Karriera e mosmirënjohësve në politikë, vetshuhet si flakë kashte

0
173

Xhelal Marku 

 

politikaPak kohë më parë, në një nga shkrimet e një gazete të përditshme të pavarur, tek komentonte rubrikën “Politikani i Vitit 2012”, kam lexuar diçka të tillë, ku në përmbajtje thuhej, se Berisha sposton në renditje konkurrentin e tij Topi… etj. Këtë thënie unë e konsideroj një lapsus të gazetës, pasi Topi kurrë ndonjëherë nuk ka qenë konkurrent i Berishës. Përkundrazi, ai në politikë ka qenë një i punësuari i Berishës, të cilin për gjeografi figurash, ky i fundit e koptoi atë në Partinë Demokratike dhe në strukturat e saj, duke i dhënë peshqesh disa funksione të rëndësishme, si nënkryetar partie, ministër Bujqësie, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe së fundmi e bëri dhe President të Republikës. Jam çuditur, kur kam dëgjuar nga goja e tij, nëpërmjet medias, se Bamir Topi, këto funksione të larta që kishte marrë nga Partia Demokratike dhe nga Berisha, i konsideronte jo si vlerësime të figurës së tij politike, por si synime dhe marifete dashakeqe, që kishin pasur ata ndaj tij, me qëllimin final vetëm për ta hequr qafe?!!! Edhe budallenjtë kanë qeshur me këtë koment të këtij politikani, që në Partinë Demokratike, nuk e paska ndjerë veten të vlerësuar dhe të kënaqur me ato funksione të larta që kishte marrë përgjatë më shumë se dy dekadave, por paska dashur që si “mirënjohës” që ishte, Berishës t’i merrte edhe postin e kreut të partisë. Bravo z. Topi! Që është një gjë e zgjuar kjo dhe një ëndërr e bukur për Topin, kjo dihet, por që mbeti si një proverb për t’u përmendur: “Na ishte një herë një Bamir…” Pabesia e tij shkoi deri atje, sa të bëjë në fshehtësi edhe rolin e Kalit të Trojës në zgjedhjet vendore për Tiranën në vitin 2007, si drejtues dhe moderues i fushatës, që ishte ngarkuar nga Partia Demokratike dhe Berisha. Kësaj i thonë shkoqur, se ai i shiti këto zgjedhje për aferat korruptive të Ramës, duke e çuar në humbje kandidatin e atëhershëm të PD-së, zotin Sokol Olldashi, i cili bëri një fushatë model, që patjetër do t’i sillte atij fitoren ndaj kundërshtarit, që kandidonte për të tretën herë radhazi, por që ishte dhe në dizavantazh të krijuar nga premtimet e pambajtura ndaj elektoratit. Kështu, me pabesinë e tij, Topi e humbi shpejt besimin tek Partia Demokratike dhe tek lideri i saj, që e bënë deri President të Republikës. Ai mendoi dhe punoi për pazare politike dhe jo për drejtësi e forcim të shtetit ligjor në Shqipëri. Madje, pazaret e çuan deri atje sa të dekoronte edhe njerëz të inkriminuar të pushtetit komunist, të lironte nga burgu vrasës e njerëz me precedent penal e rrezikshmëri shoqërore, të dekretonte për korrupsion gjyqtarë të pamerituar, si dhe të dekoronte njerëz të rëndomtë në punë dhe pa asnjë kontribut në profesionin e tyre. Pra, shkurt e ktheu postin e kryetarit të shtetit në një biznes privat e tejet të korruptuar, ndërpreu lidhjet e bashkëpunimin me Institucionin ligjvënës – Parlamentin e Shqipërisë dhe filloi të bashkëpunonte me opozitën, duke sajuar e krijuar politika bllokuese për integrimin e vendit, që çuan deri në skenarin e kobshëm të 21 Janarit 2011, ku indiferencën e tij si kryetar shteti e dënuan ashpër të gjithë shqiptarët. Kështu, nga dora e Bamirit, u bënë me radhë “Mjeshtra të Mëdhenj”, shumë nga të pa aftit, të prapambeturit dhe ata, që nuk i njihte kush si emra të përmendur për vlerat e meritat në punë. Bile, ka pasur disa raste, që dekoratat me tituj të lartë, si “Mjeshtër i Madh i Punës” e tituj të tjerë, të dekoruarve u janë dorëzuar tinëzisht, në prani