Fushata Berisha prezanton risitë, town-halle me qytetarët dhe konventa

0
184

Ina Jano

berisha..Kryeministri lançon tre shtyllat se si do të realizohet projekti i punësimit të shqiptarëve për katër vitet e ardhshme

Deri në 23 qershor, gati edhe 23 herë për të votuar ligjet. Nëse PS-ja nuk i voton, referendumi mbahet në afatin më të afërt që e lejon Kushtetuta

Rama po zhbën listën e kandidatëve. Paraqitja e tyre është terror brenda partisë

 

Kryeministri Berisha ka zgjedhur pasditen e së dielës, për të prezantuar nismat më të fundit të Partisë Demokratike dhe risitë e fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Shefi i ekzekutivit nënvizoi se zgjedhjet janë një festë e madhe, por mënyra e festimit është e ndryshme, dhe sipas tij kjo është një arsye se përse taktika e demokratëve ka ndryshuar. Zoti Berisha tha se një nga risitë e kësaj fushate do të jenë takimet e zgjeruara me qytetarët ose siç quhen ndryshe town-holl-et. Kjo tashmë është një nismë e praktikuar nga shefi i mazhorancës, i cili e ka praktikuar me kategori të ndryshëm, si arsimtarë, nxënës apo edhe fermerët. Ndërsa duke zbuluar risitë e tjera, Kryeministri tha se për herë të parë do të mbahen konventa të ndryshme, të cilat do të kulmojnë me një super aktivitet që do të jetë edhe vendi se ku do të përfundojë përpilimi i programit me të cilin do të sfidohet “Rilindja” e PS-së. “Deri më 31 maj do të ketë takime intensive, komunikimi rrugë kryesore dhe tryezat e rrumbullakëta. Nuk më ka ra pasioni për debatet as për mitingjet, por zgjedhjet janë një festë e madhe dhe jo gjithnjë festat festohen në të njëjtën mënyrë. Risi konventat, një seri konventash që do të finalizojnë programet madhore të PD deri në konventën e fitores”,- deklaroi Kryeministri. Kreu i mazhorancës tha se nuk ka hequr dorë as nga mitingjet dhe as nga debatet televizive, por ka një taktikë të re në këto zgjedhje. Duke u ndalur në pikën e debatit televiziv, shumë të përfolur këto kohë, Berisha pohoi se nuk pranon që të imponohet asgjë nga “Pala tjetër po kushtëzon përpjekjet dhe nuk është ky qëllimi dinjitoz ndaj mediave të pavarura, ne do të marrim pjesë në çdo debat”, – tha Berisha.

Programi për punësim

Shefi i mazhorancës u shpreh se që nga dita e sotme dhe deri më 31 mars do të ketë prezantim të të gjitha hapave konkretë që do të ndjekë mazhoranca dhe të gjitha ato projekte që janë realizuar. Kështu për Kryeministrin do të ketë disa shtylla ku do të përqendrohet puna. “Pra shtylla e dytë kryesore do jetë reforma e thellë e tregut të punës. Ne kemi hedhur disa baza, në 4 vitet që vijnë do ndërtojmë ndërtesën e kësaj reforme që do e bëjë më të mbrojtur nga kriza ekonominë shqiptare. Shtylla e tretë më kryesore ku ne bazojmë punimin është integrimit në BE. Së pari statusit i vendit kandidat. 23 qershori po afron. Gjer me 23 qershori ne jemi të gatshëm të mbledhim parlamentin vetëm për të votuar ato 3 ligje. Por në rast se pala tjetër me një vullnet të sëmurë, vijon dhe insiston bllokimin e tyre ne në afatin më të parë ligjor do të thërrasim referendumin dhe unë kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarët do të zhbllokojnë dhe do i japin përgjigje më të mirë procesit të marrjes së statusit të vendit kandidat”, shtoi Berisha.

PS

Shefi i qeverisë është i treguar i rezervuar sa i takon kandidaturave për deputet të mazhorancës teksa ka akuzuar liderin socialist se po përdor terror në partinë Socialiste. Duke zhbërë listat e deputetëve. “As dhe socialisti i fundit, më i largët dhe me i afërt, nuk ka parë të mblidhet një forum i PD për të përcaktuar sic është rendi dhe rregulli qoftë dhe një kandidati. Unë nuk hyj tek emrat. Nuk them se kreu i PS apo PD nuk ka peshën e tij në emërimin e kandidaturave. Por përdorimi i kandidaturave për terror partiak nuk është demokratik. Nuk po bëhet lista, por po zhbëhet lista. Unë nuk them se nuk kam fjalën time me peshë për përcaktimin e listave, por nëse unë njërin e marr dhe e shoqëroj dhe them Eureka, kurse te tjerëve u them prisni sa të vijë Asambleja Kombëtare këtë as ati shpirtëror i Edi Ramës nuk e ka bërë ndonjëherë. Ky është terror, mekanizmi i zhbërjes së listës”,-  theksoi Berisha. Berisha u ndal edhe në bllokimin e statusit nga ana e opozitës. Ai ashtu si edhe e ka bërë më parë, Kryetarja e Kuvendit u shpreh i gatshëm që deri në ditën kur do të mbahen zgjedhjet, të mbledhin edhe 23 herë të tjera Parlamentin, për të votuar tre ligjet e integrimit.

