Shkencëtarët e prodhuar në KQ të PPSH

Çelo Hoxha

DOSJEAleksandër Xhuvani, Dhimitër Shuteriqi dhe disa të tjerë u bënë doktorë shkencash me vendim të KQ të PPSH

 

Gradat shkencore jepen nga universitete dhe institucione të specializuara në nivel universitetesh. Në 1956, Shqipëria nuk kishte ende universitet, por gradat shkencore filluan të jepeshin. Ato i jepte KQ i PPSH, siç e dëshmon dokumenti i mëposhtëm.

Ata që jepnin gradat shkencore nuk kishin ndonjëfarë specializimi shkencor, madje e kishin shumë të kufizuar edhe numrin e viteve të shkollës që kishin kryer.

Brenda të njëjtit urdhër, në rastin e Aleksandër Xhuvanit, jepen dy tituj shkencorë, “Doktor i shkencave” dhe “Profesor”. Nuk dua të vë në dyshim veprën e Xhuvanit, por fakti që titujt ia jepnin ca të pashkollë flet më shumë për cilësinë e saj.

Për rastin e Dhimitër Shuteriqit duhen thënë disa fjalë më tepër. Brenda një kohe shumë të shkurtër ai ka prezantuar për “gradën shkencore” një listë titujsh të tij shumë të gjatë, që mendohet se e ka bërë brenda një 10-vjeçari. Në vitin 1945 ai ishte shefi i Propagandës në Elbasan dhe kishte kryer (me urdhër) heqjen nga qarkullimi të librave me frymë kombëtare. Për këtë çështje kemi botuar një seri dosjerësh në gusht të vitit të kaluar. Shuteriqi është akuzuar nga Mitrush Kuteli edhe si vjedhës i veprës së Lef Nosit dhe disa personave të tjerë. Në titujt e veprave “të tija” ka edhe vepra që kërkonin një punë kërkimore shumë të gjatë, gjë që duket e pamundur që ai ta ketë bërë në aq pak kohë. Vitin e kaluar, u lajmërua në media, në një gazetë të paktën e kam lexuar, se ishte zbuluar një letër e Skënderbeut, e cila, sipas të shoqes së Shuteriqit, gjendej në arkivin e tij, që sot e ruan familja. Mediat nuk u bënë kureshtare të pyesnin se ku e kishte gjetur Dhimitër Shuteriqi atë letër ose si kishte përfunduar letra në arkivin e tij, kur dihet që ai nuk ishte as bashkëkohës i Skënderbeut dhe as pasardhës i tij. Ndjekja e gjurmëve mund të çonte në ndonjë zbulim interesant. Sidoqoftë, dokumenti i sotëm thjesht tregon se ato ishin grada propagandistike.

Dokumenti botohet me shkurtime.

 

 

DOKUMENTI

 

PROJEKT-VENDIM

MBI DHËNIN E TITUJVE DHE GRADAVE SHKENCORE

 

Sekretariati i Komitetit Qëndror të P.P.SH, në mbledhjen e tij të datës………,

 

Vendosi:

I.- T’i jepet grada shkencore “doktor i shkencave” Aleksandër Xhuvanit pa mbrojtur diseratcionin, për arsye se ka një aktivitet të gjerë shkencor ku përfshihen: 8 vepra origjinale, 4 vepra të shkrojtura në bashkëpunim me autorë të tjerë dhe afro 100 studime artikuj të ndryshëm mbi probleme të ndryshme, sipas karakteristikës së dhënë këtu bashkëngjitur.

II.- T’u jepet titulli shkencor “profesor” Aleksandër Xhuvanit dhe Spiro Kondës. Të parit për arsyet e mësipërme, ndërsa të dytit për arsye se ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të dukshëm në rrahjen e problemeve të historisë së vendit tonë dhe të gjuhës shqipe. Aktiviteti i tij paraqitet në karakteristikat që ju dërgojmë bashkangjitur.

III.- T’u jepet grada “Kandidat i shkencave” pa kaluar nëpër aspirantur punonjësve shkencorë dhe pedagogëve që shënohen në listën bashkangjitur, për arsye se kanë një përgatitje të mirë shkencore, kanë një stazh të gjatë në punë shkencore, me gjithse në kondita jo shumë të favorëshme kanë kryer një punë të vlefshme shkencore. Kanë shkruar dhe botuar vepra të një niveli shkencor dhe ideollogjik të kënaqshëm.

Aktiviteti shkencor i ccdo kandidati që propozohet, paraqitet në karakteristikat që ju dërgojmë bashkangjitur.

IV.- T’u jepet titulli shkencor “docent” disa pedagogëve të Instituteve të larta, për arsye se kanë mbaruar shkolla të larta, zhvillojnë kurse leksionesh të plota dhe të pavarura me një nivel të lartë shkencor, kanë aktivitet metodiko-shkencor, i cili shprehet në veprat e tyre të botuara dhe jo të botuara, në artikuj të ndryshëm shkencore, në adaptime tekstesh, në referate shkencore, etj., kanë në këto punë një stazh jo më pak se tre vjet.

Numri i docentve dhe njerëzit konkretisht të përcaktohen nga shokët Liri Belishova, Manush Myftiu, dhe Ramis Alija para se të shihen nga KQ.

V.- T’i rekomandohet Këshillit të Ministrave që të caktojë pagat e punonjësve të kategorive të lartpërmendura në përshtatje me titujt dhe gradat shkencore.

