Debati 4-orësh Rregullorja e KQZ-së, bie poshtë drafti i Bibës, Lleshi: Nuk mund të kemi bashkëkryetarë

0
156

Gëzim Saliu

kqzKQZ miratoi me konsensus vetëm disa prej neneve të rregullores dhe vendosi shtyrjen e mbledhjes dhe vazhdimin e saj ditën e hënë

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu për të hënën miratimin nen për nen të rregullores së re për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së. Mbledhja që zgjati për rreth katër orë, u shoqërua me debate të forta mes palëve, të cilat nuk arritën të përfundojnë miratimin në tërësi të këtij dokumenti. Debatet më të mëdha mes palëve u zhvilluan kryesisht në diskutimin e pjesës ku flitej për kompetencat e kryetarit dhe nënkryetarit të këtij institucioni. Përfaqësuesit e PS-së në KQZ, Denar Biba dhe Albana Shtylla, paraqitën një seri ndryshimesh në rregulloren e brendshme të institucionit, ku parashikonin kundërfirmën për çdo dokument të dalë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë që varianti i administratës i jepte këtë të drejtë nënkryetarit vetëm për urdhërimet e brendshme. Propozimi i përfaqësuesve të PS-së u cilësua nga kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, si tentativë për të dubluar kompetencat e saj, duke e bërë institucionin me bashkëkryetarë. Nga ana e tij, Biba pohoi se me anë të këtij propozimi përmbushet një e drejtë legjitime. Në fund, pas debateve të tejzagjtura, të dy variantet si ai i anëtarëve të KQZ-së, si ai i administratës, nuk arritën të siguronin votat e mjaftueshme për t’u miratuar. Pas një konsulte rreth 45 minuta dhe me ekspertin e Komisionit të Venecias pranë KQZ-së, u vendos që të kopjohej fjalë për fjalë neni 20 i Kodit Zgjedhor që rregullon këtë marrëdhënie.

 

Debati

Ndryshe nga varianti i administratës, që ia jepte të drejtën për kundërfirmë nënkryetarit vetëm për urdhërimet e brendshme, Biba theksoi se kjo duhet të aplikohet në çdo dokument të dalë nga Komisioni Qendror. “Kryetari i zbaton kompetencat e tij bashkë me nënkryetarin. Përfundimisht kjo rregullore nuk rregulloi kompetencën e bashkëdrejtimit të këtij institucioni. Është thembra e Akilit”, – tha Biba. Nga ana e saj kryetarja e KQZ-së iu përgjigj anëtarit përfaqësues së PS-së, duke nënvizuar: “Të kam thënë një herë edhe në një mbledhje tjetër, kodi ka parashikuar kryetar dhe zëvendëskryetar, jo bashkëkryetar. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Unë lexoj kodin dhe ai thotë kryetari dhe zëvendës kryetari”. Ndërkohë që akti i paraqitur nga administrata zgjedhore përcaktonte rregullat për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së, duke përfshirë: kompetencat e kryetarit dhe zv.kryetarit; të drejtat dhe detyrimet e anëtarit të KQZ-së; procedurat për thirrjen, njoftimin dhe zhvillimin e mbledhjeve të KQZ-së gjatë periudhës zgjedhore dhe asaj jozgjedhore, procedurat e vendimmarrjes, të drejtat dhe detyrimet e përfaqësuesve të partive politike në KQZ, etj. Gjatë miratimit në parim të rregullores tre ditë më parë anëtarët e KQZ-së, të propozuar nga Partia Socialiste, shprehën nevojën për hartimin e një rregulloreje të re dhe jo rishikim të rregullores së vjetër, që ishte propozuar nga administrata. Sipas PS, duhet bërë një rregullore e re sepse tek rregullorja aktuale janë kryer ndërhyrje të shpeshta.

 

 

Majko: Nuk ka gjë të keqe që të votojnë 16-vjeçarët, por mungojnë kushtet

Deputeti i Partisë Socialiste të qarkut të Korçës, Pandeli Majko, e ka cilësuar si joserioz propozimin e fundit të Kryeministrit për uljen e moshës së votimit në 16 vjeç. “Nuk ka asgjë të keqe të votojnë dhe 16-vjeçarët, bile dhe 15-vjeçarët, por nuk ekzistojnë kushtet për të realizuar këtë gjë, sepse zgjedhjet kanë filluar, dekreti i Presidentit ka dalë dhe futja e kësaj moshe do të thotë të ndryshohet Kushtetuta, gjë që është e pamundur në një kohë fushate. Qëllimi është që t’i thonë brezit të ri ne donim t’ju bënim pjesëtarë në vendimmarrje të vendit, por nuk na lejoi opozita”, – deklaroi Majko. Ndërsa në lidhje me ndryshimin e emrit Komunës Liqenas në Postec, Majko u shpreh se ky propozim bëhet politikisht për marrjen e votave të komunitetit maqedonas.
“Po krijohet mendimi se PS nuk e miraton këtë gjë. Qëndrimin tim dhe të PS-së do ta shprehim në Parlament, por vihet re një krekosje e PD-së për të fituar pikë në këtë pjesë të minoritetit në prag fushate”, – u shpreh deputeti i PS-së, Pandeli Majko.

 

Takon edhe Kryeministrin, Topalli-Hoxhaj: Shqipëria e Kosova bashkohen në familjen evropiane

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në takim ministrin e Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili e informoi Kryetaren e Kuvendit për ecurinë e bisedimeve Kosovë-Serbi, për vizitën e Baroneshës Ashton në Kosovë si dhe për procesin e njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës. “Kudo ku shkoj, shoh gjurmët tuaja të mbështetjes që keni dhënë për Kosovën dhe ju falënderoj shumë për këtë”, – tha ministri Hoxhaj. Lidhur me procesin e Stabilizim-Asocimit të Kosovës me BE-në ai tha: “Shpresojmë, që negociatat që pritet të nisin në qershor të përfundojmë brenda pak muajsh”. Nga ana e saj, Kryeparlamentarja Topalli, duke uruar mbylljen sa më shpejt të negociatave të MSA-së, por edhe ecuri sa më pozitive lidhur me liberalizimin e vizave, si dhe në dialogun Kosovë-Serbi, theksoi: “Kosova po përjeton momente historike. Në momente historike duhen njerëz të guximshëm dhe vendime të forta. Kosova ka treguar maturi të madhe politike dhe jam e bindur se Shqipëria e Kosova do bashkohen në familjen e përbashkët evropiane”. Po ashtu, ministri Hoxhaj zhvilloi një takim me Kryeministrin e vendit, Berisha, ku ky i fundit vlerësoi zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë, e cila është shndërruar tashmë në faktor real të paqes dhe promovimit të bashkëpunimit e miqësisë në rajon. Në takim u vlerësua nënshkrimi i Protokollit të Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin, Shqipëri-Kosovë, si një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili përfshin kuadrin më të plotë e gjithëpërfshirës për zgjerimin, thellimin e konsolidimin e marrëdhënieve vëllazërore e bashkëpunimit të ngushtë, të frytshëm e të gjithanshëm midis dy vendeve. Nga ana e tij, ministri Hoxhaj i shprehu Kryeministrit mirënjohjen e tij, të qeverisë së Kosovës dhe të popullit të Kosovës për përpjekjet, përkushtimin, mbështetjen e paçmuar e të vazhdueshme që Berisha personalisht dhe qeveria shqiptare i ka dhënë e vijojnë t’i japin Kosovës e institucioneve të saj në të gjitha aspektet.