Sonja Caka
Shtyrjet pasojnë njëra-tjetrën, ngërçi në Gjykatën e Krimeve për zgjidhjen e çështjes së Dritan Dajtit vijon. Gjykata propozon: Zgjidh cilin avokat të duash nga lista. I pandehuri tallet me trupën gjyqësore: Sa është fatura që do të paguhen për të më nxjerrë të pafajshëm
Shtyhet mbledhja e Komisionit të Disiplinës në Dhomën Kombëtare të Avokatisë, e cila do të diskutonte për ankesat e vazhdueshme të Gjykatës së Krimeve të Rënda për shtyrjet e gjyqeve për shkak të avokatëve. Në këtë mbledhje, e cila është shtyrë për një datë ende të pacaktuar, do të diskutohej mbi kërkesat e shumta për penalizime avokatësh, përkatësisht për ata që janë bërë shkak për dështimin e mjaft seancave gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti. Ishte parashikuar për ditën e djeshme, ndërkohë që Dhoma e Avokatisë ka njoftuar shtyrjen e saj për një afat të pacaktuar dhe kjo shtyrje u pasua nga një tjetër shtyrje, duke shënuar seancën e 205-të gjyqësore ndaj të pandehurit Dajti. Njoftimi për shtyrjen e kësaj mbledhjeje u mësua dje në ambientet e gjykatës, ndërsa duket se edhe Dhoma e Avokatisë është e paaftë të vendosë për procedime disiplinore apo masa ndaj avokatëve, ashtu si dhe gjykata ndaj Dajtit.
Situata
Për herë të parë në historinë e gjyqësorit gjykata dhe trupa gjyqësore ndodhet përballë një ngërçi dhe në pamundësi për ta zgjidhur. E pafat për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate është edhe Drejtoria e Ndihmës Juridike Shtetërore, avokatët e të cilës kanë paraqitur justifikime nga më të ndryshmet për t’u vetëpërjashtuar nga mbrojtja e Dajtit. Trupa gjyqësore ndodhet e papërgatitur përballë një situate të tillë, ku vetë i pandehuri i njeh në mënyrë perfekte të drejtat e tij ligjore dhe di gjithë mënyrat për ta kthyer procesin në favor të tij. I pandehuri Dajti ka studiuar në Fakultetin e Drejtësisë, ndërsa ka perfeksionuar gjatë kësaj kohe edhe nivelin e tij të dijeve në degën e Juridikut dhe mënyrën se si duhet ta mbrojë veten përmes Kodit Penal.
Procesi
Gjyqi ndaj Dritan Dajtit është shtyrë sërish. Shkak është bërë refuzimi i avokatëve për të pranuar mbrojtjen e tij, ndërsa para gjykatës paraqesin justifikime nga më të ndryshmet për të hequr dorë. Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë për në 11 mars seancën gjyqësore pasi nuk janë paraqitur dy avokatët e caktuar nga kjo gjykatë apo dhe vetë i pandehuri për mbrojtjen e Dajtit, konkretisht avokati i zgjedhur nga Dajti, Hasaf Hadëraj, dhe avokati i caktuar nga Komisioni i Ndihmës Juridike Shtetërore Vasil Shëngjergji. Të gjendur përballë kësaj situate, e njëjtë me ato të mëparshmet, Gjykata i ka paraqitur të akuzuarit një listë me emra avokatësh të ardhur nga Komisioni Shtetëror për ndihmë juridike dhe nga Dhoma e Avokatisë dhe i ka dhënë 10 ditë kohë për të zgjedhur përfaqësuesin e tij ligjor. Ndërsa vetë i akuzuari Dajti ka vijuar të tallet si çdo seancë me trupën gjyqësore duke i kërkuar informacion se sa është fatura e shpenzimeve për avokatin mbrojtës. “Kërkoj të di faturën e shpenzimeve të avokatëve mbrojtës për të më shpallur të pafajshëm” u është drejtuar Dajti gjyqtarëve. Ndërsa gjyqtari i çështjes është shprehur se shpenzimet për avokatët nuk do të paguhen nga Dajti, por nga Komisioni Shtetëror për Ndihmë Juridike në Ministrinë e Drejtësisë.
KLD inspekton dosjen e Bandës së Durrësit, paralajmërim gjyqtarëve
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar një inspektim në Gjykatën e Krimeve të Rënda, lidhur me dosjen e Bandës së Durrësit. Gjatë shqyrtimit të kësaj dosjeje, Inspektoriati ka konstatuar shkelje por jo aq sa për të filluar një procedim disiplinor dhe për këtë arsye paralajmëroi trupën gjyqësore të mos ndiqet më një procedurë e tillë pasi në të kundërt do të quhet përsëritje. Verifikimi nisi pas një informacioni të paraqitur zyrtarisht, ku pretendohej për zvarritje të gjykimit nga ana e gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ne një çështje penale. Nga kontrolli rezultoi se gjykimi i kësaj çështje, nga regjistrimi i çështjes penale më datë 17.06.2007, deri në shpalljen e vendimit me date 16.01.2012, ka zgjatur për një periudhë 4 vjet e 7 muaj, periudhë kjo, e cila është në kapërcim të afateve të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me nr.199/3, datë 15.09.2006 “Mbi kriteret matëse të veprimtarisë gjyqësore”. Nga Inspektorati nuk është vërtetuar asnjë arsye që justifikon këtë vonesë. Rrjedhimisht, Inspektorati ka arritur ne përfundimin se këto fakte përbëjnë zvarritje të pajustifikuar të veprimeve procedurale gjatë ushtrimit të funksionit të gjyqtarit, pasoja për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë. Megjithatë, këto fakte janë të pamjaftueshme për t’u klasifikuar si shkelje me pasojë përgjegjësinë disiplinore sipas nenit 32 të ligjit nr.9877/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Rrjedhimisht, rezultatet e këtij verifikimi çmohen të papërshtatshme për fillimin e një procedimi disiplinor ndaj gjyqtareve përkatës. Në këto rrethana, bazuar në nenin 34, pika 2 të Rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, nënkryetari i KLD i ka tërhequr vëmendjen me shkrim gjyqtarëve përkatës për këto shkelje duke i kërkuar të evitohet përsëritja e tyre në të ardhmen.
Gjirokastër/ Vendoset eksploziv, shpërthim në lokalin e Karagjozit
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur në orët e para të mëngjesit të djeshëm vendin e quajtur “Pazar” në qytetin e Gjirokastrës, ndërsa patrulla e policisë është vënë menjëherë në ndjekje të dy personave. Sipas policisë, lënda shpërthyese është vendosur në lokalin e shtetasit Shefki Karagjozi. Menjëherë janë njoftuar edhe strukturat e tjera policore nga patrulla që patrullon lagjet e sipërme të qytetit dhe në ndihmë të saj ka shkuar edhe patrulla tjetër e policisë që patrullon në lagjen “18 shtatori”. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë grupi hetimor, si dhe Drejtori i Policisë së Qarkut, Ajet Ibro, zv.drejtori i Policisë, shefi i komisariatit dhe një numër i madh Specialistësh të Policisë. Nga hetimet e para ka rezultuar se rreth orës 04:10 minuta, në qafën e pazarit, në një nga degëzimet e rrugëve të pazarit, në derën e lokalit të shtetasit Shefki Karagjozi dy shtetas kishin hedhur tek dera e lokalit një kallëp tritoli 200-gramëshe me fitil të ndezur. Por ata janë larguar me vrap në rrugicat e qytetit sepse kanë konstatuar se janë pikasur nga patrulla e policisë, e cila ishte në patrullim në pjesën e sipërme të qytetit dhe ishte duke zbritur në këmbë në Pazar kur ka pikasur këta dy shtetas tek dera e lokalit. Patrulla e policisë, sapo ka parë këta dy persona në distancë që ishin në derën e lokalit është vënë në ndjekje të tyre, duke rrezikuar jetën, pasi sasia e tritolit ka shpërthyer menjëherë në momentin që policia po shkonte në drejtim të lokalit. Sipas burimeve policore, patrulla në momentet e para ka menduar se këta shtetas ishin hajdutë dhe donin të vidhnin lokalin. Bëhet me dije se nga shpërthimi ka pësuar dëme të shumta materiale lokali i shtetasit Shefki Karagjozi, si dhe janë thyer xhamat e dyqaneve përreth lokalit të tij. Mësohet se nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale dhe nuk ka asnjë të lënduar. Policia ka mundur që brenda një kohe të shkurtër të identifikojë dy autorët e dyshuar për këtë vendosje eksplozivi, me pasojë shpërthimin e derës së lokalit, ndërkohë që po hetohet pista e konfliktit për motive personale të pronarit Karagjozi. Po sipas burimeve zyrtare policore, pronarit të këtij lokali para një muaji kanë tentuar t’i djegin lokalin me benzinë, por e ka parandaluar ngjarjen patrulla e policisë që patrullonte në Qafën e Pazarit. Për atë ngjarje janë kryer të gjitha veprimet dhe materialet i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.