Bode nënshkruan huanë e butë për ndërmarrjet e vogla

0
220

Ervin Kaduku

 

bodeMarrëveshja Financiare e nënshkruar dje ndërmjet ministrit të Financave Ridvan Bode dhe drejtorit të Përgjithshëm të Artigiancassa S.p.a., Vincenzo Masciopinto, nëpërmjet së cilës akordohet një hua e butë me një shumë prej 15 milionë eurosh bën të mundur financimin e Programit të Ndihmës së Integruar për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM-eve) Shqiptare, i cili është një program strategjik i qeverisë shqiptare. Kjo është faza e dytë e këtij programi, objektivi i të cilit është të ndihmojë në rritjen ekonomike të Shqipërisë nga pikëpamja e integrimit në tregun e përbashkët evropian, duke mbështetur zhvillimin e gjerë të sipërmarrjes vendase dhe duke nxitur njëkohësisht zbatimin e standardeve të qëndrueshme mjedisore, si dhe përmirësimin në përgjithësi të kushteve të punës.

Programi i Ndihmës së Integruar për Zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM-eve) Shqiptare është një program strategjik i qeverisë shqiptare, i financuar nga qeveria italiane, nëpërmjet Artigiancassa-s, në cilësinë e administratorit të Fondit Qarkullues të Bashkëpunimit për Zhvillimin, për llogari të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Italisë. Marrëveshja financiare për fazën e parë të programit, me një hua të butë prej 27.500.000 eurosh është nënshkruar më 4 tetor 2006 dhe zbatohet nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nëpërmjet Njësisë së Menaxhimit të Programit.

Marrëveshja financiare që u nënshkrua më datën 8 mars 2013, i përket fazës II të këtij programi, dhe nëpërmjet saj akordohet një hua e butë me një shumë prej 15 milion euro.

Objektivi kryesor i programit është të ndihmojë në rritjen ekonomike të Shqipërisë nga pikëpamja e integrimit në tregun e përbashkët evropian, duke mbështetur zhvillimin e gjerë të sipërmarrjes vendase dhe duke nxitur njëkohësisht zbatimin e standardeve të qëndrueshme mjedisore, si dhe përmirësimin në përgjithësi të kushteve të punës.

Objektivi i veçantë i programit është përmirësimi i marrëdhënies së besimit mes NVM-eve shqiptare dhe sistemit bankar vendas, duke e nënkuptuar përftimin e kredive si një mjet funksional në dobi të rritjes gjerësisht të sipërmarrjes, të krijimit të sipërmarrjeve të reja, si dhe në dobi të shpikjeve e risive në proceset e në prodhim, të mbështetjes ndaj vënies në jetë të praktikave që lidhen me përgjegjësitë shoqërore të sipërmarrjes, si dhe në dobi të bashkimeve funksionale mes NVM-ve.

Programi parashikon përdorimin e mjeteve financiare dhe jo financiare për t’u ardhur në ndihmë NVM-eve përfituese duke favorizuar realizimin e investimeve që synojnë të rrisin cilësinë e proceseve prodhuese. Ai përfshin:

financimin e një Linje të re Kredie (kredi ndihme prej 11 milionë euro shtesë), me një fond të veçantë për të mbështetur “projektet e vogla” kryesisht në sektorin agro-ushqimor (3.5 milion euro);

rritjen e aftësisë financiare të Fondit të Garancisë për Programin e Zhvillimit të NVM Shqiptare (kredi ndihme prej 2.5 milionë euro shtesë);

financimin e veprimtarive që shoqërojnë dhe mbështesin përfituesit, nëpërmjet vënies në dispozicion të një fondi të Asistencës Teknike (kredi ndihme e barabartë me 1.5 milionë euro).

Shuma e financimit që akordohet nga qeveria italiane, nëpërmjet Artigiancassa-s është 15 milionë euro nëpërmjet një huaje të butë sipas kushteve në vijim:

• Shuma:                               15.000.000 (pesëmbëdhjetë milion) euro;

• Kohëzgjatja:            16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet, duke përfshirë edhe periudhën pa pagesë principali prej 96 (nëntëdhjetë e gjashtë) muaj duke filluar nga data e disbursimit të parë;

• Norma e interesit:              0.00%.

 

Sipas kushteve aktuale financiare, huaja e ndihmës parashikon një element-grant të barabartë me 40%.