Hapen portat e HEC-ve izolohen 2 fshatra, rreth 900 ha nën ujë

0
161

Elton Qyno

portaShkodra priste diell, koha kthen me shi. Përmbyten disa zona

Niveli i ujit arrin në 40 cm. Rrethohet fshati Obot dhe Gorica

 

Pikërisht ditën kur qyteti i Shkodrës priste rrezet e diellit për të festuar Ditën e Verës, koha ka bërë atë që nuk pritej, duke u rikthyer pas një viti banorëve të fshatrave të Shkodrës përmbytjen në të mbjellat dhe banesat e tyre. Kanë mjaftuar 24 orë reshje shiu që pjesa e Nënshkodrës të gjendet thuajse e tëra nën ujë. Brenda ditës së djeshme, rreth 900 hektarë tokë janë përmbytur nga uji, ndërkohë që niveli është rritur akoma dhe më tepër, pas hapjes së portave të hidrocentraleve të Vaut të Dejës dhe Komanit. Vendimi për hapjen e portave është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e KESH-it, vendim nga i cili më pas janë mbuluar nga uji rreth 1 mijë hektarë sipërfaqe tokësore, e cila ishte mbjellë nga banorë të zonës me bimë të ndryshme. Mësohet se shkarkimet gjatë ditës së djeshme nga hidrocentrali i Komanit kanë qenë 700 m³ për sekondë, ndërsa prurjet 1160 m3/s. Prurjet anësore në hidrocentralin e Komanit janë 150 m³ për sekondë. Ndërsa Vau i Dejës shkarkon 500 m³ për sekondë, niveli aktual është 75.42 m, prurjet anësore 200 m3/s. Niveli aktual i HEC-it të Komanit është 174.94 metra, ndërsa pika kritike 175.6 m. Sipas KESH, situata në hidrocentralin e Fierzës është normale dhe se deri mbrëmjen e djeshme në këtë hidrocentral nuk është hapur asnjëra nga portat. Shkarkimet sipas KESH, janë bërë me qëllim administrimin sa më mirë të situatës hidrike.

Rreziku nga hidrocentralet

Pas hapjes së portave të dy hidrocentraleve, është rritur ndjeshëm niveli i ujit në lumin Buna, duke bërë që në disa zona, uji i këtij lumi të dalë nga shtrati dhe të përmbytë sipërfaqe të tëra me tokë bujqësore. Nisur nga ko situatë, Prefektura e Shkodrës ka mbledhur Komisionin e Emergjencave Civile dhe që nga dita e djeshme po mban kontakt të vazhdueshëm me kryetarët e njësive vendore për monitorimin e situatës. Sipas anëtarëve të këtij komisioni, disa prej fshatrave të komunës Bërdicë, Ana e Malit ndodhen nën ujë, por prani uji ka thuajse në të gjithë zonën e Nënshkodrës. Megjithatë, ajo çfarë pohohet nga të gjithë kryetarët e komunave bëhet me dije se deri në orët e mbrëmjes së djeshme nuk është raportuar për asnjë shtëpi nën ujë, por rreziku është ende i madh për vetë faktin se nëse do të ketë sërish reshje dhe shkarkimet nga hidrocentralet do të rriten, atëherë situata pritet të jetë e njëjtë me ato të para dy viteve ku zona e Nënshkodrës ishte e tëra nën ujë.

