Tetë shqiptarët më të kërkuar në Greqi, ikën nga burgu Trikallasë

0
233

Elton Qyno

burguPolicia helene publikon fotot e të arratisurve.Sulmi ndaj burgut mendohet se është bërë nga 10 persona

 

Kur kanë kaluar tre ditë nga arratisja e bujshme e 11 shqiptarëve nga burgu i Trikalasë, policia greke ka vendosur të publikojë tetë fotot e shqiptarëve, të cilët ende nuk janë arritur të arrestohen. Sipas mediave greke shqiptarët që nuk janë kapur dhe që vazhdojnë të qëndrojnë në kërkim nga autoritet policore janë Flaulant Luli, Edison Lika, Ilir Kupa, Marjan Kola, Klement Cala, Admir Murataj, Ermal Lita dhe Fatos Sulaj. Pikërisht këta persona, dhe katër të tjerë që tashmë janë arrestuar nga policia, kanë mundur të arratisen nga burgu, duke u ndihmuar nga një bandë njerëzish të armatosur nga jashtë. Gjatë trazirave mbetën të plagosur dy gardianë ndërkohë që të arratisur janë 11 të burgosur. Më shumë se 10 njerëz kanë marrë pjesë në sulmin me armë, sipas informatave të policisë. 400 gëzhoja kallshanikovi janë gjetur në vendngjarje dhe 6 kratere të shpërthimit të granatave. Vetëm në një nga këndet e burgut ku ishte qëlluar, janë gjetur shenjat e 74 plumbave. Policia greke është vënë në kërkim dhe në qendër të Greqisë janë ngritur postblloqe për të kapur të arratisurit dhe personat që mundësuan largimin e tyre nga vendngjarja me furgona. Kërkime janë bërë dhe nga ajri kryesisht përgjatë kufirit shqiptaro – grekë.Policia bën të ditur se të arratisurit janë të gjithë të huaj mes të cilëve dhe 8 shtetasit shqiptarë të dënuar për vjedhje dhe grabitje.

Shqiptarët në “Top Listë”

Arratisja e tyre ka bërë bujë ditët e fundit në Greqi. Ata janë tashmë personat më të kërkuar në vend. Policia greke shpërndau për mediat fotot dhe identitetin e tetë shqiptarëve të arratisur nga burgu i Trikalas në Greqi pak ditë më parë. Nga kërkimet e kryera nuk është arritur të sigurohet asnjë e dhënë për vendodhjen e tyre, ndërkohë që shumë kërkime janë duke u kryer në kufirin e gjelbër mes Shqipërisë dhe Greqisë. Shumë informacione të marra në rrugë operative nga policia helene flasin se Shqiptarët janë arratisur dhe se lëvizja e tyre është bërë në drejtim të rrugëve që të çojnë në kufi me Shqipërinë. Thujase të gjithë linjat e autobuzave por edhe ato të trenave, janë duke u verifikuar me imtësi, ndërsa shumë banesa në zonën e Trikalasë, Larisës e Selanikut, janë kontrollur por pa rezultat. Ministri i Brendshëm dhe ai i Drejtësisë në Greqi, kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për arrestimin e shqiptarëve, duke e konsideruar këtë ngjarje jo si një arratisje ordinere e të burgosurve, por si një sulm me armë në mënyrë terroriste, ndaj shtetit grek.

Arratisja në mesnatë

11 të burgosur mundën të arratisen nga burgu i Trikalas në Greqi, pas trazirave që shpërthyen mbrëmjen e të mërkurës. Lajmi është bërë i ditur të shtunën në mesditë nga agjencia greke e lajmeve, AMNA, që i referohet burimeve të policisë. Thuhet se shumica e të arratisurve, në mos të gjithë, janë shqiptarë, që vuanin dënime për vjedhje dhe grabitje. Trazirat shpërthyen rreth orës 23:00 të së premtes, kur sipas mediave, të burgosurit u ngjitën në tarracën e burgut dhe nisën të qëllonin kundër rojave të burgut. Tre prej këtyre të fundit u plagosën dhe njeri prej tyre iu nështrua ndërhyrjes kirurgjikale, duke iu shmangur rrezikut për jetën. Të shtëna u dëgjuan edhe nga jashtë burgut, nga persona që sillen se ishin bashkëpunëtorë të të arratisurve. Ndërsa vazhdonte shkëmbimi i zjarrit, 11 prej të burgosurve, mundën të dilnin jashtë burgut, duke përdorur litarë.
Në vendngjarje shkuan menjëherë forca të shumta policore që arritën pas mesanate ta vinin situatën në kontroll, ndërsa vlerësimet e para ishin se qenë arratisur pesë të burgosur. Mirëpo, pas numërimit, të shtunën paradite, rezultoi se numri i të arratisurve ishte plot njëmbëdhjetë. Që nga mëngjesi i të shtunës e në vazhdim, forca të policisë po kryejnë kontrolle të imtësishme në gjithë akset rrugore, me qëllim gjetjen dhe kapjen e të arratisurve, por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre të jashtëm, që thuhet se ishin gjashtë dhe përdorën dy makina. Lidhur me faktin e përdorimit të armëve nga ana e të burgosurve, policia vlerëson se ato u hodhën në mjediset e burgut, më 24 shkurt, kur u shënua tentativa e arratisjes me helikopter e keqbërësit grek, Panajotis Vlastos. Atëherë kishte pasur dyshime se nga helikopteri i hodh një çantë me armë e municion, por me gjithë kontrollet e imtësishme në qelitë e burgut, armët nuk ishin gjetur.

 

400

gëzhoja kallshanikovi janë gjetur në vendngjarje dhe 6 kratere të shpërthimit të granatave. Vetëm në një nga këndet e burgut ku ishte qëlluar, janë gjetur shenjat e 74 plumbave.

Në kërkim

  1. Flaulant Luli,
  2. Edison Lika
  3. Ilir Kupa
  4. Marjan Kola
  5. Klement Cala
  6. Admir Murataj
  7. Ermal Lita
  8. Fatos Sulaj.