Elton Qyno
Parandalimi i krimit, Hysni Burgaj nxjerr në rrugë dhe sheshe dy reparte të forcave speciale
Situata kriminale dhe regjistrimi i disa krimeve të rënda në rrugët e Tiranës dhe qytete të tjera kanë detyruar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, të nxjerrë në rrugë efektivët e repartit special RENEA dhe FNSH. Disa nga grupet e këtyre reparteve speciale janë dislokuar në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit, duke krijuar përshtypjen e një shtetrrethimi tek qytetarët. Efektivë policie, të pajisur me armatim të rëndë, si automatikë, kanë dalë ditën e djeshme në rrugë, të maskuar, duke kryer ndalimin e personave të ndryshëm. Pas kontrollit, qytetarët liheshin të lirë, nëse në trup nuk i gjendej asnjë send i kundërligjshëm, si armë zjarri, thika, drogë apo dhe sende të tjera. Ndërkohë, veç këtyre detajeve, policia kontrollonte në sistemin kompjuterik edhe gjeneralitetet e personit, duke e verifikuar atë nëse ishte person i shpallur në kërkim ose jo nga drejtësia. Një skaner i imtë u është bërë edhe automjeteve të ndryshme, lidhur me dokumentacionin e tyre, pronësinë e shumë detaje të tjera. Gjatë ushtrimit të këtij plani masash, është arritur të sekuestrohen dhjetëra automjete të dyshuara të vjedhura, ndërkohë që më shumë se 82 persona janë shoqëruar në ambientet e policisë, ku janë marrë në pyetje për vepra të ndryshme penale. Një situatë e ngjashme mësohet se ka qenë gjatë ditës së djeshme edhe në qytetin e Durrësit, ku gjatë kontrolleve të vazhdueshme është bërë arrestimi i dy personave të shpallur në kërkim, ndërkohë që janë ndaluar edhe disa shtetas të tjerë që janë kapur me lëndë narkotike në xhepa.
Plani operacional
Gjatë ditës së djeshme, në Tiranë janë ngritur disa postblloqe policore, të përbëra nga efektivë të forcave speciale RENEA dhe FNSH. Postblloqe të tilla janë ngritur në sheshin “Nënë Tereza”, në zonën e autostradës Tiranë – Durrës, zonën e Bërrylit dhe në zonën e Kombinatit. I gjithë aksioni drejtohej në teren nga drejtori i Policisë së Tiranës, Bernard Çaushaj. Të gjitha postblloqet e blinduara janë ndërmarrë duke u bazuar në planin operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, mbi kontrollin e territorit, në funksion të parandalimit të ngjarjeve kriminale, kryesisht kundër krimeve ndaj pronës së qytetarëve, krime të tjera kundër jetës e shëndetit të personit, vjedhje me dhunë etj. Me synim ardhjes në ndihmë të qytetarëve përmes rritjes së cilësisë së shërbimit, në funksion të parandalimit të ngjarjeve të ndryshme kriminale, rritjes së parametrave të sigurisë dhe kryesisht identifikimin dhe kapjen e personave që mbajnë armë zjarri, armë të ftohta pa leje, strukturat e policisë po punojnë intensivisht në këto drejtimi. Po ashtu operacioni është shtrirë dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim ndaj atyre personave që kanë konsumuar shkelje administrative në bazë të Kodit Rrugor, për ato shtetas që qarkullojnë me automjete pa targa, me targa të huaja dhe pa dokumentacionin e nevojshëm ligjor.
Sekuestrohen armë
Operacioni policor i ndërmarrë gjatë 24 orëve të fundit ka sjellë dhe frytet e para, ku nga kontrollet e kryera në mënyrë rutinë është bërë sekuestrimi i 10 armëve të zjarrit, disa gramëve drogë të llojeve të ndryshme si dhe janë bllokuar mbi 10 armë të ftohta thika. Gjithashtu në “rrjetën” e policisë kanë rënë 187 automjete për mangësi në dokumentacion, janë sekuestruar 10 armë zjarri të llojeve të ndryshme (shotgan, çifte, pistoleta “TT”) si 10 armë të ftohta pa leje. Janë arrestuar në kushtet e flagrancës 3 shtetas për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike duke sekuestruar sasisë prej 100 gr si dhe 20 doza kanabis në afërsi të shkollave. Sipas policisë së Tiranës ky operacion do të vazhdojë në ditët në vijim, mbi dokumentimin ligjor të veprimeve të kundërligjshme të personave që kapen me armë zjarri pa leje, si dhe atyre personave që qarkullojnë me automjete pa targa, me targa të huaja që ka kaluar afati, me fenelinë policie, tabela dore policie, xhama të zinj si dhe pa dokumentacionin e nevojshëm ligjor. “Theksojmë se, aktualisht po intensifikohet puna më tej, për kontrollin e elementëve me tendenca kriminale, duke shoqëruar dhe marrë në pyetje 82 persona me tendencat e sipërcituara, me qëllim informimin dhe analizimin në kohë të aktivitetit të tyre të kundërligjshëm”, -thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës.
