Liga e Kampioneve Bajern – Juve dhe PSG – Barça, kampionët zbulojnë “armët”

0
144

Përgatiti Altin Vorpsi

foto e liges se kampiobeve

Dje në mesditë u mbajt shorti i raundit të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve, i cili dha një supersfidë midis Bajernit dhe Juventusit, ndërsa shmangu derbet potenciale midis skuadrave spanjolle dhe gjermane. Barcelona, gjithashtu, nuk do ta ketë të lehtë që të avancojë më tej, pasi në rrugën e tyre janë vendosur francezët e Paris SG.

 

Në Nion të Zvicrës u hodh dje shorti i çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve, i cili zbardhi edhe ballafaqimet e këtij raundi. Real Madrid-Gallatasaraji, Barcelona-Paris SG, Bajern Mynih-Juventus dhe Malaga-Borusia Dortmund janë çiftet që do të ndeshen mes tyre në përpjekje për të kaluar në gjysmëfinale.

 

PSG dhe Gallata të pafat

Sikurse vihet re, shorti ka qenë bujar pasi nuk ka përplasje mes gjigantëve. Tek përfaqësuesit e klubeve, të pranishëm gjatë hedhjes së shortit, vihej re ankthi dhe dëshira për të shmangur Barcelonën dhe Realin e Madridit, por ky fat nuk u ka buzëqeshur parisienëve dhe turqve.

 

“Die Roten” gjejnë sërish “Zonjën e Vjetër” 

Sipas parashikimeve dhe pritshmërive, favoritët kryesorë për suksesin final janë tre, spanjollët katalanas dhe ata madrilenë, por gjithashtu edhe gjermanët e Bajernit të Mynihut, të cilët kanë humbur dy finale në tri vitet e fundit dhe këtë herë nuk duan të gabojnë, nëse arrijnë të shkojnë deri në finalen e 25 majit, në stadiumin “Wembley” të Londrës.

 

Formula e re

Ekipet që do të kualifikohen për gjysmëfinalet, do të përfshihen sërish në hedhjen e shorit, i cili do të mbahet në Nion më 12 prill, për të përcaktuar pastaj finalen e “Wembley”-t, e fiksuar të luhet më 25 maj. Çerekfinalet e para të Ligës së Kampioneve do të zhvillohen më 2 dhe 3 prill, ndërsa ato të kthimit më 9 dhe 10 prill. Sa u takon gjysmëfinaleve, datat e konsumimit të tyre janë të përcaktuara tashmë: më 23 dhe 24 prill (vajtje) dhe 30 prill e 1 maj (kthimi)

 

Historia

Turqit nuk e kanë frikë Realin

Real Madridi dhe Gallatasaraji janë takuar tri herë në Evropë. Për herë të parë në finalen e Superkupës së Evropës 2000, e fituar nga turqit. Pastaj, të dyja klubet i kanë matur forcat në Ligën e Kampioneve të sezonit 2000-2001, teksa në Stamboll fituan turqit 3-2, ndërsa në kthim triumfuan “Los Blancos” me rezultatin 3-0. Ndeshja e fundit ndërmjet dy ekipeve u zhvillua në gusht 2011, për trofeun “Bernabeu”. Të bardhët fituan 2-1, me gola të Serxhio Ramosit dhe Benzemasë, pasi më herët Inani e kishte kaluar në epërsi Gallatasarajin.

 

 

 

Paris SG-Barcelona

Leonardo (drejtor sportiv i PSG): “Më keq se Barcelona nuk mund të bëhej. Për më tepër, do të luajmë ndeshjen e parë në shtëpi, pa Ibrën, dhe të kthimit në “Camp Nou”. Ata janë një prej skuadrave më të mira në historinë e futbollit, por jo gjithmonë fiton më i miri. Jemi krenar për deri ku kemi mbërritur. Shpresoj që UEFA të reduktojë ndërkohë skualifikimin për Zllatanin”.

Andoni Zubizareta (drejtor sportiv i Barcelonës): “Asnjë ekip nuk mund të mbërrijë rastësisht në çerekfinalet e Champions League. Vlerësojmë pozitivisht faktin që ndeshjen e dytë do ta zhvillojmë në shtëpi, por duhet të tregojmë shumë kujdes, pasi Paris SG ka shumë futbollistë të mirë. Është një skuadër që ka lojtarë me përvojë, që dinë të luajnë këto lloj ndeshjesh”.

 

 

Real Madrid-Gallatasaraji

Aitor Karanka (zëvendëstrajner i Real Madridit): “Do të jetë një sfidë emocionuese dhe aspak e lehtë për skuadrën tonë. Gallatasaraji është një skuadër cilësore, me futbollistë të mëdhenj në përbërje, por edhe të tjerë më pak të njohur, që formojnë një ekip te vështirë për t’u mundur. Nisemi si favoritë, por duhet te justifikojmë këtë status me lojën tonë në fushë”.

Ali Durust (zëvendëspresident i Gallatasarajit): “Kur mbërrin në çerekfinale, të gjitha ekipet janë të forta, por Reali është mbi të gjithë. Pres që kjo ndeshje të ndiqet nga i gjithë komuniteti sportiv me shumë entuziazëm. Ne do të bëjmë më të mirën tonë për të dalë faqebardhë. Zakonisht, perceptohet se ndeshja e parë jashtë përbën një avantazh, por nuk mendoj se ka ndonjë diferencë, aq më shumë në një sfidë si kjo”.

 

Bajern Mynih-Juventus

“Don” Jup Hejnkes (trajner i Bajernit) – Pas shortit të së premtes, ka reaguar për faqen zyrtare të UEFA-s edhe trajneri i Bajernit të Mynihut, Jup Hejnkes: “Unë e di se Juventusi është një ekip shumë i mirë. I kam parë shumë gjatë dy viteve të fundit. Ata ishin kampionë të vitit të kaluar ne Serinë A dhe duket se do të jenë sërish të tillë në kampionatin italian. Nuk ka asnjë dyshim se bardhezinjtë kanë ekipin më të mirë në Itali për momentin, por kanë edhe një stadium të madh. Juventusi është shumë i fortë taktikisht, si në mbrojtje dhe në fazën ofensive. Unë jam i sigurt se do të jenë dy ndeshje të mëdha futbolli, pas të cilave shpresoj se mund të kualifikohemi ne për në gjysmëfinale. Personalisht, mendoj se kemi të bëjmë me një përballje shumë të hapur. Bardhezinjtë janë kundërshtarë shumë të fortë”.

Pavel Nedved: “Ne jemi krenar që jemi këtu, në mesin e tetë skuadrave më të mira në Evropë, duke përfaqësuar Italinë. Bajerni i Mynihut, kundërshtari ynë në çerekfinale, është një ekip i vështirë. Bavarezët janë me përvojë dhe kanë zgjidhje të mëdha në sulm. Do të jetë e vështirë, por shpresoj se Juventusi mund të mbërrijë në këto dy takime me dëshirën për të treguar se është me të vërtetë në lartësinë e emrit”.