Sonja Caka
Ministri: Çdo person i cili kryen veprat penale që parashikon paketa, nuk mund t’i shpëtojë dënimit pa 40 vjet burg dhe se as ryshfetet nuk e shpëtojnë dot nga hekurat e qelisë
Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar përmes rrjetit social Facebook, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, prezantoi dje paketën e masave për ashpërsimin e dënimit për disa vepra penale. Kreu i dikasterit të drejtësisë bëri me dije se kjo paketë përmban ligjet më të ashpra ndaj krimit të ndërmarra në këto 20 vitet e fundit. Sipas tij, paketa forcon luftën ndaj kriminalitetit, duke ashpërsuar dënimet, duke i dyfishuar për veprat penale të rënda dhe vendosjen e drejtësisë efektive për të garantuar vuajtjen e plotë të dënimit. Ai theksoi se çdo person që kryen veprat penale që parashikon paketa nuk mund t’i shpëtojë dënimit pa 40 vjet burg dhe se as ryshfetet nuk e shpëtojnë dot nga hekurat e qelisë. “Ne do kërkojmë garantimin e plotë të dënimit, në mënyrë që dikush të dënohet me 40 vjet burg pa pasur mundësi të lirohet pa pasur mundësi të paguajë avokatin, prokuroren apo gjyqtarin”. Sipas ministrit Halimi, kjo paketë prej 41 nenesh ka në themel të saj krimet më të rënda dhe më të papranueshme të shoqërisë shqiptare si vrasjen e policit, vrasjen për gjakmarrje, vrasjen e gruas dhe për mbajtjen e armëve të zjarrit pa leje në publik. Sipas ministrit, kushdo që vret efektivë policie, nuk mund të ketë ndëshkim më të ulët se 38 vjet burgim, pa lirim me kusht. Gjithashtu, kushdo që vret policin, duhet të qëndrojë në burgim të përjetshëm. Dënime të ashpërsuara të cilat nga 25 vjet do të rriten në 38 vjet si minimum. Një tjetër ndryshim parashikohet për vrasjet për gjakmarrje. Paketa e Drejtësisë Kriminale sjell edhe për vrasjen për gjakmarrje, ku dënimi që ne kemi parashikuar është jo më pak se 38 vjet burg. Edhe pse një dukuri në rënie, gjakmarrja, ky rit i papranueshëm për shoqërinë shqiptare, duhet të zhduket. Ndaj dhe përgjigja ndaj të gjithë atyre që në mendjen e tyre kriminale synojnë të vrasin për gjakmarrje duhet ta kenë të qartë se dënimi që i pret do të jetë jo më pak se 38 vjet burg, se dënimi që i pret do të jetë burg përjetë. Çdokush që kapet me armë zjarri në publik, duhet ta ketë të qartë se do dënohet jo më pak se 10 vjet. Gjithashtu, ashpërsim parashikohet edhe për krimet brenda familjes, pasi kush vret një grua, një vajzë brenda familjes, jo më pak se 38 vjet burg deri në burgim përjetë. Pra, minimumi do të jetë 38 vjet. Ashpërsim parashikohet edhe për mbajtjen pa leje të armëve në publik. “Kush kapet me armë në publik, ka mjetin për t’u kthyer në vrasës apo grabitës potencial për jetën e njeriut. Me armë në publik nuk mund të dënohet më pak se 10 vjet burg. Kush del me armë zjarri në Pazar minimali është 10 vjet dhe nuk e ndihmon as gjykata as prokurorja as avokati, të dalë më parë se 10 vjet nga burgu”, – deklaroi Halimi, duke theksuar se këto dënime nuk parashikojnë në asnjë rast lirimin me kusht të kriminelit. Në fund, ministri garantoi për personat e pranishëm në tryezë se në javët në vijim, paketa do të kalojë në Parlament dhe mazhoranca do të angazhohet që kjo paketë të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur.
Takimi
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, dhe kreu i misionit Euralius, Joaquin Urias, prezantuan dje paketën e reformës në drejtësinë penale, e cila parashikon ashpërsimin e dënimit për këdo që kryen vepra penale. Në krah të ministrit Halimi ishin edhe dy kolegë ministra, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu dhe ministri Brendshëm Flamur Noka, kreu i OPDAT Michale Vaçaro, kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Elvis Cefa, sekretari i Komisionit të Ligjeve deputeti Viktor Gumi, kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda Sandër Simoni, Avokati i Popullit Igli Totozani etj.
Kreu i Euralius, Joaquin Urias: Kjo, një reformë shumë moderne e Kodit Penal
Kreu i misionit Euralius, Joaquin Urias, në fjalën e tij vlerësoi ndryshimet në Kodin Penal duke deklaruar se “përzgjedhja e fushave që trajtohen me këtë reformë, janë në përputhje me shqetësimet kryesore ekzistuese në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së. Dhuna në familje, krimi kompjuterik, veprat penale kundrejt zyrtarëve publikë, mbrojtja e minorenëve dhe të tjera të gjitha fusha të shqetësimeve ekzistuese në të gjithë territorin e BE-së, në mënyrë që të jetë e mundur të thuhet se kjo është një reformë shumë moderne e kodit penal”. Më tej në fjalën e tij, z. Urias veçoi se “një nga pikat më të rëndësishme është shmangia nga mosndëshkimi dhe ndëshkimi i personave fajtorë”. Por, ai u shpreh se “vendimet për ndryshimet në kodin penal janë përgjegjësi që mund të merren vetëm nga parlamenti dhe fakti që konferenca e sotme, është e hapur ndaj grupeve kryesore të interesit të drejtësisë përbën një shenjë shumë pozitive me synimin e integrimit të të gjithë atyre në procesin e vendimmarrjes në këtë fushë”.
