20 mars, afati i fundit për aplikim
Afati i fundit për të aplikuar në ciklin e tretë të studimeve nuk do të jetë data 15 mars, por 20 mars. Rektorati i Universitetit të Tiranës bën me dije se shtyrja e afatit është bërë për t’u dhënë mundësi të gjithë kandidatëve për të aplikuar. Po kështu, Rektorati thekson se “në dokumentacionin e aplikantëve nuk është e nevojshme të përfshihet emri i udhëheqësit shkencor të propozuar nga aplikanti (dosjet e aplikantëve do të pranohen edhe në rastet kur nuk është propozuar udhëheqësi). Përcaktimi i udhëheqësve do të behet pasi Këshilli i Profesorëve të fakulteteve të miratojë kandidatët fitues”.
Kriteret për kandidatët
Të ketë përfunduar studimet e larta në fushën e kërkuar dhe të zotërojnë diplomë të ciklit të dytë të studimeve “Master i Shkencave” apo çdo diplomë tjetër të barasvlershme me të ose një diplome të huaj të barasvlershme të shoqëruar me vërtetimin e njohjes nga MASH. Të ketë notë mesatare të përgjithshme 8 e lartë, në secilin cikël studimesh (i parë dhe i dytë). Të zotërojnë gjuhën angleze të vlerësuar mbi bazën e një testi të njohur ndërkombëtarisht. Nëse nuk zotërohet në aplikim fillestar, dëshmia kërkohet pas përfundimit të studimeve të organizuara teorike. Të jetë i rekomanduar nga dy persona që gëzojnë titull akademik të cilët njohin aftësitë akademike dhe profesionale të kandidatit. Të shprehë qartë qëllimin e ndjekjes së studimeve të doktoratës në rreth 500 fjalë. Të paraqesë në mënyrë të përmbledhur një projekt shkencor mbi të cilin ka menduar të punojë gjatë kursit të Shkollës Doktorale. Të marrë përsipër përballimin e shpenzimeve të studimeve.
Dokumentet që duhen
- Kërkesë për aplikim në programin e doktoraturës;
- Fotokopje e kartës së identitetit ose pasaportës;
- CV personale e kandidatit;
- Kopje e noterizuar e një Diplome të ciklit të dytë të studimeve “Master i Shkencave” apo çdo diplomë tjetër të barasvlershme me të, ose një diplomë të huaj të barasvlershme të shoqëruar me vërtetimin e njohjes nga MASH dhe listën e notave përkatëse;
- Kopje e noterizuar e dëshmisë së zotërimit të gjuhës angleze me test të njohur ndërkombëtarisht (nëse nuk zotërohet në aplikimin fillestar kërkohet pas përfundimit të studimeve të organizuara teorike);
- Listë botimesh e shoqëruar me fotokopje të kopertinave të botimeve dhe të abstrakteve të tyre, (nëse ka të tilla);
- Listë e pjesëmarrjeve në konferenca e shoqëruar me programin, dëshminë e konferencës dhe botimin në procedings, (nëse ka të tilla);
- Platforma e kërkimit shkencor të propozuar;
- Plan i punës për kërkimin shkencor i ndarë në vite;
- Dy rekomandime nga persona që gëzojnë titull shkencor (Profesor, Profesor i asociuar);
- Vërtetim i qendrës së banimit;
- Vërtetim nga qendra e punës/ deklaratë vetjake për statusin i/e papunë
- Dy fotografi me format 4×6;
- Deklaratë vetjake e kandidatit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të doktoratës;
- Fletëpagesa e tarifës se regjistrimit për konkurrim.
