Gëzim Saliu
Neve na duhen votat e çdo gruaje, e çdo vajze, e çdo nëne shqiptare për të vazhduar betejën tonë fisnike ndaj murit të patriarkisë
Fitorja në zgjedhjet e 23 qershorit është grua. Për Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, votat e çdo gruaje, vajze e nëne shqiptare do të jenë përcaktuese në garën e zgjedhjeve parlamentare për shembjen e murit të bllokimit që ka ngritur partia Socialiste lidhur me marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Evropian. Pjesëmarrës në aktivitet në Pallatin e Kongreseve i organizuar nga Kryeparlamentarja për festën e 8 Marsit, kreu i qeverisë theksoi se fitorja e 23 qershorit është vendimtare për shndërrimin e Shqipërisë në vend të zhvilluar dhe evropian. “Shqipëria nuk ka nevojë të quhet grua apo burrë, por fitorja është grua, është vajzë, është vetëm grua dhe vajza, ndaj dhe le të shpallim ne nga kjo sallë, nga kjo ditë, betejën tonë të madhe për fitoren e 23 qershorit. Të vazhdojmë ne, me forcën bindëse të shpirtit tonë, betejën për çdo votë. Ne na duhen votat e çdo gruaje, e çdo vajze, e çdo nëne shqiptare për të vazhduar betejën tonë fisnike ndaj murit të patriarkisë. Ne na duhen ato, që Shqipëria çdo ditë e më shumë të bëhet vendi i djemve dhe vajzave, burrave dhe baballarëve, vëllezërve dhe motrave të barabarta, në familje, në shoqëri e kudo. Le të përdorim ne, forcën e besimit tonë tek vlera, për të bërë që çdo nënë, çdo vajzë, çdo grua, çdo motër shqiptare të votojë në 23 qershor për të shembur murin e bllokimit që kanë ngritur në rrugë neobllokmenët e rinj, në emër të testamentit të etërve të tyre. Le te rendim ne çdo ditë, çdo minutë, çdo orë, pas çdo vote”, – theksoi Berisha.
Fjalimi
“Së pari dëshiroj të përulem me nderimin më të thellë, me mirënjohjen më të pakufishme parë ta gjithave ju këtu, para të gjitha nënave, grave, motrave, vajzave shqiptare, kudo që janë sot ato, t’ju uroj gëzuar këtë ditë, ti falënderoj me mirënjohjen më të thellë për gjithçka ato kanë bërë për Sali Berishën, për çdo burrë, djalë, familjar, për shoqërinë shqiptare, për kombin, për Shqipërinë, në të gjitha kohërat”. Kështu e ka nisur fjalimin e tij Kryeministri në takimin e djeshëm me gratë në kuadër të festës së 8 Marsit, duke i cilësuar ato si simbolin e dashurisë. Më tej, ai e ka konsideruar faktor vendimtar rolin e gruas në ndërtimin e një shoqërie të lirë, ndërsa u zotua se do të punojë për të shembur murin e pabarazisë mes burrit dhe gruas. “Në luftën tonë kundër murit të patriarkisë, ne ia kemi dalë që sot ju të jeni shumicë në të gjithë administratën. Në këtë luftë, në këtë beteje, ne ia kemi dalë që të jeni shumicë në të gjitha shkollat e të gjitha niveleve të vendit. Në këtë luftë, në këtë betejë, ne ia kemi dalë sot që pabarazia e madhe që ekzistonte në rrogën mesatare të burrave dhe grave, në vitin 2005, pabarazi prej 36%, të përgjysmohej dhe të jetë sot më e vogël se në 12 vende anëtare të BE. Në këtë luftë dhe në këtë betejë ne nisëm të shpalosim në mbarë vendin sistemin e mikrokreditit për gratë, të cilat do ti konsiderojmë në çdo rast bashkëkryefamiljare”, – tha lideri i mazhorancës. Në këtë kontekst, Berisha ftoi të gjitha gratë dhe vajzat që mos heqin kurrë dorë nga karriera dhe të mos pranojnë në asnjë rrethanë të shndërrohen vetëm në gra shtëpie. “Koeficienti intelektual, roli i grave dhe vajzave, studimet e tyre të shkëlqyera, krijimet e tyre gjeniale po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Vajzat, nënat, gratë shqiptare, të cilat kanë përjetuar por dhe përballuar me sukses drama të mëdha, sakrifica mbinjerëzore, vështirësi të jashtëzakonshme, kanë besim të madh tek virtyti i tyre, tek forca e tyre shpirtërore. Ky virtyt ka bërë që një grua shqiptare shtatvogël me zemrën e saj të pushtojë mbarë njerëzimin dhe kjo ishte Nenë Tereza. Ajo ishte njëra prej jush, ajo ishte njëra nga nenat shqiptare. Ajo është frymëzimi për çdo shqiptare kudo që ndodhet, por është frymëzimi për çdo grua dhe vajzë kudo në botë”, – u shpreh Kryeministri i vendit Berisha.