 

PROPOZIME PËR TITUJ DHE GRADA SHKENCORE

I.- T’i jepet grada shkencore “doktor i shkencave” Aleksandër Xhuvanit.

II.- T’i jepet titulli shkencor “profesor”:

1.- Aleksandër Xhuvanit

2.-Spiro Konda

 

III.- LISTA E PUNONJËSVE TË SHKENCËS DHE PEDAGOGËVE, TË CILËVE U JIPET GRADA SHKENCORE “KANDIDAT I SHKENCAVE”.

1.- Dhimitër Shuteriqi

2.- Gjovalin Gjadri

3.- Fejzi Hoxha

4.- Ilia Mitrushi

5.- Dhimitër Vavako

6.- Stavro Gjollma

7.- Spiro Konda

 

MBI AKTIVITETIN SHKENCOR TË SHOKUT ALEKSANDËR XHUVANI

 

Aktiviteti shkencor i shokut Aleksandër Xhuvani përbëhet nga këto punime të tijë:

1.- Libri i gjuhës shqipe për klasën e III-të të fillores.

2.- Libri i gjuhës shqipe për klasën e IV-të e të V-të.

3.- Njohuritë e para të Syntaksës Shqipe.

4.- Syntaksa shqipe.

5.- Fillimet e pedagogjisë( Psikollogji dhe didaktikë).

6.- Histori e letërsisë Greke.

7.- Antologji e klasës së III-të të shkollës së mesme.

8.- Letërsinë e vjetër shqipe dhe letërsinë Arbëreshë.

Në bashkëpunim me antarë të tjerë ai shkroi:

1.- Abetaren

2.- Fillime të stilistikës e të letërsisë së përgjithëshme për shkollat e mesme.

3.- Parashtesat dhe prapashtesat e gjuhës shqipe.

4.- Orthografinë gjuhës shqipe.

Përvecc këtyre shoku Aleksandër Xhuvani ka shkruar rreth 100 studime e artikuj të ndryshëm në gazeta e revista mbi probleme të gjuhës, pedagogjisë, historisë dhe ka bërë një varg përkthimesh nga letërsija e huaj.

 

MBI AKTIVITETIN SHKENCOR TË SHOKUT DHIMITËR SHUTERIQI

 

Shoku Dhimitër Shuteriqi, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, antar i Institutit të shkencave gjatë viteve mbas cclirimit në fushën e shkencës ka punuar këto vepra:

1.- Metrika shqipe: tekst për shkollat e mesme, botuar në vitin 1947.

2.- Historija e Letërsisë shqipe të rilindjes: dispencë për institutin pedagogjik, botuar në vitin 1948 (mbi 200 faqe).

3.- Folklora shqipe: dispencë për Institutin pedagogjik, botuar në vitin 1949 ( mbi 200 faqe).

4.- Bibliografi e folklores shqipe: dorëshkrim pranë institutit të shkencave, punuarë në vitin 1949.

5.- Bibliografi e arsyetuar e letërsisë së vjetër shqipe: nga origjinat me 1850, dorëshkrim pranë Institutit të shkencave, punuar në vitin 1950.

6.- Letërsija e re shqipe: tekst për shkollat e mesme, botuar në vitin 1950 ( mbi 100 faqe).

7.- Dhaskal Todhri: monografi: jeta, veprat, gjuha, tekste të transkiptuara, fjalor i suktorit -dorëshkrim 1950. Pjesa mbi jetën, veprat dhe gjuhën u botuan në Buletini për shkencat shoqërore në vitin 1954.

8.- Historija e letërsisë shqipe: nga origjinat në ditët tona, tekst për shkollat e mesme, punuar në vitin 1955 (rreth 300 faqe).

Gjithashtu gjatë aktivitetit të tijë në fushën e Shkencës shoku Dhimitër Shuteriqi ka punuar dhe këto pjesë të vogla sicc janë:

1) Mbi Naim Frashërin

2) Legjendën e Skëndërbeut

3) Mbi jetën e Kristoforithit

4) Anonimi i Elbasanit

5) Mbi Ccajupin

6) Mbi gjuhën letrare shqipe

 

(AQSH, F.14, V.56, D.71)

 

 

 

DOKUMENTI

 

QEVERIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË

KËSHILLI I PREFEKTURËS ELBASANIT

 

Seksioni i Shty. Prop. Kulturës Popullore

 

Nr. 27/III i Prot.

 

Elbasan më 7/4/1945.

 

 

MINISTRISË SË SHTYPIT, PROPAGANDËS DHE

KULTURËS POPULLORE

 

Tiranë

 

Në gjegje të shkresës Nr. 141/X Dt. 12/3/1945/.

 

Bashkangjitur ju dërgohen katalogët e librave në gjuhën Shqipe të librarive të qytetit t’onë, duke qënë shënuar librat e ndaluara. Librarit e tjera të qytetit t’onë kanë po këtë katalog librash.

Ne kemi nxjerë jasht qarkullimit edhe libra të tjera në gjuhët Gjermanisht dhe Italisht. Në se shifet e nevojshme, po ju dërgojmë edhe një katalog të këtyre librave.

 

VDEKJE FASHIZMIT

LIRI POPULLIT

 

Përgjegjës i Seksionit

(Dhimitër Shuteriqi)

(Firma)

 

Sazan Guri: Një qumësht që zihet në

Kërko