Në veprën e Hirstit, vdekja është lavdia vetë!
Piktorja Lumturi Blloshmi të enjten hap ekspozitën “Homazh, Damien Hirst” të kuruar nga piktori Edi Hila
Edi Hila
Natyra tranzitore e jetës ka qenë bazë e frymëzimit për shumë artistë, që prej kohës së Caravaggio-s e deri tek marria e shndritshme e anglezit Hirst, për të cilin vdekja është jeta që do trajtuar me buzagaz dhe kreativitet. Por, a mund të jetë cigarja e përdorur prej shumë kohësh në të gjithë botën, një e mirë…?! Me këtë rast mund t’ju tregojmë shumë shembuj nga artistët, të cilët e kanë përdorur atë për qëllime pozitive. Në “Autoportret me cigare” e Sarah Lucas, “memento mori” (lat. ‘kujto, se do të vdesësh’) tradicional fiksohet gjatë rrugëtimit të vet duke na lënë me idenë se fundi do të vijë shpejt. Ndërsa tek “Kafka e mbuluar me bocet e cigareve”, si vepra më e re e Lumturi Blloshmit kërkon të thotë se vdekja mund të parandalohet vetëm nëse jemi pak më të kujdesshëm. Për “For the Love of God” e Damien Hirst-it, historiani holandez i artit Rudio Fuchs shkruan: “Kjo vepër tregon për fitoren mbi dekadencën. Në të njëjtën kohë ajo tregon se vdekja është pafundësisht e pamëshirshme, në krahasim me trishtimin e përlotur në veprën e Hirst-it, ajo është lavdia vet”.
Nuk ke se si mendon ndryshe kur shikon kafkën mbuluar me diamanta, ashtu sikundër kafka e mbuluar me boce cigaresh “moment mori-in” e saj kërkon ta shtyj sa më shumë, duke nënvizuar një linjë tjetër në lidhje me idenë e fitores së jetës mbi vdekjen. “Kafka me boce cigaresh” kishte lindur në mendjen e Blloshmit shumë kohë më parë, por se tani ajo shfaqet pranë Qendrës së Biznesit ”Kompleksi Halili” edhe si homazh ndaj Damien Hirst-in. Kjo sallë ekspozimi ndodhet në një vend pranë disa klinikave apo studiove mjekësore, për këtë arsye ajo bëhet në një vend reflektimi për cilindo që ndalet dhe e shikon, sepse vepra që është ekspozuar në të na kujton dhe bën që të mos harrojmë atë së cilës askush nuk i shmanget dot. Vepra vjen e fuqishme në tërë kompleksitetin e vet, duke afirmuar origjinalitetin shprehjes së saj artistike.
Është një vepër që në kontekstin e vet shqiptar, me simbolikën e saj shpërthen fuqishëm kundër të gjithë ndotjeve e mbetjeve. Fundet e cigareve nga gjendja e tyre e vdekur, si plehra të pështyra nga goja e njeriut, kthehen përsëri në sipërfaqen e kafkës së atij vet duke iu nënshtruar procesit të riciklimit. Në këtë mënyrë ato pushojnë se qeni plehra dhe tanimë zotërojnë një autoritet të plotë, sepse kanë hyrë në një marrëdhënie me kafkën ose në daçi me vetë vdekjen, për të na paralajmëruar seriozisht për vazhdimin e pastaj fundin e tmerrshëm.
“Nëntori i dytë”, në universitetet e Nju Jorkut
Projekti i Kinemasë Shqiptare organizon premierën amerikane të variantit të restauruar të filmit “Nëntori i dytë” në Universitetin e Nju Jorkut (NYU) Teatri Michelson më datë
27 mars 2013. Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP), Colorlab Corp dhe Universiteti i Nju Jorkut në NY paraqesin restaurimin e parë dixhital dhe përshtatjen në anglisht të filmit artistik të regjisorit të njohur shqiptar Viktor Gjika, “Nëntori i dytë”, prodhim i vitit 1982. Nëntori i dytë tregon historinë e ngjarjeve që çuan në pavarësinë e Shqipërisë nga sundimi osman më 28 nëntor 1912. Kjo premierën në SHBA për një audiencë të zgjedhur në Teatrin Michelson të Universitetit të NY, do të ndiqet nga premiera në New England në Universitetin Wesleyan më 28 mars 2013, dhe nga një shfaqje e veçantë publike në Nju Jork më 29 mars 2013. Kjo është përshtatja e parë në gjuhën angleze e filmit, si dhe restaurimi i tij i parë, një bashkëpunim midis Projektit të Kinemasë Shqiptare, Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Colorlab Corp.
