Florenc Drizari
DSIK: Sugjerojmë që përcaktimi i nivelit të klasifikimit të mos të lihet në dorë të kryetarit të nënkomisionit
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) pranë Këshillit të Ministrave kërkoi dje ndryshimin e disa neneve të projektligjit për kontrollin parlamentar mbi shërbimet informative dhe të sigurisë, duke vënë theksin tek kompetencat që i jepen kryetarit të nënkomisionit për përcaktimin se cili do të quhet informacion i klasifikuar apo jo. Projektligji që po shqyrtohet në Komisionin për Sigurinë Kombëtare për kontrollin e shërbimeve të inteligjencës, parashikon ngritjen e një nënkomisioni prej 5 anëtarësh, tre nga mazhoranca dhe dy nga opozita. Drafti i ri përcakton se kryetari i këtij nënkomisioni do të zgjidhjet nga radhët e opozitës. DSIK-ja pranë Këshillit të Ministrave kërkon përcaktimi i informacionit të klasifikuar të bëhet në bazë të ligjeve në fuqi. “Në pikën 3 të nenit 26 sugjerojmë që përcaktimi i nivelit të klasifikimit të mos të lihet në dorë të Kryetarit të nënkomisionit, por të bëhet në përputhje me legjislacionin për informacionin e klasifikuar”.
Ndërkaq, Komisioni për Sigurinë Kombëtare zhvilloi dje seancat dëgjimore edhe me shoqatat joqeveritare, të cilat preken nga projektligji “Për kontrollin parlamentar mbi shërbimet informative dhe të sigurisë”. Në fokus të propozimeve të tyre, organizatat joqeveritare kishin krijimin e një kuadri ligjore ku të garantohen liritë dhe të drejtat e individit. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit Leonard Demi garantoi përfaqësuesit e OJF-ve se mbrojtja e të drejtave të njeriut është qëllimi kryesor i këtij ligji dhe për këtë gjithçka që drafti të jetë sa më i plotë.
LEONARD DEMI
Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare Leonard Demi deklaroi një ditë më parë se ngritja e nënkomisionit që do të mbikëqyrë veprimtarinë e institucioneve që informative në vendin tonë, garanton një përfaqësim të drejtë të pushtetit legjislativ. “Sapo të krijohet salla dhe kushtet, të dyja krahët e politikës, si mazhoranca ashtu edhe opozita jënë të ftuar të sjellin emrat. përbërja e tij është 3 përfaqësues nga mazhoranca dhe 2 nga opozita, afërsisht në 20 për qind të anëtarëve të parlamentit të ketë një përfaqësues dhe kryesia e komisionit është e minorancës, cilado qoftë ajo”, – deklaroi Demi.
Gjatë diskutimeve në komision deputetët e opozitës vunë theksin tek domosdoshmëria e kontrollit parlamentare nga shërbimeve informative. “Ka mbi 6 vitë që shërbimet inteligjente janë jashtë kontrollit për faktin se janë kthyet në institucione të hermetizuara”, – u shpreh deputetit socialist Gazmir Bizhga.
Certifikata e Sigurisë
Përfaqësues të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar pranë Këshillit të Ministrave shpjeguan kriteret që duhet të përmbushin deputetët për marrjen e certifikatës së sigurisë, si një kusht që përfaqësuesit e legjislativit duhet të kenë për t’u përzgjedhur anëtarë të nënkomisionit prej 5 anëtarësh. “Bëhet pasi të kryhet verifikimi i pastërtisë së figurës, përmes procedurave, që garantojnë paanshmëri, balancim të interesave dhe moscenim të dinjitetit të personit.
DSIK-ka ka të drejtë t’u kërkojë informacion të verifikimin e pastërtisë së figurës Shërbimit Informativ Shtetëror, Shërbimit Informativ Ushtarak, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Policisë së Shtetit, organeve të drejtësisë, të financave dhe ministrive e institucioneve të tjera shtetërore, që i gjykojnë të nevojshme. “Certifikata e sigurisë” lëshohet në bazë të vlerësimit të përshtatshmërisë me detyrën, besnikërisë ndaj Republikës së Shqipërisë, ndikimit të jashtëm, figurës dhe qëndrimit moral, sjelljes personale, sjelljes ndaj drogës e alkoolit, gjendjes financiare, qëndrimit ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik, gjendjes mendore e qëndrimit ndaj informacionit të klasifikuar”, – thuhet në relacionin e dorëzuar pranë Kuvendit të Shqipërisë nga DSIK-ja.
Ministria e Mbrojtjes refuzon kontrollin financiar nga Kuvendi, ekskluzivitet i KLSH-së
Gjatë seancave dëgjimore që u zhvilluan dy ditë më parë në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes Kërkuan rishikimin në tërësi të projektligjit “Për kontrollin parlamentar mbi shërbimet informative dhe të sigurisë”. Drejtues të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (SHIU) kërkuan që nënkomisioni parlamentar që pritet të ngrihet me miratimin e draftit, të mos ketë tagrin ligjor për kontrollin e shpenzimeve financiare të AIM-së. Në shkresën e firmosur nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami thuhet se kontrolli financiar i agjencisë është kompetencë e KLSH-së dhe e akteve ligjore të nxjerra nga Këshilli i Ministrave. “Sjellim në vëmendjen tuaj se referuar dispozitave kushtetuese (nenet 162-165) institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar është Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili kontrollon veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetëror, si dhe përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor”, – shkruhet në letrën e firmosur nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami, drejtuar Komisionit për Sigurinë Kombëtare.
Përplasja me Ballën, Kadilli: Ka shitur pronë, të japë dorëheqjen
Debatet dhe përplasjet në akuza mes deputetit të mazhorancës Fatbardh Kadilli dhe deputetit të opozitës Taulant Balla vijuan edhe pas përballjes që ata patën në një debat televiziv në “News 24”. Deputeti Kadilli prezantoi në media fakte që Balla ka shitur një pronë dhe i kërkoi atij dorëheqjen, ndërsa deputeti socialist nga ana e tij shprehet se Kadilli duhet të dorëhiqet, pasi babai i tij ka qenë në skuadrën e pushkatimit të Enver Hoxhës. “A ke përfituar nga shitja e një toke? Zoti Balla u përgjigj: S’kam shitur asnjëherë asnjë centimetër katror tokë në jetën time dhe nëse t’i provon të kundërtën jam i gatshëm të largohem nga politika dhe të jap dorëheqjen”. Ndërkaq, ditën e djeshme deputeti i PD-së publikoi para mediave provat ku sipas tij, Balla ka përfituar nga shitja e një toke dhe i kërkoi të japë dorëheqjen siç premtoi në emision. “Balla e ka shitur një pronë dhe ka përfituar nga kjo shitje sepse në deklaratën e tij të pasurisë, figuron një përfitim i siguruar nga shitja e një toke në zonën kadastrale Spitallë, Durrës. Mbrëmë atij iu paraqit prova që kam para jush, për t’ia prezantuar të gjithë qytetarëve. A e pranoi zoti Balla të vërtetën kur e paraqita këtë provë? A kërkoi ai falje që gënjeu në një transmetim të drejtpërdrejt televiziv. A iu përgjigj ai pyetjeve të bëra? Ai u përgjigj me dhunë dhe kërcënime”, – tha Kadilli. Në faqen e tij zyrtare në Facebook edhe deputeti i PS-së Taulant Balla reagon pas deklaratave të deputetit Kadilli duke thënë se ai që duhet të largohet i pari është Fatbardh Agim Kadilli, babai i të cilit ka qenë në skuadrat e pushkatimit të Enver Hoxhës”, – thotë Balla.
Situata në trupin diplomatik, opozita kërkon interpelancë me Panaritin
Përfaqësues të opozitës kërkuan një ditë më parë në Komisionin e Jashtëm, raportimin e ministrit Edmond Panariti lidhur me situatën financiare në ambasadat e vendit. Deputetja socialiste Arta Dade tha se publikimet e fundit në media kërkon një sqarim edhe nga ministri i Jashtëm. “A ka mundësi të thërrasim ministrin dhe të na shpjegojë sesi është gjendja në ambasada, të saj në Uashington. Ministri na tha se po shqyrton mundësinë e mbylljes së disa ambasadave apo funksionon ky projekt që kishte ministri. Ne nuk mund të rrimë indiferent në një rast kur kjo ka ndodhur. Sigurisht ajo është një korrespondencë e brendshme, por fakti është se ne jemi të shqetësuar për funksionimin normal të përfaqësive tona diplomatike. Nëse ato nuk kanë kushtet më minimale të funksionimit, nuk do të kryejeni as detyrat në mbrojtje të interesit të vendit”, – deklaroi Dade. Nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Jashtëm Fatos Beja, tha se miratimi i buxhetit nuk është në dorën e komisionit dhe as të Ministrisë. Në lidhje me pretendimet e përfaqësuesve të opozitës, Beja tha se kërkesa duhet të bëhet me shkrim pranë komisionit. “Buxheti kalon në parlament dhe nuk miratohet nga ministria. Ne kemi qenë dakord për ti dhënë më shumë fonde ministrisë së Jashtme. Pas kësaj, buxheti diskutohet në seancë dhe është miratuar përfundimisht dhe tashmë është ligj që duhet ta zbatojnë ministri dhe të gjithë. Kështu që nuk është ministri që duhet të japë shpjegime për buxhetin. Për ambasadat, kërkesën bëjeni me shkrim”, – deklaroi Fatos Beja.