“Puno, puno, një shtëpizë ndërto!”, – thotë një shprehje popullore nga jugu i Gjermanisë, vendi i shvabëve. Një shtëpizë me oborr, me shumë vend për fëmijët: po a jeton sot kështu një gjerman mesatar? Një studim i ri i Bankës Federale gjermane (Bundesbank) tregon se kjo nuk është e vërtetë, pasi në krahasim me fqinjët evropianë, shumë pak gjermanë zotërojnë një shtëpi apo banesë private. Madje edhe pasuria e familjeve klasifikohet si dukshëm më e vogël se sa ajo e njerëzve në vende të tronditura nga kriza si Spanja apo Italia. A janë gjermanët, ndryshe nga sa mendohet, më të varfër se fqinjët e tyre në jug të Evropës?
Gjermanët, mesatarisht më pak pasuri
Studimi i Bankës Federale gjermane tregon se mesatarja aritmetike e pasurisë së gjermanëve është rreth 54.000 euro. Në Itali ajo arrin nivelin e 163.900 eurove dhe në Spanjë është madje rreth 178.300 euro. Edhe francezët me një nivel prej 113.500 euro janë më mirë se gjermanët. Austria me rreth 76.400 euro është më afër nivelit gjerman. Përllogaritjet janë bërë me të ashtuquajturën medianë. Për studimin u mor një kampion përfaqësues prej 40 milionë familjesh, u radhitën në rritje sipas pasurisë dhe u llogarit mesatarja aritmetike.
Edhe në llogaritjen e mesatares së thjeshtë pasuria e familjeve gjermane është nën atë të vendeve të tjera të euros. Kështu në familjet spanjolle pasuria mesatare është 285.500 euro, në Austri 265.000 euro dhe në Gjermani vetëm 195.200 euro.
Arsyeja duket se është kuota e ulët e zotërimit të shtëpive dhe banesave private. Ndërkohë që në Gjermani vetëm 44,2 për qind kanë një shtëpi apo banesë të vetën, në Francë pronarë janë p.sh. 57,9 për qind, në Itali 68,4 për qind dhe në Spanjë madje 82,7 për qind.
Instituti për Ekonominë gjermane në Köln thotë megjithatë se rezultati nuk është arsye për shqetësim. “Në Gjermani kemi për shembull një treg qerash banesash që funksionon mirë dhe respektivisht një kuotë më të vogël pronësie banesash”, shpjegon për DW Christoph Schröder nga ky institut. “Së dyti, sigurimi social në Gjermani garanton një sigurim mjaft të mirë dhe kështu motivacioni për të kursyer për pleqërinë apo për rastin e papunësisë është tek ne pak më i kufizuar.”
Kritikë ndaj studimit
Schröder tërheq gjithashtu vëmendjen se rezultatet e sondazhit duhen parë me sy kritik. “Janë krahasuar mollë me dardha”, deklaron instituti. Shifrat vijnë nga një sondazh mbarevropian të kryer nga bankat qendrore, të cilat kanë studiuar për çdo vend situatën pasurore të familjeve. Shifrat për Gjermaninë pasqyrojnë gjendjen e vitit 2010, ndërsa ato për Spanjën vitin 2008. Por në atë vit në vendin evropianojugor shpërtheu kriza e imobiljeve dhe pasuria në imobilje ishte me siguri e mbivlerësuar. Ndërsa rënia drastike e çmimeve të imobiljeve nuk është pjesë e studimit.
Veç kësaj është marrë parasysh pasuria mesatare e pasurisë së familjeve. Problemi në këtë rast është se familjet gjermane me mesatarisht 2 persona janë dukshëm më të vogla se familjet spanjolle me 2,7 persona. Kjo do të thotë që pasuria në këto vende shpërndahet mes më shumë personave se në Gjermani.
Pra punët nuk janë aq keq sa duket në vështrim të parë? Deputeti i gjelbër në Parlamentin Evropian Sven Giegold, i konsideron alarmante rezultatet e studimit të Bankës Federale gjermane. “Studimi tregon para së gjithash për herë të parë, një shpërndarje tejet të pabarabartë të pasurisë në Gjermani. Është shqetësuese që në ndarjen e pasurisë 10 për qind e njerëzve në shtresën e lartë zotërojnë 60 për qind të pasurisë së përgjithshme. Kjo e kapërcen kufirin e asaj çka është e mirë për një shoqëri demokratike.” /DW/