Përgatiti Altin Vorpsi
Deklaratave dhe pretendimeve të kapitenit të Maqedonisë, Goran Pandev, për manipulim të votës së tij për trajnerin më të mirë të vitit 2012, FIFA iu kundërpërgjigj me publikimin e fletëvotimit të tij
FIFA u vendos në qendër të kritikave pas zërave për manipulim të votimeve për ndarjen e çmimeve për vitin 2012. I pari që hodhi dyshimet ishte pikërisht trajneri i Realit të Madridit, Hoze Murinjo. Portugezi bojkotoi ceremoninë, duke e cilësuar atë false, pasi çmimet ishin paracaktuar.
Është pikërisht rasti i duhur për të thënë se Goran Pandevi nuk ka bërë një figurë të mirë. FIFA u ka shkuar deri në fund akuzave të maqedonasit, që para pak ditësh mbështeti Murinjon, duke thënë se më të vërtetë votat e “Topit të Artë” nuk janë numëruar si duhet.
Mashtrues
Pandevi deklaroi se kishte votuar për Hoze Murinjon, ndërkohë që pas publikimit vota shkoi për Visente del Bosken, i cili mori edhe titullin e trajnerit më të mirë të 2012-ës. FIFA publikoi fletëvotimin e Federatës Maqedonase të Futbollit, ku shihet qartë vota e Goran Pandevit për trajnerin më të mirë. I pari i përzgjedhur prej tij është pikërisht Del Boske, ndërsa Murinjo nuk figuron askund, sepse i dyti është tekniku i Mançester Sitit, Roberto Mançini dhe i treti Jurgen Klëp i Borusias së Dortmundit. Fletëvotimi është firmosur në fund nga trajneri i kombëtares maqedonase, Cedomir Janevski, dhe vetë Goran Pandevi.
I pashpresë
Në këtë mes, pa dyshim që Goran Pandevi ka dalë i humbur pasi emri i Murinjos, që maqedonasi thotë se i ka dhënë pesë pikët, nuk figuron në asnjërën prej kutizave të letrës së dërguar në FIFA. Kur të gjithë mendonin se polemikat do të mbylleshin me kaq, ishte sërish Goran Pandev ai që reagoi duke thënë se firma në letrën e publikuar nga FIFA nuk ishte e veta: “Mund t’ju them vetëm se firma mbi faksin e publikuar nga FIFA nuk është e imja. Murinjo është trajneri im i preferuar, të gjithë e dinë”.
Spanjë
Murinjo lajmëron shërbëtorët: Nga 1 qershori jeni të papunë
Hoze Murinjo do të largohet nga Reali i Madridit në fund të këtij sezoni dhe sinjalet e portugezit janë gjithnjë e më të qarta. Ato nuk kanë lidhje vetëm me jetën sportive në klub, por edhe me jetën private të portugezit në kryeqytetin spanjoll. Trajneri portugez aktualisht jeton në një zonë nga më luksozet në periferi të Madridit, në atë që quhet “Ferma”, një kompleks rezidencial VIP, në të cilin banojnë shumë persona të njohur, mes të cilëve edhe futbollistë të klubit madrilen, si: Iker Kasijas, Serxho Ramos, Kaka dhe Kristiano Ronaldo. Ashtu si shumë të tjerë, Murinjo ka shërbëtorë në shtëpi që kujdesen për mirëmbajtjen, gatimin e pastrimin për familjen e portugezit. Janë tre punëtorë dhe të tre janë lajmëruar që të fillojnë të kërkojnë për një punësim tjetër, pasi portugezi do të largohet nga rezidenca aktuale më 1 qershor. Normalisht, mund të mendohet edhe se Murinjo ka vendosur të gjejë një shtëpi tjetër, ndoshta më afër qendrës stërvitore të Valdebebas. Por fakti se ai realisht po mendon të ikë nga Madridi vërtetohet nga data që u ka komunikuar atyre, 1 qershori, pikërisht ajo në të cilin përfundon sezoni i Realit, që do të thotë se nga ky muaj ai dëshiron të mbyllë çdo kontakt me jetën e tij në kryeqytetin spanjoll.
Liga Ballkanike
UEFA i bën planet pa Kosovën
UEFA po mundohet të ringjallë kampionatin e vjetër jugosllav të futbollit dhe ta quajë atë Liga Ballkanike. Lajmi bëhet i ditur nga “Associated Press”, që ka bërë të qartë se institucioni që drejton futbollin në Evropë po mendon të ringjallë këtë aktivitet, duke krijuar një kampionat të mirëfilltë të përbashkët mes Serbisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Sllovenisë dhe Maqedonisë, ndërsa atyre mund t’u shtohen edhe Hungaria dhe Bullgaria. Ideja është që të ndihmohet rritja e nivelit të futbollit në këtë rajon, që ka pësuar një rënie të ndjeshme në krahasim me vitet ‘80, kur lojtarë të shumtë nga Ballkani shkëlqenin në arenën ndërkombëtare. Por është ende e pakuptueshme se si UEFA po mendon që të lërë “jashtë Ballkanit” Shqipërinë dhe Kosovën, duke organizuar një aktivitet ballkanik pa pjesëmarrjen e tyre. Ndonëse ideja do ende shumë kohë për t’u vënë në zbatim, qoftë edhe mospërfshirja në planin fillestar është një goditje e rëndë për futbollin shqiptar në përgjithësi.
Megjithatë, ideja e një lige të tillë mund t’i hapte rrugë krijimit të Ligës Mbarëkombëtare Shqiptare, kampionatit të bashkuar të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës, që do të ndihmonte futbollin shqiptar më shumë sesa pjesëmarrja në një turne që pritet të prodhojë tensione etnike. Pikërisht, shkalla e lartë e huliganizmit në Serbi e Kroaci ka bërë që UEFA të vazhdojë “studimin” e idesë së Ligës Ballkanike, pasi është e ndërgjegjshme se në kushtet aktuale, një aktivitet i tillë do të prodhonte më shumë dhunë sesa futboll.