Elton Qyno
Pista e vetme, qëndrojnë konfliktet mes Lamajt dhe biznesmenit Frroku
Dëshmitari kyç, 1 javë që nuk gjendet. Verifikim itinerarit me antena
Vrasja e kryekomisarit Dritan Lamaj, 200 metra larg banesës së tij në zonën e shkollës “Vasil Shanto”, ka mobilizuar specialistët më të mirë të prokurorisë dhe Policisë së Shtetit. Ky mobilizim synon gjetjen e shpejtë të provave materiale, të cila do të përdoren në seancën e gjyqit për të vënë me shpatulla pas murrit biznesmenin Arben Frroku, i cili që nga dita e parë e krimit ka mohuar të jetë ai personi që ka bërë vrasjen. Të njëjtën gjë ka pretenduar edhe nipi i tij Jak Jaku, i cili punon si shofer pranë biznesmenit Frroku. Nisur nga alibitë e shumta që Frroku ka ngritur nga ambientet e policisë greke, është vendosur nga ana e grupit hetimor zhvillimi i një analize hetimore, ku kanë marrë pjesë prokurorët e çështjes dhe oficerë të hetimit që shërbejnë pranë Policisë së Shtetit. Për rreth katër orë, prokurorët Eugen Beci, Kosta Beluri, Anton Martini së bashku me oficerët e policisë së Tiranës dhe drejtorin Bernard Çaushaj, kanë diskutuar kokë më kokë rreth provave të administruara në dosje për gati një javë nga krimi i rëndë i vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj. Gjatë diskutimit palët kanë marrë detyrat konkrete për intensifikimin e hetimeve në disa drejtime, me qëllim verifikimin në kohë të shpejtë të gjitha tabulateve telefonike, verifikimin e armëve dhe gëzhojave të gjetura në vendin e krimit, si dhe pamjeve filmike të sekuestruara në lokalin, ku shumë pranë tij është qëlluar me dhjetëra plumba kryekomisari Dritan Lamaj.
Dëshmitari “i zhdukur”
Personi që mendohet se di shumë gjëra rreth vrasjes së ish-shefit të komisariatit nr. 6 në Kombinat, është hajduti i makinës tip “BMW” me targë DR 1944 F, e cila është përdorur në vrasje dhe më pas është gjendur gjysmë e djegur në fshatin Domje të Tiranës. Gjatë analizës, më shumë se katërorëshe, nga ana e prokurorëve të Krimeve të Rënda, u është kërkuar drejtuesve të policisë marrja sa më parë e masave për lokalizimin dhe arrestimin e këtij personi, që tashmë rezulton i identifikuar, por që ende nuk është prangosur. Në analizë është diskutuar rëndësia e këtij dëshmitari, i cili mund të tregojë detaje, që mund të çojnë prokurorët dhe efektivat e policisë në autorët e krimit. Lidhur me këtë fakt, gjatë kësaj jave Policia e Shtetit ka kryer dhjetëra kontrolle në banesa të ndryshme në disa qytete, por në fakt s’ka mundur të arrestojë vjedhësin e BMW-së. Ndërkohë, në analizë është diskutuar edhe dëshmia e një picieri, i cili rezulton të ketë parë të gjithë krimin e rëndë, skenë të cilën ai e ka treguar para oficerëve të policisë.
Konfliktet me Frrokun
Gjatë analizës të zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pista e vetme që është diskutuar ka qenë ajo e përplasjes së ish-shefit të komisariatit nr. 6 me biznesmenin e kompanisë “Xhoi Lloto”, Arben Frroku. Tashmë të gjitha këto përplasje janë marrë në skaner nga ana e grupit hetimor, ndërkohë që në dosje janë administruar edhe rreth 15 kallëzime penale që Dritan Lamaj ka bërë rreth kërcënimeve të tij me jetë, por edhe në ngarkim të familjes së tij. “Të përqendruar jemi vetëm tek konfliktet me Arben Frrokun dhe me askënd tjetër. Konflikti ka degjeneruar në sherre deri në përplasje fizike dhe se të gjitha provat që kemi mbledhur gjatë kësaj kohe na çojnë në drejtim të biznesmenit Arben Frroku. Nuk mund të them se jemi të bindur, por kemi dyshime të forta se Frroku është personi që ka qëlluar me armë zjarri drejt Lamajt, duke u ndihmuar edhe nga nipi i tij Jak Jaku. Biznesmeni pretendon se ka provat e veta, por të gjitha provat vlerësohen duke u përballur në gjykatë dhe jo në gazeta”, – thanë për gazetën “Standard” burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Vocaj dhe Kuliçi
Prokuroria ka pranuar dorëheqjen e dy oficerëve të lartë, Tonin Vocaj dhe Agron Kuliçi. Këta të fundit, për shkak se rezultuan të kishin pasur miqësi dhe kanë ngrënë darkë në një lokal në malin e Dajtit me të dyshuarin kryesor, i kanë paraqitur me shkrim, prokurorisë, duke dhënë dorëheqjen nga hetimi i dosjes së vrasjes së kryekomisarit.
Dyshime se Lamaj u dekonspirua
Hetimi për vrasjen në Belgjikë,
i hodhi më tepër benzinë zjarrit
Dëshira për të hetuar një vrasje në Belgjikë, ku në të dyshohet se ishin implikuar dy vëllezërit Arben dhe Mark Frroku, duket se i ka hedhur benzinë konfliktit mes familjes Frroku dhe kryekomisarit Dritan Lamaj. I informuar për një vrasje të kryer në vitin 1996 në Belgjikë dhe se drejtësia e këtij shteti kishte lëshuar një urdhër arresti në ngarkim të dy vëllezërve Frroku, të cilët në Belgjikë janë prezantuar me emra kosovarësh të rremë si Liman dhe Azem Krasniqi. Nisur nga kjo situatë, kryekomisari Lamaj ka informuar të gjithë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, përfshirë këtu edhe drejtorin Hysni Burgaj, por që më pas prej tyre ka marrë përgjigje negative. Mes personave që është vënë në dijeni rreth kërkesës për dhënie informacione për dy emrat e mësipërm ka qenë dhe drejtori i Interpol Tiranës, i cili nuk dihet me saktësi nëse i ka kthyer përgjigje ose jo. Nisur nga kjo situatë, mes Lamajt dhe familjes Frroku ka nisur një konflikt më shumë se personal, duke bërë që problemet të shkojnë deri në marrjen e jetës së kryekomisarit. Ende nuk dihet me saktësi, por ka shumë gjasa që rreth këtij hetimi paraprak është vënë në dijeni edhe biznesmeni Frroku, i cili duket edhe në disa foto të publikuara së fundi se ka lidhje të forta në Policinë e Shtetit. Për pasojë, problemet kapën kulmin në kërcënime të vazhdueshme deri në vdekje të familjes së Lamajt, ndërkohë që në 24 shkurt, pas shumë kërcënimesh, është bërë ekzekutimi me 11 plumba i kryekomisarit Lamaj.