 

 

Mazhoranca: Rama tre herë kundër rrugës së Arbrit, fjalët nuk përputhen me veprat

Menjëherë pas takimeve të kryesocialistit Rama, me socialistët e Dibrës dhe pas të gjitha premtimeve që ai u ka bërë edhe për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, reagoi dje deputeti demokrat i zonës Sherefedin Shehu. Ish-ministri i Financave, u shpreh se Rama thjesht ka vijuar të bëjë deklarata të cilat nuk përputhen absolutisht me veprat që kjo forcë politike ka bërë. Shehu ka risjellë në vëmendje të të gjithë qytetarëve faktin se deputetët socialistë nuk kanë votuar tre herë në sallën e Kuvendit, dhe ndaj tashëm është e kotë që ta sjellin si një projekt të tyren. “Z. Rama mund të ketë parulla, por ai nuk ka punët apo faktet për t’i mbështetur ato. Sajesa e fundit që vjen nga z. Rama sulmi i tij për Rrugën e Arbrit,  me të cilën mendon të gënjejë qytetarët që të harrojnë veprimet e tij për të kundërshtuar këtë rrugë. E vërteta është se Z. Rama i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër financimit të kësaj rruge 3 herë rresht, dhe hera e fundit vetëm para 3 muajsh, dhe se z. Rama ka përdorur çdo  mundësi për të bllokuar progresin për qytetarët me kusht që të marrë diçka për vete”, – u shpreh deputeti demokrat. Shehu vijoi duke thënë se Rruga e Arbrit është një premtim solemn dhe madhor i Partisë Demokratike dhe pavarësisht të gjitha sajesave të kryesocialistit puna ka filluar dhe është duke avancuar. “Ndërkohë që çështjet teknike kanë vonuar tunelin e Murrizit, tani që janë sqaruar këto probleme, brenda këtij viti do të fillojnë punimet për ndërtimin e tunelit dhe të urës së Vashës. 30 km janë ndërtuar tashmë (pauze) dhe ndërtimi po vijon si nga Bulqiza edhe nga Tirana. Gënjeshtra e fundit e Z. Rama është absurde dhe qesharake. Z. Rama duhet që të kërkojë ndjesë publike se ka detyruar deputetet e tij të votojnë kundër rrugës së Arbrit dhe kundër çdo rrugë tjetër dhe çdo investimi në këto 3 vite”, – nënvizoi gjatë deklaratës së djeshme, zoti Shehu. Ai i bëri thirrje opozitës që të mos bëjë premtime të tilla dhe as të mos dëshpërohen nga etja për pushtet, pasi edhe duke zëvendësuar një miliarder me një tjetrër njerëzit nuk do ta harrojnë veprimtarinë e tij bllokuese.

 

 

Vota e 16-vjeçarëve, LSI: 60 minuta për të ndërhyrë në Kushtetutë

Duket se koalicioni me Partinë Demokratike, është duke funksionuar aq mirë, saqë LSI-ja ka vendosur që ti japë një tjetër mbështetje të fortë, nismës së Kryeministrit Berisha për të bërë realitet votimin e mbi 100 mijë, 16-vjeçarë të vendit. Në një deklaratë për mediat ai u shpreh se kjo është një çështje vetëm e vullnetit politik. “Kur ka pasur vullnet, ju keni vënë re që Kushtetutat kanë ndryshuar brenda një nate, kodet zgjedhore të mos miratuara për muaj e muaj të tërë janë përfunduar brenda dy orësh. Pra, është çështje vullneti. Ne kemi besim të plotë se 16-vjeçarët janë një kategori e rëndësishme, mjaft mirë e formuar dhe me mentalitet krejt ndryshe. Duhet të përfshihen në jetën e vendit. Ka dhe forca të tjera politike, siç është PS që ju i referoheni që janë reflektare në këtë drejtim. Kjo është çështje ndarje filozofie”,- tha ai. Vasili u ndal dhe tek votimi i tre ligjeve të cilat sipas LSI-së duhej të ishin votuar me kohë si një detyrim ndaj Europës. Sipas nënkryetarit të LSI-së, forcat politike duhet të gjejnë rrugën e bashkëpunimit, ndërsa integrimi nuk duhet të ketë si mur ndarës datën 23 qershor.