vetëm të ndonjë familjari, pa dijeninë e institucioneve përkatëse ku punonin, por dhe pa propozimin e tyre. Në këtë mënyrë ai dekoroi me tituj të lartë jo mjeshtrat e vërtetë të ekranit në TVSH, si: Virgjil Kule, Dhimitër Gjoka, Alfons Gurashi, Kiço Fotiadhi, Tefta Radi, Xhelil Aliu, Bajram Hoxha etj., por disa persona pa shkollimin përkatës, të cilët më parë ishin njohur si hidraulikë e si rrobaqepës të preferuar dhe jo si punonjës të Televizionit Shqiptar. Por, kjo është punë pazaresh, që e ulën në zero vlerën e këtyre dekorimeve. Pazaret e bënë Topin që edhe ligje të domosdoshme si ai i lustracionit, të mos firmoseshin nga ana e tij. Për këtë qëllim, ai u përballë edhe me protesta nga ana e ish të përndjekurve politikë, të cilët i pati pritur dhe në një takim, por ligjin nuk e firmosi, sepse kështu e donte opozita e majtë trashëgimtare juridike dhe pasurore e Partisë së Punës, për të mbrojtur kategorinë e spiunëve të sistemit, që lamë pas në vitin 1990, që fatkeqësisht, disa prej tyre, janë edhe sot në politikën shqiptare. Këta ish të përndjekur, të cilët atëherë u revoltuan pa masë me vendimet dhe qëndrimet e ish Presidentit të Republikës, i pamë të përqafoheshin dhe të bisedonin me Topin dhe me funksionarë të lartë të Partisë Socialiste, paraardhësit e të cilëve i burgosën për një fjalë goje. Kështu i pamë të bisedonin bashkë, viktimën me xhelatin, që gjoja po i “qanin hallin” njëri tjetrit, duke i nxitur në protestat e grevat e tyre, drejt vetëflijimit, ku i pamë të lageshin me benzinë e më pas t’i vinin flakën vetes, apo shoku shokut. Një makabritet i vërtetë, që e paguante, e nxiste dhe e frymëzonte politika mjerane e vendit në opozitë. Ky ishte dhe ekstremi i një politike nga më çnjerëzoret, që opozita luajti ndaj kësaj shtrese të shumëvuajtur, që mundi të mbijetonte nga burgjet e kampet e përqendrimit të Diktaturës Komuniste të Shqipërisë. Mashtrimi politik arriti deri atje, sa pasi i çoi në vetëdjegie, të paguante për t’i kuruar në klinikat evropiane. A s’do të ishte më mirë, që këta lekë që harxhoi opozita për t’i kuruar, t’jua dhuronte atyre, kur shkonte pranë tyre gjoja për t’u qarë hallin? Pra, shkurt edhe një grevë urie e shtresës më të vuajtur të shoqërisë shqiptare, siç janë ish të përndjekurit politikë, u përdor politikisht nga opozita shqiptare, e cila historikisht nuk ka bërë as minimalen ndaj tyre, që së paku t’u kërkojë të falur publike për masakrën që ka bërë mbi ta, Diktatura Komuniste, si paraardhësja e tyre politike e juridike. Këtu, si bashkëfajtor me ta qëndron edhe ish-presidenti i Republikës Bamir Topi, i cili sa ishte në detyrë nuk i përfilli dhe nuk i mbështeti aspak ish të përndjekurit politikë. Bashkë me Kreshnik Spahiun, ai dëmtoi rëndë edhe sistemin e drejtësisë, i cili arriti deri atje sa edhe vrasësit t’i dënonte vetëm për armëmbajtje pa leje. Kjo konsiderohet sot, si përdhosje e Institucionit të Presidencës nga Bamir Topi, gjatë ushtrimit të mandatit të tij. Ndaj, pas largimit nga detyra e Presidentit të Republikës, qëndrimi i tij, shihet tashmë si një mjeran i politikës shqiptare, që ka mbetur me gisht në gojë dhe që nuk din kah të shkojë, sepse i ka vetëmbyllur të gjitha shtigjet si politikan. Për arsye të elektoratit, me gjithë ftesat e herë pas hershme të Ramës edhe mendimin për një rrugëdalje majtas, tek e cila shpreson, ai nuk po e shfaq haptas, pasi ky qëndrim do t’i zhgënjente e befasonte njëherësh, të gjithë ata që Bamir Topin e kishin besuar e menduar ndryshe nga çfarë u doli. Kështu ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, ish presidentin