Fakultete ku mund të aplikohet nga ora 8:00-16:00
- Fakulteti i Ekonomisë
- Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
- Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë
- Fakulteti i Drejtësisë
- Fakulteti i Shkencave Sociale
- Fakulteti i Shkencave Natyrore
- Instituti i Studimeve Evropiane
Dita e Verës do të jetë me shi
Ndryshe nga vitet e fundit, ku në 14 Mars, Dita e Verës, festohet me diell, këtë vit pritet një vit krejt ndryshe. Reshjet e shiut do të mbulojnë të gjithë vendin që do të thotë prishja e festës për Tiranën dhe Elbasanin. Specialistët e “Meteoalb” thonë se vetëm në fundjavë do të kthehet moti i thatë, por me temperatura më të ulëta që do të shkojnë deri në 0 gradë celsius në zona të thella të vendit. “Shirat më të dendur do jenë kryesisht në pjesën e dytë të datës 13 dhe e gjithë data 14, do të jetë kryesisht me vranësira dhe shira në të gjithë vendin. Më problematike situata do të jetë në zonat veriore dhe veriperëndimore, ndërsa në pjesën e dytë gjatë pasdites së datës 14, ky sistem do të fuqizohet dhe në zonat jugore dhe juglindore. Ndërsa fundjava do të sjellë përmirësim të motit, largim të reshjeve dhe kthjellime në të gjithë territorin. Po gjatë kësaj fundjave do të shoqërohet me rënie të ndjeshme të temperaturave”, – tha Lajda Porja, nga “Meteoalb”.
Berisha: Në 4 vitet e ardhshme, rroga e mësuesit do të jetë 700 dollarë
Rrogat e mësuesve do të njohë rritje dy deri në tri herë më të madhe sesa indeksi i çmimeve dhe në krye të katër viteve rroga e mësuesit do të jetë mbi 700 dollarë dhe mësuesit në Shqipëri do të paguhen më mirë jo në dy apo tre, por sesa në disa vende të Bashkimit Evropian. Kështu u shpreh Kryeministri Sali Berisha në përurimin e Shkollës së re Profesionale në qytetin e Kamzës, e cila do t’u shërbejë rreth 1250 nxënësve. Kreu i qeverisë vizitoi mjediset e reja të kompletuara me të gjitha pajisjet, ndërsa ndoqi nga afër punën e nxënësve të Teknologjisë së Informacionit, Hoteleri-Turizmit dhe Shërbimeve Sociale e Shëndetësore. Berisha premtoi vijimin e investimeve në arsimin profesional, ndërsa theksoi se konsolidimi i këtij arsimi mbetet një nga prioritetet më madhore të qeverisë. “Ne së bashku këto vite kemi ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla në mbarë vendin. Vetëm në Kamëz kemi ndërtuar 10 shkolla nëntëvjeçare, 5 shkolla të mesme të përgjithshme, 2 shkolla të mëdha profesionale dhe 8 kopshte. Mos harroni se në fillim të vitit 2006 kishte internet vetëm në 40 shkolla, sot ka internet në 2 mijë shkolla. Një fillim për vitin 2006 në të gjitha shkollat e Shqipërisë gjendeshin gjithsej 900 kompjutera, sot janë mbi 24 500 kompjutera. Cili është zotimi ynë për katër vitet që vijnë? Zotimi ynë për katër vitet që vijnë është mësim dixhitale për çdo klasë. Kompjuter në çdo klase, standardet më të larta në përdorimin e teknologjisë dixhitale në shkollat tona. Në katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka, që shkollat tona të kenë bibliotekat më të mira virtuale dhe reale. Në katër vitet që vijnë shkalla e teknologjisë dhe informacionit në sistemin shkollor shqiptarë, në sistemin arsimor shqiptarë do të jetë njëri ndër më të lartët në Evropë”, – u shpreh Kryeministri Berisha në fjalën drejtuar nxënësve dhe mësuesve. Ndërtesa e re e Shkollës së Mesme Profesionale në Kamëz është një financim i Bashkimit Evropian dhe i qeverisë shqiptare me një vlerë prej rreth 1.1 milionë euro. Kjo shkollë përbëhet nga 24 klasa dhe një numër i konsiderueshëm laboratorësh.