Nëntori i dytë është shkruar nga autori i realizmit socialist Dhimitër Shuteriqi (së bashku me Kiço Blushin) dhe me regji të Viktor Gjikës. Realizuar tre vjet para vdekjes së diktatorit Hoxha, filmi pati premierën në fund të nëntorit 1982. Gjatë prodhimit të filmit, Shqipëria hyri në një nga periudhat më të errëta të saj në pesëdhjetë vitet e sundimit marksist ku spastrimet e shumta dhe arrestimet e zyrtarëve qeveritarë dhe familjeve të tyre u bënë qëllim i asaj kohe. Më 3 nëntor 2012, varianti i restauruar i filmit “Nëntori i dytë” çeli “Festivalin e 13 të Filmit Shqiptar” në përvjetorin e 100-të të pavarësisë, në kinema “Millenium” në Tiranë. “Ky ishte restaurimi i parë i një filmi shqiptar dhe hera e parë që u realizua një bashkëpunim ndërkombëtar mes kineastëve, laboratorëve të filmit, arkivave, akademikëve dhe aktivistëve për të ndihmuar në ruajtjen e një trashëgimie filmike që është në rrezik serioz. Nëntori i dytë nuk ka qenë shfaqur më parë jashtë Shqipërisë dhe ky restaurim shënon njëkohësisht edhe përshtatjen e parë në gjuhën angleze të filmit”. “Nëntori i dytë” është i pari nga pesë filmat që ACP do të restaurojë brenda një harku kohor prej pesë vjetësh. Arkivi shqiptar i filmit ruan informacione dhe njohuri unike për një nga vendet më komplekse të Evropës, siç është Shqipëria. “Është një histori me nota tejet kombëtare që tregon përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi. Është Braveheart-i i tyre, nëse ju pëlqen ta themi kështu. Teknikisht, restaurimi është i klasit botëror, befasues, që arriti të kthejë një film të zymtë në një film plot me ngjyra ylberi dhe peisazhe ftuese”, shkruan Mark Cousins në “Sight & Sound”, janar 2013.
Pas restaurimit dhe shfaqjes jashtë Shqipërisë të filmit “Nëntori i dytë”, janë dhe katër filma të tjerë që presin restaurimin dhe shfaqjen në ekranet e botës; “Ballë për ballë” (Kujtim Çashku, Piro Milkani, 1979); “Tomka dhe shokët e tij” (Xhanfise Keko, 1977), “Kapedani” (Fehmi Hoshafi, Muharrem Fejzo, 1972); “Ngadhënjim mbi vdekjen” (Gëzim Erebara, Piro Milkani, 1967). Ndërsa Shqipëria kapërcen në shekullin e 21-të, thesaret në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit mbeten ende të fshehura në errësirë. Projekti i Kinemasë Shqiptare po punon pa orar për të sjellë historinë e pasur të kinemasë shqiptare përsëri në dritë. Qëllimi përfundimtar i Projektit të Kinemasë Shqiptare është që të ndërtojë një hapësirë të re arkivimi dhe ekspozimi në Tiranë. Për të arritur këtë, ne kemi partneritet me laboratorë filmikë dhe festivale filmi në të gjithë botën për të bërë të mundur restaurimin e 5 filmave shqiptarë brenda 5 vjetëve. Çdo film i restauruar do të shfaqet më parë në festivalet e filmave, në bashkëpunim me institucionet partnere të ACP, dhe pastaj për një publik më të gjerë”, – bëjnë të ditur për mediat anëtarët e Projektit të Kinemasë Shqiptare