Sonja Caka
Rezultatet e inspektimit publik, pas këqyrjes së plotë të dosjes. Prokuroria dërgoi në gjykatë çështjen si kundërvajtje dhe jo vepër penale, kërkoi dënimin me gjobë. Prrenjasi, jo i skeduar nga policia
Vendimi i dhënë pesë vjet më parë nga gjyqtarja Shefkije Demiraj do të kalojë tashmë në sitën e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, reagim ky i ardhur pas ngjarjes tronditëse të dy ditëve më parë. Në vendimin e gjykatës, gjyqtarja ka dënuar të pandehurin Ardian Prrenjasin, monstrën nga Librazhdi dhe me banim në Laprakë, vetëm me 60 mijë lekë gjobë, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë që, nga vendimi i gjykatës shihet qartazi se ishte organi i akuzës ai që e ka sjellë 45-vjeçarin para gjykatës jo për vepër penale, por për kundërvajtje, duke i kërkuar gjyqtares ta dënojë me 100 mijë lekë gjobë, nga ku pas pranimit të gjykimit të shkurtuar i ngelej për të paguar përfundimisht 70 mijë lekë gjobë. Neni 110/1 i Kodit Penal parashikon dënimin nga gjobë deri në 1 vit burg për akuzën me të cilën është sjellë Ardian Prrenjasi para gjykatës.
Reagimi
Përmes një reagimi zyrtar, Ministria e Drejtësisë bën me dije se “pas ngjarjes tronditëse të ndodhur dje në Tiranë, ku një mitur u dhunua dhe e mbajt peng nga shtetasi Adrian Prrenjasi dhe një tjetër (sipas dëshmisë së autorit dhënë organeve të policisë) është vrarë prej tij dhe pasi u njoh me faktin se ky shtetas është dënuar me gjobë nga gjykata, për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë” ndaj një tjetër të mituri, ministri i Drejtësisë ka kërkuar menjëherë inspektimin në Prokurorinë dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për rastin në fjalë”. Më tej, Ministria bën me dije se inspektimi do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme Çështjeve të Drejtësisë, me objekt kontrollin e veprimeve procedurale në procedimin penal nr. 1623, viti 2008 në ngarkim të të pandehurit Ardian Prrenjasi, i akuzuar për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”parashikuar nga neni 110/1 i Kodit Penal, me hetime paraprake të përfunduara me vendim dërgimi për gjykim, përfunduar së gjykuari me vendimin penal nr. 1555 datë 14.11.2008 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në fund të inspektimit pritet që të gjitha rezultatet t’i bëhen të ditura opinionit publik brenda një kohe të shkurtër.
Vendimi
Pa masë sigurimi, pra që do të thotë se as është ndaluar nga policia, Ardian Prrenjasi është përballur me akuzën në gjykatë, atë të “Heqjes së paligjshme të lirisë” së të miturit M. A. nga Lapraka. Ai është dënuar vetëm me 60 mijë lekë gjobë përfundimisht, pas kërkesës së prokurorit Blerim Tominaj për dënimin e tij me 100 mijë lekë gjobë. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit, duke e dënuar me gjobë. Referuar vendimit të gjykatës së dhënë në nëntor të vitit 2008, më datë 30 prill të këtij viti, rreth orës 04:00, i pandehuri Ardian Prrenjasi pasi ka mbaruar punë ka pirë alkool me dy shokë të tij deri në orën 05:00 dhe më pas ka marrë rrugën për në banesë. “I pandehuri, i cili kishte konsumuar mjaft alkool, rreth orës 11:00, ka ndaluar para derës së një banese private, përkatësisht e shtetases Zeqine Sula, ku aty ka parë dy djem të mitur duke luajtur dhe pa i njohur fare i është drejtuar njërit prej tyre dhe konkretisht kallëzuesit Mario Arapi, të cilit i ka kërkuar ta ndihmojë duke ia marrë çelësat e shtëpisë në xhepin e tij, me arsyetimin se i kishte duart pis. Kallëzuesi Mario Arapi ia ka nxjerrë çelësat të pandehurit pa menduar për keq, ku ky i fundit i ka kërkuar të miturit që t’i hapte derën e shtëpisë duke e ftuar atë që të hynte brenda. Kallëzuesi ka hapur derën dhe pasi janë futur brenda, ai i është drejtuar Mario Arapit duke i thënë se tashmë ishte i marrë peng… se babai i tij duhej të paguante para dhe në rast të kundërt, ai nuk do ta linte djalin të dilte nga banesa e tij. Situata e krijuar ka qenë e tensionuar për të miturin, i cili i lutej të pandehurit që ta linte të lirë, ndërkohë që jashtë banesës bërtiste kushëriri i Mario Arapit, pasi ai e pa që Mario po vonohej. Në ato momente i mituri shfrytëzoi rastin dhe u largua nga banesa, ku së bashku me kushëririn e tij Edvin Arapi shkuan tek familjarët e tyre dhe u treguan për ngjarjen e ndodhur e më pas shkuan në komisariatin e policisë nr. 3, ku bënë edhe kallëzimin përkatës. Para gjykatës, Prrenjasi ka shprehur pendim të thellë për veprimet e kryera, duke kërkuar një dënim të butë.