82 persona
Kaq është numri i shtetasve që janë shoqëruar në ambientet e policisë gjatë aksionit të kryer nga RENEA dhe FNSH-ja në Tiranë. Mes personave të ndaluar, kanë qenë disa për armëmbajtje pa lejë dhe se 3 për shpërndarje të drogës. Pjesa tjetër është shoqëruar për vepra të ndryshme penale.
Anxhelo Halilaj i jep fund jetës, motivet mbeten mister
Ngjarja në Sharrë, fëmija 11 vjeç varet
në degën e pemës me litarin që lidhte kalin
Një i mitur ka zgjedhur t’i japë fund jetës duke u vetëvarur në degën e një peme në fshatin Zbelaj që ndodhet në zonën e Sharrës. Sipas policisë së Tiranës, viktima është 11 vjeç dhe mban emrin Anxhelo Halilaj. Prindërit e tij janë shqetësuar për mungesën në banesë dhe se gjatë mbrëmjes së të martës, ata kanë dalë në oborr të shihnin rreth vendndodhjes së tij, por kanë konstatuar se në njërën nga pemët, gjendej i varur trupi i pajetë i të miturit. Konstatimi i trupit të varur është bërë në orët e mbrëmjes 18:15, nga njerëzit e shtëpisë, të cilët kanë nxituar të shpëtojnë 11-vjeçarin, duke e transportuar me shpejtësi në drejtim të spitalit, por gjithçka ka qenë e kotë, pasi sipas mjekëve të urgjencës fëmija kishte humbur jetën para se të mbërrinte në spital. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, bluzat e bardha kanë njoftuar policinë e Tiranës, ku për hetimin e kësaj vetëvrasje është ngarkuar komisariati nr. 6 në Kombinat. Mësohet se varja është kryer me litarin e kalit që kishte familja e fëmijës. Ata kanë zbritur me urgjencë trupin e të voglit dhe e kanë dërguar në ambientet e ambulancës së Kombinatit. Prej aty trupi u dërgua në QSUT për t’iu nënshtruar një autopsie që do të japë përgjigjen e saktë mbi shkaqet e vdekjes. Paraprakisht policia po heton në pistën e vetëvarjes. Janë familjarët ata që do të japin dëshminë e tyre në polici, duke sqaruar të plota rrethanat e kësaj ngjarje. Policia shprehet se familja Halilaj, nuk ka pasur konflikte me fëmijën e tyre, dhe se gjithçka mund të ketë ndodhur si një vendim i shpejtuar i 11-vjeçarit, i cili duhet të ketë pasur ndonjë konflikt me rrethin shoqëror që i ka sjellë më pas tronditje psikike.
Ngjarja në Rubik, i dëmtuar Bardhok Gega
Plagos me armë 24-vjeçarin afër
shtëpisë, në kërkim autori i krimit
Një 24-vjeçar është plagosur rëndë me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Rubik. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se 24-vjeçari Bardhok Gega është qëlluar me disa plumba pranë banesës së tij. Policia ka identifikuar autorin e ngjarjes dhe është vënë në ndjekje të tij, ndërkohë që po punon edhe për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes së rëndë. Momentalisht, nuk bëhet i ditur identiteti i autorit të krimit, deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë 24-vjeçari është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, pasi gjendja e tij është tepër e rëndë. Nga hetimet paraprake të kryera nga ana e policisë së Rubikut, është mësuar se 24-vjeçari është qëlluar teksa ishte duke u kthyer në banesën e tij. Shkak i plagosjes ka qenë një sherr banal mes të dëmtuarit dhe autorit të krimit, i cili ka vendosur të hakmerret duke e qëlluar me armë. Aktualisht burime pranë policisë thanë se janë duke kryer dhjetëra banesa në disa fshatra, ku mendohet se është strehuar autori i kësaj plagosje. Ndërkohë lidhur me ngjarjen e rëndë, grupi hetimor ka marrë në pyetje anëtarët e familjes së 24-vjeçarit Bardhok Gega dhe anëtarët e familjes së autorit të plagosjes. Policia u ka kërkuar këtyre të fundit që të marrin kontakte me djalin e tyre, në mënyrë që ai të dorëzohet para organeve ligjzbatuese.