Driçim Çaka
Të dhënat e AKEP-it tregojnë një interes në rritje të të rinjve për të blerë një celular me internet. Më shumë se 70% e gjimnazistëve kanë një celular me internet, në të cilin navigojnë çdo ditë edhe në orët e mësimit
Zhvillimi i teknologjisë ka marrë përmasa të mëdha. Disa vite më parë, në Shqipëri nuk konceptohej ende interneti në celular, ndërsa sot e gjen në telefonin e çdo të riu. Zhvillimi ka ecur me hapa galopantë deri në futjen e teknologjisë 3G, e cila njihet si mënyra me e shpejtë për të naviguar në internet. Vitin e fundit është rritur interesi për internetin me USB që ofrohet nga kompanitë celulare. Kjo formë parapëlqehet nga qytetarët, pasi nuk duhet që të nënshkruajnë kontrata me kompanitë e tjera, por cilësia e shërbimit me USB vazhdon të jetë në nivele të ulëta. Të dhënat e AKEP-it tregojnë një interes në rritje të të rinjve për të blerë një celular me internet. Po kështu, më shumë se 70% e gjimnazistëve kanë një celular me internet, në të cilin futen thuajse çdo ditë. Interneti në vendin tonë nuk njihet për mundësi kërkimi të materialeve shkollore apo për studime të ndryshme, interneti shikohet gjerësisht si një mënyrë më e lehtë komunikimi dhe krijimit të një shoqërie të re.
Çmimet
Por sa paguhet interneti nga shqiptarët? Sipas të dhënave në AKEP, çmimi i internetit për një “mega byte” (mb) varion nga 50-80 lekë të reja. Çmim ky disa herë më i lartë se vendet e rajonit, madje më i lartë edhe se në shtete si Italia dhe Greqia, që të ardhurat i kanë sa trefishi i qytetarëve në vendin tonë. Por si shpjegohet ky fakt? Sipas Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, shkak për këtë situatë është mungesa e një autoriteti mbikëqyrës. Kjo u le vend kompanive celulare për të abuzuar me çmimet dhe për të vendosur tarifa sipas dëshirës së tyre. Duke pyetur kompanitë celulare se a është i vërtetë çmimi 70 lekë të reja për një mb, na kanë konfirmuar këtë fakt duke u shpjeguar se ky çmim lidhet me cilësinë që ofrohet. Shumë qytetarë ankohen çdo ditë në Zyrën për Mbrojtjen e Konsumatorit me abuzimet që bëhen dhe pyetjet më të shpeshta janë: “Si ka mundësi që kur bën një ofertë me 50-70 lekë të reja përfiton 40-50 mb dhe kur s’bën ofertë kompanitë celulare të llogarisin një mb 70 lekë të reja”. Po kështu ankesa ka dhe për sa i përket cilësisë në disa aparate celularë ku pavarësisht se thuhet që shërbimi 3G është funksional përsëri interneti është shumë i ngadaltë.
Ku, si dhe sa përdoret interneti
Përdorimi më i shpeshtë i internetit për shqiptarët vazhdon të jenë kompjuterat e shtëpisë ose qendrat e internetit të cilat tërheqin klientë. Sipas të dhënave në dy qytetet kryesore, Tiranë dhe Durrës, më shumë se 60% e familjeve kanë internet në shtëpi, dikush me lidhje të tjerë me USB. Po kështu, ka një numër të madh familjesh që ende nuk e kanë vendosur internetit dhe që nuk e shikojnë si një të mirë të domosdoshme. Këto familje justifikohen me arsyen se nuk kanë përse të kenë internet dhe se kushtet financiare nuk e lejojnë. Në vendet më të zhvilluara në botë, interneti nga të rinjtë përdoret për kërkime, për njohjen e dukurive të rralla, si dhe për të njohur më shumë botën. Në Shqipëri rrjetet sociale “Facebook” dhe “Twitter” janë faqet më të klikuara. Po kështu, një adresë tjetër e klikuar është dhe “Youtube” që përdoret për muzikën.
Goxhaj: Ka shumë abuzime me çmimet
Në një prononcim për gazetën, drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Altin Goxhaj, shprehet se çmimet tavan vendosen nga AKEP, por çmimet e ofertave vendosen nga kompanitë celulare. Për sa u përket çmimeve të internetit, Goxhaj thekson se vendosen nga vetë kompanitë. Lidhur me çështjen nëse ka abuzime nga ana e kompanive celulare, drejtori për Mbrojtjen e Konsumatorit shprehet se ka shumë, sidomos në çështjen e çmimeve.