Ervin Kaduku
”Nuk kemi tagër për të hetuar primet e sigurimit, pasi tregu është i liberalizuar. Është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që përcakton limitet e riskut”
Gjatë vitit 2012, kanë filluar dhe përfunduar nga ana e Autoritetit të Konkurrencës procedurat hetimore në tregun e sigurimeve, për produktin e TPL-së së brendshme, ku operatorët e këtij tregu u penalizuan për pjesëmarrje në marrëveshje të ndaluar duke fiksuar çmimin e tregtimit të policës së sigurimit. Ka raportuar kështu dje kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Lati, në Komisionin e Ekonomisë, ku u është përgjigjur edhe shqetësimeve të deputetëve në lidhje me atë që po ndodh në tregun e sigurimeve. Prej më shumë se tre muajsh ky treg po vuan luhatje të forta të tarifave të sigurimit të detyrueshëm, motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.
“Nuk kemi tagër për të hetuar primet e sigurimit, pasi tregu është i liberalizuar. Është Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që përcakton limitet e riskut. Kemi pasur një hetim në shkurt 2012 për deformimet”, – tha Lati. Në përkrahje të Autoritetit u deklarua edhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, i cili tha se ai nuk mund të luaj rolin e AMF-së. Për disa deputetë, tregu i sigurimeve është tërësisht i çoroditur.
Tregu
Gjatë paraqitjes së raportit vjetor, Autoriteti i Konkurrencës për vitin 2012 u shpreh edhe në lidhje me tregun e bonove të thesarit. “Nuk ka pozitë dominuese në tregun e bonove, të paktën deri në vitin 2009 kur kemi hetuar, një subjekt kishte pozitë në treg me 60%, tani ka rënë kjo pozite, sikurse në treg janë shtuar shume subjekte në ankande”, – tha kryetarja e këtij institucioni Lindita Lati.
Gjithashtu Lati është shprehur se gjatë vitit të kaluar janë rritur ankesat për krijimin e monopoleve tregtare dhe sektorët më të prekur janë tregtimi i gazit të lëngshëm, shërbimet telefonike fikse, sigurimet shëndetësore dhe prokurimet publike.
Ajo ka shtuar më tej se gjatë vitit 2012 Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur 48 gjoba për subjektet të cilët janë gjetur me shkelje.
Opozita ka ngritur një sërë pyetjesh, të tilla, si “A është konsultuar qeveria me Autoritetin e Konkurrencës për koncesionet? A është konsultuar qeveria për dhënien me koncesion të automjeteve, të Lotarisë Kombëtare?”
Por, kryetari demokrat Spaho është shprehur se pyetjet nuk kanë lidhje me atë që diskutohet në Komision.
Gjyqësori
Përtej statistikave, shqetësimi kryesor i Komisionit të Konkurrencës është përthithja e filozofisë së konkurrencës nga gjyqësori, pasi është shumë e rëndësishme arsyetimi bazuar në interesin publik të vendimeve të tyre.
Prandaj, sfida kryesore e institucionit të konkurrencës ka qenë dhe është ndërtimi dhe konsolidimi i instrumenteve të absorbimit të filozofisë së konkurrencës nga anëtarët e gjyqësorit të të gjitha niveleve. Për këtë qëllim, gjatë vitit 2012 janë realizuar trajnime me gjyqtarët në bashkëpunim më Shkollën e Magjistraturës dhe me ekspertët e projektit të binjakëzimit të financiar nga Bashkimi Evropian.
Eficienca dhe ndikimi real në treg i vendimeve të Komisionit të Konkurrencës lidhet ngushtësisht me procesin e rishikimit gjyqësor të tyre, pasi pothuajse të gjitha vendimet që kanë konkluduar me shkelje të ligjit dhe që përmbajnë penalitete për ndërmarrjet i janë nënshtruar apelimit në gjykatë. Nëse i referohemi statistikave, të cilat janë mjaft të detajuara në raport, janë apeluar gjithsej 26 vendime të Komisionit të Konkurrencës, nga të cilat vetëm për 3 prej tyre kanë përfunduar plotësisht procesin e rishikimit gjyqësor. Shume prej tyre janë fituar në shkallën e parë apo në shkallën e dytë, por vazhdojnë të jenë në proces dhe 9 raste përsëri janë duke u shqyrtuar në Gjykatën e Lartë.
Financat: Heqja e TVSH-së, përfitojnë 350 mijë ferma bujqësore
Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, deklaroi të dje për mediat se nga heqja e TVSH-së për bujqësinë përfitojnë 350 mijë ferma në vend. Rushaj tha se nisma e ndërmarrë nga qeveria do ndikojë në zhvillimin e këtij sektori. Duke folur për efektin financiar që do pasojë heqjen e TVSH-së, Rushaj theksoi se ai do të kapë shifrën 30 milionë euro. Sipas tij, Ministria e Financave po harton aktet nënligjore në mënyrë që ligji për heqjen e Tatimit të Vlerës së Shtuar të bëhet sa më shpejt funksional.
Zëvendësministri i Financave theksoi se pas heqjes së TVSH-së pritet një rritje e eksporteve të produkteve bujqësore. Ai bëri të ditur se nga viti 2008 eksportet dhe rieskportet bujqësore janë rritur me 140%.
Qeveria miratoi një javë më parë vendimin për heqjen e TVSH-së për makineritë e importuara që përdoren në bujqësi. Kjo politikë synon t’i ndihmojë fermerët t’i blejnë këto makineri dhe objekte bazë të prodhimit bujqësor dhe blegtoral me një çmim 20 për qind më të ulët. Nëpërmjet heqjes së TVSH-së për makineritë bujqësore dhe blegtorale, apo plehrat kimike, fermerët, përfitojnë rreth 30 milionë euro, duke i dhënë kështu një zhvillim të qëndrueshëm prodhimeve bujqësore si dhe duke rritur eksportet.
Edhe komuniteti i biznesit e ka mbështetur plotësisht vendimin e fundit të qeverisë për heqjen e TVSH-së për një listë të zgjeruar të makinerive dhe pajisjeve për sektorin bujqësor dhe agro-industrial.
Një numër i madh emigrantësh sidomos ata të ardhur nga Greqia janë të pirur të investojnë kryesisht si biznese të vegjël në shërbime dhe sidomos në bujqësi, që është sektor deri më sot pothuajse i përjashtuar krejtësisht nga politikat e kreditimit të bankave dhe njëkohësisht paraqet mjaft mundësi zhvillimi me vlerë për ekonominë në tërësi dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptare.