Sporti shkurt

0
185

futbollLiga e Kampioneve

Shalke kërkon çerekfinalen

Pasi bën të tyrin derbin e Ruhrit, “minatorët” e Gelsenkirshenit po shikojnë për më tej.  Shalke është rikthyer sërish në kursin e saj. Me triumfin në derbin e Ruhrit (kundër Dortmundit) “blutë mbretërorë” nuk mund të shpresonin në një formë më të mirë për t’u përballur me Gallatasarajin sot në Gelzenkirshen. Ekipi i Keller arriti triumfin e tretë radhazi në Bundesligë dhe nuk e ndjejnë shijen e humbjes në 5 ndeshjet e fundit. Tashmë Drogba dhe Shnajder me nuk e mbajnë më statusin e favoritëve pas barazimit 1-1 në Stamboll. Por Shalke ka një problem të madh. Sot do “Veltins Arena”, veç Xhonsit të pezulluar, nuk do të ketë as bomberin kryesor Huntelar, i cili u dëmtua me Dortmundin. Me Maricën gjithashtu të padisponueshëm, Keler alternativë për sulmin ka finlandezin Temu Puki. “Nuk do të luajmë për një 0-0. Do të ishte shumë e rrezikshme. Sepse turqit kanë një forcë ofensive që e garanton një gol. Individualisht ata janë të jashtëzakonshëm”, – deklaroi tekniku 42-vjeçar përpara ndeshjes. “Nuk duhet të tregojmë shenja arrogance, por të zbresim me guxim në fushë. Fizikisht jemi mirë. Kush do e zëvendësojë Huntelarin? Puki është vetëm një alternativë”, – shtoi tekniku i Shalkes. Nga ana tjetër mesfushori i talentuar, i cili shoqëronte trajnerin e tij në konferencën për shtyp ka paralajmëruar një luftë të vërtetë në “Veltins Arena”. “Në fushë do të ketë një betejë të vërtetë. Por ne jemi një klub që kemi shkruar historinë në Europë dhe shpresojmë ta bëjmë edhe nesër. Jemi të përgatitur psikologjikisht”, – tha 19-vjeçari, autori i golit të mrekullueshëm në derbin me Dortmundin. Ndërkohë që Fatih Terim është mjeshtër i situatave të tilla. “Ne dimë që do përballemi me një rival të fortë, por unë kam besim se do i mundim. Kemi qenë edhe më parë në situata të tilla, por ia kemi dalë. Ne e kemi arritur objektivin fillestar, por kemi ambicie. Nga ndeshja e parë, Shalke është rritur shumë. Nga tani e tutje çdo ndeshje është si një finale. Unë i besoj lojtarëve të mi dhe do të bëjmë një ndeshje të fortë. Shpresoj që kësaj radhe të kemi më shumë fat dhe të mos godasim shtyllat”, – u shpreh tekniku i Gallatasarajit.

 

Dëmtimet

Bajerni humb edhe Frenk Ribërinë

Pasi fitoi ndeshjen e parë 1-3 në Londër, Bajerni është tronditur nga mungesa e tri lojtarëve të mëdhenj. Kështu Jup Hejnkes do ta ketë të vështirë të projektojë një formacion fitues përballë një ekipi tepër ofensiv si Arsenali. Në këtë duel vendimtar, rekordmenët nuk do kenë dy të pezulluarit për shkak të kartonëve, Boatengun dhe Shvajnshtaigerin, ndërsa lajmi më i keq është se ndaj “topçinjve” do mungojë “mushkëria” e mesfushës ofensive, Frenk Riberi. 29-vjeçari francez mbeti i dëmtuar në kaviljen e majtë kundër Dyseldorfit dhe nga pakujdesia e stafit drejtues, ai luajti përgjatë 90 minutave duke sakrifikuar dhe humbur këtë sfidë. Teksa Riberi do mungojë, alarmi ka rënë edhe për Gomezin. Bomberi gjerman gjatë stërvitjes së djeshme është dëmtuar dhe vazhdon mjekimin nga mjekët e klubit. Nuk dihet ende nëse ai do jetë në gjendje të luajë. Kurse lajm pozitiv është rikthimi i Robenit. Holandezi nuk luajti kundër Dyseldorfit, por sërish forma e tij nuk është nivele maksimale. Ndërkohë që trajneri Hejnkes e ka treguar që çdo lojtar është i zëvendësueshëm. Ndërkohë, trajneri Arsen Venger e ka shumë të thjeshtë të diktojë formacionin me të cilin do mbrohet ose do sulmojë Bajerni. Në qendërmbrojtje do të jetë dyshja Dante-Van Bujten, ndërsa në mesfushën defensive Gustavo-Martinez. Për zëvendësimin e Riberisë alternativa e duhur është Roben, por ka gjasa që të ketë vend edhe për Shaqirin. Sa i përket sulmit, Mario Manxukiç do jetë titullar si rreziku më i madh ndaj “topçinjve”.

 

 

Rrëfimi

Hënes: Vengeri na ka refuzuar, sot mund të drejtonte Bajernin

Numri një i Bajernit, Uli Hënes, ka zbuluar dje një tjetër “skelet” që qëndronte në raftin e tij. ashtu siç ndodh para sfidave të mëdha ai zbulon ndonjë prapaskenë që lidhet me rivalët e “Die Roten”. Teksa mediat angleze i ka përkushtuar vëmendje të madhe skuadrës së tij, kreu i klubit bavarez ka dhënë një intervistë ekskluzive për tabloidin anglez “The Sun”. “Ne jemi përpjekur disa herë që ta bindnim Arsen Vengerin të drejtonte skuadrën tonë. Para se ai të shkonte në Japoni (1994), së bashku me Bekenbauerin fluturuam drejt Nicës dhe e takuam personalisht Vengerin. Arritëm ta bindnim, por më pas na zhgënjeu duke zgjedhur Japoninë. Pas asaj eksperience, më pas ai zgjodhi Arsenalin (1996). Mirë gjithnjë që ne kemi pasur nevojë për trajner, emri i tij ka qenë pjesë e listës sonë. Venger është një trajner dhe menaxher i shkëlqyer, i cili ka investuar shumë te “topçinjtë”, – tha Hënes, duke shtuar mbi Dortmundin dhe Junajtid: “Futbolli duhet të jetë i pagueshëm. Jo më kot ofrojmë çmime të lira te biletat. Kur një biletë kushton 15 euro, atëherë askush nuk mund të thotë: ‘I urrej këta milionerët’. Futbollit i jep jetë atmosfera dhe tifozeria. Unë nuk kam probleme me arabët, amerikanët apo rusët, por i këshilloj ata të kenë lidhje shpirtërore me klubin. Ne nuk mund të krahasohemi me Junajtid, pasi zoti Glazer nuk e di ku ishte Mançesteri para 20 vitesh. Ai bën gjithçka jo se dashuron Junajtid, por për të fituar para. Mua nuk më shijojnë trofetë, nëse klubi në bilancet përfundimtare përfundon me borxhe 60-70 milionë euroshe. Unë kam qenë ai që e kam ndihmuar edhe Dortmundin. Ish-menaxheri Mikael Maier më kërkoi 2 milionë euro dhe garancia mes nesh ishte fjala. Pa Dortmundin Bundesliga do të ishte e varfër dhe ne besuam tek ta. Më pas borxhi u shlye shumë shpejt”, – përfundoi Uli Hënes, i cili nuk do të jetë në stadium kundër Arsenalit, pasi është me grip.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency