Shqipëria bind edhe në miqësore

Altin Vorpsi

miqesoreShqipëria ka shkatërruar me rezultatin e thellë 4-1 Lituaninë, në ndeshjen miqësore që shërbeu më shumë si një test i mirë ky për skuadrën e drejtuar nga De Biazi

 

Triumfi në Oslo nuk ka qenë i rastësishëm. De Biazi ka arritur që t’i gjejë sekretin Shqipërisë. Tani kuqezinjtë kanë fituar besim në vetvete dhe mendojnë seriozisht për botërorin në Brazil. Prova? Lituania u përkul shumë lehtë në miqësoren që zhvilloi në “Qemal Stafa” përballë tanëve.

 

Formacioni

Kapiteni Cana e ndoqi këtë miqësore nga stoli (aktivizohet në minutën e 70-të), teksa në vend të tij luan Tefik Osmani, krah Mavrajt në qendër të mbrojtjes kuqezi. Frika nga një humbje e mundshme me Lituaninë, çka do ta zbehte entuziazmin post-Norvegji, e ka detyruar italianin të shmangë ndryshime të shumta në këtë repart. Andi Lila, edhe pse nuk do të jetë në kthimin ndaj norvegjezëve për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë (pezullim një ndeshje), luajti në krahun e majtë të prapavijës së kombëtares, ndërsa në kahun tjetër ishte pozicionuar Agolli. Odise Roshi, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, nuk luan në krahun e djathtë të mesfushës, pasi aty po patrullon Alban Meha. Debutim i Valdet Ramës me kuqezinjtë, me kosovarin e Valadolit të vendosur në krahun e majtë të mesfushës, ndërsa qendra i besohet dyshes Basha-S. Lilaj. Sulmi ka dy gjigantët, Erion Bogdani dhe Edgar Çani. Interesant është fakti se lojtari më i kuotuar për ta zëvendësuar Canën në ndeshjen kualifikuese të radhës, Debatik Curri, nuk ishte në formacionin titullar ndaj Lituanisë, madje s’u aktivizua as si zëvendësues, pasi këtë rol duket se e kishte fituar korçari i Teutës, Osmani. Në pjesën e dytë trajneri ka bërë edhe lëvizjet e pritshme, i favorizuar nga rezultati i pastër, që u sigurua që në 45 minutat e para.

 

Kronika

Kuqezinjtë nisin që në minutat e para presionin ndaj miqve, të cilët duhet thënë në renditjen e FIFA-s janë 56 vende me inferiorë se ne. Me gjithë rastet dhe topat e hedhur në zonë, goli mbërrin në minutën e 33-të kur Alban Mehaj realizon një supergol nga një goditje dënimi. Katër minuta më vonë ishte Edgar Çani ai që dyfishoi gjithçka, ndërsa Basha vulosi në 3-0 rezultatin e pjesës së parë. Pjesa e dytë nisi sërish me Shqipërinë në sulm, ndërsa miqtë dukeshin të pafuqishëm për të reaguar. Presioni i madh në zonën kundërshtare sjell golin e katërt për tanët, falë një devijimi të njërit prej mbrojtësve lituanezë.

Pak minuta më vonë, miqtë shënojnë golin e nderit, ndërsa De Biazi hodhi për disa minuta edhe Valdet Ramën, shqiptari që aktivizohet në Primera Division për Valadolid që veshi për herë të parë fanellën kuqezi.

 

