Bajerni nuk ndalet, “minatorët” e Gelsenkirshenit sundojnë Ruhrin

0
245

Përgatiti Altin Vorpsi

 

bajreniBajerni çoi dje në 20 pikë diferencën me vendin e dytë, Borusia e Dortmundit. Këtë të fundit e mposhti Shalke, ndërkohë që bavarezët bënë detyrën përballë Fortunës së Dyseldorfit

 

Dje rivalet e Bajernit kanë marrë një goditje të rëndë. Ekipi bavarez fiton edhe kur ka fatin kundër. Në këtë vit të ri skuadra e Jup Hejnkesit ka marrë 10 fitore në po kaq takime. Ndërsa në Bundesligë duket se gjithçka ka mbaruar. Tri pikët e marra përballë Fortunës së Dyseldorfit kanë çuar në 20 pikë avantazhin ndaj Borusias që në 9 javët e mbetura do ta ketë të pamundur t’i mohojë titullin kampion Bajernit.

 

Turnover i Bajernit, Fortuna shënon

Jup Hejnkes, duke parë se të mërkurën vjen Arsenali, la pushim Danten dhe Havi Martinezin. Ndërkohë, Arjen Robeni, i dëmtuar në pulpë, pa nga tribuna teksa Tomas Myleri shkëlqeu. Por këto zëvendësime nuk ndihen shumë, kur në fushë luajnë Luiz Gustavo dhe Boateng. Ekuilibrat e takimit u thyen që në minutën e 16-të, kur Matis Boli shënoi pasi mori një top të artë nga Lamberci.

 

Kundërpërgjigjja e Tomas Mylerit

Rrjeta e shënuar nga djemtë e Norbert Majerit ishte shkëndija që ndezi takimin. Bavarezët u hodhën në sulm për gjetur golin e barazimit. Myleri me portën bosh, në minutën e 27-të, nuk ia doli që të shënonte. Po kështu edhe Manxhukiçi çoi dëm një tjetër asist perfekt të Riberisë. Në fund të pjesës së parë Bastian Shvajshtajger shënoi një gol në pozicion jashtë loje, kështu kryesori ia anuloi. Për të realizuar golin aq shumë të dëshiruar mendoi Tomas Myleri. Në minutën e 45-të, Filip Lam i dhuroi një asist perfekt “djaloshit të artë” që me një diagonale perfekte “dogji” portierin mik.

 

Lamberci shënon, Riberi hipën “në katedër”

Fraksioni i dytë flet vetëm për Bajernin. Skuadra vendase sulmon me kokën poshtë në çdo minutë edhe pse nuk gjen golin. Manxhukiçi, Myleri dhe Van Bujteni kanë gjetur në ditën e vet më të mirë portierin Giefer që pret gjithçka. Momenti kulminant i takimit erdhi në minutën e 71-të, kur Lamberci arrin të shënojë golin e dytë falë një kundërsulmi perfekt. Pas këtij episodi tifozët në “Allianz Arena” i kapi paniku, ndërkohë që numri shtatë, Frenk Riberi, u karikua edhe më shumë (pak minuta më parë autori i golit të dytë i ndërhyri shumë rëndë) duke rikthyer ekuilibrat brenda 100 sekondave.

 

Lami i dhuron golin Boas

Pesëmbëdhjetë minutat e fundit të lojës ishin një spektakël më vete. Për të bërë diçka të tillë mendoi Giefer, që i vetëm i mohoi shumë gola Bajernit. Një i tillë ishte ai rast i minutës së 85-të kur Riberi, me ndihmën e Gomezit i dha francezit një asist me finte mjaft të bukur, doli para portierit mik dhe pa teksa ky i fundit i priti topin me këmbë. Para se të ndodhte ky episod Gieferin e shpëtoi edhe traversa (Gomezi goditi me kokë një harkim të Shvajnshtajgerit). Në ato momente, bavarezëve, edhe pse sulmonin, iu duk se nuk ishte dita e duhur. Por një Filip Lam monumental bëri diferencën. Mbrojtësi i krahut të djathtë futi një harkim perfekt nga e djathta për në qendër aty ku Xherom Boateng kërceu mbi të gjithë, duke shënuar golin e parë në karrierë në Bundesligë dhe të tretin për Bajernin në këtë sfidë spektakolare. Kështu, “armata” e Jup Hejnkesit mund të thyejë një tjetër rekord këtë vit. Nëse në tri ndeshjet e radhës do të vijnë tri fitore, atëherë titulli kampion do të vijë që në prill, edhe pse nga fundi i këtij edicioni mungojnë plot 9 javë.

 

9 është numri i asisteve që ka dhënë Filip Lami këtë edicion të Bundesligës

 

 

 

 

“Minatorët” e Shalkes mundin rivalët e urryer

Shalke ka fituar derbin e Ruhrit kundër Borusias së Dortmundit për të ngjitur shkallët në renditje dhe për të luftuar përsëri për zonën e Ligës së Kampioneve. Në një ndeshje mjaft të ethshme, skuadra vendase triumfoi 2-1, duke mos menduar për takimin e mesjavës ndaj Gallatasarajit. Ndonëse Dortmundi dominoi në fillimin e takimit, ishte Shalke që mori kontrollin e ndeshjes duke shënuar dy herë me Draksler dhe Huntelar në pjesën e parë të sfidës. Një gol i të zakonshmit Levandovski në pjesën e dytë të takimit ishte shumë pak për Borusian që doli me kokën poshtë për të dytën herë në këtë sezon në derbin më të ndezur në Gjermani. I vetmi lajm negativ i ditës për “minatorët” ishte ai dëmtim i Jan Klas Huntelarit që me shumë mundësi do ti mungojë gjatë fushave të lojës pas atij dëmtimi në gju.

 

Java 25/Rezultatet

Bajern Mynih-Fortuna Dyseldorf  3-2

45’ Myler, 73’ Riberi, 86’ Boateng / 16’ Boli, 71’ Lamberc

Shalke-Borusia Dortmund       2-1

12’ Draksler, 35’ Huntelar / 59’ Levandovski

Frajburg-Volfsburg             2-5

2’ Kruse, 65’ Flum / 7’ (ag) Makiadi, 16’ Vieirinja, 22’, 49’ Oliç, 90’ Diego

Majnc-Bajer Leverkusen         1-0

61’ (p) Ivanzhitz

Grojther Fyrth-Hofenhajm         0-3

10’ Firmano, 16’ Hoselu, 50’ Vajs

 

Sot

Hanover – Eintrakt Frankfurt

Shtutgart – Hamburg

 

Renditja pas javës së 25-të

1.Bajern Mynih                     66

2.Borusia Dortmund            46

3.Bajer Leverkusen             45

4.Shalke                    39

5.Eintraht Frankfurt             38

6.Mainz                      37

7.Fraiburg                  36

8.Hamburg                35

9.Borusia M’gladbah          34

10.Hanover               33

11.Nyrenberg                        31

12.Volfsburg                         30

13.Shtutgart              29

14.Fortuna Dyseldorf          28

15.Verder Bremen   28

16.Augsburg                         21

17.Hofenhajm                       19

19.Grojther Fyrth                  14