Pranga 3 vëllezërve baronë të drogës, trafikuan 1 ton hashash

0
288

Elton Qyno

hashsashOperacioni “Underground-AL” shkatërron bandën e trafikut Shqipëri-Itali

Në pranga 10 persona, Lazaratin e quanin hambarin e drogës për trafikim

 

Shkatërrohet një bandë e cila drejtohej nga tre vllezër dhe që kishte si specialitet trafikun e drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Dhjetë persona janë arrestuar gjatë operacionit me emrin e koduar “Underground-AL”, i cili ka nisur njëkohësisht në Shqipëri dhe Itali në orën 04:00 të mëngjesit të djeshëm. Këta persona dyshohet se kanë trafikuar më shumë se 1 ton lëndë narkotike marijuanë si edhe sasi të mëdha kokaine dhe heroine me një vlerë prej 7 milionë eurosh. Tre pjesëtarë të organizatës kriminale, njëri prej të cilëve kreu i saj, janë prangosur nga policia e Vlorës, e cila angazhoi 50 forca të saj në këtë aksion. Ndërsa 7 persona të tjerë janë arrestuar nga policia italiane. Ndërkohë që për sa i përket sigurimit të drogës, fshati Lazarat ka qenë një hambar i madh për grupin që arrinte të blinte drogën në këtë zonë dhe më pas ta trafikonte atë me gomone dhe mjete të tjera në drejtim të shtetit Italian, ku shpërndahej në zona të ndryshme të këtij shteti.

Operacioni “Underground-AL”

Operacioni i koduar “Underground-AL”, i cili ka nisur njëkohësisht në Shqipëri dhe Itali në orën 04:00 të mëngjesit të djeshëm, ka ardhur pas një hetimi njëvjeçar mes dy palëve, që drejtohej nga Antimafia italiane dhe Prokuroria për Krimet e Rënda në vendin tonë. Tre pjesëtarë të organizatës kriminale, njëri prej të cilëve kreu i saj, janë prangosur nga policia e Vlorës, e cila angazhoi 50 forca të saj në këtë aksion. Ndërsa shtatë persona të tjerë janë arrestuar nga policia italiane. “Policia e Vlorës ka vënë në pranga drejtuesin e organizatës, Robert Haruni, 35 vjeç, banues në Vlorë, vëllain e tij Marinel Haruni, 31 vjeç, dhe të dyshuarin tjetër Alfor Kurupi, 25 vjeç, banues në Sarandë. Shtatë pjesëtarë të tjerë të organizatës janë arrestuar në Itali. Ata janë Luigj Makaj, 30 vjeç, lindur në Shkodër, Jeton Makaj, 24 vjeç, lindur në Shkodër, Klaudio Paluka, 31 vjeç, lindur në Rrëshen, Ilir Ago, 30 vjeç, lindur në Fier, Lulzim Haruni, 31 vjeç, vëllai i kreut të organizatës, Leonard Arapi, 31 vjeç, lindur në Durrës dhe Dritan Rrotani, 37 vjeç, lindur në Shkodër. Të gjithë rezultojnë se janë rezidentë në Venecia”, – ka bërë me dije drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Sipas hetimeve të kryera, sasia e madhe e lëndës narkotike e trafikuar nga organizata kriminale sigurohej në Lazarat dhe trafikohej drejt Italisë, duke përdorur rrugë dhe metoda të sofistikuara.

Transporti me kamionë

Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se transportimi i drogës bëhej kryesisht me kamionë në pronësi të të arrestuarve apo të shoqërive të ndryshme të transportit. Aktualisht, policia e Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, po heton edhe pasurinë e të arrestuarve, pasi, sipas përllogaritjeve të autoriteteve italiane, ata mendohet se kanë trafikuar drogë me vlerë 7 milionë euro. Operacioni është mbështetur nga forcat e policisë edhe në Shkodër, Lezhë dhe Fier, pasi janë ushtruar kontrolle në banesat e të arrestuarve në Itali. Policia tha se gjatë operacionit janë sekuestruar edhe prova të tjera implikuese për të dyshuarit, ndërkohë që ekzistojnë përgjime, vëzhgime dhe shumë të dhëna të tjera, që vërtetojnë se dhjetë personat e arrestuar kanë funksionuar si një organizatë kriminale në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

 

Ngjarja në Përrenjas

Grabitet gruaja e kryetarit të PS-së

Grabitet pasi u godit me dru në kokë bashkëshortja e kryetarit të PS-së për qytetin e Përrenjasit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes. Sofika Facja, pronare e një dyqani të vogël në këtë qytet, është goditur befasisht me dru në kokë nga persona të paidentifikuar, të cilët i kanë grabitur më pas bizhuteritë. Ajo është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet në gjendje serioze për jetën. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Dyshimet e para flasin se Sofika Facja është sulmuar nga disa djem të zonës, dhe nisur nga këto dyshime, forcat e komisariatit të Përrenjasit kanë shoqëruar dhjetëra persona, me qëllim arrestimin e tyre. Të gjithë personat janë mbajtur përgjatë natës në ambientet e komisariatit, ndërkohë që deri në orët e vona asnjëri prej tyre s’ka pranuar autorësinë e krimit.

 

 

Arrestimi, Tiranë

Pranga, shtynte katër fëmijë në vjedhje

Policia e Tiranës bën me dije arrestimin e shtetasit Shpëtim Kovaçi, 34 vjeç, i cili akuzohet për vjedhjen e shumës së parave prej 70.000 lekësh në dyqanin në pronësi të një shtetaseje e ndodhur më 24 korrik 2012. Ky shtetas dyshohet se shfrytëzonte të mitur duke i nxitur ato për të lypur dhe realizuar vjedhje në zona të ndryshme në Tiranë. Pas arrestimit të 34-vjeçarit, këta të mitur në bashkëpunim me qendrën “Arsis” janë dërguar në Qendrën kundër Trafikimit të Grave të Dhunuara dhe të Miturve, për të marrë trajtimet e nevojshme. Aktualisht, materialet hetimore i kaluan prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme, duke akuzuar Kovaçin për akuzën e “Shtyrjes së të miturve në krim” dhe “Shfrytëzim të të miturve”.

Vodhën minibashkinë

Polica shpall në kërkim 2 persona

Grabiten rreth 10 milionë lekë të reja nga kasaforta e zyrës së financës në njësinë bashkiake nr. 5 në Tiranë. Këto para, sipas policisë, ishin pjesë e fondit që do t’u shpërndaheshin përfituesve të ndihmës sociale dhe pensionistëve invalidë të kësaj njësie. Grabitja ka ndodhur mesnatën e së martës, kur tre grabitësit me pistoleta në duar dhe të pamaskuar, fillimisht kanë rrahur rojën e ndërtesës, të cilin e kanë detyruar t’u hapte portën kryesore. Më pas, grabitësit janë drejtuar pranë zyrës së financës, ku kanë hapur me çelës kasafortën ku ndodheshin rreth 10 milionë lekë. Për këtë grabitje, prokuroria tashmë ka nisur hetimet dhe kanë arrestuar një person, i cili është identifikuar nga roja. Ky i fundit ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak, për shkak të dëmtimeve që ka marrë nga grabitësit.

 

 

Arrestohet Abdyl Musaagaj, bashkëpunëtorët në kërkim

Trafiku nga Maqedonia, zbulohet punishtja

me 9 kg heroinë në Elbasan, një në pranga

Policia e Elbasanit ka sekuestruar një sasi prej 9 kg heroinë dhe ka arrestuar një person. Burime zyrtare të policisë së Elbasanit bëjnë me dije se është vënë në pranga Abdyl Musaagaj, 45 vjeç, banues në lagjen “Dyli Haxhire” të Elbasanit. Në shtëpinë e tij janë gjetur 9 kg heroinë, 4 telefona celularë, automjeti tip “Mercedes-Benz” dhe një peshore. Policia bën të ditur se janë shpallur në kërkim bashkëpunëtorët e tij, tashmë të identifikuar. Droga dyshohej se është trafikuar nga Maqedonia. Falë një hetimi intensiv të Drejtorisë Policisë së Qarkut Elbasan, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është bërë e mundur të finalizohet me sukses operacioni i koduar “Punishtja”, operacion i cili bëri të mundur sekuestrimin e 9 kg lëndë narkotike e llojit Heroinë, në qytetin e Elbasanit. Nga ky operacion u bë i mundur kapja dhe arrestimi në flagranace i një shtetasi si dhe shpallja në kërkim të bashkëpunëtorëve të tjerë të këtij trafiku lëndësh narkotike, ku për arsye të hetimit nuk bëhen të ditur gjeneralitetet e tyre. Gjatë ditës së djeshme policia e Elbasanit ka bërë shoqërimin e disa persona, të cilët janë marrë në pyetje lidhur me këtë çështje, por më pas janë lënë të lirë të gjithë personat e shoqëruar. Ndërkohë që kontrolle janë kryer edhe në disa banesa ku mendohet se fshihen personat e shpallur në kërkim. Sipas policisë së Elbasanit, Abdyl Masaagaj, zotëron një lokal luksoz në qytet dhe se shumë shpejt ndaj tij do të fillojnë veprimet për sekuestrim.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency