me anë të mesfushorit Ishka dhe sulmuesit Malo, ndërsa Abazaj ka marrë kartonin e parë të verdhë në minutën e 34-t. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes në pushimin mes dy pjesëve me epërsinë minimale të vendësve, ndërkohë që Elbasani pak e ka shqetësuar portën e kryeqytetasve. Pjesa e dytë ka pasur pothuajse të njëjtin ritëm e “skenar”, kur trajnerët kanë bërë edhe zëvendësime në formacionet e tyre. I tillë ishte edhe ai në sulmin e “të kuqve”, kur doli Tushe dhe u aktivizua Oladele. Pas kësaj fitoreje, skuadra e trajnerit Shpëtim Duro ka kapur 34 pikë, çka i mundëson vendin e tretë pas Lushnjës dhe Mamurrasit, duke spostuar pas vetes Pogradecin me një pikë më pak. Nga ana e tyre, verdheblutë mbeten në vendin e 11-të të Kategorisë së Parë me 19 pikë.