Vrasja e Tafës, dëshmia e motrës: Ju rrëfej sulmin për një varëse dhe vrasjen e motrës

0
198

Sonja Caka

aldoAldo Hoxha refuzon përballjen, gjykata dëgjon tre nga dëshmitarët okularë. I pandehuri refuzon të paraqitet në gjykatë, shmang përballjen

 

I parapërgatitur një seancë më parë se do të përballej me motrën e Fatbardha Tafës, për të cilën akuzohet se e ka vrarë për një varëse floriri, Aldo Hoxha ka refuzuar të paraqitet në seancë, duke paraqitur deklaratë. Edhe pa praninë e 20-vjeçarit të pandehur, gjykata ka dëgjuar tri dëshmi të rëndësishme për afro 2 orë, atë të Lumturi Gjanës, motrës së viktimës, dhe dy nipërve të saj, fëmijët e vëllait. Të tre dëshmitarë okularë dhe pjesë e përleshjes me autorin e grabitjes, e cila përfundoi me një të vrarë. Lumturi Gjana dhe dy nipërit e viktimës, përkatësisht fëmijët e vëllait të saj, dhanë hollësi për ngjarjen duke përshkruar edhe fizikun e autorëve. Në sallën e zbrazët të gjyqit, dy nipërit e vegjël të viktimës dhanë dëshminë e tyre në prani të një psikologeje. Ata i thanë gjykatës se ditën e ngjarjes ishin duke luajtur njëri me biçikletë dhe tjetri me patinë. “Ne ishim para hallave. Po luanim, kur pamë një motor papaq që u afrua. Ishin dy persona. Ai që drejtonte motorin ishte me skafandër, ndërsa tjetri ishte me një kapele në kokë. Pamë që ai me kapele iu sul hallës dhe i shkëputi varësen e floririt. Hallat u përleshën me ta, por ai me kapele, nxori një thikë dhe ia nguli në zemër hallës, e cila ra në tokë”, – dëshmuan për gjykatën dy fëmijët e vegjël. Më tej, në dëshminë e tyre ata dhanë detaje edhe për plagosjen e hallës tjetër, Lumturisë. Ndërkohë që nuk u kishte humbur si detaj edhe momenti i largimit të dy të rinjve nëpër rrugicat e lagjes. Më pas, radhën për të dëshmuar e ka pasur Lumturi Gjana, motra e viktimës, e cila e ka pasur shumë të rëndë dhënien e dëshmisë përpara të pandehurit. Ajo më parë i kishte kërkuar trupit gjykues që të dëshmonte pa praninë e të pandehurit. “Ne ishim duke dalë për shëtitje me motrën time, fëmijët dhe nipërit. U afrua një motor mbi të cilin ishin dy djem të rinj. Njëri ishte me skafandër dhe tjetri nga pas me kapele. Djali me kapele zgjati dorën për të grabitur zinxhirin e motrës. Motra ishte e fortë dhe u përlesh me ta. Por, në një moment, djali me kapele, i cili kishte trup të hollë dhe mesatar, nxori një thikë dhe e qëlloi motrën drejt e në zemër. Unë u mundova ta largoja atë nga motra, por ai m’u vërsul edhe mua. Me qëlloi në krah duke më plagosur. Ata më pas u larguan me shpejtësi. Unë me motrën ndodheshim në mes të rrugës”, – tha dëshmitarja Lumturi Gjana. Më pas Gjana është shprehur se ngjarja që ka përjetuar ka qenë tepër e rëndë dhe ajo ende nuk e ka marrë veten psikologjikisht. Dëshmitarja okulare e kësaj ngjarjeje, e cila ka ndihmuar shumë në identifikimin e autorit të dyshuar përmes detaje të fizikut të tij, dje në dëshmi nuk ka përmendur emër, por ka ripërsëritur detajet e personit që qëlloi ndaj të motrës dhe vetë asaj.

Detaj

2 orë dëshmi për sulmin e 7 gushtit, përleshjen me grabitësin dhe vrasjen e të motrës nga dëshmitarja Lumturi Gjana