Blerta Mrishaj
Basha: Qytetarët nuk do të mbeten peng i papërgjegjshmërisë së ndërtuesve dhe moszbatimit të ligjit nga administrata e mëparshme
Kika: Vullneti i bashkisë mundësoi hipotekimin e 120 objekteve në 2012-ën, brenda këtij viti përfundojnë procedurat për 380 objekte
Jaka: Bashkia e Tiranës dëshmon sot një bashkëpunim me vullnet pozitiv me sipërmarrjen private
Dhënia e lejeve të përdorimit për 36 pallate hap rrugë hipotekimit të 2 mijë apartamenteve, ku përfitues direktë janë 8 mijë qytetarë. Pallatet janë ndërtuar gjatë viteve 2001-2008, me shkelje të lejes së ndërtimit, por pavarësisht kësaj, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në prani të kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, z. Avenir Kika, dhe kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, z. Nikolin Jaka, firmosi lejet e përdorimit. Kryebashkiaku Basha ka garantuar edhe një herë për vendosmërinë tij në përfundimin sa më parë të procesit të hipotekimit, duke bërë në këtë mënyrë pronarë të shtëpive të tyre qytetarët e Tiranës.
Procesi
“Procesi është një shenjë e qartë e vullnetit për t’i shkuar deri në fund premtimit që qytetarët e Tiranës të mos mbeten peng i papërgjegjshmërisë, nga njëra anë e ndërtuesve që ndërtuan duke shkelur kushtet e lejes dhe nga ana tjetër natyrisht përgjegjësisë së pashmangshme të pushtetit vendor, për të kontrolluar dhe disiplinuar punimet gjatë fazës së punimeve. Në përputhje me angazhimin tonë si bashkia më e madhe në kryeqytet, që ka edhe problemet më të mëdha të mbartura në këtë kategori ndërtimesh, që ka edhe procesin më të madh të pambyllur të hipotekimit të këtyre pronave të qytetarëve të saj, ne u angazhuam me qeverinë në një proces i cili kulmoi nga pikëpamja normative me aktin normativ të qeverisë që i hapi rrugë hipotekimit të këtyre objekteve. Kam kënaqësinë që sot, afro katër javë pas miratimit të këtij akti normativ nga qeveria, të cilin po ashtu pashë që u miratua në Parlament me vullnet të plotë, ne të dorëzojmë pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës 36 objekte që përfaqësojnë afro 2000 apartamente, pra afro 8000 banorë të kryeqytetit, që nga dita e sotme mund të ndjekin procedurat përfundimtare pranë ZRPP së Tiranës, për t’u pajisur me tapitë e shtëpive të tyre”, – u shpreh z. Basha. Akti normativ i hap rrugën hipotekimit të afro 260 objekteve me 11 mijë apartamente të ndërtuara me leje por leje të shkelura gjatë procesit të ndërtimit. Përfundimi i këtij procesi bën pronarë të shtëpive të tyre rreth 50 000 qytetarë të Tiranës. Kryebashkiaku Basha ka nënvizuar vështirësinë e hasur për 100 objekte, ndërtuesit e të cilëve sot nuk kanë marrë asnjë përgjegjësi për mbylljen e këtij procesi. Kryetari i bashkisë bëri të ditur se ka gjetur mirëkuptimin e Shoqatës së Ndërtuesve dhe Dhomës së Tregtisë, që anëtarët e tyre të marrin përsipër kolaudimin e këtyre objekteve, në mënyrë që të mos penalizohen qytetarët.
Hipotekimi
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka informuar edhe për ecurinë e deritanishme të procesit të hipotekimit. Janë 120 objekte të hipotekuara, një pjesë e madhe e të cilëve për vite me radhë nuk ishin pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për hipotekim nga Bashkia dhe 59 objekte të pajisura rishtas me leje përdorimi. “Dua të risjell në vëmendje se ky hap është hapi i dytë në këtë proces i cili ka nisur prej kohësh, me afro 59 dosje të dorëzuara vetëm gjatë vitit 2012 tashmë, të proceduara pjesa më e madhe në Zyrën e Regjistrimit të pasurive të Paluajtshme në Tiranë. Nga këto, 24 kanë përfunduar hipotekimin, 23 janë në proces të regjistrimit gjithsej 1500 apartamente. Bëhet fjalë për afro 6 mijë banorë që janë përfitues. 12 objekte nuk kanë aplikuar akoma pranë ZRPP, ndaj u bëj thirrje 12 subjekteve që përfaqësojnë këto 12 ndërtesa të larta me shumë banorë, të interesohen pa vonesë për të përmbyllur procesin e regjistrimit pranë ZRPP”, – u shpreh z. Basha. Ndërsa kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, Avenir Kika, duke falënderuar Bashkinë e Tiranës e cila është kthyer sot në një partner të rëndësishëm për ta, u shpreh i sigurt se në bashkëpunim me bashkinë, brenda 2013-ës do të përfundojë procesi i hipotekimit të 380 objekteve në kryeqytet.