Trajneri

Murinjo “dashuron” edhe Çelsin, edhe Interin

Dashuron Çelsin dhe Interin, por ndërkohë mendon për Realin. Murinjo edhe një herë ka bërë gjithçka për të ngatërruar ata që janë munduar të kuptojnë se cili do të jetë stacioni i radhës pas Madridit. “Çelsi dhe Interi janë në zemrën time, por deri në fund të sezonit unë mendoj vetëm për Realin”, – pranoi vetë tekniku në një intervistë për “Sky”-in. Por shtypi britanik është i bindur se “orakulli nga Setubali” ka arritur akordin me Çelsin. Është çështje kohe që martesa mes Çelsit të Abramoviçit dhe Murinjos të bëhet zyrtare. Ndërkohë, vetë portugezi kërkon të frenojë gjithçka: “Në këtë moment kanë spekuluar shumë. Kush më njeh mirë, e di që në këtë moment  po mendoj vetëm për punën time në Madrid”. Ndërkaq, sipas të përditshmes britanike “Daily Mail”, e cila ka cituar burime pranë klubit, tashmë është gjetur një marrëveshje mes Abramoviçin dhe vetë portugezit. E përditshmja u tregua e kujdesshme për të nënvizuar se ndërkohë nuk do të ketë asnjë konfirmim, për sa kohë Murinjo do të vazhdojë të jetë trajneri i Realit, deri në fund të sezonit aktual.

Vetë tekniku duket se ka preferuar rikthimin, në vend të marrjes së drejtimit të Paris SG në Francë, për të hedhur bazat e kalimit, një ditë, në drejtimin e Mançester Junajtid në “Old Trafford”. Marrëveshja midis Abramoviçit dhe trajnerit 50-vjeçar, sipas “Daily Mail”, u arrit në një takim gjatë së hënës, që parapriu prezencën e portugezit në “Stamford Bridge”, si spektator në miqësoren Brazil-Rusi.

Sipas “Daily Mail”, trajneri i preferuar për Abramoviçin ishte Guardiola, por pas firmosjes së tij për Bajernin, miliarderi rus rimori në konsideratë ish-in e tij.

 

Vendimi

Në fushë kundër Barçës, UEFA fal Ibrën

Zllatan Ibrahimoviç do të zbresë në fushë në dy takimet çerekfinale të Champions League, përballë Barcelonës. UEFA vendosi dje që të pranonte apelimimin e PSG, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e raundit të një të tetave, me Valencian. I përjashtuar në fund të përballjes së vajtjes (Valencia-PSG 1-2), suedezi u pezullua me dy ndeshje shtesë për shkak të ndërhyrjes së tij të rrezikshme dhe humbi ndeshjen e kthimit, të përfunduar 1-1. Apeli i PSG rezultoi i suksesshëm, pas një pasaktësie të evidentuar në raportin e gjyqtarit pas ndeshjes. Në këtë raport shkruhej se ndërhyrja e Ibrahimoviç kishte ndodhur kur loja ishte e ndërprerë, por nga pamjet televizive, u vërtetua se në fakt ajo kishte ndodhur gjatë lojës dhe si rrjedhojë, UEFA vendosi të ulte pezullimin nga dy në një ndeshje. Pas kësaj “amnistie”, Ibra do të mund të jetë i pranishëm në të dy ndeshjet çerekfinale kundër ish-skuadrës së tij dhe jo vetëm në atë të “Camp Nou”, siç ishte paralajmëruar më parë.

 

Angli

Barton: Nejmari është si Xhastin Biberi

Xho Barton, mesfushori i Olimpikut të Marsejës, njihet për bëmat e tij më shumë jashtë fushe sesa brenda saj. Futbollisti anglez është tallur kësaj radhe me Nejmarin, talentin e futbollit brazilian. Barton shkroi në Twitter: “Nejmar është Xhastin Biberi i futbollit. Shkëlqen në Youtube, por është jashtëqitje maceje në realitet”. Edhe më parë Barton ka qenë autor i disa shprehjeve “pa doreza”. Pas miqësores mes Anglisë dhe Brazilit, ai shkroi për Nejmarin se ishte”i mbivlerësuar”. Si kundërpërgjigje, talenti brazilian kishte pyetur me ironi: “Kush është Xho Barton?” Pas kritikave që ka marrë nga shumë tifozë brazilianë në Twitter, Barton ka menduar edhe për ta duke i ngacmuar: “Maradona është shumë më i mirë se Pele”. Një tjetër frazë interesante drejtuar brazilianëve është kjo: “Tani, ju brazilianët luani po aq shëmtuar sa ne anglezët”.

 

 

 

 

 

Perënditë e heshtjes së Ferrës

Kërko