Hipotekimi Marrin tapitë 78 familje, Basha: Shtëpitë me çmimet e ‘90-’92

0
165

Blerta Mrishaj

Basha per tapat

Bashkia e Tiranës jep dokumentin e privatizimit për 236 banesa, 128 në proces. Kryebashkiaku Basha: Të vendosur që çdo qytetar i Tiranës të gëzojë të drejtën e pronës së tij

 

78 familje në kryeqytet janë pajisur me tapitë, teksa 128 të tjera brenda javës tjetër do të kenë në dorë certifikatën e pronësisë. Kryebashkiaku Lulzim Basha dje teksa dorëzoi dokumentin e pronësisë familjeve, kërkoi ndjesë për vonesat e procesit prej më shumë se një dekadë, sakaq ai deklaroi se administrata e bashkisë, e drejtuar prej tij, është angazhuar për përfundimin sa më parë të këtij procesi, i cili bën pronarë të banesave të tyre mijëra qytetarë të Tiranës.

Hipotekat

Basha e konsideroi drejtësi të vonuar këtë proces, pasi, sipas tij, burokracitë dhe neglizhenca e krerëve të mëparshëm të Bashkisë së Tiranës i kishte lënë këta banorë pa i blerë shtëpitë e tyre. Basha tha se dhe 158 familje të tjera kanë gati tapitë dhe se këto shtëpi do të paguhen me të njëjtat çmime si në vitin ‘90-‘92. “Për këto 158 banesa dhe 158 familje, nuk ka pasur dhe nuk ka nevojë për një vendim të Këshillit Bashkiak. Kanë qenë, pra, thjesht dhe vetëm pasojë e mungesës së vëmendjes dhe pakujdesisë. Ndonëse dekada e kaluar nuk është përgjegjësia personale, politikë e imja si kryetar i Bashkisë, në emër të Bashkisë së Tiranës dua t’u kërkoj ndjesë këtyre 128 familjeve të Tiranës dhe t’i siguroj se procedurat e privatizimit për këto 128 objekte përfundojnë javën e ardhshme”, – tha Basha. Pranë Bashkisë së Tiranës kanë aplikuar për procesin e privatizimit dhe janë në përfundimin e plotësimit të dokumentacionit ligjor, për t’u paraqitur më pas në Këshillin Bashkiak edhe 94 dosje të tjera. Procedurat, sipas Bashës, do të përfundojnë në një kohë të shkurtër.

Procesi

Mungesa e vëmendjes dhe vullnetit për t’u shërbyer qytetarëve mbajti për vite peng rreth 700 banorë të Tiranës për 158 banesat e të cilëve ishte marrë vendimi i privatizimit, por nuk lidheshin kontratat dhe kryheshin procedurat që ishin detyrë e Bashkisë së Tiranës. “Procedurat janë realizuar dhe këto 158 bashkëqytetarë dhe fëmijët e tyre, të cilët janë lënë pa certifikatë pronësie për një burokraci të thjeshtë, duke përfunduar këtë proces për 158 banesa. Për këto 158 banesa dhe 158 familje nuk ka pasur dhe nuk ka nevojë për një vendim të Këshillit Bashkiak. Kanë qenë thjesht dhe vetëm pasojë e pakujdesisë. Edhe për këto në emër të Bashkisë së Tiranës dua t’i kërkoj falje bashkëqytetarëve tanë, si përfaqësues i Bashkisë së Tiranës, si Kryetarë i Bashkisë së Tiranës, por në të njëjtën kohë të shpreh kënaqësinë që me evidentimin e këtij problemi u morën të gjithë hapat e menjëhershëm nga administrata që unë drejtoj dhe me këtë rast dua të përgëzoj drejtorinë përkatëse për t’i dhënë fund këtij problemi të kotë dhe kësaj sorollatje të pakuptimtë”, – theksoi Basha. Në Bashkinë e Tiranës janë aplikuar për procesin e privatizimit dhe janë në përfundimin e plotësimit të dokumentacionit ligjorë për t’u paraqitur Këshillit Bashkiak të Tiranës edhe 94 dosje të tjera. Procedurat për të cilat do të përfundojnë shumë shpejt ka garantuar kryetari i bashkisë, Basha. “I siguroj se kontrata po lidhen me të njëjtat çmime për privatizimin e banesave, sikundër kanë përfituar të gjithë banorët e këtyre banesave në vitet ‘90, pra me të njëjtin çmim. Nuk bëhet fjalë për shuma të papërballueshme, bëhet fjalë për 20 deri në 30 mijë lekë të reja që i ndajnë tashmë nga marrja e certifikatës së pronësisë. Ne jemi të vendosur që të procedojmë sa më shpejtë, prandaj i bëjmë thirrje të paraqiten përpara Bashkisë së Tiranës për t’i dhënë fund këtij kalvari të gjatë dhe të pakuptimtë problemesh me pajisjen me certifikatë pronësie. Sikundër dua të njoftojë që procesi do të vazhdojë edhe për disa kategori të tjera, për të cilat ne do të çojmë në Këshillin Bashkiak, kërkesën për privatizim, këto janë kategori banesash de fakto, por që në fakt i përkasin objekteve që për afro 20 vjetësh, ndonëse objekte me funksione publike janë okupuar nga banorë, janë kthyer në banesa. Ne do ta njohim këtë gjendje faktike dhe do t’u japim edhe këtyre banorëve të njëjtin shans siç kanë bashkëqytetarët e tjerë në kryeqytetin tonë për të qenë zotër në shtëpinë e tyre”, – ka përfunduar Basha.

 

 

Konsumatori

Agjencia në 3 muaj, mbi 3 mijë gjoba

Mbi 3000 mijë masa administrative ka ndërmarrë Agjencia në Mbrojte të Konsumatorit në këto muaj të parë të vitit. Inspektorët kanë monitoruar punën e më shumë se 9 500 subjekteve të ndryshme ushqimore. Sipas drejtorit të kësaj Agjencie, Gerond Ibrahimi, për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve bashkia e Tiranës është kujdesur dhe për certifikimin e 41 mijë bagëtive. Ndërsa nën kryetari i bashkisë, Petrit Vasili, garantoi se në vazhdimësi nuk do të lejohet, që të abuzohet në kurriz të konsumatorit me çmimet apo dhe me cilësinë e produkteve. Deklaratat u bënë në ditën botërore të konsumatorit. Një rrezik tjetër për qytetarët janë dhe kafshët endacake të rrugës, ku bashkia ka marrë vendim, për t’i mbledhur dhe vaksinuar e më pas ti kthejë sërish në natyrë. Nënkryetari i bashkisë, Petrit Vasili, ka evidentuar si arritje mbajtjen nën kontroll të çmimeve në prag të festave të fundvitit, kontrollin dhe eliminimin maksimal të therjes dhe tregtimit të mishit në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare, postimin e tregut të gjësë së gjallë, i cili paraqitej me një problematikë shumë serioze për qytetarët etj.