Noka
Opozita të ndalë aleancën me krimin, të votojë ndryshimet
Flamur Noka, ministër i Brendshëm, duke vlerësuar paketën e re të drejtësisë penale, i bëri thirrje opozitës që të dalë nga tuneli i bashkëpunimit me krimin dhe të ndalë sulmin e paepur për të sulmuar shtetin dhe organet ligj zbatuese. Gjithashtu, ministri Noka i bëri apel opozitës të radhitet në krah të uniformave blu në mbështetje të ligjit, pasi kjo do të ishte e vetmja mënyrë që opozita t’i japë një sinjal pozitiv qytetarëve duke ndalur aleancat me krimin dhe duke iu rikthyer rrugës së drejtë”. Gjithashtu, ministri i Brendshëm theksoi se kjo paketë është një aleate mjaft e mirë e agjencive ligj-zbatuese. “Ministria e Brendshme e konsideron këtë paketë si një armë në duart shtetit për të luftuar me forcë krimin, duke rritur cilësinë e jetës, duke garantuar sigurinë e çdo qytetari dhe duke dëshmuar seriozitet dhe profesionalizmin, që i takon një shteti ligjor”, – u shpreh ministri Noka, ndërsa shtoi se “kjo paketë, gjithashtu inkurajon Policinë e Shtetit, duke i dhënë sigurinë në punën e saj të përditshme, të ketë rritje të performancës. Kjo paketë, do të këtë impaktin kryesor tek siguria e jetës dhe pronës së shoqërisë shqiptare, pasi kryefjala jonë është zero tolerancë ndaj krimit, korrupsionit dhe çdo lloj vepre penale, duke garantuar një mjedis të sigurt për cilindo qytetar ligjzbatues”.
Bregu
Uroj që paketa të votohet në Parlament dhe të mos ketë fatin e 3 ligjeve
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, vlerësoi paketën e ndëshkimit të dënimeve për disa vepra penale, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë. E pranishme në takimin prezantues të kësaj pakete, nismë e Ministrisë së Drejtësisë në bashkëpunim me misionin Euralius, Bregu uroi që opozita të votojë paketën pasi kjo nisëm kërkon 3/5 e votave. “Më vjen mirë dhe ministria jonë kontribuoi me propozime të një sërë ndryshimesh në nenet e kësaj pakete. Uroj që paketa të votohet në parlament pasi kërkon votimin me 3/5 dhe shpresoj të mos ketë fatin e 3 ligjeve”.
Llalla
Parandalimi i krimit, prokurorët do kërkojnë në gjykatë dënimet më maksimale
Kryeprokurori Adriatik Llalla, edhe ai i pranishëm në prezantimin e kësaj pakete, shprehu bindjen se prokurorët do kërkojnë në gjykatë dënimet më maksimale me qëllim dënimin dhe parandalimin e krimit. Llalla shprehu mbështetjen e institucionit që ai drejton në çdo nismë që ka si qëllim forcimin e ligji dhe luftën kundër krimit. “Strukturat e drejtësisë vijojnë të forcohen, por nga ana tjetër edhe krimi sofistikon mënyrën e veprimtarisë së tij. Për këtë arsye, institucionet shqiptare duhet të modifikojnë sjelljet e tyre, duhet të tregojnë vendosmëri maksimale dhe duhet të bashkëpunojnë më fuqishëm për të zbatuar drejtësinë me korrektesë të plotë”, – u shpreh z. Llalla në takim, ndërsa shtoi se “trupa e prokurorëve është orientuar drejt bashkëpunimit të ngushtë me organet e Policisë së Shtetit. Këto dy struktura kanë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për evidentimin, parandalimin dhe dërgimin e elementëve kriminalë para drejtësisë. Nga ana tjetër, prokurorët kanë porosi të veçantë që të kërkojnë në gjykatë dënimet maksimale që parashikon ligji penal. Në këtë mënyrë, synohet dhe, shprehim besimin, se do të jemi më të suksesshëm në luftën kundër krimit të çdo natyre, përfshirë edhe veprat penale të korrupsionit”.
Vendimi
Mendimi i ekspertit britanik i jep fund “lojës” së Dajtit me avokatët
Gjykata i jep fund “lojës” së të pandehurit Dritan Dajti me refuzimin e avokatëve seancë pas seance. Sipas burimeve të gazetës, zgjidhja erdhi nga një ekspert britanik, i cili orientoi gjykatën që t’i paraqesë të pandehurit një listë me emrat e 10 avokatëve të Komisionit të Ndihmës Juridike në Ministrinë e Drejtësisë dhe të ishte Dajti që të zgjidhte nga kjo listë avokatin që duhej ta mbronte dhe për këtë i la afat një kohë të mjaftueshme për t’u menduar. Në seancën e djeshme, i pandehuri deklaroi se nuk donte të mbrohej nga asnjëri prej këtyre avokatëve dhe në këtë moment ndërhyn gjykata, e cila i bën me dije se ditën e sotme të përgatitet që të mbrohet vetë ose të sjellë avokatin e tij. Kjo mënyrë pritet t’u japë fund shtyrjeve e shndërruan procesin në një telenovelë, ndërsa i pandehuri do të duhet që patjetër të sjellë në gjykatë avokatin e tij mbrojtës. I pandehuri Dritan Dajti akuzohet se është autor i vrasjes me armë zjarri të katër efektivëve të Policisë së Shtetit, gjatë operacionit për arrestimin e tij në 7 gusht të vitit 2009, në plazhin “Iliria” në Durrës.