Takimi me BE-në
Mediu: Prioritet, forcimi i strukturave të inspektimit
Në një takim me një përfaqësi të Njësisë për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Zgjerimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Mjedisit në BE, që kryesohej nga shefi i kësaj njësie, Nicholas Hanley, ministri Mediu i garantoi ata se mjedisi dhe zhvillimi e mbrojtja e tij ngelin një prej prioriteteve, në të cilat kjo qeveri ka një angazhim gjithnjë e në rritje. Ministri Mediu gjithashtu ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim për mbështetjen kolosale që ata kanë dhënë në zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit në Shqipëri, me anë të financimit të projekteve, por gjithashtu edhe nëpërmjet forcimit të kapaciteteve. Ministri Mediu u shpreh se tashmë Shqipëria ka një legjislacion tërësisht evropian për sa i përket fushës së mjedisit, si dhe u bëri prezent përfaqësuesve të BE-së një sërë arritjesh në këtë drejtim. Ndërsa drejtori Hanley shprehu interesin e zyrës që drejton për ambiciet që ka MMPAU në të ardhmen. Ai vlerësoi të gjitha hapat që janë bërë në drejtim të mbrojtjes dhe i shprehu ministrit Mediu mbështetjen e BE në financimin dhe zbatimin e projekteve, si dhe në ndihmën që BE është e gatshme të japë për forcimin e kapaciteteve dhe strukturat mjedisore në Shqipëri. Ndërkohë në fokus të këtij takimi ishte asistenca e BE-së në Mjedis, rëndësia që BE i ka dhënë të gjitha problematikave mjedisore në Shqipëri, si dhe u diskutua për projektet dhe planin strategjik që MMPAU ka parashikuar në të ardhmen, duke qenë se në BE, është duke u hartuar IPA 2 (instrumenti i ri financiar), që mundëson zhvillimin dhe financimin e projekteve.
Urbanët
Abonetë me karton dhe foto, bashkia: Penalizim subjekteve
Në këto ditë, kur sapo kanë dalë abonetë, në ndryshim nga muajt e mëparshëm shoqërohen me një karton, i cili përmban emrin, mbiemrin dhe një fotot të poseduesit. Çdo qytetar që ka kërkuar blerjen e një të tille, është ndeshur me formatin e ri të aboneve. Ndryshime ka pasur edhe sa i takon shitjes së aboneve të studentëve, ku duke filluar nga ky muaj nuk do të shiten pa vërtetimin përkatës, nga ku më pas dispeçeri do të vendosë edhe foton e studentit. Nisma e ndërmarrë nga subjektet e transportit publik është ndërmarrë pa miratimin e Bashkisë së Tiranës, së cilës nuk i kanë kërkuar leje. Lidhur me situatën e krijuar së fundi, bashkia ka reaguar përmes zyrës së shtypit, nga ku paralajmëruar se do të marrë masa deri në heqjen e licencës për subjektet që krijojnë monopole dhe përdorin praktika të tilla. “Bashkia e Tiranës reagon ndaj kartonit të nxjerrë nga subjektet e transportit publik. Derisa bashkia të bjerë dakord me një format të kartonit që lufton informalitetin dhe nuk krijon praktika monopol apo antikonkurruese, çdo veprim i njëanshëm nga subjektet e transportit publik do të çojë automatikisht në hapa të menjëhershëm për heqjen e licencës. Ky ka qenë dhe mbetet qëndrimi ynë i pandryshueshëm”, – thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës. Sakaq, nëpër të gjitha dispeçeritë e kryeqytetit vijojnë të shiten normalisht abonetë për muajin e ardhshëm, bashkë me formatin e ri.