8 Marsi, Rama: Ka shumë sfida për gratë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, uroi dje të gjitha gratë, vajzat dhe nënat shqiptare me rastin e 8 Marsit. Përmes një mesazhi të postuar në rrjetin social “Facebook”, shoqëruar edhe me një fotografi të tij mes nënës dhe bashkëshortes, kreu i PS-së nënvizoi angazhimin e partisë që drejton për ndërmarrjen e politikave të reja qeverisëse të barazisë gjinore e të shanseve të barabarta. “Në mes të dy grave më të rëndësishme të jetës sime dua t’u uroj me gjithë zemër gëzuar 8 marsin të gjitha nënave, grave e vajzave të këtij vendi, ku sot më shumë se asnjëherë në gjithë këto vite lirie mbetet e hapur sfida e barazisë mes gruas e burrit. Sfida e krijimit të mundësisë së vajzave të vogla në zonat e vështira për të ndjekur shkollën njësoj si djemtë. Sfida e lehtësimit të barrëlindjes për nënat e pasiguruara ngase të papuna dhe e uljes së papunësisë femërore në tërësi. Sfida e trajtimit josdiskriminues të vajzave e grave kur konkurrojnë me djem e me burra për një vend pune. Sfida e rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën publike dhe e zgjerimit të kuotës së tyre të përfaqësimit në këshilla vendore apo parlament. Dhe padyshim, sfida alarmante e ditëve të sotme përballë dhunës e krimit në familje që rëndon egërsisht mbi vajzat e gratë. 27 gra të vrara në vetëm vitin e 100 vjetorit të pavarësisë janë një këmbanë buçitëse për shoqërinë dhe për ne, socialistët e progresistët shqiptarë në radhë të parë”, – shkruante Rama.
PE: Të drejtat e grave të jenë, pjesë negociatave për BE-në. Arvizu: Integroni gratë
Bashkimi Evropian kërkon që çështja e të drejtave të grave të vihet në qendër të negociatave me kandidatët potenciale apo vendet kandidate në Ballkanin Perëndimor, për të garantuar që kjo çështje të reflektohet në të gjithë kapitujt relevant të negociatave dhe që gratë të përfaqësohen në tryezën e bisedimeve. Në këtë kuadër Komisioni i Punëve të jashtme në Parlamentin Evropian i ka bërë thirrje Komisionit për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore që të përfshijë disa sugjerime në projektrezolutën e datës 4 mars. Komisioni gjithashtu thekson nevojën që të luftohen të gjitha format e diskriminimit në vendet e punës ndërsa dënon trafikimin e qenieve njerëzore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këto sugjerime, PE thekson nevojën që gratë në Ballkanin Perëndimor të marrin një rol më të madh dhe pjesëmarrje më aktive në të gjitha fushat. Ndërkohë ditën e djeshme ambasadori Aleksandër Arvizu ka blerë dje lule në Sheshin “Skënderbej”, për të treguar mbështetjen e tij për nismën “Dhuro një lule për jetën”, sponsorizuar nga YWCA, Garden Line dhe Bashkia e Tiranës. Në një prononcim për mediat, ambasadori Arvizu tha: “lufta për të realizuar të drejta të plota të grave dhe të vajzave vazhdon dhe më e suksesshme të mund të jetë një shoqëri që të mund të integrojë gratë në jetën e një vendi, në punësim gjithashtu. Në këtë ditë të veçantë do doja të përgëzoja të gjithë ata që e kanë ndërmarrë nismën “Dhuro një lule për jetën”, duke e shndërruar atë në një sukses”.
Kandidatët e rinj, Rama prezanton Nikollën në Tiranë
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi kryetaren e njësisë bashkiake numër 1 në Tiranë, Lindita Nikolla, në listën e kandidatëve të PS-së për deputete në qarkun e Tiranës. Duke vlerësuar punën e Nikollës në krye të njësisë bashkiake, Rama tha se me këtë prurje, ekipi i deputetëve të Tiranës bëhet më bindës dhe afrohet më tepër me qytetarët. “Sot na takon jo vetëm të flasim për gratë, por edhe të bëjmë një akt të ri besimi ndaj tyre, prandaj sot skuadrës sonë të rilindjes i shtohet një grua tjetër. Lindita Nikolla nuk është e panjohur për publikun, edhe pse shumë më mirë e njohin qytetarët e njësisë numër 1, ku ka drejtuar qysh prej vitit 2007. Kush e njeh historinë personale të Nikollës ka vetëm respekt për këtë grua. Drama e rinisë së të vëllait të burgosur politik në vitet e diktaturës nuk ka nxitur urrejtjen tek Lindita, por dashurinë dhe hapjen tek të tjerët”, – u shpreh Rama. Nga ana e saj, Lindita Nikolla, krahas falënderimit për besimin që iu dha nga kryesocialisti, ka garantuar angazhimin e saj në kuadër të fitores së zgjedhjeve. “Unë dua sot, t’ju premtoj të gjithëve që do të vijoj të angazhohem krah Edi Ramës, krah Partisë Socialiste, duke qenë pjesë e modelit të vlerave, te dashurisë, të përkushtimit, seriozitetit, punës së palodhur, modestisë, dashurisë pakufi për njerëzit e thjeshtë, ashtu sikurse janë ndjenjat e çdo vajze, e çdo bashkëshorteje, e çdo nëne, e çdo gruaje shqiptare. Ndaj që nesër do të vijoj të trokas fort në zemrën e çdo qytetari që kërkon Shqipërinë e Rilindur, për të vijuar më pas, pas 23 qershorit me të njëjtin pasion, por edhe me pasionin e ëndrrës së fëmijëve tanë për të bërë të mundur Rilindjen Shqiptare”, – tha kandidatja më e re për deputete e PS-së, Lindita Nikolla.