Alfred Moisiu, që siç shprehen me humor njerëzit, Berisha e shkëputi nga “loja e dominove”, si pensionist që ishte prej shumë vitesh dhe e bëri President të Republikës. Edhe vetë Moisiu u befasua me këtë zgjedhje, por kur hipi në karrige, preferoi të bënte mosmirënjohësin dhe iu kundërvu Berishës dhe Partisë Demokratike, duke bashkëpunuar në mënyrë të paligjshme me opozitën, në kundërshtim me betimin e tij dhe ligjin kushtetues të vendit, duke frenuar kështu proceset integruese të Shqipërisë, që ishin në prioritetin e politikave qeverisëse të vendit. Puna e tij në këtë institucion, përgjatë një mandati, konsiderohet si më e papërgjegjshmja në historinë e Presidencës Shqiptare edhe në drejtim të ndërtimit të shtetit ligjor, forcimit të sistemit të drejtësisë e të pavarësisë së institucioneve të tij. Kam dëgjuar nga goja e tij në një emision tek një media krejtësisht e kontrolluar nga e majta, të thoshte: “…Marrëdhëniet me të dy krahët e politikës (PD, PS), i kam pasur njëlloj, ku sillte si argument se qeverisjes së majtë i kam rrëzuar tetë ligje dhe po kaq edhe qeverisjes së djathtë…” E habitshme kjo logjikë, kjo shprehje, kur del nga goja e vetë Kryetarit të Shtetit, me të cilën ai përpiqej të argumentonte “qëndrimin e tij të paanshëm” ndaj politikës shqiptare. Dua ta pyes Moisiun: A si frutat në peshore i konsideronte ai ligjet e miratuara të Parlamentit Shqiptar, kur përpiqej t’i kontestonte për firmë në mënyrë “të barabartë”, pra sa të njërit krah aq edhe të tjetrit, pa vlerësuar përmbajtjen dhe rëndësinë e këtyre ligjeve!!!? Kjo logjikë dhe ky qëndrim “barazie” për një kryetar shteti, të bën të thuash: “Mjer Shteti në dorë të kujt kishte rënë!”. Se sa i paanshëm ishte z. Moisiu, u pa kur ai priste që ta rikandidonte e majta. Një logjikë mjerane kjo, që mbeti për t’u përmendur gjatë për humor në historinë e Presidencës Shqiptare. Por, mosmirënjohësit gjithnjë këtë fund kanë – vetminë. Më vjen keq, për z. Topi, që nuk nxori asnjë mësim nga praktikat negative dhe humbëse të paraardhësit të tij, ish Presidentit Moisiu, por i thelloj më tej ato, si dhe qëndrimet e njëanshme dhe mosmirënjohëse të kryetarit të shtetit, sepse siç thotë populli i hyri vetja në qejf. Pra, iu duk vetja i madh e i pazëvendësueshëm, ndaj shpërfilli marrëdhëniet e Presidencës me Kuvendin e Parlamentin, me Berishën e qeverinë po e po dhe iu bashkua opozitës në korin e saj të politikave famëkeqe të bllokimit për integrimin, për forcimin e shtetit ligjor e të drejtësisë, për progresin ekonomik, etj. Në këtë mënyrë, ai zgjodhi rrugën e dështimit e të shpërdorimit të detyrës, që e çoi drejt humbjes dhe uljes së imazhit të tij politik. Shkurt, kësaj i thonë: siç e kërkoi ashtu e gjeti, por më vjen keq për ata që i gënjeu dhe i futi në rrugën e tij pakrye, siç ndodhi me aventurierin Spahiu, apo dhe me një çunak tjetër të politikës së pas 2005-ës, që befasisht na u bë deputet, zëvendëskryeministër e ministër, pa dhënë asnjë kontribut në Partinë Demokratike. Këta personazhe të politikës shqiptare, më ngjajnë me një fabul, që kemi mësuar në moshën e fëmijërisë tonë, morali i të cilës ishte ky: “Një qen me një kockë në gojë, kalon pranë një lumi, ku në kthjelltësinë e ujit të tij, sheh pamjen e kockës, që iu duk më e madhe dhe më e lakmueshme për të. Në këto kushte qeni zhytet në lumë për ta kapur atë, pra kockën tjetër. Por, ndodhi e papritura për të, humbi dhe atë copë kockë që kishte në gojë…” Sigurisht, në këtë rast, ai nuk mori frymë, sepse do t’i mbushej barku me ujë, vetëm pasi u ngjit në sipërfaqe të ujit u mbush me frymë dhe filloi të