Përurimi i rrugës Gramsh – Kodovjat Berisha: Investimi në infrastrukturë gjeneron mijëra vende pune

0
157

Ina Jano

1363881024-1Punësimi, prioritet i mandatit të ardhshëm, alternativa e Ramës është gënjeshtra

 

Kryeministri Berisha ka qenë dje i pranishëm në përurimin e segmentit rrugor Gramsh – Kodovjat. Gjatë përshëndetjes së tij për të gjithë banorët, kreu i qeverisë ka deklaruar se ndërtimi i infrastrukturës në fakt gjeneron mijëra vende pune dhe kjo është një praktikë që do të vijojë të ndiqet nga mazhoranca edhe në mandatin e ardhshëm, duke nënvizuar se punësimi është një nga prioritetet më të mëdha të Partisë Demokratike. “E tërë përpjekja jonë është dhe do të jetë që të krijojmë sa më shumë vende pune, të krijojmë 4 vitet që vijnë edhe 250 mijë vende të reja pune”, – u shpreh lideri i mazhorancës. Për Kryeministrin, Sali Berisha ky është premtimi më i rëndësishëm i Partisë Demokratike për të fituar një mandat tjetër qeverisës për të realizuar projektin Shqipëria, një vend i zhvilluar. Duke u ndalur në programin e kryesocialistit, Berisha tha se në fakt opozita nuk ka asnjë program dhe se e gjitha është një gënjeshtër. “Katër vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka për të nxituar artizanatin në mbarë vendin dhe do të krijojmë grande për artizanët, do të krijojmë grande, të cilat do të ndihmojnë ata për të nxjerrë në treg prodhimet e tyre. Këto janë llogaritë tona dhe këtyre iu duhet tu besoni, sepse këto janë të provuara, ekzistojnë dhe një alternativë tjetër, e cila është gënjeshtër, gënjeshtër dhe vetëm gënjeshtër”, – pohoi kreu i qeverisë duke iu drejtuar selisë rozë.

Dy sektorë të tjerë ku do të hapen vende të reja pune sipas planit të Partisë Demokratike janë turizmi, me rreth 40 mijë persona më shumë dhe sektori i bujqësisë, ku gjatë katër viteve të fundit, sipas Kryeministrit janë kredituar me grante qeveritare 42 mijë familje dhe janë punësuar 100 mijë persona. “Çfarë premtojmë? Në 4 vitet që vijnë të punësohen jo 100 mijë por 130 mijë shqiptarë dhe ju jap fjalën se ne do të dyfishojmë grantet për fermerët e Gramshit dhe mbarë Shqipërisë”, – tha Berisha. Kreu i ekzekutivit llogariti që paketa e re fiskale, që heq TVSH-në e imputeve bujqësore, makinerive për të gjitha bizneset, heqja e tatim fitimit për personat me paga deri në 300 mijë lekë dhe heqja e detyrimeve tatimore për tre vjet për bizneset që punësojnë të rinj, do të risin në 4 vitet e ardhshme me 30 për qind numrin e bizneseve në Shqipëri.

Investimet

Rruga Gramsh – Kodovjat me gjatësi 13,4 km dhe gjerësi 5 – 6 m është një financim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 500 milionë lekësh. Nga ndërtimi i kësaj rruge përfitojnë 13 mijë banorë në komunat Kodovjat, Pishaj, duke shërbyer edhe si arterie kryesore për komunat Kukur e Lenie të këtij rrethi. Investimi i shërben zonës në zhvillim nga ndërtimi i hidrocentraleve në Kaskadën e lumit Devoll. Gjatë këtyre viteve në rrethin e Gramshit janë investuar 8 herë më shumë se qeverisja e PS. Janë ndërtuar mbi 80 km rrugë, 25 Shkolla, 10 ujësjellës dhe 18 ambulanca e qendra shëndetësore. Janë subvencionuar mbi 500 fermerë ose 400 ha me ullinj, bajame, vreshta, blegtori e dru frutor. Qeveria ka kontraktuar dhënien me koncesion të ndërtimit të 9 HEC-ve duke krijuar mundësinë e hapjes së vendeve te reja të punës. Ndërsa numri i bizneseve të reja është rritur në 800 nga 530 biznese që ishin në 2006. Kryeministri garantoi kryetarin e komunës se qeveria do të investojë çdo projekt që do të hartohet për zhvillimin e komunave dhe se në Gramsh do të ketë një transformim të madh të infrastrukturës së vendit. “Rruga Gramsh-Elbasan do të fillojë brenda pak muajve ndërtimin e saj dhe jo nga ajo që ju mashtrojnë ju se do kalojë nga kodrat. Absolutisht. Ajo do jetë buzë liqenit dhe do të jetë një nga rrugët më panoramike, do jete 10 kilometra më e shkurtër”, – tha numri një i kabinetit qeveritar.

