Bankat kërkojnë ndryshim të kodeve, a do të tregojë opozita konsensus?

0
180

Ervin Kaduku

banktKëto amendamente synojnë të përshpejtojnë procesin e ekzekutimit të kolaterialit për kreditorët e këqij, por edhe të stimulojnë ekonominë, pasi mendohet se nxisin kreditimin, që ka ngecur pothuajse tërësisht këtë vitin e fundit

 

Një “patate e nxehtë” tjetër po hidhet në duar të politikës shqiptare. Shoqata Shqiptare e Bankave ka kërkuar kohët e fundit nga Kuvendi i Shqipërisë të miratojnë shpejt disa amendime në Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës Penale. Këto amendamente synojnë të përshpejtojnë procesin e ekzekutimit të kolaterialit për kreditorët e këqij, por dhe të stimulojnë ekonominë, pasi mendohet se nxisin kreditimin, që ka ngecur pothuajse tërësisht këtë vitin e fundit. Këto ndryshime javën e kaluar kanë marrë edhe miratimin e qeverisë, pasi pro tyre është shprehur edhe Banka e Shqipërisë.

Por, ndryshime të tilla kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament, çka do të thotë se ato nuk mund të miratohen, nëse krahët politikë, mazhorancë-opozitë, nuk arrijnë një dakordësi politike, se këto ndërhyrje ligjorë shtyjnë ekonominë përpara. Bankat i druhen kësaj, kur shprehen se kjo çështje duhet trajtuar si ekonomike dhe jo si debat politik.

Por, deri tani, kemi fatkeqësisht më shumë se një precedent tejet negativ nga ana e opozitës shqiptare, e cila ka bllokuar ligje shumë më të rëndësishme se këto ndryshime në kode.

Në fakt, mesazhi që vjen këtë herë nga bankat është më i veçantë, duke qenë i shoqëruar me propozime konkrete dhe së dyti vjen në kontekstin e një krize ndërkombëtare, e cila ka infektuar edhe ekonominë dhe duket një shans i mirë për të dhënë stimujt e munguar dhe hequr barrierat e vjetra.

 

Situata

Përvoja politike në Shqipëri ka treguar se çështje të tjera, edhe më parë thellësisht ekonomike, janë keqpërdor politikisht, janë hedhur prapa krahëve, duke sjellë dëme të dukshme. Në Shqipëri, edhe kur mazhoranca ka treguar vullnet për të zgjidhur çështje të mprehta, me anë të nismave ligjore, shpesh opozita ka treguar se ka qasje të gabuara ndaj asaj çka është interes i përbashkët, duke tentuar ta kthejë çdo propozim në përfitim të ngushtë politik; apo për ta përdorur si argument akuzash. Kjo mënyrë e mban larg konsensusin, ndaj dhe biznesi edhe në këtë rast ka frikën e do të përsëritet e njëjta situatë siç po ndodh me gjykatën administrative.

Këto ndryshime mund të ishin miratuar edhe disa vite më parë, por konteksti i sotshëm i ka bërë ato më të domosdoshme dhe ndërhyrjen më të shpejtë. Borxhi i keq në sistemin bankar ka arritur në gati 23% të totalit të huave, duke iu afruar nivelit të vitit 2000, kur sistemi bankar, atëherë shtetëror, po vuante pasojat e keqadministrimit; ekzekutimi i kolateralit zvarritet me vite, bankat të ngarkuara me provigjone kanë ulur fitimet dhe janë vënë në vështirësi për të kredituar qoftë edhe qeverinë për shkak të disa rregullave të rrepta nga banka qendrore. Edhe procedurat fiskale, thotë Shoqata e Bankave, e ngarkojnë artificialisht sistemin bankar me taksa më të mëdha në raport me fitimet e tyre. Kriza ndërkombëtare, nga ana tjetër ka rrudhur burimet e tjera të likuiditetit, duke e bërë situatën më të paqartë dhe të ndërlikuar. “Bankat në Shqipëri nuk e kanë shkaktuar ngadalësimin e Ekonomisë, thjesht e pasqyrojnë atë”, – thotë Shoqata e Bankave.

Ndërhyrjet ligjore në kode, që vijnë si propozim i menduar mirë dhe gjerësisht i pranuar, janë një alternativë, e cila ka shanset që të shtyjë ekonominë përpara, por tani pritet gjesti i fundit, ai i opozitës në Kuvend, për të arritur konsensusin përmes votës së cilësuar, në mënyrë që t’i jepet mesazhi i duhur publikut, edhe pse jemi në prag zgjedhjesh elektorale, se politika nuk bëhet thjesht për të bërë politikë, por për t’i shërbyer mirëqenies së vendit. Asnjë argument kundër nuk pranohet. Topi mbetet në fushën e PS-së…

 

 

Fondet e Bankës Evropiane të Investimeve do të shkojnë për rrugët

Shqipëria ka kërkuar për vitin 2013 rreth 18 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve për rehabilitimin e rrjetit rrugor në vend. Banka Evropiane e Investimeve (BEI) ka dhënë një fond prej 839 milionë eurosh në total për Ballkanin Perëndimor gjatë vitit 2012 dhe pret që të ruajë të njëjtin nivel investimesh në rajon. Rreth 64% të këtyre fondeve janë investuar në Serbi, 23.4% në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa pjesa tjetër (12.6%) në Shqipëri, Maqedoni dhe Malin e Zi.

Shuma e investuar ka qenë 20 milionë më pak se në vitin 2011, e cila ishte edhe një rekord më vete, tha zv.presidenti i BEI, Dario Skanapietso. Rreth 2/3-at e investimeve shkoi në ndihmë të biznesit të mesëm, ndërsa pjesa tjetër shkoi për infrastrukturën rrugore dhe projekte lidhur me të.

“Këto fonde reflektojnë dy prioritet tona madhore, të ndihmojmë biznesin e mesëm, i cili krijon vende të reja pune, si dhe të zhvillojmë infrastrukturën për të tërhequr investitorë”, – shpjegoi Skanapiesto.

Vetëm 1% e fondeve shkuan për projektet që lidhen me burimet ujore, kanalizimet, krijimin parqeve me energji të rinovueshme, por investimet e BEI në të ardhmen, do t’i kushtojnë më shumë rëndësi këtyre sektorëve.

Këtë vit, qeveria serbe ka kërkuar 600 milionë euro për biznesin dhe rehabilitimin e rrugëve, ndërsa Bosnja ka kërkuar 160 milionë euro për rrugë dhe rrjetin e energjisë. Shqipëria dhe Mali i Zi kërkojnë 18 milionë dhe 30 milionë euro për rehabilitimin e rrugëve.