Çështja e qumështit të infektuar kërkon seriozitet maksimal

Çelo Hoxha

 

qumeshtiDy javët e fundit, në Britaninë e Madhe shpërtheu skandali i mishit të kalit. U zbulua që disa lloje qoftesh, ato që përdoren për hamburgerë kryesisht, ishin përgatitur me mish kali, të cilin britanikët nuk e hanë, dhe jo me mish viçi, si thuhej në etiketë të mallit në supermarkete. Pas hetimeve u zbulua se Evropa ishte me e bashkuar seç mendohej: në skandalin e mishit ishin përfshirë shumë kompani evropiane, me shtrirje në disa shtete. Në Rumani prodhohej mishi i kalit, prej andej e blinte një tregtar holandez i dënuar më parë për mashtrim të kësaj natyre, pastaj mishi paketohej diku në Francë dhe përfundonte Britani. Në disa vende të Evropës, përfshi dhe Francën, shitja e mishit të kalit lejohet, por çështja e shitjes së tij për mish viçi u trajtua si veprimtari e jashtëligjshme dhe, edhe në Francë, menjëherë nisën hetimet e çështjes. Mishi i kalit nuk u zbulua të përbënte ndonjë rrezik, por mashtrimi i konsumatorit u konsiderua, me të drejtë, një skandal që alarmoi të gjitha qeveritë e vendeve të përfshira në të.

Në Shqipëri dhe në Kosovë, pak ditë më parë, u zbulua një skandal më i rëndë në lidhje me ushqimin. Disa lloje qumështi, të analizuara në Kosovë, rezultuan të përmbanin një lëndë të rrezikshme për shëndetin e njeriut, me përmbajtje kancerogjene: aflatoksinë. Sipas shpjegimeve që lexova në gazeta, aflatoksina është një lëndë toksike që prodhohet nga disa kërpudha të gjinisë aspergillus, e cila është disa llojesh. Ajo zhvillohet kryesisht në ushqimet e mykura që hanë bagëtitë dhe përcillen te njerëzit përmes qumështit. Ajo dëmton mëlçinë, shkakton cirozë ose kancer. Sigurisht, këto pasoja shkaktohen nëse njeriu e pi qumështin për një kohë të gjatë, ngaqë doza që përmban qumështi është shumë vogël.

Tregu shqiptar nuk është në nivelet e tregjeve evropiane në lidhje me sigurinë ushqimore, dhe kjo për arsye të kuptueshme. Hapja e tregut në Shqipëri, në dy dekadat e fundit, ka qenë një veprimtari më dinamike se progresi i strukturave të ndryshkura të shtetit komunist. Gjatë viteve ‘90, tregu shqiptar nuk kishte rregulla fare ose edhe ato që ishin nuk kishte kush përkushtimin për t’i këqyrur si zbatoheshin. Asokohe të gjithë ishin të zaptuar nga ethet e parasë, e tregtarët edhe ata që kontrollonin tregtarët. Me një ryshfet modest tregtarët mund të hiqnin qafe shumicën e kontrolleve ose kontrollorëve. Ligji mund të mos funksiononte mirë, por vakuumin e mbetur e mbushnin thashethemet. Mbaj mend që flitej se në treg shitej çdo lloj mishi, i çdo lloj kafshe: qen, mace, gomar etj., dhe shumë herë qeshnim me shokët duke bërë llogari sa gomerë mund të kishim ngrënë nëse mblidhnim gjithë sallamin që kishim konsumuar.

Tani nuk jemi më në vitet ‘90. Gjatë kësaj kohe janë toleruar shumë gjëra, shteti është sjellë në mënyrë skandaloze herë-herë, si në rastin e ndërtimeve pa leje, ku, duke i legalizuar ato, ka mbajtur anën e shkelësve të ligjit. Apo në rastin e pronës, të cilën ua mori pronarëve të ligjshëm dhe ua shpërndau falas njerëzve që s’kishin derdhur asnjë pikë djersë për ta fituar atë.

Sado ngushëllues të jetë fakti që duhet shumë qumësht i pakontrolluar që të shkaktojë dëme serioze, alarmi dhe pasiguria që përhap lajmi është e madhe. Aq më tepër që ka të bëjë me shëndetin e pjesës më delikate të shoqërisë, fëmijët, të cilët janë konsumatorët e rregullt të qumështit. Ky është rrezik që qeveria duhet ta marrë seriozisht, të ndalet jo vetëm te analizat e qumështit dhe heqjen e tij nga qarkullimi, por edhe hetimin e personave që janë përgjegjës që një ushqim i tillë është lejuar të futur në treg. Këtu mund të përfshihen si prodhuesit dhe tregtarët, edhe institucionet shtetërore përgjegjës për sigurinë e ushqimeve në treg.

Sipas gazetës “Metropol”, Qendra e Edukimit dhe Zhvillimit të Fëmijëve ka deklaruar se produktet ushqimore në çerdhet dhe kopshtet e Tiranës janë futur, pasi janë kontrolluar nga Autoriteti i Kontrollit Ushqimor. Mirëpo, ndërkohë, është lajmëruar që gjithë qumështi është tërhequr nga çerdhet dhe kopshtet. Shëndeti i qytetarëve, sidomos i fëmijëve, është një çështje që duhet të mbrohet me çdo lloj çmimi, sado hidhur që mund të jetë për biznesin apo institucionet.

 

Soni Malaj, në disko me djemtë e

Ariu dhe menaxheri

Kërko