Masa e arrestit
Sot caktohet masa e arrestit në Gjykatën e Tiranës për monstrën Ardian Prrenjasi. Në seancën e njohjes me akuzën, 45-vjeçari do të mbrohet nga avokatja e caktuar kryesisht Vjollca Pustina, ndërsa akuza paraprake do të jetë ajo e “Marrëdhënieve seksuale me të mitur”, pasi ende nuk është gjetur trupi i pajetë i 11-vjeçarit Çela dhe nuk mund të ngrihet akuzë për vrasjen e tij.
Ardian Prrenjasi rezulton i paskeduar nga policia
Mbajtja peng e fëmijës në Laprakë 5 vjet më parë, policia nuk e ndaloi 45-vjeçarin
I paskeduar nga policia e kryeqytetit, edhe pse kishte mbajtur peng një fëmijë, i cili nëse nuk do të kishte kushëririn e tij pas derës që thërriste të lironte Marion, rrezikonte të përfundonte si Julian Çela. Ardian Prrenjasi, ndonëse ishte akuzuar nga prokuroria dhe dënuar nga gjykata për “Heqje të paligjshme të lirisë” së një të mituri, në skedarët e policisë nuk figuronte, madje si kontingjent nuk u shoqërua asnjëherë nga efektivët e komisariatit nr. 3, ndërsa familja e nëndrejtorit të antiterrorist në SHISH ngulmonte në zhdukjen e të birit. Policia e kryeqytetit nxitoi në deklarime duke u shprehur se fëmija ishte larguar me dëshirë, ishte kontingjent i fëmijëve të rrugës, madje edhe se kishte filluar përdorim droge. Por, ndërsa për 11-vjeçarin Çela policia gjeti disa versione largimi, për rrethin e kontigjentëve që kishin si synim abuzimin me fëmijët, mbajtjen peng të tyre apo kryerjen e veprimeve të turpshme me ta, uniformat blu nuk kishin asnjë lloj informacioni. Pavarësisht se mbajtja peng e fëmijës M. A. kishte ndodhur sërish në Laprakë, Prrenjasi nuk u shoqërua apo mbajt i survejuar asnjëherë nga efektivët e komisariatit nr. 3, ndërkohë që vetëm rastësia e ka ndihmuar dy herë policinë në gjetjen e autorëve, si në rastin e grabitësit serial-killer Viktor Gushi, ashtu dhe në arrestimin e maniakut seksual, pedofilit-vrasës Ardian Prrenjasi.
Prokurori Tominaj
“Jam i hapur për hetime, le ta inspektojnë dosjen. Nuk kam abuzuar me punën time, bëhet fjalë për kundërvajtje penale, dhe jo vepër penale në atë rast, dhe e kujtoj për çfarë bëhet fjalë. Për këtë arsye është kërkuar nga gjykata dënimi me gjobë dhe jo me burg”, – mbyll reagimin e tij një ditë pas ngjarjes prokurori Blerim Tominaj.
Gjyqtarja Demiraj
Pesë vjet më parë, gjyqtarja Shefkije Demiraj do ta dënonte vetëm me gjobë maniakun Ardian Prrenjasi, i sjellë në gjykatë nga prokuroria për kundërvajtje penale, ndërsa ishte kërkuar dënimi me gjobë 100 mijë lekë. Pasi ka administruar dosjen e akuzës dhe kërkesën për dënimin me gjobë, gjykata e dënoi me 60 mijë lekë gjobë.
Elio Mazreku
Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, ish-numri dy në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, aktualisht prokuror në këtë organ, shkruan: “Të habit fakti që s’kanë një database me personat që kanë prirje të këtij lloji, për më tepër që ishte i dënuar. Mungesë profesionalizmi ditën për diell. E kemi hallin te gjëra të tjera me policinë, jo me hetimin dhe mbajtjen në survejim të krimineleve”.
Prokurori Karanxha
Ervin Karanxha është prokurori që do të mbrojë akuzën para gjykatës. Gjatë gjithë ditës së djeshme ai ka qenë në terren, në këqyrjen e banesës dhe në vendin ku deklarohej se ishte hedhur kufoma, ndërsa njihet si një nga prokurorët që ka hetuar një numër të madh çështjesh, kryesisht vrasje. Pritet që sot në gjykatë i akuzuari të vijë vetëm për rrëmbimin e A. Canit.