Bajerni i Mynihut shënjestron Ksavi Alonson

0
164

Përgatiti Altin Vorpsi

imagesSipas “Punto Pelota”, Alonso, duke refuzuar rinovimin me Realin, detyron klubin ta shesë në verë

 

 

Pep Guardiola mund të jetë çelësi që do të sjellë Ksavi Alonson tek Bajerni i Mynihut. Tekniku spanjoll kërkon ta joshë mesfushorin e Realit të Madridit. Tek këta të fundit Alonso konsiderohet si “truri” i skuadrës. Kështu, sipas programit investigativ në Spanjë “Punto Pelota”, pas 5 muajsh negociata të bllokuara, i ka thënë përfundimisht jo kontratës së re në “Bernabeu”.

 

Gazetari

Pep Pedrerol nënvizoi se Guardiola po e vlerëson me shumë interes situatën dhe është gati të përfitojë, duke e joshur të luajë me rekordmenët gjermanë. Sipas programit televiziv, 31-vjeçari emri i të cilit përflitet për një rikthim të mundshëm në “Anfield Road” në rast se largohet nga Spanja, është në listën e Bajernit për sezonin e ardhshëm. Pep ka kalkuluar gjithçka për të përforcuar dyshen e mesfushorëve përpara mbrojtjes dhe emri i Ksavit është përfolur edhe në zyrën e Hënesit dhe Rumeniges.

 

Kontrata

Numri “14”, kontrata e të cilit skadon verën e 2014-ës, është lojtari ideal për të klonuar lojën katalanse tek gjermanët. Ai do të krijonte dyshen e ëndrrave me Shvajnshtajgerin, duke e spostuar Havi Martinezin në qendër të mbrojtjes si partner të Dantes. Me një lëvizje të tillë, Guardiola do të përforconte dy pozicione njëkohësisht: Në radhë të parë muskujve të Shvajnit do t’i shtohej një numër “6” i mirëfilltë ndërtues si Alonso. Dhe në radhë të dytë, Martinez është sprovuar si stoper që tek Bilbao. Prandaj kur Hënes shpenzoi 40 milionë euro për spanjollin, e dinte se po transferonte një lojtar universal në skuadër. Guardiola do të ketë 280 milionë euro në dispozicion për të shpenzuar në merkaton e verës, por Ksavi është një lojtar ashtu si Pep, i cili ka treguar se vlerëson më shumë projektin se milionat. Sa i përket sulmit, alternativa më e mundshme është Levandovski, por ëndrrat mbeten Luis Suarez dhe Nejmar.

 

Koloni katalanase

Pep Guardiola do të marrë me vete 3 katalanas kur të nisë punën tek Bajerni në qershor. Bëhet fjalë për ish-stafin e ngushtë të trajnerit spanjoll. Sipas shtypi iberik Guardiola do të tentojë të marrë me vete fizioterapistin Emili Rikart, por edhe menaxherët Domenek Torrent dhe Karlos Plançar. Me këtë treshe Pep ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer gjatë 4 viteve të tij në “Kamp Nou”. Këta të fundit vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës katalanase, e cila tashmë drejtohet nga Tito Vilanova dhe Hordi Roura. Qëllimi i rikthimit të trajnerit në Barcelonë ditën e martë është në radhë të parë takimi me stafin katalanas. Ajo që është e sigurt është fakti që Manel Estiarte pritet të jetë një nga njerëzit e tij të besuar te Bajerni, ndërsa është konfirmuar se një prej asistentëve të Pepit do të jetë gjerman dhe do ta zgjedhë Bajerni.

 

 

“McDonald” përgatiti ushqim me emrin e Pepit

Presidenti i Bajernit, Uli Hënes, nuk ka blerë vetëm një trajner, por edhe një markë të njohur në “Alianc-Arena”. Rrjeti amerikan i ushqimeve të shpejta në Mynih, “McDonald” do të prodhojë një produkt ushqimor që do të mbajë emrin e trajnerit 42-vjeçar të Bajernit, duke u quajtur “The Hot Pep Guardinator”. Produkti do të ketë bazë mishin e pulës dhe do të shitet vetëm në Bavari dhe rrethinat e këtij landi.

 

 

“Wall Street Journal”