 

Kryeministri firmos kontratën për ndërtimin e Kaskadës së Devollit

Menjëherë pas përurimit të rrugës Gramsh-Kodovjat, Kryeministri Sali Berisha ka postuar në faqen e tij në Facebook, firmosjen e një kontrate, e cila do të gjenerojë 4 deri 5 mijë vende të reja pune. Kreu i qeverisë thotë se ka nënshkruar kontratën e modifikuar për ndërtimin e kaskadës së Devollit nga kompania më e madhe në ndërtimin e hidrocentraleve në botë, Shtatkraft e Norvegjisë. Në faqen e tij në Facebook, Kryeministri shprehet se aktualisht ky është investimi më i madh në Evropë, në fushën e hidroenergjisë dhe investimi privat më i madh në historinë e vendit tonë. Shefi i qeverisë shkruan se në rrethin e Gramshit janë për tu ndërtuar 9 hidrocentrale, kurse në mbarë vendin, deri tani janë firmosur kontrata koncesionare për ndërtimin e 362 hidrocentraleve, në të cilat do të punësohen mbi 30 mijë punëtore, inxhinierë dhe teknike.

 

Berisha, takim me NDI: Rama, gati skenarin e bllokimit të zgjedhjeve

Kryeministri priti një delegacion të NDI (Institutit Demokratik Amerikan), ku qëllimi kryesor ishte vlerësimi i përgatitjeve për zgjedhjet e 23 qershorit. Berisha i siguroi miqtë për vullnetin e palëkundur të qeverisë së drejtuar prej tij, për zgjedhje të lira e të ndershme. Në këtë aspekt, ai siguroi se qeveria po bën të gjitha përpjekjet për një proces zgjedhor sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, si dhe nënvizoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke punuar me konsensus dhe ritëm për sigurimin e infrastrukturës zgjedhore. Shefi i qeverisë nënvizoi arritjet në miratimin e kornizës ligjore plotësisht konsensuale, sipas rekomandimeve të ODIHR-it dhe propozimeve të opozitës, saktësinë e lartë të listave të zgjedhësve, identifikimit të zgjedhësve etj. Në mënyrë të veçantë, ai vlerësoi si një përmirësim të madh rritjen e ndjeshme të kapaciteteve të numërimit, ç’ka do të sjelle ulje drastike të kohës së shpalljes së rezultatit, rrit transparencën, besimin dhe legjitimitetin e rezultatit të zgjedhjeve. Kryeministri theksoi se pranimi i rezultatit të zgjedhjeve të lira e të ndershme është themelor në demokraci dhe se lideri i opozitës, z. Rama, po përgatit skenarin e kontestimit të zgjedhjeve duke bërë akuza të pabaza apo duke bllokuar vendime të rëndësishme, siç ishte rritja e shpejtësisë së numërimit nëpërmjet rritjes së numrit të ZAZ-ve apo bllokimi i shpërndarjes së mandateve. Kryeministri shprehu shpresën që opozita do të përfshihet me vullnet të mirë në procesin zgjedhor dhe do të heqë dorë nga bllokimi, por nënvizoi se deklarimet paraprake të zotit Rama që vënë në pikëpyetje njohjen e rezultatit, minojnë interesin publik për një proces zgjedhor të gjithëpranuar. Guvernatori Dean e falënderoi Kryeministrin Berisha për ekspozenë dhe qëndrimet e mazhorancës. Ai shprehu kënaqësinë për progresin shumë të madh që ka bërë Shqipëria në 20 vjet, në mënyrë të veçantë në fushën e zgjedhjeve. Ai vlerësoi se vendi ka bërë progres të mëtejshëm në përgatitjet zgjedhore edhe përkundër zgjedhjeve të vitit 2011 dhe inkurajoi vazhdimin e përpjekjeve të mëtejshme.

 

 

21-vjetori i fitores së PD-së, sot koncert festiv

Data 22 mars shënon ditën e fitores së parë të Partisë Demokratike, pasi u rrëzua sistemi komunist në vend. 21 vjet më parë, në zgjedhjet e lira dhe të ndershme të parat pluraliste që zhvilloheshin në vend, selia blu mori votëbesimin e qytetarëve për të drejtuar vendin. Partia Demokratike erdhi në pushtet atëherë kur Shqipëria ishte në kushtet më të vështira ekonomike, sociale dhe politike. Ideali i qytetarëve shqiptarë për ta parë Shqipërinë si një vend të lirë dhe evropian. 22 marsi u shndërrua në Shqipërinë e lirive dhe të drejtave njerëzore, në vendin e hapjes me shpejtësi drejt Evropës dhe botës, në Shqipërinë e reformave të thella të liberalizimit dhe privatizimit të ekonomisë, në avokaten e palëkundur të çështjes së shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë. Sot në mesditë në sheshin “Nënë Tereza” do të mbahet një koncert festiv, ku kreu i kësaj force politike do të mbajë edhe një fjalim. Pritet që ai të adresojë në përshëndetjen e tij të gjitha arritjet e Shqipërisë gjatë këtyre viteve, ndërsa pritet që të bëjë edhe një parashtrim të programit të ardhshëm elektoral, duke qenë se në 23 qershor mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në vend.