Izolohen dy fshatra

Oboti dhe Gorica janë izoluar nga uji, pasi gjatë reshjeve të shumta dhe shkarkimeve nga hidrocentralet, niveli i ujit afër këtyre fshatrave ka arritur në 40 cm. Sipas banorëve të zonës, rruga që të çon në dy fshatrat Obot dhe Goricë është e pakalueshme me makina të ulëta dhe në të janë në gjendje të kalojnë vetëm mjetet që tërhiqen nga kafshët si karrocat si dhe makinat fuoristrada. Disa prej banorëve, kanë filluar të përdorin traktorët dhe kamionët për të siguruar ushqimin e bagëtive. Deri në mbrëmjen e djeshme nga ana e anëtarëve të Komitetit të Emergjencave është raportuar se nuk ka pasur asnjë person të evakuuar, ndërkohë që disa prej banorëve kanë marrë masa largimin e gjësë së gjallë në disa fshatra të tjerë, ku banojnë të afërmit e tyre. Niveli i ujit i është afruar ndjeshëm dhe rrugës Obot – Muriqan, segment ky që lidhën pikën e kalimit kufitar të Muriqanit. Veç këtyre dy fshatrave situata vazhdon të shfaqë probleme edhe në fshatrat si Dajç, Trush, Velipojë, Bushat dhe Guri të Zi.

Prefektura në gatishmëri

Shtabi i emergjencave në Shkodër, që ndodhet pranë prefekturës së këtij qyteti, është vënë në gjendje gatishmërie për të përballuar çdo situatë të vështirë të mundshme që do të krijohet në zonën e Nënshkodrës. Një grup pune është ngritur posaçërisht për përballimin e gjendjes së përmbytjes, ndërkohë që prefektura ka njoftuar dhe ministrinë e Brendshme, për situatën problematike që shfaqej deri në mbrëmjen e djeshme në disa fshatra të zonës. Pritet që ditën e sotme, gjendja të jetë akoma më e vështirë në disa fshatra të Shkodrës, pasi reshjet e shiut dhe shkarkimet nga hidrocentralet, kanë qenë me intensitet të lartë. Veç masave të marra nga shtabi i emergjencës, masa kanë marrë edhe banorët e zonës. Rikthimi i përmbytjeve në Shkodër, vjen në një kohë, kur zona ende nuk e ka rimarrë vetën nga përmbytja e madhe e dy viteve të kaluar, ku si pasojë e të cilës, humbën jetën qindra kafshë, ndërkohë që fatmirësisht nuk është shënuar asnjë jetë njeriu e humbur. Mbulimi i zonës tërësisht me ujë, solli një dëm kolosal në të mbjella si dhe ktheu një pjesë të sipërfaqes së tokës në moçalishte.

 

Hapen portat e Ulzës dhe Shkopetit

Në mbrëmje, uji del në harkun

e Bërdicës, emergjencat në alarm

Gjatë mbrëmjes së djeshme niveli i ujit në Shkodër ka arritur 40 cm, ndërkohë në orët e vona të natës, uji ka dalë në zonën e harkut të Bërdicës. Niveli i ujit në rrugë ka qenë 5 cm dhe s’ka sjellë asnjë problem në qarkullimin e automjeteve, ndërkohë që situata është rënduar gjatë natës, në disa zona. Ndërkohë që nga prurjet e shumta nga reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë 24 orëve të fundit, detyruar HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit të hapin portat e shkarkimit. Mësohet se nga hapja e portës HEC-i i Ulzës derdhet 300 m³ ujë për sekondë, po ashtu edhe nga hapja e portës së HEC-it të Shkopetit. Prurjet në hidrocentralin e Ulzës shkojnë në 140 m³/sec, ndërsa në HEC-in e Shkopetit janë rreth 190 m³/sec. Hidrocentrali i Ulzës punon me kapacitet të plotë prej katër turbinash dhe ai i Shkopetit po me kapacitet të plotë prej dy turbinash. Ndërkohë, stafi i drejtues i këtyre dy hidrocentraleve bën të ditur se është në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës. Nga ana tjetër pas hapjes së portave është kthyer gjendja e alarmit në zonën e zona, ku probleme me përmbytjet janë krijuar në zona të rrjedhës së lumit Mat.

HEC Koman

Prurje 1160 m3/s                 Shkarkim 700 m3

Niveli 174.94 metra Maksimalja 175.6

HEV Vau i Dejës

Prurjet 200 m3/s                   Shkarkimi 500 m3

HEC Fierzë

Prurjet 1000 m3/s     Shkarkimi 0

Kuota 287.2 metra   9 metra poshtë kuotës