Ja lojtarët që nuk këndojnë himnin

Karim Benzema nuk e këndon “Marsejezën”, himnin francez? Në fakt, sulmuesi i Realit të Madridit nuk është i vetmi futbollist që nuk preferon të këndojë para ndeshjeve të kombëtares. Edhe Zinedin Zidan, që mbetet një nga ikonat e futbollit francez, nuk e këndonte “Marsejezën”, megjithatë në fushën e blertë shfaqej me plot virtuozitet dhe elegancë. Çështja “Benzema” ka nxitur “Wall Street Journal” të bëjë një studim për të nxjerrë me përqindje se sa e kanë kënduar titullarët e përfaqësueseve të ndryshme himnin kombëtar në dy takimet e para të finaleve të Euro 2012. Dhe në fakt përfundimet tregojnë se ky fenomen nuk prek vetëm kombëtaren franceze. Futbollistët e Polonisë, Greqisë, Italisë dhe Anglisë ishin të vetmit që e kënduan 100% himnin kombëtar, ndërkohë që ndenja patriotike bie dukshëm te përfaqësuesja e Rusisë. Vetëm 63.6% të futbollistëve që drejtoheshin nga holandezi Dik Advokat e këndonin himnin rus. Pas përfaqësueses së Rusisë vjen Gjermania, me vetëm 68.2% të lojtarëve të saj që e këndonin himnin. Mezut Ëzil, Sami Kedira dhe Lukas Podolski, me prejardhje respektivisht turke, tuniziane dhe polake, preferonin heshtjen para këndimit të himnit gjerman. Ky qëndrim i një pjese të futbollistëve që drejtohen nga Hoakim Lev, mori ngjyrim politik, aq sa u desh ndërhyrja e ministrit të brendshëm të Gjermanisë, Hans – Peter Fridrish, i cili theksoi se pas një ndeshjeje të humbur nuk duhet të kërkohen arsye të tilla për ta justifikuar dështimin. Pas Gjermanisë vijnë përfaqësueset e tjera si Ukraina, Irlanda, Holanda, Suedia dhe Franca, që kanë një pjesë më të vogël të futbollistëve që nuk e këndojnë himnin. Nga ana tjetër e Atlantikut, pikërisht në Argjentinë, Lionel Mesi, katër herë fitues i Topit të Artë, është akuzuar se nuk e njeh himnin kombëtar, por edhe që jep më shumë me Barcelonën sesa me formacionin bardhekaltër. Një tjetër ikonë e futbollit botëror, Rajan Gigs, gjatë Olimpiadës së Londrës refuzoi të këndonte “God save the Queen”, me justifikimin që është më shumë himn anglez sesa britanik. Rebelimi apo bindja për të mos e kënduar himnin në disa raste janë kthyer në çështje kombëtare. Rasti më i freskët është përjashtimi i sulmuesit Adem Ljajiç nga kombëtarja e Serbisë, sepse nuk e këndoi himnin serb në miqësoren me Spanjën.

 

Replika

FIFA u përgjigjet akuzave të Murinjos

FIFA ka mbajtur publikisht qëndrim kundër Zhoze Murinjos dhe akuzave të këtij të fundit për manipulim në votimin dhe numërimin e votave për çmimin “Trajneri i Vitit”, të fituar nga Vinsente del Boske dhe ku portugezi doli i dyti në renditje. “A pendohem që nuk shkova te mbrëmja gala? Jo, ishte vendim i drejtë. Më telefonuan më shumë se një herë. Dy apo tre persona më thanë se kanë votuar për mua por ata rezultonin të kishin dhënë vota të tjera, ndaj unë vendosa të mos shkoj. FIFA dinte që kishte parregullsi por nuk bëri asnjë hap për të ndrequr padrejtësitë”, – ishte akuza e lëshuar nga Murinjo nëpërmjet televizionit kombëtar portugez. Por FIFA është kundërpërgjigjur sot duke i cilësuar absurde këto pretendime të trajnerit të Real Madrid. “Mund të konfirmojmë se lista e votave të publikuara në FIFA.com është e saktë”, ishte deklarata e dalë nga zyra e shtypit e këtij institucioni rreth kësaj çështje që ka shkaktuar shumë bujë, pasi Murinjo në mënyrë indirekte ka akuzuar Vinsente del Bosken se ka ndërhyrë nëpërmjet miqësive për të fituar këtë çmim.

 

Merkato

Jaja Ture i jep ultimatum Sitit

Jaja Ture duket se është shumë pranë largimit nga Mançester Siti, pasi ka pasur dje një përplasje të madhe me klubin rreth një kontrate të re. Mesfushori ka një marrëveshje ekzistuese me klubin deri në vitin 2015, por menaxheri i tij pretendon që futbollistit t’i ofrohet një kontratë e re deri këtë të shtunë, në të kundërtën do të nisë bisedimet me klubet e tjera që interesohen për lojtarin. Sipas asaj që është mësuar, mesfushori 29 vjeçar e ndjen veten të nënvlerësuar në radhët e skuadrës së Mançinit, ndërsa mendon gjithashtu se klubi po e injoron duke mos i ofruar një kontratë të re. Kjo shtyu menaxherin Dimitri Seluk që të bënte një deklaratë mjaft të bujshme për “The Sun”. “Nuk mendoj se do të qëndrojë te Siti. Kjo gjë do të ndodhë vetëm nëse firmos një kontratë të re brenda katër ditëve të ardhshme. Nëse jo, nuk do të presim më gjatë. Ne do të themi: ‘Faleminderit, por Jaja do të largohet në maj’”, – ishte deklarata e tij për gazetën angleze. “Këtu nuk bëhet fjalë për para. ai dëshiron të largohet për shumë arsye. Ai nuk ndjen respektin e stafit. Të vjen keq që Siti paguan shuma të mëdha por nuk e kupton që marrëdhëniet njerëzore kanë më shumë vlerë se gjithçka. Jaja ndjen se klubi nuk e dëshiron”.

“Ai është i paguar mjaft mirë te Siti dhe është i pari që e pranon një gjë të tillë. Por ai është numri 1 në botë në pozicionin e tij dhe mund të marrë të njëjtën shifër në ndonjë klub tjetër. Ai ka qenë gati të firmoste kontratën e re me të njëjtat kushte financiare në këto 6 muajt e fundit. Nëse klubi do ta kishte dashur me të vërtetë Jaja, do ta kishin ofruar një kontratë të tillë prej kohësh”, – deklaroi Seluk.