Sonja Caka
Arrestimi, 9 muaj pas krimit nga Policia Kufitare, zbriti nga trageti i linjës Ankona-Durrës
Vrau gjysh e mbesë për gjakmarrje në një fshat të Dukagjinit, i shpëtoi kapjes së policisë në atë kohë dhe për 9 muaj të tjerë, për të rënë dje në pranga sapo ka zbritur nga linja e tragetit Ankona – Durrës. Një ndër tre të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë, hakmarrja e të cilëve nuk u kurseu as një femër 17-vjeçare, ishte arratisur për në Itali pas ngjarjes dhe u rikthye dje, duke pretenduar se nuk kishte asnjë lidhje me krimin e qershorit të vitit të kaluar. Policia Kufitare e Durrësit e arrestoi 34-vjeçarin Arjan Prroi në momentin kur zbriti nga trageti i linjës Ankona – Durrës, ndërsa ishte në kërkim pasi Gjykata e Apelit një vit më parë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për vrasje të dyfishtë. Sipas policisë, Prroi në bashkëpunim me xhaxhallarët e tij akuzohet se në qershor të vitit 2012 vrau për hasmëri Marije Qukajn, 17 vjeçe, dhe gjyshin e saj Kolë Qukaj, 70 vjeç. Hasmëria midis familjeve Prroi dhe Qukaj kishte nisur në vitin 2010. Gjokë Qukaj kishte vrarë me armë zjarri pas një sherri për vijën e ujit Ndoc Prroin, babain e 34-vjeçarit.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 14 qershor të vitit të kaluar në lagjen Kasnec të fshatit Kir të Komunës Pult në Dukagjin të Shkodrës. 17-vjeçarja Marie Qukaj dhe gjyshi i saj 70-vjeçari Kolë Qukaj mbetën të vrarë me armë zjarri, ndërsa ishin duke vaditur parcelat me misër pranë banesës së tyre, në qershor të vitit 2012. Sipas policisë, 34-vjeçari Arjan Prroi dhe dy xhaxhallarët e tij morën hak duke vrarë vajzën dhe gjyshin, për shkak se dy vjet më parë vëllai dhe nipi i viktimave, shtetasi Gjokë Qukaj, kishte vrarë me armë zjarri pas një sherri për vijën e ujit, shtetasin Ndoc Prroi, i cili është babai dhe vëllai i autorëve të ngjarjes. Pas krimit të korrikut 2010, të dyja familjet ishin futur në gjak. Edhe pse autori i krimit ishte dënuar nga drejtësia dhe ndodhej në burg për të vuajtur pasojat e këtij krimi, hakmarrja nuk ka vonuar. Afro dy vjet më vonë, familja tjetër realizon krimin makabër, duke vrarë gjyshin e autorit të krimit, si dhe motrën e tij vetëm 17 vjeçe në të njëjtën mënyrë siç u ndodhi edhe atyre krimi.
Detaj
9 muaj pas krimit të rëndë, policia kufitare kapi në portin e Durrësit, sapo zbriti nga trageti, njërin nga autorët e vrasjes së dyfishtë