notojë drejt bregut. Kur doli nga lumi, si i penduar, si humbës, por dhe si i lodhur që ishte, ku e zhyti mendja, qeni mori frymë thellë, pushoi dhe pasi e mori veten nisi kërkimin për të gjetur ndonjë tjetër kockë. Kështu, pas një shansi të humbur, erdhi dhe partia e re e Bamirit, e pagëzuar me emrin: “Fryma e Re Demokratike”, shkurt – FRD, të cilën priti që ta marrë në dorëzim pasi u largua nga Presidenca. Tek kjo forcë politike, strehohen dy apo tre vetë karrigethyerish të PD-së, që bërtasin me të madhe, se do të marrin pushtetin, si të ishin me qindra vetë.!!! Po të shohësh numrin fiktiv të anëtarësisë, që raportojnë sot disa parti të vogla në Shqipëri, që po i afrohen njëqindëshes, na del sikur popullsia e këtij vendi është jo katër milionë e ca, por nja tetë apo dhjetë milionë banorë. Kështu flet sot edhe një jurist në krye të një partie, që ka dalë me simbolet kombëtare – Kuq e zi. Në konceptin tim, këtu është shkelur dhe neni kushtetues, ku thuhet: “Simbolet kombëtare janë të patjetërsueshme”. A nuk është tjetërsuar në këtë rast simboli ynë i flamurit?!!! Për mua po. Ndaj, gjatë ditëve që ishte veshur Shqipëria në Kuq e Zi, për të festuar 100 vjetorin e Pavarësisë së vendit, një shoku im me ironi tha: “Kreshniku duhet të jetë ndjerë “mirë dhe i fituar” këto ditë, sepse ai, këto flamuj i mban tek partia e tij dhe i quan si flamujt e tij. Ndjej keqardhje dhe për gjykatën, që e ka lejuar një gjë të tillë, që një segment minimal partie, të përdor simbolet kombëtare brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, kudo ku banojnë shqiptarë. Madje, kur sheh njerëz, që mblidhen rreth flamurit kombëtar, Kreshniku rritet, i duket vetja kandidat për pushtet, e të tjera përralla si këto, që i besojnë vetëm mjeranët e gjykimit. Kësaj i thonë të gënjesh veten, ose të ngopesh me lugë bosh. Ne, sapo festuam shekullin e parë të Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa kreshniku del me flamuj kombëtar në duar, sikur do t’i sjellë asaj ndonjë tjetër pavarësi. Kjo më ngjan me një aventurë politike të radhës, që vetëm zgjedhjet e 2013-ës, do t’ju thonë se kush janë ata dhe partitë e tyre dhe sa vlejnë për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Më falni që u zgjata pak me këtë koment, por them se ia vlen, mbasi e shoh të nevojshme t’u thuhet atyre, që kanë hyrë rishtas në politikën shqiptare, se po i gënjen mendja, se i kanë bërë llogaritë gabim dhe se kanë për të mbetur jashtë parlamentit, ashtu siç kanë mbetur prej tetë vjetësh me partitë e tyre fantazma, Skënder Gjinushi e Paskal Milo me shokë, të cilët bashkë me liderin e koalicionit opozitar Edi Rama, vazhdojnë të vajtojnë për votat e tyre “të vjedhura”, për Kodin Zgjedhor, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për komisionerët e tyre “të korruptuar” etj., etj. probleme, me synimin për të justifikuar humbjet e tyre të njëpasnjëshme, që nga 2005-sa e këtej. Ata njohin vetëm rezultatet e fitores së tyre, të tjerat janë të manipuluara, të vjedhura dhe çfarë nuk janë. Tek kjo filozofi le të rrinë, duke u mbajtur pas gjetheve dhe jo pas trungut, sepse prapë humbja i pret, pasi opozita nuk ka alternativë konkurruese, e cila në demokraci është bazë e fitores në zgjedhje. Kështu janë të destinuar të humbasin përherë të pamerituarit dhe mosmirënjohësit, të gjithë ata që ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë, të gjithë ata që nuk mbajnë premtimet para elektoratit. Kështu do t’i ndëshkojë vota mbarëpopullore politikanë të tillë edhe në zgjedhjet e 2013-ës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency